Një ditë në Prat, aty ku festojnë banorët e Katër Grykëve


Një ftesë nga Tofik Totraku
Natën e 20 majit 2018, ditën kur do të festonin Katër-Grykët e Dibrës festën pagane të Shënkollit në Prat, rreth orës 12.00 të natës, më ra zilja e telefonit:
-Përshëndetje! Jam djali i Mehmet Totrakut. Uroj që ke kthyer në vendlindje!
-Faleminderit dhe ju përgëzoj o Latif!
-Jo, nuk jam Latifi. Jam djali i vogël i Mehmetit, jam emigrant në Itali. Nuk më njeh mua, jam Tofiku. Dua që nesër të vini me neve në Prat. Kam ardhur bashkë me shokë, me bijtë e Menës për të festuar. Jam në Lukan, në kullën e Ramazan Totrakut.
U befasova dhe u gëzova. Ku t’i gjejmë ata djem si Tofik Mehmet Totraku, të cilët kanë prova fjale, prova jete, prova djerse? Së bashku me vëllain e madh, Latifin, ka filluar muret e rrethimit për të ndërtuar shtëpinë e re në Lukan, në mes të një lëndine, aty ku janë rrënojat e gjyshërve të vet. Të dy punojnë në Itali, banojnë në Tiranë, por zemrën dhe mendjen e kanë në vendlindje, në Lukan, rrëzë Runjës shekullore.
Mëngjes! 20 maj 2018. Në Lunarë, vendin ku ndodhet qendra gjeografike e Katër-Grykëve, vijnë plot makina nga Tirana, Shkodra, Lezha, Mati, nga treva të ndryshme të atdheut e nisen drejt Pratit, drejt Livadhit të Gjatë, atje ku do të festohet festa pagane e Shënkollit. Që kur ishte kryetar komune i nderuari Xhemal Delishi, çdo vit më 20 maj Katër-Grykët festojnë në Prat. Festohet dalja në verë, festohet për vllazërinë, traditat, për t’u parë e mirënjohur, për të lartësuar bedenat e mallit e krenarisë për vendlindjen.

Me këngë me çifteli drejt Pratit
Tek po ngjitemi drejt Pratit me makinën e Dan Menës, burazerit të Tofik Totrakut, na shoqërojnë këngët. Lunara, Selishta dhe Shkalla e Pratit ushtojnë prej zërave të gëzuar. Pranë timonit Dani mban edhe çiftelinë. Këngët për Lurën e trimërinë, për 300 nuset me duvak, për kullat dhe mejdanet e trimërisë pushtojnë grykat e thella të Selishtës, kurorën e maleve. Ndërkohë më vijnë ndër mend vargjet epike luriane “ku edhe cuca bahet djalë, “ku xhilja e topit varra-varra, Sulë Beshiri i del përpara, ky Sufë Mena…”
Përmes honeve plot hijeshi e madhështi të bën më krenar shpirti dhe zëri i djemve të Lurës, Dan dhe Adriatik Mena. Një provë fjale e bese, një provë drite për tokën, për jetën, për shokët. Me të drejtë shkrimtari e studiuesi Fatos Dac i ka shkruar librin “Shqipet e kreshtave të Lurës”, kushtuar fisit martir e qëndrestar të Menës së Lurës. Dan Seit Mena, biri i Pregj Lurës, ka një tatuazh në parakrahun e krahut të majtë, babain e tij, Seit Mena, që e la jetim gjashtë muajsh. Dhe djali pason dritën e babait, amanetin dhe veprën e tij, dritën e fisit, provat e fjalës e të jetës. Në Livadh të Gjatë, midis kalasë së Shenepremtes, majës së Xhitetit e Skremesë së Tollës, Dan Mena brof në këngë, në këngën himn të të paharruarit Naim Plaku: “Këndojnë pushkët nëpër kulla”. Tofik Totraku, vëllezërit Hasbajrami, Bekim Damzi i Luznisë, Troci i Reçit e shoqërojnë. Përmes flladit e gjelbërimit ushtojnë këngët e ndizen vallet. Në pllajën e blertë janë dhe Mirjan Elezi e Fiqiri Muça, Petrit Lica dhe Ali Totraku, ardhur nga Shkodra. Tofik Totraku ka marrë dhe rapsodët e shquar Sherif Dervishi i Dibrës dhe Musë Dauti i Hasit të Kukësit.
Prati festoon. Një popull me dritë fjale e dritë jete! Kurorat e maleve të Tollës e të Runjës sikur janë nusëruar, janë bërë me ylbere malli e dashurie, sepse bijtë e brezave të luftës e të punës kanë ardhur nëfestën pagane të Shënkollit. Faleminderit Xhemal Delishi i Selishtës, biri i tokës së maleve, intelektuali virtuoz, që u votbesua disa herë dhe la gjurmë fjale e jete, gjurmë të mirësisë!
Midis qindra të ardhurve takojmë edhe Pashk Gjetën e Lezhës, origjina mirditor, mik shtëpie e bese i Gani Lleshit të Lukanit. Katolik e mysliman, dy vëllezër, si lisi me dy degë. Në anë të lëndinës, aty ku shërben i palodhuri Zyber Lleshi i Qafë-Murrës me shokë, Tofik Totrakuka shtruar sofrën e bujarisë. Aty këndojnë edhe Sherif Dervishi e Musë Dauti. Aty merr jehonë kënga, drita e provave të mallit e të krenarisë. Ndërkohë, kur po fshihet dielli prapa Tollës së lashtë, kujtoj epikën shekullore:
Krisi pushka në Qafë të Pratit, / lufton Grika e populli i Matit, / kjo Selishta gur kala, / luftë bakan burra e gra,/ Bajram Manuka nuk ka ra…
* * *
Festë pagane, festë uniteti e vëllazërimi. Nga këtu bleron dashuria dhe krenaria për vendlindjen, për fisin, për gjakun, për trojet e të parëve. Lum kush ruan traditat, vlerat, mirësinë, lum kush demonstron provat për venlindjen! Provat e fjalës janë drita e jetës…