Kastriotët e Kastriotit


Studjues të huaj, që kaluan nëpër krahina të veriut në shek. XIX ndeshën në gojëdhëna e toponime për Skënderbeun, që gjenden kudo në hapsirat shqiptare. Mbi një bazë të tillë ata dhanë mendimet e tyre për origjinën e Kastriotëve. Nuk kemi informacion për ndonjerin të ketë kaluar nëpër Dibër, të kishte informacion për fshatin Kastriot dhe të mos e merrte në konsideratë e të shkruante për të, që të shërbente si nxitje për studime të mëvonëshme. Studjues (simpatizant) të krahinave veriore, mbështetur në atë që na lanë studjues të huaj, pa ndonjë mbështetje shkencore, rendën pas emrash të përafërt me Kastriotët, si Kastri, Kastrat e të tjerë. Një situatë e tillë dhe lënia me një anë e Kastriotit të Dibrës, krijoi premisa për lindjen e disa hipotezave dhe solli kaq shumë zvarritje në kohë për të nxjerrë në dritë të vërtetën historike.

K A S T R I OT I
Vet emri Kastriot fletë më shumë se kushdo tjetër për lidhjen ndërmjet tij dhe Kastriotëve. Fshati Kastriot i sotëm ndodhet në të majtë të përroit të Kastriotit, ndërsa Kastrioti si vendbanim i Gjon Kastriotit, (qendra e tij) me një toponomi të pasur shtrihej në të djathtë të këtij përroi, ose në veri të Kastriotit të sotëm, në një vend të ngritur strategjik, që kontrollon gjithë pjesën fushore të Dibrës së Poshtëme. Në perëndim të Kastriotit në distancë rreth 6 km është fshati Sinë, ku shfaqen për herë të parë sipas dokumentesh Kastriotët me gjyshin e Skënderbeut, Palin, që sipas studjuesve daton me vitet 1350-1375.
Sipas thënieve të trashëguara në breza, Kastrioti ndahej në dy lagje. Njëra ishte Çeliasi, që fillonte tek kishat në lindje dhe përfundonte në kufi me fshatin e Blliçes në perëndim, kurse tjetra fillonte tek kishat në lindje dhe shtirhej drejt jugut në një rrafshinë me toponimin “Troja” deri tek Terzishti, (rrobaqepsi në ate kohë) ku sot ndodhet shkolla e mesme “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.’Publicisti i njohur dibran Haki Stërmilli, në kërkim të origjinës së Kastriotëve, në veprën “Kalorësi i Skënderbeut” shkruan, se Kastrioti dikur 8000 shtëpi rrënohej e zvoglohej si rezultat i luftrave me turqit. Kjo e dhënë, për mungesë të referencës mund të mbetet në kuadrin e gojëdhënave. Kastrioti i Çidhnës shtrihet rreth 6 km në veri-perndim të qytetit të Peshkopisë në Dibrën e Poshtëme.

Sa i lashtë është fshati Kastriot i Çidhnës?
Për këtë i referohemi “Fjalorit Enciklobedik Shqiptar’’botim i Akademisë së Shkencave Shqiptare, Tiranë, 2008, në faqen 1136 të të cilit për Kastriotin thuhet: “Dëshmohet si vendbanim i lashtë nga gjetjet tek Kodra e Gështenjës. Në shek XIII ishte pronë e familjes së Kastriotëve”. Kastriotin e ndeshim dhe në dëshminë e hershme boshnjake nga E. Fermenxhin në shek XVII. Ata që janë kundër ekzistences së Kastriotit si fshat i hershëm, pasi nuk ekziston në dëfterin turk te 1467, gabohen. Nuk mund të vazhdonte jeta në Kastriot pas masakrës së Çidhnës së shtatorit 1466. U rrënuan shumë fshatra të Çidhnës e të Dibrës, (18 fshatra te pabanuara)që sillen në dëfterin turk me fare pak shtëpi, por në dy fshatrat Kastriot dhe Kukaj jeta u ndërpre, pasi këtu kishte banuar familja e Gjon Kastriotit, që do të thotë se Skëndebeu ka kaluar vitet e fëmijërisë së tij.
Nga një sondazh që bënë të rinjtë e këtij fshati në këtë vend (tek Kodra e Gështenjës) të nxitur nga kurioziteti historik, me 1978, pas 2-3 m shpim ndeshën në lëndë të pasur arkeologjike, çka do të thotë, se lënda ekziston, por mungon dora e arkeologut për ta nxjerrë në dritë historinë e saj. Disa nga këta objekte u dorëzuan në muzeun e rrethit Dibër, vijuan rrugën dhe me tej, por askush nuk e vuri ujët në zjarr për këtë çeshtje.Flitet se disa nga historianët tanë e kanë ditur vendlindjen e Skënderbeut, por e kanë fshehur, për shkaqet nuk flitet gjë.
Gjurmë të lashtësisë dhe si vendbanim për Kastriotin mbajnë mend të gjithë të moshuarit e sotëm, por “qepja kodrave dhe e maleve per t’i kthyer në toka pjellore si dhe fushat’’ në ish sistemin kooperativist, zhduku shumë nga këta gjurme, që ishin në sipërfaqe.
Toponomia e Kastriotit
Toponimi lind mbi një bazë, transmetohet në breza, shërben si nderlidhes i vendit me ngjarjen dhe kur bënë lidhjen me dëshmi e dokumente historike merr jetë e vërtetësi.
Toponimia mbi Kastriotët në krahinën e Çidhnës- është e veçantë dhe shumë e pasur, disa prej të cilëve të lidhur dhe me dokumente historike. I shërbejnë tezës për Kastriotët si banor të saj, si dhe shprehin historinë e Katriotëve në këtë vend. Toponimet si; Palpusi (pusi i Palit), Kulla e Gjonit, Kopështi, Pusi, Ogradja e Gjonit, Kroi i T’anë Zonë (zotit tonë, Skënderbeut) Gurra e Skënderbeut e të tjera i shëbejnë vendbanimit të tyre në Çidhën, ndërsa Kepi i Skënderbeut (fortesë), Kalaja e fshehtë e Skënderbeut, Qafë-Kalaja, Kalaja e Volezës, e Sfetigradit, Ferra e Pashës, beteja e Torviollit, e Otonetës, e Oranikut, e Mecadit, e Mireshit, e Sfetigradit, e Grykës së Radikës, , Masakra e Çidhnës e të tjera, dëshmojnë për historinë e tyre këtu në Dibër.
Mikrokrahina e Çidhnës ndahet në dy pjesë, në Çidhnën Malore dhe ate Fushore. Pjesa fushore është formuar nga fiset e ardhur nga pjesa malore. Çidhnakët shfrytëzonin edhe malin dhe fushën. Lëviznin në kohë luftrash nga pjesa fushore në atë malore, në kohë paqeje shfrytëzonin dhe fushën Veç kësaj ata dimrit (nje pjese) rrinin ne pjesën fushore, ndërsa verës ngjiteshin në viset malore, në bjeshken e Pllajut dhe të Xharshishtit ne perendim, kurse ne lindje shkonin ne bjeshket e Grames prane Korabit.. Aktualisht shume fise si Tola, Alia, Doçi, Pernezha, Koltraka, Pergjegji, Kukeli, Noka, Spata, Bitri, Bushi, Raska, Basha, Skepi, Kaloshi, e te tjere banojnë edhe në pjesën Malore në të majtë të Drinit të Zi edhe në pjesën Fushore te Çidhnes. Një praktikë të tillë e fiseve te Çidhnes ndiqte ate qe kishin bere Kastriotet me pare, te cilet ne kohe luftrash ngjiteshin ne Sine si vend me mbrojtje natyrore, kurse ne kohe paqeje zbrisnin ne Kastriot
Studjues të historisë së Kastriotëve, si prof. dr. Kristo Frashëri, prof. Riza Lika, Agim Bobo (Antar i Akademisë së Shkencave Shqiptaro- Amerikane), e të tjerë shprehen se Gjon Kastrioti ka banuar në fshatin Kastriot të Çidhnës.
Në mbështetje të tezës së tyre bëjmë të njohur për lexuesin toponimet e këtij fshati.
*Çeliasi’’ si toponim në cilësinë e një lagjie të Kastriotit ekziston dhe sot. Ky toponim përmendet nga disa studjues të historisë së Kastriotëve, nga disa si vendlindje, nga të tjerë thuhet se Skënderbeu lindi në lagjen “Shëngjerth” në Sinë dhe u rritë në Çelias të Kastriotit. Celiasi përfshinë një sipërfaqe mbi 16 ha. Në këtë territor deri vonë ka pas rrënoja muresh, që flasin për të si vendbanim. Kulla, ose Kalaja e Gjonit ngrihej mbi një kodrinë të lartë, nga e cila mund të vrojtosh gjithë pjesën fushore të Dibrës së Poshtëme. Në pjesën lindore të saj vendasit piketojnë portën e saj. Në veriperëndim të kullës në largësinë 25 m është Kopështi i Gjonit, një sipërfaqe e sheshtë mbi 4 dy. Në pjesën perëndimore të tij ka pas rrënoja muresh deri para 50 vitesh, shenjat ende ekzistojnë. Në mes të kopështit është Pusi i Gjonit me gur e gëlqere anash, i thellë mbi 3 m para 4 dekadash. Brezi para nesh deklaronte prezencën e ujit në të. Në veri të kopështit është Ogradja e Gjonit, një sipërfaqe prej disa ha. Në juglindje të kullës, rreth 200 m larg saj janë Kishat. Në perëndim të tyre ka varreza të herëshme. Thuhet se ishin të Kastriotëve. Më në jug është Kodra e Shamatës.
500 m mbi Kullën, ose Kalanë e Gjonit gjendet Guri i Luftës. Më sipër tij janë Tre Gurthit, në pikën më të lartë të këtij territori, që shërbenin si pikë vrojtimi. Më në jug të tyre është Kaluerthi, një luginë e gjatë, e rrafshtë, e rrethuar anash me një terren të ngritur, si një stadium natyror, që shërbente për stërvitjen e kalorësve. Më në perëndim janë Gurët e Kazanave, vend ku gatuhej për ushtarët.
Në veri të Kalasë është Guri i Hajatit, kurse në veri -perëndim të saj në largësinë rreth 700 m është Kodra e Pareve, sot monument natyre, për formën e saj të veçantë, ku duket se ka vepruar dora e njeriut. Ka mendime se në këtë vend ka qenë tempulli i Kastriotëve. Ne veri të Kodrës së Pareve janë Varret e Dragojeve, vend ku varroseshin heronjtë, që tregonin shkallën më të lartë të trimerisë së tyre dhe heroizmit në luftë me pushtuesit. Në afërsi të Kodrës së Pareve janë Vreshtat. Ngjitur me ta kalon përroi me te njejtin emër, përroi i Vreshtave.
Në jug të Kalasë kalon përroi i Kastriotit. Në afërsi të urës së sotme deri vonë, më të moshuarit mbajnë mend rrënojat e mullirit të Kastriotëve. Ngjitur me te një sipërfaqe e pjerrët mban toponimin Bregu i Mullirit. Në perëndim të kalasë është Kroi i Kastriotëve, i cili shfrytëzohet si ujë i pijshëm nga banorët e fshatit Kukaj. Pjesën qëndrore te Çeliasit e zënë Gjerret e Kuke, ku sipas disa rrënojave të mureve në këtë territor mendohet se ka banuar fisi Pal Kukës, njerit nga njerëzit më të afërt me Skënderbeun. Një pus me mure gurësh me gëlqere anash ne mes të këtyre Gjerreve mund të kete shërbyer si ujë i pishëm për fisin e Kukeve, ose për fshatin Kukaj që ata na lanë. Këta 23-24 toponime i përkasin vetëm njerës lagje të Kastriotit, asaj të Çeliasit.
Këta toponime nuk ndodhen në Fushën e Katriotit, Fushën e Thatë, apo Sohodoll, siç është shprehur ndonjë studjues krahinor.
Zona rreth kalasë, ose kullës së Gjonit, sipas dëshmive te brezit para nesh, ka qenë e rrethuar me mure, që fillonin tek kishat më në lindje dhe përfundonin në perëndim të kopështit të Gjonit. Këta gjurmë që ishin në sipërfaqe u zhdukën me kthimin e ketij territori në tokë buke.
Në lindje të kalasë së Gjonit, pranë saj, ka kaluar Udha e Madhe; Ohër-Dibër-Lumë- Prizren, që kontrollohej nga Kastriotët.
Lagjia tjetër(sipas gojëdhënave) shtrihet në të majtë të përroit të Kastriotit, ose në jug të Kalasë së Gjonit. Këtu gjendet Katrioti i sotëm. Të moshuarit këtë territor fushor e emërtonin‘’Troja’’, që me drejtim nga jugu shtrihet deri në Terzisht, (rrobaqepsi ne ate kohë) ku sot është shkolla e mesme e Kastriotit. Mendojmë se ky territor i përket ’’Truallishtes së Gjon Kastriotit’’ e përmendur nga humanisti Italian R. Volaterano bashkëkohës i Skënderbeut, e përforcuar nga dëfteri turk 1583. Ngjitur me truallishten e Gjonit në dokumente (d . 1583) është dhe truallishtja’’ Kuka’’, kurse në terren fare afër me njeri tjetrin kemi dy fshatrat, Kastriotin e Kastriotëve dhe fshatin Kukaj të fisit të Kukëve. Pra kemi dy fise fqinje, Kastriotët dhe Kukët, dy truallishtet, atë të Gjonit dhe të Kukëve ngjitur me njera tjetrën, dhe së fundi dhe dy fshatrat Kastriot dhe Kukaj, që të krijojnë bindjen se këtu kanë banuar Kastriotët. Gjatë gërmimit të themeleve të shtëpive të këtij fshati, jo rrallë është ndeshur në themele muresh të vjetra. Prej shumë vitesh, shkruan prof. Eqerem Çabej, kam formuar bindjen, se toponomastika shqiptare përbën mbase dokumentin më kryesor, që vërteton autoktoninë e popullit shqiptar. Toponomia e këtij fshati fletë mjaftueshëm për t’u bindur se këtu ka banuar i ati i Skënderbeut, Gjon Pal Dibrani dhe se këtu heroi ynë duhet të ketë kaluar vitet e para të jetës.
Kastriotët dhe Kukët
Ndonjë studjues krahinor shpreh dyshime për Kastriotin si vendbanim i Gjon Kastriotit duke aluduar për ndonjë Gjon tjetër, por pa asnjë bazë. Prezenca e ’’Truallishtes Kuka’’ pranë ’’Truallishtes së Gjonit’’ në dokumente dhe ne terren dhe e këtyre dy fshatrave Kastriot dhe Kukaj ngjitur me njeri tjetrin, hedhë poshtë cdo dyshim, shkruajnë studjues prestigjioz të kësaj fushe. Në ushtrinë e Skënderbeut, sipas disa burimeve historike, nga fisi i Kukëve kanë shëbyer si komandant të shquar dhe shumë besnik Pjetër Kuka, Pali, Rajani, Leka dhe Gjergj Kuka. Pra, Kastriotët dhe Kukët ishin dy fise që jetuan në fqinjësi, luftuan së bashku dhe na lanë farë pranë njeri tjetrit këta dy fshatra, Kastriotin e Kastriotëve dhe fshatin Kukaj të fisit të Kukëve, banorët e të cilëve edhe në ditët tona festojnë së bashku në gëzime familjare, përballojnë së bashku cdo fatkeqësi si të jenë, jo dy fshatra, por si një fis i vetëm. Varrezat i kanë pas të përbashkëta. Shërbimet fetare i kryejnë në të njejtin institucion bashkërishte… Një trashëgimëni e tillë vijon që nga periudha e Kastriotëve. Sipas disa burimeve historike(studime historike nr. 3\1979 dhe Dok. i Barcelonës, 6 tetor 1467) flitet se Kastriotët dhe Kukët ishin të nje gjaku.

Dëshmitë bazë që e bëjnë të pakundërshtueshme origjinën dibrane të Kastriotëve
* — Vepra ’’Komentarët’’ e humanistit italian Rafael Volaterano, bashkëkohës i Skënderbeut, është botuar më 1506, dy vjet para botimit te Barletit dhe katër vite para ‘’Memorades’’ së fisnikut Gjon Muzaka mbi Kastriotet. Ky autor është i paanshëm, i pa ndikuar nga të tjerë, pasi është i një kombësie tjetër dhe se botimi i tij është bërë i ditur para disa të tjerëve. Volaterano thekson, se Gjon Dibra, (ose Gjon Dibrani) kishte ’’Trojen’’dhe disa vise brenda vendit të tij. Të atit të Skënderbeut ai i jep si mbiemër emrin e krahinës, si dibran që ishte. Në se nuk do të ishte dibran Gjon Kastrioti, si mbiemër nga Volaterano do te kishte Hasin, Matin, Kastrin, Kastratin, apo ndonje tjetër.
*– Fisniku Gjon Muzaka, për gjyshin e Skënderbeut, Palin, thekson’’ ..nuk kishte në zotrim më tepër se dy fshatra Sinën dhe Gardhin e Poshtëm. ’’Keta dy fshatra figurojnë dhe në defterin turk të 1467-ës dhe ekzistojne në bashkësinë krahinore të Çidhnës në Dibër të Poshtëme, jo në ndonjë vend tjetër. Muzaka përjashton mundesinë e ndonjë pronësie tjetër të Palit, pasi shprehet, ’’nuk kishte në zotrim më tepër se dy fshatra…’’ e cila përjashton çdo mundësi të gjyshit të Skënderbeut për të patur prona të tjera si dhe për të qenë i një krahine tjetër. Dëshmia e Muzakës dhe dëfteri turk mbështesin njeri tjetrin. Si përfundim janë tre deshmi të kohës së Skënderbeut, e Volateranos, e Muzakës dhe dëfteri turk 1467, që dëshmojnë të njejtën gjë, mbështesin njeri tjetrin mbi Kastriotët si dibranë.
*– Shtojmë se në krahinën e Çidhnës nuk kemi një shfaqje sporadike të ndonjë kastriotasi të vetëm si diku tjetër.
Prof. dr. Kristo Frasheri, shumë i përkushtuar për historinë e Kastriotëve, që ka shkelur më këmbë më 1974 çdo pëllëmbë toke në Çidhën e cila lidhet me Kastriotet, në bazë të disa burimeve të pakundërshtueshme, argumenton në mënyrën më bindëse, se Kastriotët figurojnë si banorë të Çidhnës në harkun kohor prej 250 vitesh. Fillohet me Palin sipas Muzakës nga mezi i shek. XIV, me Dhimitrin sipas dëfterit turk 1467, me Palin sipas një regjstri turk 1571 dhe mbyllet me Jozef Kastriotin si përfaqsues i Çidhnës në kuvendin ndërkrahinor në Dukagjin të Matit me 1602. Në cilën krahinë të vendit tone kemi një prezence të Kastriotëve në 8 breza si në Çidhnën e Dibrës? Askund tjetër.
I referohemi Fjalorit Enc.Shqiptar, botim i Akademisë së Shkencave Shqiptare, Tiranë 2008, në fq. 1136 të të cilit thuhet:’’Kastrioti është vendbanim i lashtë sipas gjetjeve tek Kodra e Gështenjës.Në shek e XIII ishte në zotrim të Kastriotëve .’’ Nëse Pal Kastrioti u shfaq në Sinë në vitet 1350-75, sipas ketij informacionit më të fundit rezulton se Kastriotët dokumentohen si banor të Kastriotit në shek e XIII, pra dhe një shek para Palit te Sinës, që do të thotë se Kastriotët dokumentohen si banor të Cidhnës, jo më në 8, por në 11 breza.
A mund të hidhen poshtë burime të tilla të njëkohëshme me Skënderbeun shtuar këtu dhe toponiminë e pasur të kësaj krahine në përforcim të tyre për Kastriotët si banor të Çidhnës në Dibrën e Poshtëme? Logjikishtë, jo.
* Barleti që shkruan: ’’Viset e Çidhnës, janë viset e Skënderbeut’’ ( fq. 695), shpreh një lidhje të pronarit me pronën në zotrim. Ai shtjellon shumë ceshtje të tjera për lidhje të ngushta, kontribut të vecantë, besim e besnikëri të lartë të dibranëve ndaj Skënderbeut, që i shërbejnë tezës dibrane te Kastriotëve. . Për ilustrim citojmë disa prej tyre;
* Skënderbeu nga Nishi me 3 nëntor 1443…. ’’u nise me të vetët që këndej me shpejtësinë më të madhe dhe arriti në të shtatën ditë në Dibër…atë vend e njihte dhe e donte shumë.’’ (Barleti’’Histori e Skënderbeut’’, bot. 1967, fq 69) Pse nuk u nis Skënderbeu për në Mat, Has, apo Mirdite?.. Vetëm tek njerezit e gjakut te tije, ai mund te bazohej për një sfidë të tillë, tepër të vështirë. Këte e përforcon pritja madhështore, e përmallshme, që dibranët mund t’ia bënin vetëm birit plot lavdi të Dibrës, të një gjaku me të, të rritur bashkë, askujt tjetër. Barleti shkruan:’’Iu derdhën, pra, të gjithë rreth e përqark, e kush e kush më parë, tërë shend e verë dhe duke kërcyer nga gëzimi… një palë i puthnin duartë, një palë faqet e kokën, të tjerë këmbët, e pastaj gjithë trupin, duke e mbytur me përqafime të pambaruara.’’ (Barleti, fq. 70 bot, 1967).
*Studjuesi dibran Haziz Ndreu, kur i referohet M. Sirdanit në veprën’’Kastriotët dhe Skënderbeu në Trojet Arbërore’’ ne fq. 26, për kthimin e Skënderbeut nga Nishi në Dibër shkruan: ’’… u shmang me të vetët e voti në katund të Kastriotit, ku kishte fisin e vet. ’’
* Me të mbërritur në Dibër, në fshehtësi e me shpejtësi të madhe, Skënderbeu thirri në takim të parët e vendit. Me 11 Nëntor1443 nën drejtimin e tij mbahet Kuvendi i Dibrës, në të cilin heroi ynë ua shfaqi dhe ua besoi planin e tij dibranëve, ku u vendos;të mblidheshin ushtarë, të pastrohej Dibra nga pushtuesit turq, të dërgoheshin përforcime me ushtarë përtej kalasë së Sfetigradit e malit të Mokrës për mbrojtje në rast sulmi nga turqit dhe të mblidheshin sa më shumë kryengritës për të qenë në gadishmeri për më vonë.
Këtu filloi formimi i ushtrisë kryengritëse, këtu u lidh besa dibrane, e cila do të materializohej për 25 vjet me plot shembuj heroizmi e besnikërie të pashembullt, jo vetëm në 18 betejat e zhvilluara në Dibër (nga 26 të tilla gjithësej ne vitet e Skënderbeut), por kudo në territoret e principatës së Kastriotëve. (Sipas Rakip Sinanit, ’’Shënime Historike’’referuar M. Barletit, bot. III Fq. 85, 86 Tiranë 1983).
* Ardhja e tij në Dibër s’ishte as spontane, as e rastësishme. Historianë të shquar, që shkruajnë se Skënderbeu më 1440 ishte sanxhakbej në Dibër, mendojnë se Heroi ynë, i kishte filluar me kohë pergatitjet për kryengritjen e përgjithëshme, por vetëm priste castin e volitshëm dhe kjo do të niste nga Dibra.
* Me dibranët Skënderbeu u nisë për marrjen e Krujës, kontribut që nuk përmendet askund, as si besueshmëri, as si vlerë. Barleti shkruan: ’’..i shoqëruar nga disa dibranë (Skenderbeu), vazhdoi rrugën me shpejtësinë më të madhe për në Kruje. Barleti, fq. 70. bot. 1967 Ky ishte hapi i parë i mbështetje së Skënderbeut nga dibranët. . Barleti shkruan: ’’Ai vetë (Skënderbeu M. K.) u drejtua menjëherë për tek porta së bashku me Hamzanë dhe me një tufë të tjerë pas dhe së andejmi e dërgoi atë bashkë me disa dibranë në Dibër, me qëllim që t’u lajmronin pjestarëve të planit të tijë (të parëve të Dibrës) çlirimin e qytetit dhe gjithçka tjetër kishte ndodhur…’’ Barleti ‘’Histori e Skenderbeut’’fq. 72 bot. 1967.
* Betejën e parë me turqit Skënderbeu e zhvilloi në Dibër të Poshtëme. Siç duket sulltan Murati II kishte vendos ta sulmojë Skënderbeun në vendlindjen e tij me mendimin se heroi ynë këtu kishte përqendruar forcat e tij mbrojtëse dhe se ketu do t’i jepej fund ‘’rrebelizmit’’ shqipëtar. Në perëndim te diellit, Skënderbeu ngriti çadrat në Dibrën e Poshtëme pranë një pylli me druj shumë të dendur, shkrauan Barleti (në fq. 112 bot. 1976.) Kjo përplasje midis dy ushtrive, Beteja e Torviollit, në Dibrën e Poshtëme, përfundoi me shpartallimin e plotë të ushtrisë turke. Për këtë betejë, Barleti shkruan:’’Luanët komanduan luanë’’
* Barleti shkruan… Dibra… ’’E Poshtëmja është e gjitha e rrafshtë dhe e rrethuar me fusha pjellore, që prodhojnë cdo gjë .Arbër dhe epiriot e banojnë atë vend, popuj shumë trima për luftë, me armët e të cilëve në radhë të parë e shpëtoi dhe e rriti Kastrioti mbretërinë dhe ia doli mb’anë çdo pune të rëndë e shumë të vështirë duke i patur kështu si Kolofonë kunder gjithe luftrave e mizërive të armiqëve.’’ Barleti fq. 221, bot. 1967. Për trimërinë dhe aftësitë luftarake të dibranëve historiani turk Kemal Pashazade, kur fletë për Sfetigradin në Dibër shkruan: ’’Në atë vend ndodhej një kështjellë e fortë, që ishte e njohur me emrin Koxhaxhik. Ajo ishte mbushur me të rinjë trima nga vendi i Juvan Ilisë (Gjon Kastriotit M. K. )të cilët ishin si luanë që të shqyejnë. ’’
Eshtë një realitet historik (i mohuar) fakti, se Dibra ishte bazë kryesore e gardës se Skënderbeut, e furnizimit me ushtarë të ushtrisë së Heroit tonë, garanci fitoresh, për trimërinë, besën e besueshmërinë, aftësi të rralla luftarake në mbështetjen pa rezerva të Skënderbeut, , siç citon Barleti, ’’me armët e të cilëve në radhë të parë shpëtoi dhe e rriti Kastrioti mbretërinë e tij’’… Ndonëse Barleti në mënyrë të veçantë shkruan për peshën e rëndë të luftës që përballoi populli dibran dhe kontributin e jashtëzakonshëm (18 beteja vetëm në Diber), për çudi këtë kontribut dibran askund nuk e gjejmë në historinë tonë shqiptare. Ndoshta dhe të qenurit dibran te Skënderbeut, mund të jetë shkaku, që dhe lokalizimi i vendlindjes së tij zvarritet kaq shumë?!

Me Kastriotin nis zgjerimin Principata e Kastriotëve.
Gjoni trashegoi nga i ati, Pali, vetëm Sinën dhe Gardhin e Poshtëm. Studjues prestigjioz te historisë si prof. dr. K. Frasheri, prof. Riza Lika, Agim Bobo, e të tjerë shpjegojnë se Gjon Kastrioti u vendos në fshatin Kastriot për të cilin fletë dhe toponimia e tij. Nga Kastrioti nis zgjerimin e saj principata e Kastriotëve. Si në shumë raste të tjera, kur princër, apo feudal kanë marrë emrin e vendit nga ku ka nisur fuqizimi i pushtetit të tyre, gjykojmë se Kastriotët morën si mbiemër emrin e fshatit Kastriot nga ku nisi vërshimin e saj Principata e Kastriotëve.
* Gjon Kastrioti, pas shtrirjes së sundimit të tij në Dibër deri matanë Sfetigradit, duke përfituar nga lufta për pushtet ndërmjet djemëve të sulltan Bajazitit, (pas vdekjes së tij më 1402), mori drejtim drejtë perëndimit, kështu bëhet zotërues dhe i Matit.
Z. Agim Bobo antar i Akademisë së Shkencave Shqiptaro-Amerikane në shkrimin e tij ’’Vendlindja e Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe mbështetësit e tij dibranë’’ sjell një fakt më interes. Në një vendim të senatit të Shën Markut, me 20 shkurt 1445, në të cilin Skënderbeut dhe vëllait të tij Stanishit u jepet qytetaria e Venedikut, autori shkruan:’’Në këtë vendim shohim se vëllezerit Kastrioti më parë ishin zotrues të Dibrës dhe pasi shtinë në dorë Krujën u bënë zotër dhe të Matit’’…
Nuk ka vend për te gjykuar se Kastriotët ishin nga nje krahine tjeter, por zgjerimin e principates së tyre e filluan nga Dibra.
Ka plot fakte të tjera që vertetojnë se Kastriotët ishin nga krahina e Çidhnës. Këtu kishin pronat fillestare, këtu filloi ngjitja në fillim si zotër të Dibrës, më pas të Matit dhe shtrirja e sundimit të tyre drejtë perendimit arriti deri në bregdet.
* Eshtë Barleti ai që në veprën e tij na sjell një fakt tjeter. Skënderbeu, përveç këshillit të tij të Besëlidhjes për çeshtjet e mbrojtjes, kishte dhe një këshillë tjetër me të tijët dibrane (A. Bobo sipas Barletit fq. 477).

Betejat e Dibrës
* Sipas studjuesve të historisë së Kastriotëve, nga 26 beteja gjithësej në vitet e Skënderbeut, 18 prej tyre u zhvilluan në territoret dibrane. Kjo fletë për kontributin e madh dhe peshën e rëndë të luftës, që ka përballuar popullsia e kësaj krahine. Ne veprën’’Kujtime dhe Shënime Historike’’të studjuesit dibran Rakip Sinani bëhet një pasqyrë e plotë e këtyre betejave. Shkurtazi përmendim vendin dhe kohën e zhvillimit të tyre;Beteja e Torviollit më 29 qershor 1444 në Dibër të Poshtëme, në Grykë të Radikës në tetor1445, beteja e Otonetës në shtator 1446, e Oranikut në gusht 1448, e Mireshit në maj 1449, e Sfetigradit maj-korrik 1449, e Sfetigradit(e dyta) në shtator 1449, e Modriçit në korrik 1452, e Meçadit në korrik 1452, e Oranikut në maj 1456, e Mokrës së Dibrës në gusht 1462, e Vajkalit në prill 1465, e Meçadit në qershor 1465, në fushë të Sfetigradit në korrik 1465, e Vajkalit në gusht 1465, Masakra e Çidhnës me 1 gusht 1466 dhe rimarrja e Çidhnës në prill 1467.
Masakra e Çidhnes ishte shprehja e egërsisë së tejskajshme e sulltan Mehmetit II nga dëshprimi pas dështimit të tij për marrjen e Krujës për të cilën u përdor tërë potenciali ushtarak i perandorise osmane. Për të shfryrë urrejtjen dhe për hakmarrje ndaj Skënderbeut, pas largimit nga Kruja, ushtria e tije e devijoi rrugën nga Elbasani për në Dibër të Poshtëme në krahinën e Çidhnës, atje ku Skënderbeu kishte të strehuar njerëzit e gjakut të tije.
Në se në Çidhën, Skënderbeu nuk do të kishte njerëzit më të afërt të tij, ushtria turke s’kishte pse te devijonte e të bënte një rrugë kaq të gjatë deri në Çidhnën e Dibrës. Tradhëtia si shumë herë të tjera vihet në shërbim të tragjedisë, të gjëmës. Pasi zbulohet shtegu i fshehtë që të dërgonte në kala, ushtria turke sulmoi njerëzit e pambrojtur te strehuar në këtë anë dhe bëri masakën më barbare, që ndoshta s’ka të krahasuar gjatë ekzitencës së perandorisë osmane.. Për këtë masakër një kronist turk shkruan: ’’Ngado që të shkoje pas luftës, gjak do të shikoje, ngado që të shikoje kufoma do të gjeje’’.
’’Në betejën për rimarrjen e Çidhnës, në prill të vitit 1467, ushtria e Skënderbeut vrau 2 000 jeniçerët turq, që ishin vendosur në këtë kështjellë. (F. Noli ‘’, Histori e Skenderbeut’’fq. 103)

Vendlindja
Dy janë pistat më kryesore për vendlindjen e Skënderbeut, Kastrioti dhe Sina, dy fshatra në bashkësinë krahinore të Çidhnës, ku kanë banuar Kastriotët. Toponimia e fshatit Kastriot fletë për vendbanim të Gjonit në këtë vend. Viti i lindjes se Skënderbeut me 1405, i përket kohës kur filloi rritja me shpejtësi e zotrimeve të Gjonit, i favorizuar nga lufta për pushtet midis djemve të Sulltan Bajazitit, pas vrasjes së tij nga mongolët.
Gjykojmë se në vitet e para të zgjërimit të principatës së Kastriotëve si fillim deri në rrethinat e Vardarit, familja e Gjonit ka jetuar në Kastriot, çka të bënë të mendosh se këtu ka lindur Skënderbeu. Në përforcim të kësaj ideje sjellim një të dhënë nga intervista e studjuesit dibran Haziz Ndreu në veprën e tij ’’Kastriotet dhe Skënderbeu në Trojet Arbërore’’. Në fq. 26 të saj ai shkruan: ’’Sulë Bruga nga fshati Gur-Lurë, në vitin 1973, në moshën 83 vjecare tregon: ’’Emrin Çelias e kam dëgjuar për herë të parë në vitin 1906 në Stamboll nga mësuesi im i historisë. Në një orë mësimi, kur përmendet emri i Skënderbeut, një nxënës i një kombësive tjetër e pyetën profesorin, se ku kishte lindur Skënderbeu. Ai u përgjigj me një fjali të shkurtër:’’Skënderbeu ka lindur në Çelias. ’’Unë, vazhdon Sula, jo atëhere, por dhe sot e kësaj dite nuk e di në ç’vend është Çeliasi. ‘’Ky Çelias, sipas trashgimenisë së percjellë në breza ( që ekziston dhe sot) ishte një lagje e Kastriotit te Çidhnës në vitet e Gjon Kastriotit.
’Po këtu autori i këtij libri bazuar në tregime popullore (në fq. 25) shkruan: ’’…. që nga Dibra e Epër e deri në Lurë thonë, se vendlindja e Skënderbeut është në Kastriot. ’’
Nga trashëgimënia gojore sillet dhe një mendim tjetër, se Skënderbeu lindi në lagjen ’’Shëngjerdh’’ në Sinë dhe u rritë në Çelias të Kastriotit. Sidoqoftë fjala e fundit për këta dy vende u përket arkeologëve.
Me 2 nëntor 1985 në fshatin Sinë u përurua një muze modest kushtuar Kastriotëve. Në sesionin shkencor të organizuar me këtë rast me temë‘’Mbi origjinën e Kastriotëve’’ merrnin pjesë figurat më të shquara të historisë sonë si, Stefanaq Pollo, Kristo Frashëri, Selami Pulaha, Luan Maltezi, Maliq Horshova e të tjere. U krijua përshtypja, se po lokalizohej origjina e Kastrioteve ne Dibër të Poshtëme në krahinën e Çidhnës. Por, po bëhen mëse tri dekada e askush nuk po kujtohet më, se historianë e pushtetarë të këtij vendi një borxh ia kanë më të madhit të kombit shqiptar të të gjitha kohërave, Gjergj Kastriotit, Skenderbeut, lokalizimin e origjinës krahinore dhe saktësimin e vendlindje së tij.
Edhe një njeri sado i thjeshtë, e ka një origjnë krahinore, një vendlindje. Ende nuk e gëzon këtë të drejtë HEROI ynë kombëtar, jo se mungon informacioni i duhur, kushtet apo mundësitë, por për indiferentizëm, e ndoshta vetem pse ai është dibran… Me këtë trevë, Çidhnën, komunizmi u gjakos, pati probleme shqetësuese për 50 vite. Po tani pse heshtet?
U ’’çmendën’’ pas Skënderbeu studjues historianë, shkrimtar, strateg ushtarak, piktor, muzikant, e te tjerë nga vendi e sidomos nga bota, si dhe politikanë të rengut me të lartë, në Europë, Azi dhe gjerë matanë Atlantikut. Me 2005, në tempullin e dijes, kryeqendrën botërore të kulturës dhe shkencës, në Nju York, si dhe në Boston e vende te tjera, mbahen sesione shkencore në kujtim të veprës historike të Skenderbeut. Dy senator të nderuar Tom Lantosh dhe Dana Rohrbaker paraqitën një rezolutë në Kongresin Amerikan në nderim të veprës historike të Heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu me rastin e 600 vjetorit të lindjes së tij. Një ngjarje e pazakont dhe një vlersim i madh për kombin tonë. Me këte rast senatori Dana Rohrbaker në intervistën e dhënë para gazetarëve është shprehur:’’Skënderbeu, kjo figurë historike, ndali përparimin turk drejtë Europës, perëndimit, duke ndryshuar historinë dhe mënyrën tonë të jetesës’’.
Kanë kaluar shekuj, ndoshta është shkruar për Skënderbeun si për askënd tjetër kaq shumë. Do të kalojnë të tjerë, përsëri do të shkruhet. Ai burrë me veprën e tij historike i dha jetë dhe ekzistencë kombit të tij, emër kudo në botë, krenari të ligjëshme shqiptarëve kudo që jetojnë.
Viti 2018 është shpallur viti i Skënderbeut nga Kryeministri ynë.…Gjykuam ne dibranët, se Dibrës si origjinë, vendlindje e Skënderbeut si dhe për peshën më te rëndë të luftës me 18 betejave të zhvilluar në këtë trevë, do t’i bëhej diferencimi në këtë vit të Skënderbeut.Gjykuam se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe e Sporteve do të komunikonte me historianë e studjues te Kastriotëve dhe se në Diber, veç të tjerash do te behej nje konferencë shkencore kombëtare mbi Kastriotet si dhe në Kastriot të Dibrës do të ndërtohej si fillim një përmendore madhështore kushtuar birit te Dibrës, (me pas nje muze modern, ) lavdia e të cilit është prezent në të gjithë kontinentet e botës, si ne asnjë tjetër.