Mjegulla që fsheh gjurmët e historisë


Autoritet shtetërore në qendër, me Ministrinë e Transportit dhe të Ndërtimit, duhet ta dinë se ajo sot apo nesër do të shkaktojë një tragjedi njerëzore. Edhe pse historia e kësaj ure dihet, ajo fshihet qëllimisht ose për të vjedhur fondet për rindërtimin e saj, ose presin të ndodh shembja e saj bashkë me humbje jetë njerëzish nga Selishta, Muhurri, Luznia e Sina.

Ura e Drinit e projektuar me harqe nga një inxhinier italian, filloi punimet rreth vitit 1940. Në atë punë teje të vështirë, disa humbën dëgjimin, të tjerë morën ftohje të rëndë në mushkri, që më pas, ju shkaktoi vdekjen e parakohshme.Në shtatorin e vitit 1943 punimet u ndërprenë. Përfunduan këmbët e drejta dhe venia e elementëve të hekurit nga një shoqërie angleze në vitin 1946. Garancia e ndërtimore pra jetëgjatësia e saj ishte për dyzetë vjet.

I zgavruar nga shpirti e mosbesimi, rropatesha së vëzhguari e gjurmuari dëshmitë historike të krahinës së Muhurrit, ku tallazet e ujërave të lumit Drin dhe Murra dyluftojnë në shekuj. Ato rrinë të fshehura, thellë në hojet e damarët plotë jetë të tokës, të padukshme, në errësirën e thellësive të saj, të padijeve e moskokëçarjeve. Nuk po di pse unë i përfytyroi si yje në hapësirën e paanë të qiellit, ku rrymat e korenteve ajrore herë i mbulojnë me mjegull, herë i bëjnë të duken, por vetëm si xixëllonja pranvere.

Mazrekat e mazrekasit turfullojnë
Ato janë këtu, në mes malesh, kodrash, kurrizesh dhe muresh të ngjashme me një kala natyrore të përsosur. Me gërmadhat e shtëpive e vilave të dinastisë së Mazrekajve të varrosura. Ato kanë muret e kalasë, bedenat me dy gur të lart në disa vende të kurrizeve, me tumat e rojeve e shërbyesve të tyre, në dy anët e arës së Kurte.
Me Shajshat, vendstërvitjen e kazermat e ushtrisë dhe rojeve të familjes fisnike të mazrekasve në perëndim të kurrizit prej disa kilometrash Qafë Dardhë- Maja e Sukës, në krahinën e Muhurrit, një livadh prej disa dynymësh me dy kate, ku në atë më të lartin në vitet ’60 të shekullit të kaluar dukeshin tjegulla, gurë e themele të dallueshme.
Maja e Sukës, një majë shkëmbore, me vendrojen 150 metra poshtë kësaj maje, ku vrojtoheshin të gjitha lëvizjet e këmbësorëve apo ushtrive përgjatë grykës së Murrës e përroit të Shqathit.
Në verilindje, duke ndjekur kurrizin e Majës së Vakufit me kuotë 788 metra e zbritje në drejtimin Jug- Lindje, deri në kodrën e Rreskave, e cila gjendet në një livadh me mbetje gurësh që thuhet se kanë qenë burgjet e mazrekasve. Sot njihen me emrin Ara e Robit, e shkruar shkoqur, vendi ku mbaheshin robt e luftës apo të burgosurit.
Kanë shkruar për këto kërkuesit e së vërtetës, shkruesit, historianët Hazis Ndreu, Agim Boba, Fatos Daci, Besnik Këbej. Dhe më tutje, vetëm me një kalim, ka gjetur disa fragmente tjegullash arkeologu Iljaz Kaca, që shkruan se “këto i përkasin mesjetës”. Dhe kaq. Ndërsa gojëdhënat e ardhura përgjatë majave thepa-thepa të kohërave janë të shumta, për mbiemrin e parë të Kastriotëve, fisin e Mazrekasve.
Arkeologjia, për më se tetë shekujsh, nuk ka filluar as edhe një gërmim arkeologjik. Historianët e periudhës mesjetare në Institutin e Historisë as që e dinë që ekziston. E fshehur kështu në mjegullnajen e kohërave, nën shtresat e tokës e shtrëngimin e rrënjëve të bimëve të ndryshme, pushojnë në paqe e të pavlerësuara këto dëshmi historike. Me sa duket, rrënjët e origjinës së prejardhjeve të Kastriotëve do të “flenë gjumin e madh” edhe për shumë vite, dhjetëvjeçar, ndoshta edhe shekujsh.

Shgjerthi
Një sipërfaqe toke prej disa hektarësh, e thirrur Gjerdhi i Epër dhe Gjerdhi i Poshtëm, të shkruar edhe në kujtimet e Gjon Muzakës (1510), me gërmadha ende të fshehura, që rënkojnë ndër muzgjet e shekujve, dëshmitë kryeneçe që kanë bërë epokë. Por, ato nuk i përfill askush, as ambasadori serb Jasterbov, as dje dhe sot qindra intelektualë e mësues të krahinës së Muhurrit në Dibër. Ndërsa i pari, atdetari e shkrimtari dibran Haki Stërmilli do të lidh toponiminë Gjerthsh, gjeografikisht të përcaktuar me thënien proverbiale të Muzakës.
Përpiqen të tjerë ta dritësojnë, e të tjerë ta degdisin pa fre diku larg, e gulçimat e të pavërtetave, kanë mbuluar yllësinë e së vërtetës. Padija, ndëshkimi i kohërave, po shpërbën tokën e bekuar të Pal Kastriotit. Damarët e saj po çahen nga kapriçot e klimës dhe pakujdesia e tiranëve të vetvetes që e rrethojnë.
Gardhi i Epër dhe i Poshtëm kanë rrafshnaltën e Mojzës përkundruall, banuese në regjistrin turk të vitit 1467, me emra baballarësh, fëmijësh por fatkeqësisht pa mbiemra.
Pra, nyja e të panjohurave veç përdridhet e përdridhet pamëshirëshëm duke ndrydhur, shtrydhur për vdekje të vërtetën. Askush nuk interesohet, as qeveritë, as shkenca e arkeologjisë, historisë, toponomistikës, antropologjisë që ta “shqyejnë” copë më copë për të zbuluar thelbin e së vërtetës epokale.

Hapni grykën të shikoni mrekullitë!
E mbuluar me dhe të kuqëluar dhe gur të përmasave të ndryshme, rreth viteve ’70 të shekullit të kaluar, pa menduar se po varrosnin një mrekulli natyrore dhe një vend dëshmitare e epokës së gurit. Askush nuk mendon, as t’iu shkoi ndërmend ta rihapin. Ndërsa sopata prej guri e gjetur nga inxhinieri gjeolog Mustafa Seferi flet si një ciceron i vërtetë, falë edhe dhënies jetë, nga arkeologu e historiani Iliaz Kaca.
Ndërsa nuk i dihen gjurmët kafshës prehistorike, pa kokë, gjetur po këtu në Shpellën Zgjorgj nga speleologët Çek në vitin 1952, e ruajtur deri në vitet e fundit në Muzeu e Biologjisë në rrugën e Kavajës në Tiranë.
Gjithçka e përhumbur nga mosdijenia, nga mos vlerësimi, nga burokracia shtetërore dhe nga paftësia e njësive administrative lokale. U përpoqa të shkërmoq thëngjijtë e zinj, për të zbuluar atje, pak energji pozitive, që t’i shtyje këto struktura apo njerëz të veçantë që ta hapin grykën e shpellë Sgjorgj, për të folur me zërin kumbues, historia muhurrake mijëra vjeçare, por nuk kam besim se do t’ia arrij qëllimit.

Ura e Muhurrit – urat e vdekjes?!
Po, çfarë do të thotë kjo? Edhe ato kanë historinë e tyre. Por atyre me sa duket në këto kohëra që jetojmë e me këto qeveri që po përjetojmë do të shkruhet historia me germa gjaku të të varferve të pafajshëm. Dhe ja të qartësojmë ngjarjen.
Ura e Drinit e projektuar me harqe nga një inxhinier italian, filloi punimet rreth vitit 1940. Në verën e atij viti, ku motor kompresoret hiqnin ujin, ndërsa bijtë muhurrakë grryenin e betononin themelet e këmbëve të saja. Në atë punë teje të vështirë, disa humbën dëgjimin, të tjerë morën ftohje të rëndë në mushkri, që më pas, ju shkaktoi vdekjen e parakohshme. Por Italia kapitulloi në shtatorin e vitit 1943 prandaj punimet u ndërprenë. Përfunduan këmbët e drejta dhe venia e elementëve të hekurit nga një shoqërie angleze në vitin 1946. Garancia e ndërtimore pra jetëgjatësia e saj ishte për dyzetë vjet.
Autoritet shtetërore në qendër, me Ministrinë e Transportit dhe të Ndërtimit, duhet ta dinë se ajo sot apo nesër do të shkaktojë një tragjedi njerëzore. Edhe pse historia e kësaj ure dihet, ajo fshihet qëllimisht ose për të vjedhur fondet për rindërtimin e saj, ose presin të ndodh shembja e saj bashkë me humbje jetë njerëzish nga Selishta, Muhurri, Luznia e Sina.
Ndërsa Ura e lumit Murra, edhe pse u ndërtua rreth viteve’70 me projektin e studimin nga inxhinierët shqiptar është kthyer në një kufomë frikëndjellëse. Gjendja e saj u përkeqësua, kur një vërshim i madh i lumit në fjalë në vitet ’80 të shekullit të kaluar, ku një pjesë e saj u shemb, e cila u zëvendësua me urë hekuri. Ndërsa pranvera e vitit 2018 e ka çuar jetën e saj në fije të perit.
Kur valle do të ndërhyhet? Koha nuk pret, kjo urë çalon, “shqipon”, – siç i themi ne, muhurrakët, nga të dyja këmbët. Me sot me nesër, bashkë me urën e sëmurë rëndë do të largohen nga kjo jetë edhe ndonjë mikrobus apo autobus me dhjetëra njerëz nga Qaf Murra, Selishta, Kacnia apo Fushë Muhurri. E kundërta për këto ura historia dihet por shtetarët nuk duan t’ia dinë për pasojat, për vlerat e tyre njerëzore dhe ekonomike, pa harruar e neglizhuar ndihmesën e tyre në zhvillimin e përgjithshëm të krahinës.
* * *
Jeta e muhurrakëve ka qenë e vrullshme. Ajo është përplasur në betejat e kohërave me egërsi, duke lënë gjurmë të thella. Por, ja që edhe shekulli i njëzetë nuk arriti të zbulojë, shkruaj e dëshmojë mbi bëmat historike apo vlerat e veprave të artit e komunikimit. Edhe ky shekull i mjegulluar ka filluar për banorët e Muhurrit. Por, siç thuhet, shpresa vdes e fundit!