Duke punuar fort vjen edhe suksesi


Ju jeni kampion Europe në një sport që kohët e fundi po lulëzon shumë. A mund të na flasësh pak rreth vetes tuaj?
Më lejoni në fillim të shpreh kënaqësinë dhe privilegjin që po jap këtë intervistë për gazetën tuaj, te e cila, çdo muaj kam lexuar materiale interesante dhe shumë informuese për Dibrën.
Unë kam lindur më 15 dhjetor 1979 në fshatin Tërbac të rrethit të Bulqizës. Që në moshën 11-vjeçare fillova të stërvitesha në sportin e boksit duke u frymëzuar nga personazhet e njohur të filmave. Në viti 1996 si shumë moshatarë të mi emigrova në Greqi, dhe tre vite më vonë fillova arsimin e mesëm. Unë jam i martuar, kam një vajzë, dhe që prej vitit 1999 jetoj me gjithë familjen në Greqi.

Si ia nise rrugës së boksit?
Siç e thash edhe më parë që në moshën 11 vjeçare fillova të stërvitesha në boks. Filmat ishin frymëzimi im ku unë merrja ‘spunton” e parë. Në vitin 1999 bëra një ndeshje miqësore në Greqi dhe dy trajnerët Kosta Jaikimidhis dhe Dhimitri Dhimitriu, më pëlqyen dhe më ofruan në ekipin e Pireut. Më pas u stërvita nga një emër i madh i boksit në Greqi, Angelo Stamitiadhis. Kështu, me pak fat, nisi rrugëtimi im në këtë sport që sot është kthyer në profesion për mua.

Si vazhdoi ky rrugëtim deri në ditët e sotme?
Fillimisht fillova si amator duke u renditur në vendin e parë, më pas në vitin 2003 kalova në Kikboksin profesionist. Në vitin 2003-2004 u shpalla kampion i Greqisë në peshën 70 Kg. Në vitin 2005 mora titullin kampion në K1 në kampionatin ballkanik në Athinë në peshën 72 kg. Në vitin 2006 u shpalla nënkampion Europe në Budapest të Hungarisë dhe sërish në 2007 nënkampion në Greqi.
Në vitin 2009 u ndesha në federatën MMA duke u bërë sërish kampion i Greqisë. Në vitin 2015 në evenimentin e quajtur Santa sërish për të shumtën herë u bëra kampion i turneut në peshën 75 kg. Ndërsa më datë 4 qershor 2016 u shpalla kampion Europe në peshën 75 Kg në Petrich të Bullgarisë gjithmonë për ngjyrat Kuq e Zi. Ndërsa ndeshja më e rëndësishme për mua do të jetë në 22 dhjetor 2018 në pallatin Feti Borova të kompleksit Dinamo në Tiranë për kampion bote.

Një djalë Dibre kampion Europe. Si ndihesh për këtë fakt?
Unë më shumë ndihem krenar që jam Dibran pastaj ndihem mirë që jam kampion. Dibra më lindi, më rriti dhe më bëri kampion. Mençuria, bujaria, mikpritja Dibrane janë prej shekujsh kanë qenë shembull për të gjithë. Ne jemi njerëz punëtorë dhe në të gjitha fushat kemi pasur sukses në të gjithë botën. Unë jam njëri prej këtyre njerëzish që kam punuar fort dhe kam pasur këtë sukses. Çdo i ri duhet të ndjekë ëndrrën që më vonë ta bëjnë realitet atë.

Cila është marrëdhënia juaj me Dibrën?
Të thuash që nuk më mungon Dibra gënjej. Ka 20 vite që jam larguar edhe malli për të kurrë nuk më është shuar. Mundohem të vij shpesh, të vizitoj fshatin tim, Bulqizën, Peshkopinë.
Çdo ditë ajo ndryshon por ca është e vërteta ai vend meriton shumë më shumë. Ata njerëz punëtorë meritojnë tu shiten produktet, meritojnë të kenë një investim në rrugë dhe në aspekte të tjera. Bulqiza dhe bulqizakët duhet të jenë më të pasurit e Europës por fatkeqësisht ndodh krejt e kundërta. Ata po lënë kokën në minierë dhe kjo nuk është e drejtë. Ne të gjithë duhet të lobojmë fort që diçka të ndryshojë në Dibrën tonë të dashur.
Përveç ndeshjes së rëndësishme që do të bësh në dhjetor, cilat janë planet për më tej?
Plane kam shumë, në fakt. Së shpejti do të hap një palestër në qytetin e Durrësit, ku do të ushtroj këtë sport. Mendoj që do të ketë interes, sepse ky sport është mjaftë i bukur. Sigurisht që nuk do lë pas dore edhe ndeshjet e mia.

Nga se frymëzohesh?
(Qesh) Pasioni miku im. Ai është motori i energjive të mia. Jo vetëm tek unë por tek çdokush që ka një pasion të caktuar frymëzohet vetvetiu.

Vjen shpesh në Shqipëri?
Mundohem që të vij sa më shpesh që të jetë e mundur. E dua Shqipërinë po aq sa Dibrën. I dua ngjyrat kuq e zi dhe për atë flamur do të luftoj në çdo ndeshje timen.
E kush është ai që jeton jashtë edhe nuk e merr malli për vendin e tij të lindjes? Unë këtu kam shumë miq, familjarë dhe pushimet i kaloj kryesisht në vendin tim.

A mendon se të rinjtë e sotëm janë më aktiv se në kohën tënde?
Në fëmijërinë time ishte ndryshe. Shqipëria ishte ndryshe atëherë. Unë jam i bindur që në të dy kohët një gjë nuk ndryshon. Puna e pakursyer do të sjellë suksesin. Në qoftë se të rinjtë ecin me këmbë në tokë dhe punojnë për talentin e tyre, suksesi do të bëjë zhurmë për çdo kënd.

Kush është Adriatiku jashtë sportit?
Familja për mua si dhe për çdokënd mendoj është gjëja më e çmuar. Vajza si për çdo prind është pika e dobët. Unë jam një njeri i thjeshtë. Jam popullor me çdo kënd, kushdo qoftë ai. Përpiqem që të jem i thjeshtë me të gjithë dhe të gjithë.

Çfarë do të doje ndryshe në Dibër?
Dua të ketë më shumë punë. Të ketë rrugë dhe të ndihmohen njerëzit. Dibra ka potenciale të jashtëzakonshme natyrore. Sigurisht që Rruga e Arbërit është gjëja kryesore që të gjithë mezi e presim. Kemi shpresa që së shpejti të udhëtojmë më shpesh në Tiranë. Të ketë investime në të gjitha fushat ku ka nevojë për investim.