Dibra tjetër, ajo e turizmit


Bjeshka e Hinoskës. Foto. B.Karoshi

Dibra është një krahinë e pasur me kulturë, traditë, gastronomi dhe e bekuar me një natyrë që lë mbresa. Së fundmi, me produktin më të ri në turizmin e aventurës, High Scardus Trail, rajoni do të jetë një nga top destinacionet e turistëve në kërkim të adrenalinës. Turizmi malor është një nga potencialet e pashfrytëzuara, nëpërmjet të cilit do të hapeshin vende të reja pune dhe do të zbutej varfëria. Çfarë po ofron Dibra për turistët?

Në vapën mbytëse të këtij gushti në Tiranë, pjesa më e madhe e njerëzve do të rendnin drejt bregut të detit. Megjithatë falë gjeografisë, territori shqiptar ofron alternativa të ndryshme. Për të gjithë të pasionuarit e ecjeve në mal dhe pushimeve aktive ka një shteg të ri, High Scardus Trail, i cili është pak i eksploruar nga turistët dhe që shtrihet në tre shtete. Tre grupe të ndryshme u nisëm njëkohësisht nga Tirana, Kosova dhe Maqedonia për t’u takuar në Dibër.

Mbrëmjen e asaj nate do ta kalonim në bujtinën e Lulzim Hupit, një kullë e vjetër 220-vjeçare. Kulla, e ndërtuar prej Sul Hupit, një tregtar i famshëm i asaj krahine, ishte sjellë në formën e saj origjinale dhe restauruar me kujdes…. Edhe pse pronarët e asaj kulle jetojnë prej vitesh në Bulqizë, kulla është shndërruar në stacion për shumë turistë të huaj që vijnë të eksplorojnë rajonin. (Teksti: L.Loga / Foto: Lulzim Hupi / Facebook)

 

Lartësia e fillimit të marshimit nis në nivelin 1.190 metra mbi nivelin e detit. E gjithë rruga është parashikuar se zgjat rreth 6-7 orë, për të prekur pikën më të lartë Velivarin, në 2332 metër lartësi. Shtegu ka vështirësi mesatare dhe kërkon një përgatitje mesatare fizike. Grehans Uka (ulur), djali me emër gjerman, shërben si guidë lokale për shumë të huaj që janë të pasionuar të ngjitjeve në mal, kryesisht nga zonat gjermanishtfolëse. (Teksti: L.Loga / Foto: Grehans Uka / Facebook)

 

 

Adi Fida e kalon pjesën më të madhe të vitit midis Italisë, ku punon sezonalisht dhe Shqipërisë. Ai ka vendosur që në tokat e të parëve të ngrejë shtëpiza të vogla, me dhoma komode, për të gjithë turistët që përshkojnë shtegun High Scardus Trail. Në bujtinën Fida u akomodua edhe grupi. Familja e madhe Fida, zhvendoset gjatë verës në Bjeshkët e Hinoskës. (Teksti: L.Loga / Foto: B.Karoshi)

 
Në muajin gusht, bjeshka e Hinoskës është e pasur me mjedra, boronicë, luleshtrydhe të egër, por edhe me shumëllojshmëri bimësh mjekësore. Guida jonë shoqëruese na tregon se tashmë bjeshkët janë shndërruar në një burim mjaft të rëndësishëm ekonomik për të gjitha familjet e atyre zonave. Gjatë muajve të verës, familjet angazhohen për grumbullimin e bimëve mjekësore si sherbela, çaji i malit. (Teksti: L.Loga / Foto: B.Karoshi)

 

Natyra është treguar bujare me rajonin e Dibrës. Një aktivitet tjetër me mjaft interes nga turistët është edhe eksplorimi i lumenjve dhe kanioneve që kanë krijuar ata gjatë rrjedhës së tyre. (Teksti: L.Loga / Foto: B.Karoshi)

 

 
High Scardus Trail kalon në tre shtete dhe është ndër shtigjet më të gjata në rajonin e Ballkanit. Shtegu ka gjatësi 495 kilometra dhe përshkon malet në kufij me Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë. Shtegu kalon përmes gjashtë parqeve kombëtare, dy në Maqedoni, një në Kosovë dhe tre parqe në Shqipëri. Shtegu ka shtigje të tjera të panumërta, të cilat lidhin shtegun kryesor dhe me zonat e banuara. Pika e fillimit e këtij shtegu është mali i Sharrit (ana e Maqedonisë) dhe përfundon në rajonin e Prespës në Shqipëri. Për t’u përshkuar i gjithë shtegu, duhen më shumë se 20 ditë, kohëzgjatje 3 herë më e madhe se kohëzgjatja mesatare e udhëtimeve aventurore. (Teksti: L.Loga / Foto: B.Karoshi)

Shënim i redaksisë
Shkrimin origjinal mund ta lexoni në linkun: http://www.monitor.al/dibra-tjeter-ajo-e-turizmit-2/
ose në versionin print të gazetës, Nr. 148, Gusht 2018.