“Penën time nuk e shes!”


 

Në një ceremoni të bukur të organizuar nga Bashkia Krujë, më 23 qershor 2018 z. Halim Laçi, iu dha titulli “Qytetar Nderi” i Krujës, bazuar në vendimin e Këshillit Bashkiak Krujë Nr. 40, datë 30.04.2018.
Merrnin pjesë qytetarë të Krujës dhe Fushë-Krujës, kuadro të rrethit, të ftuar nga Tirana, Dibra, Mati, Shkodra, Mirdita, Lezha, Vlora si dhe pjesëtarë të familjes Laçi. Ishin të pranishëm dhe: z. Rrahman Rraja – deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, z. Mehmet Deliu – përfaqësues i Bashkisë Krujë, Drejtor i Burimeve Njerëzore, z. Faik Xhani – Kryetari i Bashkimit të Përgjithshëm të Pensionisteve të Shqipërisë, z. Haxhi Tafa – ish deputet, z. Osman Vladi – intelektual nga Lura, z. Agim Nuna – drejtori i Arsimit, Krujë, etj.
Ceremonia u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë, sa miqësore dhe zyrtare, e shoqëruar me këngë e valle. Fjalën në emër të bashkisë e mbajti drejtori i Burimeve Njerëzore të Bashkisë Krujë z. Mehmet Deliu. Ndërmjet folësve të shumtë, mbajti një fjalë të shkurtër edhe shkrimtari Viron Kona, të cilën po e botojmë në këtë numër gazete:

Ndihem i nderuar që marrë pjesë sot në këtë ceremoni të vlerësimit me titullin Qytetar Nderi i Krujës të z. Halim Laçi. Nuk ka asgjë më të madhe në jetë sesa të dojë dhe të vlerësojë qyteti dhe njerëzit ku ti jeton, sepse aty je i njohur, aty është jeta dhe vepra, aty është rrethi miqësor e familjar, të dashurit, miqtë dhe shokët, ata që të njohin më mirë në situata nga më të ndryshmet ku njeriu ka rastin dhe mundësinë të tregoj vetveten, të zbulojë vlerat dhe të tregoj se kush është ai për familjen, për shoqërinë, për vendin dhe kombin.
Halim Laçi është i Dibrës po aq sa edhe i Krujës, emri i tij është i madh atje, por edhe këtu dhe, më vjen mirë të them se emri i Halim Laçit vezullon edhe në Shqipëri, madje edhe në diasporë me krijimet e tij brilante atdhetare, për jetën dhe të ardhmen, për lirinë dhe për kombin shqiptar.
Të rrallë janë ata artistë, tek vepra dhe repertori i të cilëve afishohen dhe kombinohen aq bukur llojet e artit dhe mjeshtëritë: krijues, koreograf, instrumentist, rapsod, drejtues, udhëheqës artistik, moderator. Është një shumëvlerësh që shumëkush do ta kishte zili e që pasohet me: 250 tekste këngësh, shumë prej të cilave pasurojnë e nderojnë albumet e mjaft këngëtarëve të njohur të Shqipërisë, ndërkohë që ky personalitet artistik, është pjesëmarrës dinjitoz në të gjitha festivalet folklorike kombëtare 1967-2009, i dekoruar shpesh herë si rapsod, valltar, krijues, interpretues. Mbi të gjitha, njeri i mirë.
Halim Laçi është në zemrat e dëgjuesve dhe shikuesve, vepra e tij përmendet në biseda, në avllitë krutane dhe odat dibrane, në Fushë-Krujë dhe kalanë e Krujës, në Reç, Lurë dhe Radomirë, por ai ndodhet mes tyre edhe fizikisht, vazhdimisht i kërkuar, nga këngëtarë e kompozitorë, veçanërisht për tekstet e bukura dhe të frymëzuara, i kërkuar nga populli për ta përjetuar bukurinë e artit të tij, por edhe për librat e tij: “Nuk Harrohen”, dhe “Shqipëria e dashur”, që janë libra me vlera të mëdha ideore dhe atdhetare, homazh dhe nderim për dëshmorët dhe heronjtë e kombit, por edhe për njerëzit e thjeshtë, që e shprehin heroizmin e tyre në përditshmërinë e jetës, të heshtur dhe të pa fjalë, me vepra.
Halimi është nga ata krijues rapsodë që di t`i përgjigjet flak për flak realitetit dhe jetës, ai thur vargje, e ndez këngë duke shprehur lajtmotivin e jetës së tij:
“Për trojet shqiptare,
Do të shkruaj derisa të vdes,
Jam betuar në gjakun e të parëve,
Penën time nuk e shes”.
Halim Laçi i është edhe një veprimtar që se ka shokun, ai me kolegë të tjerë, organizon dhe zhvillon veprimtari të bukura e tërheqëse për banorët e qytetit dhe të krahinës; sjellë në kujtesë dhe prezanton me artin e valleve dhe këngës, historinë dhe jehonat e shekujve, duke lartësuar në piedestale arti trimat që ranë për liri, dëshmorët e atdheut, por edhe njerëzit e punës dhe të jetës, ata që me shpirt të zjarrtë e zemër të madhe zhvillojnë demokracinë shqiptare drejt vlerave më të mira evropiane.
Ky poeti i nderuar, valltar e koreografi i shquar, ky njeri i urtë, fjalë-mençur e fjalë-bukur, i dashur si ai, i vendosur, krenar dhe me kurajë, që respekton më tepër se gjithçka të vërtetën dhe lirinë, edhe tani në moshë disi të thyer, i shërben pa u lodhur dhe me dinjitet atdheut, nderon dhe respekton me fjalë zemre popullin dhe historinë e tij, i ngre himn lirisë, të vërtetave të jetës dhe heroizmit popullor.
Është një vendim i drejtë ky i Bashkisë së Krujës për këtë vlerësim që i bëhet sot Halim Laçit. Kjo na gëzon të gjithëve, gëzon atë vetë, familjen, rrethin miqësor e shoqëror, por gëzim për këtë vlerësim i kalon kufijtë e Krujës dhe Dibrës, është gëzim i të gjithëve.
Ta gëzosh titullin Halim Laçi!
Me jetë të gjatë, të gëzuar dhe të lumtur!
Mos pushoftë pena jote e ndritshme për atdhe e për Shqipëri, për Kombin Shqiptar!
Faleminderit Bashkisë për këtë vlerësim!
Faleminderit të gjithëve!