Nazmi Kolarit, kujtesë në 20 vjetorin e ndarjes nga jeta


Dibra, sinonimi i dijes dhe trimërisë, ndër shekuj lindi dhe rriti breza, të cilët e bënë atë të gëzonte famë dhe prestigj të madh brenda e jashtë vendit. Horizontin tonë e tejkalon përkushtimi i atyre burrave që dhanë gjithçka nga vetja për të ruajtur nderin dhe kulturën dibrane. Mes brezit të përvuajtur të intelektualëve dibranë, me meritë qëndron emri i Nazmi Kolarit, i cili u lind në një familje me traditë dhe kulturë, në vitin 1924. Shkollimi i zbuloi mendjemprehtësinë dhe dashurinë për leximin dhe studimin e gjuhës burimore shqipe. Jeta e njohu me shumë “fate” të rezervuara për brezin e tij, të cilët mbase ia zgjeruan horizontin e dijes. Leximi dhe ndjekja e vazhdueshme e shtypit, ishin “ushqimi” i kalitjes së intelektit të tij, të reflektuar pastaj në shoqërinë që e rrethonte. Të dalluar mes miqsh e bëri, pastërtia dhe eleganca e fizikut, moslejimi i gabimeve, matja e fjalëve dhe mendimeve, veçanërisht idetë emancipuese e përparimtare.
Pavarësisht rrethanave specifike-ekonomike të kohës, arriti që të shkollojë pasardhësit e tij në profesione të ndryshme, të cilët i shërbejnë Dibrës me përkushtim, duke gëzuar respektin e gjithë qytetit. Kulurën e traditat e vendit i promovoi nëpër manifestime të ndryshme, veçmas luajtja e valles dyshe dibrane, për të cilën u bë mjeshtër i vërtetë popullor, duke u radhitur në plejadën e artistëve popullorë dibran. Këtë 9 shtator, përkujtohet në 20 vjetorin e ndarjes nga kjo jetë, si personalitet i shquar nga gjithë ata që e njohën, veçanërisht nga ne, pasardhësit e tij, si një falenderim për imazhin dhe respektin që la si krenari.