Një libër që kujton pjesë të jetës sonë


Libri është edhe historiko-pedagogjik. I një lloji të veçantë. Themi i një lloji të veçantë ngaqë është me kujtime. Por në rreshta e midis rreshtave të këtyre kujtimeve janë edhe historia e kësaj shkolle e pedagogjia në këtë shkollë. Në to ka edhe një psikologji të përbashkët dhe një mënyrë të përbashkët gjykimi.

Autori është Xhavit Lashi. Ish- nxënës i kësaj shkolle. Me një biografi mjaft të gjerë pune. Libri botohet me rastin e 70-vjetorit të hapjes së shkollës. Në pjesën më të madhe, libri ka kujtime dhe vlerësime për shkollën e për mësuesit. Ato janë tubuar sipas një tematike të caktuar. Kujtimet vijnë nga autorë të ndryshëm e prandaj krijojnë një mozaik, një thyezim. Dhe është një thyezim shumëngjyrësh. Kësisoj, shumë i këndshëm.
Libri ka shumë personazhe. Por nuk janë si personazhe të një libri letraro – artistik. Janë më shumë se kaq. Ato nuk kanë nevojë për shkrimtarin, që t’i vërë në një pozicion a në një rol të caktuar. Ato flasin vetë. Për vete dhe për të tjerët. Dhe kësisoj, janë njëherësh edhe shkrimtari.
Janë ish-drejtorët, ish-mësuesit dhe ish-nxënësit e shkollës ata që shkruajnë. Të angazhuar tërësisht në shkollën e tyre e me shkollën e tyre. Ky angazhim shihet dukshëm në të gjitha shkrimet. Kush ka qenë në atë shkollë, e ka parë me sytë e vet.
Sigurisht, vendin e parë në libër e zënë ish-drejtorët e ish-mësuesit e shkollës. Dhe na shpaloset puna e tyre drejtuese e mësimore-edukative. Pa dëshirë përdorëm fjalëzën ish. Në libër rrallë e gjen. Sepse me të drejtë ata janë drejtorët dhe mësuesit tanë të gjithmonshëm. Janë me fjalën e tyre, të cilën e kujtojmë gjithnjë. Dhe kemi mall të jemi në klasë, ulur në banka e të ngrihemi më këmbë kur të hapet dera e të hyjë mësuesi. Dhe janë ata pedagogë e ata drejtorë që na bënë ne mësues. Dhe aradha e mësuesve që vjen nga kjo shkollë në 70 vjet është e madhe. Mbi 2000. Nga kjo aradhë mësuesish, disa patën mundësi të shkonin në punë të tjera të shtetit, si, pushtetarë, politikanë, diplomatë, ushtarakë, gazetarë, letrarë, artistë, sportistë etj. – në libër përmenden me emra. Por të gjithë qenë e janë mësues e me gjykim prej mësuesi. Dhe shkolla, që u formoi këtë gjykim, qe pedagogjikja.
Kur lexon këto kujtime, të thëna me një gjuhë të thjeshtë, por të përzemërt, kupton dhe vlerëson shkollën dhe mësuesit e saj: Ata janë më të mirët mësues që mund të ketë pasur ndonjëherë në aksh shkollë. Kanë qenë, vërtet. Me dije dhe me sjellje. Dhe lexuesi kupton se secili prej këtyre ish-nxënësve ka dashur fort t’u ngjajë atyre. Dhe ish-nxënësit e shprehin tërë mirënjohjen e tyre për ta, për shkollën dhe për qytetin. Po. Edhe për qytetin e Peshkopisë sepse ai qe aleati më i parë i shkollës dhe i tyre.
Shkolla ishte pjesë e qytetit, por pjesë thelbësore e kulturës së tij. Në libër përmenden veprimtari artistike e kulturore e sportive të shkollës për qytetin e me qytetin. Thuhen edhe emrat e atyre nxënësve e nxënseve, që kontribuan me teatrin e tyre, me vallet e me këngët e tyre e me sportet e tyre.
Të gjithë atyre, që shkruajnë, u ka bërë përshtypje ndërtesa e shkollës – më e mira në qytet. U kanë bërë përshtypje hapësirat, të projektuara me mbushullí. U ka bërë përshtypje me të drejtë oborri i pasëm – vendi i fizkulturës e i lojrave me top.
Sot litet për kolegje. Shkolla pedagogjike e Peshkopisë ka qenë kolegj e më shumë se kolegj. Lexoni ç’thonë ish-nxënësit për konviktin, për nëndrejtorët e konviktit, për kujdestarët, për mensën, për mbrëmjet e dëfrimit, për orën gazmore dhe me siguri, do të jeni i një mendjeje me ne.
Nga këto kujtime mëson për vlerat e vërteta të mësimit e të edukimit në këtë shkollë. Brenda programit të një shkolle të mesme me profil mësuesinë shpalosej shkenca. Në të gjitha lëndët. Mësohej edhe muzikë. Nga muzika e pedagogjikes dolën disa muzikantë. Në fizkulturën e universitetit nuk kemi parë më shumë sesa ora e saj në Peshkopi. Nga kjo shkollë e nga këto orë fizkulture dolën sportistë. Për këta ka kujtime të bukura në libër. Po praktika pedagogjike? Ajo bëhej me seriozitetin maksimal. Aty e ndieje veten mësues pa u bërë ende mësues. Në libër ka shumë kujtime të bukura për atë praktikën pedagogjike. Në tërë procesin mësimor, gjithçka ishte me synime të qarta e të sakta. Dhe me metoda të kristalizuara pedagogjike.
Libri është edhe historiko-pedagogjik. I një lloji të veçantë. Themi i një lloji të veçantë ngaqë është me kujtime. Por në rreshta e midis rreshtave të këtyre kujtimeve janë edhe historia e kësaj shkolle e pedagogjia në këtë shkollë. Në to ka edhe një psikologji të përbashkët dhe një mënyrë të përbashkët gjykimi.
Të gjitha shkollat kanë vendin dhe rolin e tyre në sistemin tonë arsimor. Shkolla pedagogjike është e veçantë. E veçanta e saj është se ajo riprodhon vetveten. Ajo shtohet. Ajo zgjerohet. Me mësues, sigurisht. Dhe Viktor Hygo thotë: Dy janë nëpunësit kryesorë të shtetit – nëna dhe mësuesi. Vlerësim më të madh nuk mund të ketë. Diku në këto kujtime thuhet kjo. Dhe kushedi sa të tjerë e kanë lakmuar këtë detyrë. Edhe unë e kam lakmuar.
Një zë më vete në libër janë takimet në përvjetorë. Shumë emocionuese. Aty vijnë përqafimet. Edhe shakatë. Janë shaka të rriturish, por si të ishin të vegjël. Këmbehen fotografi. Dilet në fotografi. Ulen nëpër banka. Si atëherë. Tregohen ngjarje e ndodhi. Këto janë, vërtet të bukurat e takimeve.
Në fund të librit janë fotografitë. Ato janë si një film i bukur dokumentar. Do t’i shohim e do t’i rishohim me kënaqësi e me mall. Ndoshta, edhe me habi. Ndoshta do të themi edhe: A jemi ne?! Sepse motet bëjnë të veten.
Çdo libër është një ngjarje në jetën tonë kulturore. Edhe ky libër do të jetë ngjarje. U tha se ka shumë autorë shkrimesh. Shkrimet janë tubuar mirë. Sipas një organizimi të përzgjedhur. Kujtimet ndjekin e plotësojnë njëri-tjetrin. Dhe kështu zgjerohen e zgjerohen, si ato valëzimet bashkëqendrore (koncentrike) në një liqen të qetë, kur e trazon me një guralec. Dhe në fund sheh shkollën pedagogjike. Përmbajtjes së librit i shkon forma, mënyra e të thënit – tregimi, narracioni. Dhe libri do të zërë me siguri vendin e merituar në botime të këtij lloji në vendin tonë.
Të gjitha kujtimet janë të bukura. Janë të çiltra. Ato më të hershmet – edhe si të moshës adoleshente. Dhe të gjitha vijnë me mirënjohjen për shkollën e për mësuesit e shkollës. Edhe për të tjerë që kanë punuar në shkollë e për shkollën. Këto na i thotë bukur libri i Xhavit Lashit. Dhe mirënjohja shkon edhe për këtë libër e për Xhavitin. Libri na i zgjon edhe më shumë kujtimet e mirënjohjet. Dhe na bën të mendojmë. Dhe na bën të duam të jemi edhe një herë nxënës. Libri na çon te rinia e tek adoleshenca jonë. Na bën të mos i shohim flokët tanë të thinjur.
Koha është armiku më i egër i njeriut. Ajo ikën. Ajo të lë. Ajo nuk të vjen më. Shekspiri ka gjashtë tingëllima (sonete) për tiraninë e kohës. Por takime përvjetorësh dhe libra si ky i Xhavit Lashit na bëjnë që ta mposhtim tiraninë e kohës. Janë përvjetorë e libra që kujtojnë e përkujtojnë. Ata kujtojnë e përkujtojnë pjesë të jetës sonë. Më të bukurën e jetës sonë.
* Titulli është i redaksisë. Marrë nga parathënia e librit “Shkolla pedagogjike e Peshkopisë”.