154 sonetet e Shekspirit në gjuhën e Naim Berishës


 

Të shkruash mjafton të dish vetëm shkrim e këndim, ndërsa të përkthesh duhet të jesh i shumanshëm. Disa shkrues, pa qenë fare shkrimtarë, shkruajnë libra të mirëshitshëm, që rrëmbejnë vëmendjen e masës, duke luajtur me kuriozitetin, padurimin dhe dëshirën e saj për t’u dukur me kulturë. Përkthyesi nuk e ka aq të lehtë. Ai që përkthen duhet të jetë shkrimtar, poet, muzikant, historian, psikolog dhe mbi të gjitha, një udhërrëfyes i mirë në labirinthin e mistereve të letërsisë. Përkthyesi i aftë nuk kthen mekanikisht vetëm fjalët nga njëra gjuhë në tjetrën, por, njëkohësisht, ai transmeton ndjenjat, mesazhin, kontekstin historik, frymën e kohës kur zhvillohen ngjarjet, bashkë me melodinë e brendshme të prozës apo poezisë që ai i paraqet lexuesit. Kjo detyrë tejet e vështirë kthehet në një punë cfilitëse si mundimi i Sizifit, kur autorët që duhet të përkthehen quhen Shakespeare, Dante, Goethe (Gëte), Balzac apo Edgar Allan Poe. Të përkthesh me nivel kryevepra të letërsisë botërore është ndoshta po aq e vështirë, sikur të shkruaje vetë mrekulli të tilla. Nëse shkrimtari gjenial i ka në mëndje dhe në zemër përjetimet që shkruan, përkthyesi duhet të futet me durim ne mendjen dhe zemrën e autorit dhe jo vetëm kaq. Ai duhet të futet edhe në mendjen dhe zemrën e lexuesve të vendit të tij, të cilët kanë tjetër gjuhë, kulturë, psikologji, shije, mentalitet, traditë dhe mënyrë jetese nga autori i kryeveprës së përkthyer. E prapë kjo nuk është e gjitha. Përkthyesit i duhet shpesh të ndërmarrë me fantazi dhe imagjinatë edhe udhëtime kohore duke kapërcyer shekuj të tërë, e ndonjëherë edhe mijëvjeçarë.
Para disa muajsh mora si dhuratë «Sontetet e Shakespeare-it» të përkthyer nga miku im Naim Berisha, i cili më kërkoi, miqësisht, të jepja mendimin tim, për punën e tij të apasionuar, e cila i kishte kushtuar atij orë të panumërta në disa vite. Këtë punë kaq të vështirë e mora me gëzim përsipër, sepse Naimi nuk është thjesht vetëm një njohës i mirë i gjuhës angleze, por ai ka shkruar gjashtë romane dhe disa libra me poezi. Njëkohësisht ai është edhe një këngëtar i pëlqyeshëm si dhe një kantautor i njohur, pra nuk i mungon veshi muzikor, për të kapur melodinë e fshehur brenda vargut. Veç këtyre, ajo që më nxiti më tepër t’i përkushtoj një pjesë të çmuar të kohës time përkthimit në fjalë, ishte vlerësimi im për përkushtimin që Naimi i kishte falur këtij përkthimi, për të kënaqur lexuesit shqiptarë, për t’i ushqyer ata me një nga kryeveprat klasike, sepse sot kjo gjë është lënë në harresë dhe një armatë e pathyeshme fjalë-kthyesish, e nxitur vetëm nga fitimi, përkthen pa u lodhur dhe pa e vrarë shumë mendjen bestseller, pa asnjë vlerë letrare. Naimi e dinte mirë se me sonetet ai nuk fiton, por vetëm dhuron. Dhuron kohë, gjumë, energji, ndjenjë dhe para të tijat pa fituar asgjë materialisht, përveç mirënjohjes për brezat që vinë më pas. Për këtë arësye jam munduar të jem sa më realist në vlerësimin e punës së tij gjigante, gati-gati, vetëmohuese. Mendova se do ta kisha tepër të vështirë, por përkujdesja dhe dashuria që ka treguar Naimi për vargun, ma lehtësoi shumë punën. Vargjet e Naimit tregojnë se ai e ka bërë Shakespeare-in të shprehet shqip, të komunikojë me ne, të na ndihmojë të zbulojmë natyrën e ndjenjave që fshihen thellë brenda nesh dhe brenda çdo njeriu, në të gjitha kohërat dhe në të gjitha vendet. Më mirë se shkrimi im flasin disa nga vargjet e shqipëruara me aq dashuri dhe pasion nga Naimi. Që në sonetin e parë autori të befason me gjetjet e tij. Ja disa vargje, mbresat e të cilëve nuk të shqiten kollaj, por të pëshpërisin në vesh melodinë dhe përmbajtjen e tyre. Soneti 1: I kredhur je, në sytë dritë e jetë/ Flakën me shpirt, gjallë, ti fort e mban./ Ose më tej: Ti je stolia e mbarë rruzullimit/Grishës i parë i pranverës së pashoqe./
Në sonetin e dytë do të shijoni këto vargje: Kur dyzet dimra ballin të të ftohin/ Dhe bukurinë të të zvetënojnë. / Stolitë, e dashur, që, dikur të ngrohnin./ Do të kthehen në zhele, që të trishtojnë./
Po kapërcej pak në sonetin e pestë, megjithëse me keqardhje, sepse vargjet e përkthyera nga Naimi e meritojnë të gjitha vëmendjen e lexuesit. Soneti 5: Me punë të fisme kohët bukur ngritën/ Të gjitha mrekullitë ku sytë tanë pushojnë./ Soneti 9: Bota do të jetë e veja jote/ Pa një djalë tëndin e lë në vaj/ Kur çdo e ve tjetër do të shohë gëzimplote/ Sytë e të shoqit te fëmijët e saj./
Për të krijuar kryevepra duhet të falësh diçka nga brendësia jote, duhet të shuhet diçka brenda shpirtit tënd – thotë gjeniu Edgar Allan Poe. Për mendimin tim, Naim Berisha na ka dhuruar mjaft shkëndija të çmuara të shpirtit të tij krijues, për të na ngrohur sadopak me zjarrin e ndjenjave shekspiriane.
Ja se ç’kam zgjedhur deri tek 30 sonetet e para:
Soneti 10: Pash sytë e tu, krijo fytyrën tënde/ Që bukuritë në ty, t’i kundrojmë me ëndje./ Soneti 12: Kur shoh ndonjë vjollcë, që vyshket, ul kokën/ Dhe në argjend e kthen floknajën e zezë./ Soneti 13: Kështu bukuria që ti mishëron/ Do të përsëritjej, as do kish limit/ Me djalin e dashur, që ty të pason/ Kështu, djalë pas djali, gjer në infinit. Soneti 15: Krenarë në rini, pastaj, befas, zhduken/ Nga maja me borë, shemben në greminë./ Për ty, unë përleshem me shiun dhe erën/ Për ty, sfidoj dimrin dhe të sjell pranverën. Soneti 16: Vetëm bukuritë, të shpëtojnë jetën/ Dhe arti kur mbarset me të vërtetën. Soneti 17: Bukurinë tënde në vjershat e reja/ Sikur t’i qëndisja gjithë hiret e tua/ Dritën e qashtër të dyve tu të shprehja/ Gjepura!- do të thoshin. Poet i hutuar! Soneti 18: Dhe pse krenare, vdekja kurrënjëherë/ S’ka ç’të bën, n’artin tim mbetesh monument/. Soneti 20: Natyra të bëri veç si femër flirti/ Unë pranoj miqësi, por jo ç’të do shpirti/. Soneti 21: Dhe zë e qëndis pa vend krahasime/ Me lulet më të bukura, me diell dhe hënë/ Me gurë të çmuar, me të rrallët suvenire/ Dhe me të tjera gjëra, që, ende, s’janë thënë/. Soneti 22: Se gjithë bukuritë që shkëlqejnë në ty/ Janë të zemrës sime, si petkat e holla/ Që të rrinë në shtat, me sa bukuri/ Si ti në zemrën time, lulja që vetë mbolla/. Soneti 23: Fjalën e heshtur të dashurisë, lexo/ Porsi bukuria dhe ti me sy dëgjo/. Soneti 24: Në hulli të zemrës, lule e selitur/ Ka për xham dritaresh sytë e tu të bukur/ E sheh, për njëri-tjetrin sytë sa na vlejnë?/ Imi të pikturoi, yti u bë dritare/. Soneti 25: Heronjtë e betejës, trimat luftëtarë/ Nga libri i nderit si retë mund të treten/ Pas një mijë fitoresh veç një herë po ranë/ Fshihen krejt çfarë dhanë për botën, për veten/. Soneti 26: Pres një çast, kur ylli që më prin/ Me sy më të ëmbël, të më shoh një ditë/. Soneti 27: Ah, shpirti im, me sytë e imagjinatës/ Hijen tënde sjell në terr të syve të mi/ Që si një brilant në errësirën e natës/ Natën fut të zezë e bën të vetëtijë/. Soneti 29: Lakmoja unë, vërtet, një tjetër fat/ Të akecilit pamje sikur ta kisha unë/ Miqtë e dikujt dhe talentin në art/ Patjetër do t’më bënin të lumtur shumë/ Po aty vjen edhe mbyllja si përgjigje e qartë/ Aq i lumtur ndihem me kujtimin tend/ Sa dhe mbret të jem, nuk më shkon ndër mend/. Soneti 30: Më mallëngjejnë kujtimet e kohës së ikur/ Lotin me lot, vrerin me vrer e vras.

Vargjet e zgjedhura nga sonetet 31 deri te soneti 60:
Soneti 32: Uroj të vdesësh shumë kohë pas meje/ Kur vetëm eshtrat të më kenë mbetur/ Të shohësh këtë shkrim si vija rrëkeje/ Që shkroi dikur, i dashuri yt i tretur/. Soneti 33: E kam shijuar në jetë hijeshinë/ Kur dielli i agut, malet i pushton/ Dhe mbështet kryet e artë në luginë/ Dhe lumin e qetë e praron/. Soneti 37: Ç’magjeps në botë, e shoh tek ti/ Dhjetëfish më shumë ndjej lumturi/. Soneti 38; Edhe gojëlidhuri, flet bukur për ty/ Se gjuhën ia zgjidh, me dritë dhe me ëndje/ N’m’i pëlqefshin shekujt, ah, këta sonete/ Unë do të mbart dhimbjen, ti lavdinë për vete/. Soneti 39: Veç dashurisht bie në mendime/ Si ta sjell unë pranë, atë që është larg/. Soneti 40: Po ta fal vjedhjen, kusar, sharlatan/ Dhe pse më vodhe i shtyrë nga frika/ Mes fukarallëkut, vodhe fukaranë/ Tallja e dashurisë, m’e keqe se thika/. Soneti 41: Dhe kur flirton një femër buzagaz/ Vallë cili mashkull s’do t’i thurë kurorë/. Soneti 43: Dita më bëhet natë, kur ti më sheh në sy/ (nje gjetje fantastike, pra, kur më sheh ti, më erren sytë) Nata më bëhet ditë, kur n’ ëndërr të shoh ty/. Soneti 44: Pikëllim nuk kam pse ti larg je tret/ Kudoqofsh, mendimi ka gjasë të të gjejë/ Ai tejëshpon porsi një shigjetë/ Dhe di çfarë bën, dhe di ku të vejë/. Soneti 46: Zemra dhe sytë e mi, fort po përpiqen/ Si portretin tënd të bukur ta ndajnë/ Sytë zemrës kot ia mohojnë soditjen/ Këtë gjë zemra e di krejt të sajnë/. Zemra këmbëngul se është shtëpia jote/ Porsi një kështjellë, që kurrë s’e shpojnë sytë/ Por sytë këtë gjë, poshtë e flakin prore/ Thonë se brenda tyre rron ndriçimi yt/. Soneti 47: Kur për një kundrim, sytë ndjenë mungesë/ Psherëtiu zemra me lotët e syve/ Pastaj, rëndom, zemra sytë m’i thërret/ Kur ndonjë ëndërrim e ka mrekulluar/. Ata, nëse flenë, portreti yt ia mbërrin/ Syve dhe zemrës t’u falë lumturinë. Soneti 49: Në pendimin tim të fortifikuar/ Asaj kohe unë i kundërqëndroj/ Kundër vetes ngrihem i disafishuar/ Vuaj të drejtën tënde, që kurrë s’e mohoj. Soneti 50: Më tërheq vëmendjen me fjalët: shih pas!/ Sa rrugë ke bërë, nga shpirti aq të ndanë. Soneti 51: Për dëshirën time s’do të ketë Pegas/ Pegas të rilindur prej dashurisë së dlirë. Soneti 52: Ndoshta për këtë dhe festat kanë hije/ Ngaqë ndodhin rrallë, hijeshojnë vitin/ Si gurët e çmuar n’ gjerdanë nusërie/ Xhevahirë të rrallë që veç përshkënditin. Soneti 53: Gjithkush ka një hije, një hije prore/ Ndërsa vetëm ti, ke sa për të gjithë. Soneti 55: S’rron mermeri, as ari në sculpture/ Sa kjo vjershë, që ty të përjetëson/ Madje, më gjatë se e gdhendur në gur/ Se gurin, dihet, koha e thërmon/. Do të vijë hasmi me luftën shkatërrimtare/ Çdo vepër arti do të shembë përtokë/ As shpatë e Marsit, as turma barbare/ Imazhin tënd, kurrë, s’e prishin dot. Soneti 56: Le të jetë ky rast vetëm një moment/ Porsi deti që ndan dy brigje/ Kur sy të dashuruar, në secilin breg/ Presin që në det të duket një anije. Soneti 57: Nuk di të ankohem për orët e gjata/ Teksa të pres me kurm e shpirt të ngrirë/ S’dua ta kujtoj vdekjen që pata/ Ditën që më the: “Ika, lamtumirë!”. Soneti 59: Si në libra të lashtë të të shoh portretin/ Që ty ta fiksuan poetët madhështorë/. Të shoh dhe njëherë ç’thotë bota e vjetër/ Për madhështinë tënde që po prin në botë/ Oh, them se poetët e gjithë kohës së lashtë/ Më pak gjëra të bukura kanë dhënë me art.

Perzgjedhjet e mia nga soneti 61 deri te soneti 90:
Soneti 62: Në gjithë qënien time ka lënë shënjë/ Një mëkat i quajtur “vetëpëlqimi”/ Aq shumë thellë ai ka hedhur rrënjë/ Sa është i pamundur, tashmë, shërimi/. Veç teje në zemër, jo nuk mbaj askënd/ Gjallëroj pleqërinë me buzagazin tend. Soneti 63; Kur të të shoh vesën e dritës rinore/ Duke rënë nën hijen e mbrëmjes murgeshë. Soneti 64: Kur shoh gërmadhat si gropa rrufeje/ Them, Koha do ta fshijë edhe yllin tim/ Mendim si një mort, që s’guxon tas ngasësh/ Më vjen të qaj, sa frikë të humbasësh. Soneti 65: I tmerrshmi mendim: Kush mund t’ua ndalë/ Kthetrave shfarosëse të Kohës, stolitë…?!/ Kush do të bëjë të pamundurën, vallë?!/ Kush s’do t’i lerë të vyshken bukuritë?!/ Askush, por nëse ndodh, vërtet, një gjë e tillë/ Në qiellin e zi ti do të jesh një yll…! Soneti 66: Të shoh dituritë gojëmbyllur nga mbreti/ Fëmijën e padenjë t’i shes mendtë të atit/ Të shoh të drejtin të vritet nga i veti/ Dhe jetën e zezë, këtë robinjë të fatit. Soneti 68: Ajo përfaqëson veç një kohë të shenjtë/ Kur s’kish zbukurime, veçse natyrore/ Kur vera nuk bëhej për të shitur mendtë/ As nuk visheshin varret për stolitë, prore. Soneti 69: Lulja e bukur pa një erë të mire/ Nuk zgjon interes në kohë dhe hapësirë. Soneti 70: Lulen më të bukur lakmon dhe krimbi/ Kur ti një kopsht me lule, befas, i ofron. Soneti 72; Oh, nëse të thotë bota ngastare/ Ç’vlerë kisha unë që ti më deshe/ Edhe pas vdekjes, harromë, moj shpirt, fare/ Thuaj që s’më pe as të mirë, as të keqe/ Veçse për mua mos trillo asgjë/ Mos më ngjit më lart se ç’u ngjita vetë. Soneti 73: Në mua është stina ku ca fletë vajtojnë/ Të verdhët qajnë rininë dhe blerimin/ Në degët që lëkund era, mezi rektojnë/Altarë të rrënuar, ku zogjtë cicërinin. Soneti 74: Kurmi le të më shkojë në dheun ku kam lindur/ Shpirtin ta le ty, o mikja ime e shtrenjtë/ Në shpirtin që të lë, aty është dhe vlera/ Që do të rrojë me ty, pasyshim, ngahera. Soneti 75: I lumtur ndihem kur më merr trishtimi/ Njësoj si kopraci me paratë në xhep. Kur jam me ty, ndihem vërtet, mire/ Dua të gjithë globin të bëjë dëshmitarin. Soneti 76: Dhe uni im. si diell që mplaket përditë/ Tregon çfarë është thënë, t’vjetrën përsërit. Soneti 77: Pasqyrë të mendjes ke të bardhat fletë/ Kridhu në këtë libër që të drithërohesh. Soneti 78: Me muzën time ji krenare, pra/ Se në ty u lind, në ty ajo merr flake. Në mua je, e gjitha, arti im, je diell/ Nga padija në dije, më ngrite në qiell. Soneti 79: Veç vjersha ime kish bukurinë tënde/ Se vetëm unë, herët, ta njoha bukurinë/ Tash që e humba këtë zë thëllënze/ E ngrysur Muza ime po lyp tjetër stinë. Soneti 80: Kur shkruaj për ty ndjej drithërimë/ Mendoj dikë tjetër duke të qëndisur/ Ai, natyrisht, po ndjek udhën time/ Me hiret e tua vjershën ka stolisur. Hapësirën tënde, unë mund ta bëj zap/ Në më dhënç pak ndihmë, o hënë e bukurisë/ Ani, barka ime dhe pse sa një arkë/ Anijen e tjetrit dhe mund ta përmbysë. (Aliteracioni shumë i bukur në dy vargjet e fundit. Edhe mbyllja e sonetit më pëlqen shumë. A.A. Bejko). Në ngadhënjefsha unë, më përket lavdia/ Përndryshe i mbytur jam nga dashuria. Soneti 81: Janë monumente vargjet e mia/ Për sytë e nesërm, brezat që vijnë/ Në të gjitha gjuhët që ka njerëzia/ Veç emri yt do të ketë shkëlqim. Soneti 82: Në vargjet e tyre mjaft ngjyra kanë vënë/ Por faqet e tua pa gjak i kanë lënë. Soneti 84: Poeti që guxon dhe nis për ty e shkruan/ Nëse të pasqyron, ka vërtet meritë. Soneti 86: Drejt teje dhe çmimit tënd të lartë/ Anija krenare e vargut të tij/ Ç’ma veniti frymëzimin tim të artë/ Dhe molin që e rriti me aq dashuri. Soneti 88; Për hiret e tua do nxjerr në pasqyrë/ Dhe ndonjë të fshehtë që më bën të prapë. Soneti 89: Për hatrin tënd dhe veten do ndëshkoj/ Atë që ti urren, s’mund ta dashuroj.

Perzgjedhjet e mia nga sonetet: 91-120:
Soneti 91: Para teje s’ më hy në sy as fisi i pare/ Më shumë se pasuria ti më bën të pasur/ S’më duhet moda, langonj e zagarë/ Në ty gjej çfarë do një zemër e plasur. Soneti 93: Kur qielli të bëri, e kish dhënë vendimin/ Në sytë e tu shtëpinë të ketë mirësia. Ti mollës së Evës aq shumë do t’i ngjaje/ Në shpirt të mos ishe njësoj si në pamje. Soneti 96: Me sa adhurues do zhgënjeheshe ngaherë/ Nëse gjithë favoret do t’i vije në jetë/ Nëse s’je e tillë, më shumë të ka hije/ Ty dhe emrin tënd, ju kam si dy yje. Soneti 98: Dimër s’ish, po dimër dukej në çdo vend/ Unë mikloja lulet, sikur imazhin tend. Soneti 100: Vështro Muzë e ngrysur, si kohë e pabesë/ Asaj që dua, ballin ia ka zbehur/ Në pastë ndonjë rrudhë, hiqja me kujdes/ Që koha për të, të mos kalojë e heshtur. Soneti 103: Mos më shaj nëse nuk shkruaj më tepër/ Pa shihu në pasqyrë dhe do marrësh vesh/ S’e përballoj dot këtë kryevepër/ Ndaj ndihem kokëulur me vargjet zhveshë. Soneti 105: Besë, pamje e mirësi këtu mbetëm/ Ky trinitet vargjet m’i skalit/ Ah, ç’mrekulli, vallë, si nuk çmendem/ Prej kësaj magjie që mua më mahnit. Soneti 106: Hiret e tua janë, thjesht, profeci/ E bukurive që ata kanë ëndërruar/ Dhe pse s’ të panë, të thurën poezi/ Por s’munden si duhet me të hyjnizuar. Soneti 109: Në k’të botë gjithë gjërat më duken të kota/ Për mua, moj zemër, veç ti je bota. Soneti 110: N’ atë qiell të ndritshëm, uromë: mirë se vjen! N’ gjoksin tënd ku dashuria si diell shkëlqen. Soneti 112: Se nuk pyes aspak si bota më quajnë/ N’se ti më vlerëson kur të dal si mbrojtës/ Ti në zemrën time aq shumë je selitur/ Sa bota pa ty, do të ish venitur. Soneti 113: Gjithçfarë syri sheh: të vlefshme, të pavlefshme/ Gjëra të shëmtuara ose dhe të pashme/ Mal apo det, ditë e net t’ skëterrshme/ Korb a pëllumb, krejt i bën të ngjashme. Veç mallit për ty, s’kam gjë në kujtesë/ Unë, shpirti besnik, syri i pabesë. Soneti 115: Vargjet që gënjejnë ndër vargjet e mia/ Janë ato që thonë “më shumë s’mundem të të dua”/ Se s’kish ku të shtrihej, më thoshte arsyeja/ Afshi i dashurisë brenda në mua. Soneti 117: Se miqësi lidha me gjithëfarëlloj njeriu/ I fala gjithkujt të drejtën tënde të plotë/ Se i hapa velat çdo ere që fryu/ Dhe ika aq larg soditjes tënde të ngrohtë. Soneti 119: Ç’kupa me lot sirenash unë ktheva/ Nga llumi më i zi se ferri kulluar/ Ç’shpresa dëshpërimi në shpirt këmbeva/ Sa herë humbisja fitoren e ëndërruar. Soneti 120: Unë t’i kam falur, e dashur, të këqijat/ Në më paç pak hatër, falmi dhe ti të miat.
Përzgjedhjet e mia ndermjet soneteve: 121 deri te 154.
Soneti 121: Nuk e do rregullin i ligu mbi tokë/ I quan të gjithë të ligj se do që t’bëjë shokë. Soneti 122; N’se mbaj me vete bllok, që të të kujtoj/ Ndoshta, ka të ngjarë se mund të t’ harroj. Soneti 123: Gjithçka do të bëj, moj kohë zemërgur/ Për inatin tënd unë besën s’e shkel kurrë. Soneti 124: Jo, ishe lindur larg leqeve të shortit/ Dhe luksit krekosës, imazhit të qeshur/ Jo s’ka nevojë të vesh para të fortit/ Maskën servile që të gjithë kanë veshur. Dëshmoj për satrapët, që njerëzit shfrytëzojnë/ Bëjnë aq mirë kur vdesin, se bëjnë keq kur rrojnë. Soneti125: N’ themele të përjetshme pse të rrëmih/ Për një drithërimë, që më shkakton ëndje/. Soneti 128: Sa i kam për zemër preklat që lodrojnë/ Pëllëmbën të puthin, paj buzët e mia/ Që digjen prej pasionit, feksin e vështrojnë/ Lumturinë e drurit, djegur nga zilia. Soneti 129: Mbytja e shpirtit në b’rrakë paturpësie/ Afshi në veprim, kur s’mbërrin në akt. Soneti130: Dua t’i ndiej fjalët edhe pse e di/ Muzika më fort s’më deh dhe s’kam nge/ Ende s’kam parë duke ecur një hyjni/ Po kur ec e dashura, s’di në shkel mbi dhe. Soneti132: Unë sytë e tua i dua aq shumë/ Ngaqë e dinë moj, se ti më përçmon/ U ngjyen në të zi se u dhimsem unë/ Me ëmbëlsinë-zeher teksa më kundrojnë/ Gjithë qënien tënde, dhimbja ta kish ndritur/ Sikur ti të qaje gjithë brengat e mia. Soneti 135: Detin fryjnë lumejtë kur bien shira/ Breg më breg e rrit mbretërimin e bukur/ Sikundër dhe ti e pasur në dëshira/ Prano dhe timen, bëmë dhe mua t’ lumtur! Soneti 136: Më quaj «asgjë», ani, mos më duaj/ Në një «askush» si unë, do gjesh lumturinë. Soneti 137: S’gjykuan drejt as zemra dhe as sytë e mi/ U krodhën në një llum gënjeshtrash pa kufi. Soneti 138: Kinse shpresoj se, njëmend, i dukem djalë/ Edhe pse ndodhem bash në muzg të jetës/ Shtirem naiv dhe ia përpij çdo fjalë/ Në fund, hoqëm dorë të dy prej së vërtetës/ Kështu, njeri- tjetrin ne gënjejmë gjithmonë/ Duke u ndjerë mirë me dyfytyrësinë tone. Soneti 139: Mjaftohu me gjuhë, me sy mos më plagos/ Mund dhe të më vrasësh, veçse pa dredhi/ Se do një tjetër, thuaje para syrit tim/ Dhe tjetrit, o shpirt, mos ia bëj me sy/ Jo, nuk është mirë të mbytem në mashtrim/ Kur unë para teje dridhem si kërthi/ Dhe falma mua zjarrin tënd, furishëm/ Ndryshe, mos më lër as vdekur, as gjallë/ Vritem ose digjem, t’ shpëtoj sa më parë. Soneti 140: Në do të mos çmëndem dhe ti të mos vuash/ Veç sytë falmi mua, zemrën kujt të duash. Soneti 141: Jo sytë e mi, qebesa, ata s’të duan/ Ngaqë ty të shquajnë një mijë të këqija/ Po zemra që s’i vë re mangësitë e tua/ Se është e çmendur nga dashuria. As pesë shqisat, as mendja e hutuar/ Kësaj zemre të ngratë, ç’t’i bëjnë nuk dine/ Më kot mundohen për ta shëruar/ Që kjo ta zhdukë, ndërkaq, robërinë. Soneti142: N’se nuk i jep tjetrit atë që lyp dhe vetë/ Asgjë s’do të marrësh nga dyert që troket. Soneti 145: “Urrej”- ajo kishte thënë pa shpoti/ Dashuroj fort jetën time dhe -”Jo ty”. Soneti 147: Të dija të bukur si diellin, për besë/ Por qenke natë ferri, qenke korbë e zezë! Soneti 148: Mjerë unë, për sytë që më vuri në ballë Dashuria/ Sy që s’më thonë çfarë sodisin/ S’mund të shohin mirë sytë që dashurojnë/ I zbeh pagjumësia dhe kripa që l’shon loti. Soneti 150; Cila fuqi ta jep këtë pushtet të forte/ Që zemrën skllave ma mban nën dobësitë/ Të mohoj çfarë shoh dhe be të bëj më kot/ E dielli jo, s’e bëka natën ditë? Sonet 151: Kur të quaj «shpirt», nuk është se shtihem/ Për hiret e tua, herë bie, herë ngrihem. Soneti 152: Që të falja dritë, verbova sytë e mi/ I bëra të thonë: ç’nuk shihnin në fakt. Soneti 153: Prej zjarrit të shenjtë të dashurisë, burimi/ U nxeh, u bë zjarrmi e pashterueshme/ U shndërrua në llixhë, ku, gjer më sot, njerëzimi/ Shërohet nga sëmundje të pakuptueshme/ S’m’u gjet kurrë, as llixhë, as ilaç, as varr/ Veç sytë e saj që i dhanë Kupidit zjarr. Soneti 154: Më e bukura nimfë, pishën ngriti lart/ Pishën që legjione zemrash kish bërë shkrumb/ Kështu, gjenaralin e dëshirës më të zjarrtë/ Një nimfë virgjërershë, e zhveshi në gjumë.
Duke lexuar këtë libër, të përkthyer aq bukur, ti njihesh me kryevepren e lavdisë më të madhe letrare të të gjitha kohërave, Ëilliam Shekspir! Poetin dhe shqipëruesin artistik të kësaj kryevepre, Naim Berishën, e uroj për vepra dhe shqipërime të tjera dinjitoze!
Arjan A. Bejko, shkrimtar, përkthyes