Llixhat, një thesar apo një pengesë për bashkinë e Dibrës?


Llixhat janë një nga burimet natyrore më të begata që ka ne territorin e Dibrës dhe të shfrytëzuara për vetitë kurative. Aktiviteti kurativ në ujërat termale të qytetit të Peshkopisë ka filluar që në vitet 1600, kur janë përdorur nga banorët e Peshkopisë dhe më gjerë në mënyrë të vazhdueshme për efektet kurative. Gojëdhënat janë transmetuar brez pas brezi për efektin e tyre kurativ, derisa rreth viteve 1870 filluan të përdoren dhe të mirëmbahen nga komuniteti i teqesë së Peshkopisë. Njerëz me dijeni në mjekimet popullore, i kanë rekomanduar për shërim të disa sëmundjeve. Rreth vitit 1928, u ndërtua i pari hauz me mbulesë, që filloi të përdoret me pagesë nga bashkia e qytetit. Në vitin 1953 fillon shfrytëzimi shkencor i tyre dhe ndërtohet i pari mjedis për larje me vaska, si dhe hoteli pranë tyre për të shtruarit. Ndërkohë që kompleksi me vaska dhe kabinete të terapive të veçanta u ndërtua në vitin 1989.
Rrugës për në Rabdisht, Bellovë nga Peshkopia shtrihet lugina e përroit, që quhet edhe “Lugina e Shërimit”. Në kët zonë është kompleksi balnearë i Llixhave, që menaxhon burimin ujor termalë, i njohur për vetitë kurative të tij, ka një temperaturë rreth 40ºC, me një përmbajtje kripërash dhe gazrash të tretura në to. Aty ofrohen të gjitha shërbimet e nevojshme, duke filluar nga pishina, vaska, masazhi, balta dhe shërbimi mjekësor. Cilësia e ujit të llixhave të Peshkopisë është nga më të mirat në Evropë.
Sot, burimet termale të Llixhave të Peshkopisë shfrytëzohen me kapacitet të plotë. Në këto llixha pushojnë rreth 16,000 pushues në vit, të cilët vijnë nga të gjitha trevat e Shqipërisë, Kosova dhe Maqedonia. Turizmi kurativ është sezonal dhe frekuentohet kryesisht në vjeshtë periudha (shtator-nëntor) dhe në periudhën e pranverës, në sezonin (mars-qershor). Shumë biznese, hotele dhe shtëpi pritëse janë ndërtuar në lagjen e Llixhave që u shërbejnë pushuesve me paketë të plotë që nga akomodimi, ushqimi dhe deri tek terapia e banjës.
Llixhat janë thesari për Dibrën, por në të vërtetë kjo ka qenë vetëm thesar për pak njerëz që i menaxhojnë ato. Drejtori i ri i ndërmarrjes së Llixhave flet për një situatë jo të mira ekonomike të kësaj ndërmarrje të trashëguar nga paraardhësit. Një ndërmarrje me borxhe, me staf të fryrë, pa investime në kompleksin balnearë, me amortizim të pajisjeve dhe me një mjedis që çdo ditë po kërcënohet nga ndërtimet pa leje dhe nga shumë konflikte pronësie mbi truallin.
Në bashkia nuk arkëtohen të ardhura të mjaftueshme nga Llixhat, dhe ka një presion si nga organet e kontrollit për shkak se akoma nuk ka një definicion të qartë të profilit të kësaj ndërmarrje, dhe nga presioni menaxhimit apo administrimit të ndërmarrjes si nga politika dhe nga privati që kërkon ti privatizojë ato. Kështu që edhe drejtuesit e Bashkisë janë në një dilemë se çfarë zgjidhje të japin për këtë ndërmarrje. Ta privatizojnë, janë interesa dhe kërkon një procedurë të ndërlikuar për ta bërë një gjë të tillë dhe opinioni publik është kundër një veprimi të tillë. Nëse do e mbajnë kështu siç është, ka shumë fjalë dhe abuzim me të ardhurat që arkëtohen nga kjo ndërmarrje.
Gjatë kësaj periudhe, falë edhe presionit dhe avokimit të opinionit publik, te shoqërisë civile, biznesit në zonën e Llixhave dhe dëshirës së drejtorit të ri për të qenë më transparent, gjërat kanë filluar të lëvizin për më mirë. Kështu në kuadër të projektit të mbështetur nga programi PACT (Partnerë Kundër Korrupsionit) dhe të zbatuar nga shoqata Grupi Veprimit Lokal “Dibra Turistike”, është diskutuar me stafin e ndërrmarrjes, janë organizuar tryeza të rrumbullakta me biznesin dhe anëtarët e këshillit, si dhe me stafin e bashkisë. Nga ky proces, sot drejtori i Llixhave ka hartuar një raport financiarë për këshillin bashkiak, është bërë një interpelancë në këshill, është vendosur në funksion kasa fiskale, dhe është përcaktuar një praktikë raportimi në Bashkinë Dibër.
A mjafton vetëm kaq që Llixhat të kthehen në thesar për Dibrën? Mendojmë se jo, por se si duhet të ndryshohet situata duhet të diskutohen me komunitetin dhe një plan rregullimi për lagjen Llixha, dhe një plan strategjik për menaxhimin e ndërmarrjes së Llixhave do të ishin hapat e parë që do përmirësonte menaxhimin e kësaj ndërmarrje.