Një histori për klonin që ndau fshatin


Për brezin e fëmijëve të mi, për nipërit dhe mbesat, për stërnipërit dhe stërmbesat e ardhshme, kjo është e pabesueshme. Por ja që kështu është e vërteta. Në vitet 1967-1968 filloi rindërtimi klonit të kufirit, kryesisht në viset kufitare të veriut dhe të verilindjes.
Fshati im u nda në dy pjesë. Pjesa e Viçishtit të Poshtëm mbeti brenda klonit, plotësisht e izoluar. Fëmijët për të ardhur në shkollë duhet të kalonin nëpërmjet një porte, të cilën e hapte dhe e mbyllte kapteri i qenit të kufirit të postës kufitare. Fatmirësisht fëmijët e kësaj lagjeje bashkoheshin me fëmijët e oficerëve dhe të kapterëve të postës kufitare dhe kështu nuk kishte pengesë. Në këtë grup ishin: Luan Mersim Rama, Haziz Tola, Dylber Markja etj. Ndoshta duhet shpjeguar pak se çfarë ishte kloni. Fshati im, si fshat kufitar, jetoi për rreth 20 vjet në këtë izolim, i rrethuar me klonin me tela gjembi.
Në qendër të një brezi toke të punuar dhe të shkrifëruar, me gjerësi rreth 3,5 metra, vendoseshin shtylla druri të staxhionuara në vijë të drejtë sipas terrenit e në largësi të barabartë nga njëra-tjetra. Këto shtylla mbanin të montuar tela me gjemba nga nëntoka dhe me gjerësi disa cm, sa më afër tokës e me distancë pak më të madhe, sa më lart në shtylla druri në 2 m. Mbi shtylla shtrihej në rreth 1 m gjerësi tel me gjemba dhe mbi to filli që siguronte ndërlidhjen. Në shtylla, në vende të caktuara, ishin vendosur prita në mënyrë të maskuar, por edhe për t’u mbrojtur nga shirat, në të cilat sigurohej ndërlidhje me aparat telefonik “TAJ-43”. (Akoma ishin në punë aparatet sovjetikë të ndërlidhjes). Nga ana e brendshme e klonit, pra nga kufiri, në brezin e butë, në rreth 1 metër gjerësi, toka ishte e ngjeshur, pra ishte rrugë ku kalonte njësiti i kufirit me qenin e kufirit, duke kontrolluar me imtësi çdo shenjë dyshimi.
Për çdo dyshim apo gjurmë ato sinjalizonin postën. Në qoftë se dikush takonte dy fije teli, i këpuste ato, ose kur gjatë kullotjes së kafshëve takonte telat zinxhiri i kalit, në centralin qendror të postës jepej sinjali i alarmit. Në postë përcaktohej me saktësi edhe sektori ku ndodhte ngjarja. Menjëherë nga posta e kufirit niseshin kufitarët me shpejtësi maksimale. Njëri njësit, zakonisht me 2-3 kufitarë shkonte në sektorin ku u dha sinjali, ndërsa njësiti tjetër shkonte në brezin afër zonës neutrale (në këtë zonë nuk hynte askush nga shtetet), pasi parashikoheshin të dy variantet, shkelja e kufirit nga brenda-jashtë, ose nga jashtë-brenda. Në qoftë se sinjali mund të shkaktohej nga kafshët, bëhej objekt analize e ndalohej futja e bagëtive në afërsi të klonit.
Kloni ishte afro 100-200 metra larg vijës kufitare shtetërore, ose sipas vartësisë së terrenit. Vija ndarëse e kufirit kishte specifikat e veta. Toka ishte e punuar në rreth 2.5 metra, ku kishte një rrugë kalimi për njësitin kufitar dhe ishte vendosur një gardh me thupra. Këtu ishin vendosur piramidat në të dy anët e kufirit. Në piramidën që ndodhej në anën tonë shkruhej nga ana e kufirit RFSJ (Republika Federative Socialiste e Jugosllavisë) dhe nga ana jonë shkruhej RPSSH (Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë), dhe anasjelltas. Distanca në mes dy piramidave përballë njëra-tjetrës quhej zonë neutrale dhe ishte e paprekshme. Kloni vazhdonte nga Gjorica, në Viçisht dhe vazhdonte në Miresh.
Fshati im kishte dy porta hyrëse e dalëse, një tek Fisi i Likajve në Viçisht, afër shkollës, dhe një në xhade, pranë shtëpisë së Kasem Xhurës. Kishte edhe porta sekrete që përdoreshin vetëm në raste të veçanta dhe në rast lufte. Në Miresh kishte edhe një portë tjetër, sepse edhe kjo lagje-fshat, ashtu si Viçishti i poshtëm, mbeti e izoluar. Në Viçisht të Poshtëm mbetën të izoluar Fisi i Tolajve dhe Fisi i Markajve. Ishte gjithashtu edhe vetë Posta e Kufirit dhe shtëpitë e familjarëve të oficerëve të postës. Në fshatin tonë shërbente si komandant Mersim Rama. Djali i tij, Luani, bënte mësim në shkollën e Viçishtit, lart në qendër të fshatit, dhe kalonte nëpërmjet portës. Më vonë, pas viteve 90, Luani do të bëhej ministër i brendshëm i Shqipërisë.Vendosja e klonit, për ta bërë kufirin të pakalueshëm, krijoi vështirësi për banorët e fshatit, si dhe fshatrat e tjerë të brezit kufitar. Pjesa më e madhe e tokës së fshatit, madje ajo nën ujë, mbeti brenda klonit. Për punimin e saj, si mbjelljet dhe gjitha shërbimet e tjera të rritjes dhe të mbledhjes së prodhimit, bëhej shoqërim me kufitarë të armatosur. Banorët e fshatit, të futur në rrethim edhe kur dilnin nga shtëpitë e tyre për punë, por edhe kur u vinte ndonjë mik, duhej të raportonin në postën e kufirit. Kryefamiljari të cilit i shkonte miku ose një nga djemtë e rritur, me të ardhur miku, i merrnin pasaportën dhe lejen e i dorëzonin në postën e kufirit, dokumente të cilat i merrte të nesërmen ose ditën që largohej miku.
Ne fëmijët që shkonim në shkollën 8-vjeçare të Gjoricës u detyruam që të bënim edhe më shumë rrugë dhe të kalonim nga kodrat e Gjoricës, në vend që të kalonim shkurt nga buza e kufirit, nga buza e Drinit të Zi. Por fëmijët si fëmijët. Mbeteshim vonë në mëngjes. Dhe kur gjenim portën e hapur në Viçisht shkonim buzë Drinit dhe arrinim shpejt në Gjoricë. Por atje gjenim portën e klonit të mbyllur. Askush nuk vinte për ta hapur sepse nuk kishin porosi apo urdhër. Kështu që ne mbeteshim pa shkuar në shkollë. Ose duhet të ktheheshim mbrapsht nga kishim ardhur, të humbnim mësimin për atë ditë. Atëherë ndodhte e palejueshmja. Me ato duart e vogla që na i gjakosnin telat me gjemba largonim telat dhe fusnim në fillim kokën dhe pastaj trupin. Futej i pari dhe e ndihmonim ne. Shokun e fundit e ndihmonim nga ana e brendshme.
Jepej sinjali i alarmit. Ushtarët vraponin në drejtim të vendit ku “ishte shkelur kufiri”. Ne vraponim për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Qëllonte të na kapnin. Por shpëtimtari bëhesha unë. Jo se isha më i zoti se të tjerët, por se kisha shok nipin e Toger Manit, komandantit të Postës së Viçishtit. Nipi i tij nga një fshat i Tropojës kishte ardhur të bënte shkollën në Gjoricë. Rrugën nga Viçishti i Poshtëm në Gjoricë të Sipërme e bënte shkurt, buzë kufirit, buzë Drinit. Shumë herë e bënim bashkë. Më priste kur vija nga Golevishti, e thirrja tek shtëpia e oficerëve të Postës Kufitare dhe shkonim bashkë. Rrugës përsërisnim mësimet. Për hir të së vërtetës, unë isha shumë mirë me mësime. Mësoja shumë dhe më jepej. Bashkë me ne vinin në rrugën e shkurtër edhe shokët Zeqiri, Medati, Mentori, Pëllumbi etj. Pra kjo ishte arsyeja që bënim ndonjë gabim, por na shpëtonte shoku im, nipi i Toger Manit nga Tropoja.
Na ishte njëherë kloni i kufirit…Nuk është përrallë. Brezi im e ka vuajtur.