“Këtu ka burra!”, himni i dibranëve


Nga Adem Nazifi

Në kushtet e një dileme për të shijue deri në fund rehatinë në shtëpinë e bleme pas një periudhe të gjatë vështirësish fitoi nevoja për të mbeshtetë djalin në përpjekjet për një jetë ma të mirë…dhe me 31 Maj 2002 mbas udhëtimit për Tiranë – pa dasht të them se u largova nga Peshkopia,me të cilën më lidh lindja e rritja në moshë ,dinjitet, punë me pasion e ndershmëri, deri sa dola në pension.
Nuk due të përdori fjalën largim, sepse aty kam shtëpinë ku linda, aty kam mahallen dhe kujtimet me kojshitë e bashkmoshatarët e fëminisë, nostalgjinë për “rrugën e ngushtë” , bulevardin me aromën e blinit dhe për gjithë infrastrukturën urbane të qytetit, ku do të vecoja “Lulishten 1 Maji” të ideueme me fantazi e pasion nga i nderumi Rexhep Doda, i cili me nxitjen dhe ftesën drejtue çifteve të rinj per të frekuentue lulishten,luajti një rol të pa konkurueshëm në emancipimin shoqnor, ashtu si bashkëshortja e tij me ekipin e vollejbollit të vajzave.
Nuk due të pranoj konceptin largim , sepse pavarësisht nga ndryshimet që kanë pësue, ruaj kujtimet për institucionet dhe ndërmarrjet apo kooperativat ku shërbeva ,mes kolektivave respektiv ku më duhet të veçoj respektin dhe mirënjohjen për drejtuesit si Azis Shehu , Thoma Zhupa , Hysen Mata , Ahmet Përleka, Ramiz Osmani, Festim Pishtari, të cilët me edukatën dhe provojën që sfidonin edhe rastet kur mungonte arsimimi i plotë, më ushqyen dashurinë për punën, si faktorin bazë të atyre sukseseve që arrita dhe vlerësimeve që mora.
Ndonëse mosha dhe gjendja shëndetësore ma vështirësojnë përshkrimin e 170 km rrugë, në kushtet e një jete pasive (do ta queja) në ndihmë të përjashtimit të fjalës largim ,më vjen gazeta “Rruga e Arbërit” me shkrimet kushtue personaliteteve të krahinës , bukurive e vlerave të natyrës si perspektivat e zhvillimit të saj; më vjen aroma e kënaqësisë që më shfaqet edhe kur shoh nje targë DI, e cila më shkakton dridhërimë të pa kontrollueshme të të gjithë trupit, pa fol për rastet kur ndesh e komuinikoj me një “katundar” me kësulën karakteristike. E pa përshkrueshme ka qenë dhe mbetet ndjesia që më dha një bashkudhëtar në autobuzin urban, i cili kur po ndaheshim më pyeti – prej nga je? – dhe në interpretim të përgjigjes time më shtrengoi dorën dhe më tha: “Ke të drejtë të ndjehesh krenar, sepse Dibranet, ndyshe nga të ardhurit e tjerë, kanë ditë të çmojnë mikpritjen, të respektojnë shenjtërinë e pronës, të integrohen denjësisht, madje të sjellin edhe kulturë qytetare.” Nje kompliment ky vërtet joshës.
Për të shmangun ndjenjën e vetmisë që stimulon jeta pasive e moshës së tretë ,për të përjashtue mundësinë e largimit, përpiqem të freskoj kujtesën me albumet fotografike dhe muzikën, për të sfidue distancën.
Sjell në mendje miq si Ali Xhika, Hashim Methasani, Ramadan Kurti, Sabetin Methasani, Shahin Kamberi, Haxhi Doci etj., që me inteligjencën e tyre vrojtonin, analizonin dhe interpretonin në mënyrë befasuese eventet që përjetonin dhe zakonet e doket tradicionale të krahinës, të cilat ushqenin vendosmerinë për të mos u ndiem i larguem.
Një ndikim veçanërisht të fuqishëm për të sfiduar largësinë më jep vendi i prehjes së të ndamëve nga jeta, ku përvec prindërve dhe të afërmve pushojnë personalitetete midis të cilëve do të përmend të ndjerin Myfti Sali Ferhati që të imponon respekt, nderim e krenari të ndjehesh bashkëqytetar me të.
Nderkohë muzika me vlerat e saj emocionuese që fillon me kangët kushtuar Atdheut e Flamurit, të interpretueme nga Ansambli LIRA i Korcës; vijon me kangët kushtue gjyshes,nanës ,fëmijës; për t’u çel rrugë kangëve të krahinës të përcjelle nga fyelli e ciftelija që sfidojnë orkestra dinjitoze,që fillojnë me Haxhi Maqellarën dhe vazhdojnë me kangët kushtue betejave për mbrojtjen e vatanit dhe rolit të kreshnikëve Elez Isufi, Mahmut Daci etj., te interpretueme me origjinalitet nga Azis Ndreu për te vijue me elegjitë (do t’i queja ) kushtue vëshitirësive dhe fatëkeqesive të jetës së brezave pararendës, të interpretueme me ndjenjë e finesë nga Liri Rasha, është një tjetër përçues brilant i ndjeshmënisë së refuzimit të largimit.
Dhe ja, ma në fund erdha tek qëllimi i këtij shkrimi.
Nga fondi i artë i muzikës kushtue përpjekjeve dhe sakrificave në mbrojtje të vendit dhe traditave e zakoneve tona te shumë respektueme kam vecue kangën “Këtu ka burra” ,të interpretueme me ndjenjë e patos nga Qerim Sula, për ta propozue si himn të dibranve.
Nuk e di nëse asht legjitim propozimi im, veçse unë insistoi se kjo kangë dhe ky interpretim meriton të titullohet himn qoftë edhe si perjashtim.