Zimuri,
fshat i harruar


Foto. B.Karoshi

“Fshati që nuk ka fshat mbi krye”, ka gjithë Dibrën në pëllëmbë të dorës,  por dora e qeveritarëve të Dibrës për të nuk është shtrirë kurrë.

Zimuri, fshati më i largët të Njësisë Administrative Tomin, ndodhet 1 orë larg me makinë nga qendra e qytetit të Peshkopisë. Rruga për të shkuar atje kalon është e vështirë, e paasfaltuar dhe kalon përmes një terreni tepër të thyer. “Fshati që nuk ka fshat mbi krye”, siç i thonë vendasit, kufizohet me Shimçanin dhe Bahutet. Kur ngjitesh në fshat sytë shikojnë një panoramë unike, ku qyteti bashkë me fshatrat duken si në pëllëmbë të dorës.
Zimuri duhet të ishte një fshat i zhvilluar, por realiteti tregon tjetër gjë. Sot ky fshat që ngrihet jo larg qytetit të Peshkopisë ofron shumë pak për banorët e tij. Dikur këtu jetonin rreth tetëdhjetë familje dhe sot kanë mbetur rreth njëzet. Nuk është e vështirë të mendosh përse janë larguar: infrastruktura e vështirë, rruga e rrënuar, papunësia… Shumë nga këto banorë janë larguar drejt Tiranës e Durrësit, por një pjesë e vogël kanë zgjedhur Peshkopinë, duke u përpjekur të mos lënë tokat djerrë. Dhe gjithashtu u ofrojnë fëmijëve mundësi për shkollim.
“Nuk ka rrugë, nuk ka të ardhme në fshat”, thotë Nderim Kamberi, një i ri nga ky fshat, i cili pasi mbaroi Universitetin, ka emigruar pasi, edhe nëse siguron një punë në qytet, paratë nuk i dalin as për rrugën.
“Të gjithë po ikin duke lënë pas fshatin dhe tokat djerrë. Këtu rrezikohet dhe buka e gojës, jo më të llogarisësh një jetesë normale. Nëse ke një rast urgjent, një të sëmurë, duhet të paguash njëzetë mijë lekë të vjetra për të shkuar në spital”, tregon Nderimi. Furgoni i linjës shkon vetëm në rrugë: një në mëngjes dhe kthimi pasdite. Bileta kushton 100 lekë, shumë e cila mund të jetë e papërfillshme, por për fshatarët e Zimurit, ku të ardhurat janë minimale, ajo është shumë e konsiderueshme.

Ekonomia e familjeve mes patates dhe bimëve medicinale

Emigracioni dhe bujqësia janë burimet kryesore ekonomike për këto njerëz. Ndihmën ekonomike e përfitojnë shumë pak familje.
Zimuri ka një klimë të ftohtë, duke qenë se ndodhet në një lartësi të konsiderueshme mbi nivelin e detit. Zimur, sipas vendasve, do të thotë vendi “ftohtë”. Patatja dhe mollët janë pothuajse të vetmit produkte që prodhohen në tokat e ku më pas me vështirësi të shumta mundohen ti shesin për të mbijetuar deri në vitin tjetër.
Mungesa e tregut dhe futja e patates nga jashtë, ka bërë që shpesh herë dhjetëra ton të hidhen në përrua, bashkë me mundin e një vere të banorëve të kësaj zone, pa llogaritur këtu edhe shpenzimet për pesticide dhe farë.
“Vitin që shkoi, – tregon Qazim Shkurta, 60 vjeç, – mezi i kam shitur patatet me një çmim shumë të lirë, duke mos nxjerrë as paratë e ujit dhe pesticideve. I gjithë mundi vajti dëm. Këtë vit kam mbjellë vetëm për përdorimin e familjes time”.
Bimët medicinale janë një alternativë tjerë ku fëmijë, gra, burra dhe pleq, në pikë të vapës drejtohen drejt bjeshkës së Gramës. Punojnë gjashtë muaj për të jetuar, gjashtë të tjera duke shitur bimët mjekësore, për të mbuluar shpenzimet minimale.
Varfëria në këtë fshat duket qartazi, mjafton të shohësh shtëpi të vjetra të braktisura dhe të rrënuara e në mëndje të vijnë filmat e vjetër të periudhës komuniste. Në të gjithë fshatin ndihet një atmosferë e zymtë, e cila transmetohet që nga banori i parë e deri tek i fundit që takon në këtë fshat. Kur hyn në fshat të krijohet përshtypja se gjithçka është e braktisur, por tymi i sobave të drurit në ballkonet e atyre pak shtëpive tregon se ka njerëz që jetojnë në fshat. Patkojt e kuajve të ngarkuara me barë ndiqen nga fëmijë të vegjël dhe prishin sadopak qetësinë dhe zymtësinë. Të varfër, të harruar dhe të mbetur në mëshirë të fatit këta banorë ngushëllohen me faktin që një xhami e re po u ndërtohet e do të kenë një vend ku të luten për një të ardhme më të mirë për ta dhe fëmijët e tyre.
Turizmi, pak besim se sjell zhvillim

Nga Grama, zimuri e më pas në darkë në shtëpinë pritëse “Elezi”, është një tur që lë mbresa te vizitorët. Foto: Facebook/KorabiRestHouse

Investimet në këtë fshat nuk mbahen mend kur mund të kenë ndodhur. Në njërën anë skamja në tjetrën mungesa e investimeve ka bërë që ky komunitet dhe kjo zonë të mos tentoj aspak ndryshimin. Fshati Zimur, me pak investime në rrugë, kthehet një atraksion të mirëfilltë të turizmit malor. Bjeshkët e Gramës, rreth një orë e gjysmë larg, me një bukuri të pashoqe, qëndrojnë të pazbuluara nga turistët për shkak të mungesës së infrastrukturës. Rruga e papërshtatshme dhe mosreklamimi i këtyre resurseve, bën që turistët të jenë të paktë në këtë zonë. Relievi i thyer që ka ky fshat ka filluar të shërbejë si vendnisje për të pasionuarit e aeronautikës. Ushqimet tërësisht bio dhe të vështira për tu gjetur në disa prej fshatrave të tjerë, gjenden pikërisht në këtë zonë, dhe pak kohë më parë vetë banorët e kësaj zone menduan të investonin për turizmin malor.
Për më pak se 2 kilometër poshtë fshatit, në Bahute ndodhet shtëpia pritëse “Elezi” e sapondërtuar, e cila është e gatshme të presë turistët. Fluturim Elezi, menaxheri i kësaj shtëpie pritëse, thotë se “bjeshkët e Gramës pëlqehen mjaftë mirë nga turistët vendas dhe të huaj”. Nga Grama, Zimuri e më pas në darkë në shtëpinë pritëse “Elezi”, është një tur që lë mbresa tek vizitorët, pasi bukuritë natyrore të këtij vendi janë krejt të veçanta. “Këta turistë, thotë Fluturimi, marrin me vete edhe produkte nga fshatarët, duke u sjellë sadopak përfitime.
Banorët e kësaj zone gjithmonë i ka shoqëruar një atmosferë harmonie me njëri-tjetrin. Bujaria dhe mikpritja e këtyre njerëzve vihet re menjëherë sapo takon personin e parë në fshat. Turistët e paktë që e kanë vizituar kanë mbetur të kënaqur. Por banorët nuk besojnë akoma se turizmi mund të jetë një mundësi zhvillimi. Po tu thuash atyre se “kanë një fshat të bukur”, nuk e marrin seriozisht. Ndaj duhet një një punë e madhe për t’i bindur banorët se ia vlen akoma të jetosh në Zimur. Dhe nuk kanë faj: 28 vjet pas ndryshimit të sistemit, shteti për ta kujtohet veç në ditën e votimit.