Ferma “Kaja” në Gjoricë, një histori suksesi përmes punës dhe sakrificës


SONY DSC

Zenel Kaja i Gjoricës nuk ishte marrë shumë me bujqësi para viteve 2000. Ndonëse ai vinte nga një familje bujqish të talentuar, për shumë vite kishte punuar si ushtarak, në detyra të ndryshme. Për më tepër ai ishte djali i Bektash Kajës që kishte qenë për shumë vite kryetar i kooperativës së Gjoricës, njeri punëtor dhe që i dëgjohej fjala. Si pikënisje për aktivitetin e ri u bë vëllai i Zenelit, Mediu. Ai punonte prej vitesh në një magazinë të grumbullimit të frutave, në Bolzano të Italisë. Shpesh diskutonte me agronomët më të mirë të rajonit për varitetet më cilësore, kërkesat e tregut, mënyrat e shumëzimit të mollës e plot probleme të tjera të një teknologjie bashkëkohore. Kishte akumuluar shumë e shumë nga kjo përvojë e bukur e mjeshtrave ndërkombëtarë, pa ditur se do ti hynte në punë ndonjë ditë. Një mendim i lindi në kokë dhe nuk i hiqej. Po sikur, të bëja diçka të tillë atje në vendlindje, atje në Gjoricën time, pranë lumit Drin?
Diskutojnë me vëlla Zenelin dhe ky i fundit, pa u menduar shumë, siç janë të guximshëm ushtarakët në vendime, i jep udhë propozimit të vëllait. Ishte viti 2004. Jo se nuk ishin mbjellë blloqe pemësh deri atëherë, por jo të kësaj natyre. Askush nuk kishte guxuar të mbjellë mollët 80 centimetra bima nga bima, brenda rreshtit, a thua se ishin fidanë domatesh. Pa le pastaj që kjo mënyrë mbjellje dhe këto varietete të reja, kërkonin dhe bandiera për mbështetje, sikurse hardhia. Ja kështu filloi ferma e familjes Kaja të shtojë aktivitetin e saj nga njëri vit në tjetrin. E nisi me një dynym, pesë dynymë të tjera, nëntë … deri tek niveli i sotëm me dyzetë dynymë. Katërmbëdhjetë mijë fidanë të varieteteve të ndryshme, Gran Smith, Golden, Starking, Gala, Fuxhi e Renetë, ka vite që kanë nisur një prodhim të mbarë e cilësor. Në pak vite ajo u shndërrua në një shkollë për fermerët e rinj të zonës e më gjerë. Në vitin 2007 Zeneli fitoi një çmim nga Mada, sa me vlera morale, aq edhe materiale. Shumë fermerë të tjerë filluan të ecin në këtë udhë të bukur, pak të njohur dhe me shumë vështirësi. Parcelat e misrit dhe të fasules u mbushën me rreshta mollësh, mbështetur në tela e bandiera. Agronomi Rakip Kaja, Fatos Kaja, Adem Kaja, Kujtim Kalia, Zenel Dervishi në Bulqizë, kushërinjtë e tyre, vëllezërit Mehmeti, e plot të tjerë e përqafuan idenë e pemëtoreve intensive dhe mbollën pa hezitim mijëra fidanë. Gjorica sot mund të ketë rreth dhjetë hektarë të mbjellë në këtë mënyrë. Në rrugën e tyre drejt suksesit ata patën shumë pengesa e vështirësi, porse njëri prej tyre ishte më dominanti, sëmundja e kromës. Ishte kjo sëmundje që sulmonte gjethet e reja dhe frutat që sapo kishin filluar rritjen, që jo vetëm shkatërronte prodhimin e vitit, porse kërcënonte dhe vetë pemën, për vazhdimësinë e jetës. Ndoshta do të ishin shkulur dhe fidanët e gjorë, sikur të mos kishte zbritur si me magji një aleat shumë i fuqishëm, si Fondacioni Agrinet Albania, me qendër në Korçë. Drejtori i përkushtuar, Tomi Pikuli dhe profesorët e shumtë, që e rrethonin dhe e shoqëronin, bënë më të mirën. U erdhën në krah dhe në ndihmë fermerëve, me dijen, eksperiencën dhe përkushtimin maksimal, duke triumfuar mbi sëmundjet dhe dëmtuesit. Sot fermerët janë bërë mjeshtër të vërtetë të prodhimit. I njohin me detaje sëmundjet dhe kohën optimale të spërkatjes, duke shtuar gjithnjë e më tepër dijet për çdo gjë që ka lidhje me mollën që kultivojnë.

MEKANIKA NË NDIHMË TË PRODHIMIT

SONY DSC

Zenel Kaja e kuptonte që nuk mjaftonte vetëm dëshira e mirë për të synuar objektiva të lartë, por duhej përmirësuar teknologjia dhe mjetet e punës. Sot familja disponon dy traktorë të fuqishëm me shumë agregate bujqësore. Ka dy pompa spërkatëse motorike me kapacitet 500 dhe 1500 litra, dy pirunë për lëvizjen e arkave dhe një fadromë të vogël për nevojat e fermës. 250 arka të mëdha tre kuintalshe dhe qindra të tjera më të vogla, shërbejnë për evadimin e prodhimit nga fusha dhe ferma tek tregu dhe konsumatori.
Mirë, kur konsumatori do të gjendej direkt, por kur ai nuk gjendej për momentin, kur malli duhej të priste disa ditë, javë e ndoshta dhe muaj, si do bëhej halli? Ku do të qëndronin mollët deri atëherë? Zeneli mendoi që një frigorifer ishte i domosdoshëm për të ruajtur prodhimin. Më se njëqind mijë euro duheshin për ta ndërtuar atë, ku vetëm evadimi i dherave kërkonte diku tek tetë mijë euro. Me shumë sakrifica u ngrit dhe frigoriferi që do të ruante frutat me një kapacitet goxha të madh, prej 350 tonësh. Ai do ti shërbente jo vetëm familjes së Zenelit, por dhe prodhuesve të tjerë, kur nuk do të gjenin tregun për të evaduar prodhimin. Tani, kur kanë kaluar mbi dhjetë vite nga ndërtimi i tij, Adriatiku mendon ta rinovojë paksa, ta bëjë atë me një teknologji bashkëkohore, me ndarje të tjera, ku çdo fermer i interesuar të ketë pjesën e tij të dhomës frigoriferike.

VEPRA QË PËRCILLEN MË TEJ
Zenel Kaja po shihte realizimin e shumë ëndrrave të bukura që kishte thurur, por kishte akoma të tjera më të mëdha. Një ditë, këtu e tre vite të shkuara, jeta e tij u ndërpre, ëndrrat e tij u këputën dhe zemra e tij pushoi, kur ishte vetëm 60 vjeç. Një moshë e bukur, kur eksperienca arrin kulmin dhe trupi është akoma i fortë për punë. Familja, shokët dhe bashkëpunëtorët e përcollën trupin e tij me dhimbje dhe nderim. Vetëm një bindje dhe një siguri e kishin, se vepra e tij do të përcillet më tej, se ferma akoma më e bukur do të bëhej në të ardhmen, se amaneti i tij do të shkonte në vend. Nuk u gabuan. Dy djemtë e tij, Adriatiku dhe Bektashi, bashkë me nënë Shqipen e kanë lulëzuar fermën akoma më shumë. Me gjithë vështirësitë e mëdha të vitit, pritet të merret një prodhim rekord prej 1500 kuintalësh, sa nuk ka marrë deri tani asnjë fermer në qarkun e Dibrës.
Ka plot njerëz që ankohen sot se nuk kemi punë e nuk kemi tokë. Ka plot njerëz që kur i lut të vijnë për punë, me një pagesë goxha të mirë, në rrallim molle dhe procese të tjera, nuk janë të gatshëm. Familja Kaja jo vetëm që shfrytëzon më së miri tokën e vet, por ka blerë gati dhjetë dynymë tokë dhe një sasi tjetër e ka marrë me qera. Shumë vite më parë bleu dhe një rrugë për të shkuar te një nga parcelat . Në dy anët e kësaj rruge ka mbjellë dy rreshta me mollë, që sot janë diku në vitin e dhjetë dhe mund të marrë rreth 30 kuintalë mollë. Këtë vit aplikuan për një projekt të Saredit, mbjellje, rrethim dhe vaditje me pika, në një sipërfaqe prej pesë dynymësh, duke u shpallur fitues.
Prodhimi i këtij viti është gati në pjekje, bile disa varietete të hershëm janë vjelur që tani. Familja Kaja, por dhe fermerë të tjerë të Dibrës e kanë një shqetësim të përbashkët, tregun. A do munden vallë këtë vit të lidhen me tregtarët e shumicës? Një firmë nga Kosova “Doni Frut”, ka ardhur disa herë në Dibër, në përpjekje për të lidhur një marrëveshje, në terma afatgjatë, por asgjë nuk është e sigurtë. Për momentin është caktuar koordinatori i kompanisë për Dibrën dhe po bëhen përpjekje për të gjetur vendin për një qendër grumbullimi, që do tu shërbejë fermerëve në vitet në vazhdim. Shteti shumë pak përpiqet për ti ndihmuar. Dy komshinjtë tanë dhe pse të lodhur, Maqedonia dhe Kosova, po bëjnë shumë më tepër dhe subvencionojnë shumë më tepër për bujqësinë dhe blektorinë. Ndoshta një ditë do të binden dhe qeveritarët tanë, të majtë e të djathtë, për të investuar në këtë sektor, tejet jetik të ekonomisë shqiptare. Ndoshta do të jetë vonë atëherë. Të rinjtë do të kenë ikur dhe fshatrat do të jenë shpopulluar.

SONY DSC

Jeta rrjedh në Gjoricën e njerëzve të punës, herë e qetë dhe herë e trazuar, si ujërat e lumit Drin dhe të zallit, në të dy anët e saj. Familja Kaja pakësohet pak, kur ndërron jetë dikush dhe shtohet akoma më shumë, kur lindin trashëgimtarë të denjë. Ndërroi jetë Bektash Kaja i vjetër, kryetari i dikurshëm i Gjoricës, një nip i tij me shkollim të lartë, përpiqet ti lartësojë emrin akoma më shumë. Ndërroi jetë Zenel Kaja, që themeloi fermën, një Zenel Kajë i ri, nipi i tij, djali i Adriatikut, i shëndetshëm e me sy të mëdhenj, me siguri do ta çojë më tej veprën e gjyshit.