Xhaketa e Aliut


Është ditë e hënë. Ora shënon tetë e mëngjesit dhe kafeneja e Lal Pogës ende nuk është hapur! Zakonisht Lala çel në orën shtatë, por hajde merre vesh pse sot e ka thyer këtë rregull. Tani sapo erdhi edhe Aliu dhe u bëmë gjashtë vetë që presim të hapet dera e lokalit. Jemi ngulur përballë tij dhe pyesim njëri-tjetrin: di gjë ti Servet, ç’ka ndodhur me Lalën, që sot nuk ka çelur si gjithëherë në orar? Si i thua kësaj vonese ti Lavdosh? Po ti, Pëllumb, si e shpjegon këtë hata? Mos ndoshta Lala ka dhënë berihanë qysh dje, që nuk do të çelë sot dhe ne, që nuk dimë gjë prej gjëje presim kot së koti? Përse Lala nuk ka vendosur të paktën një copëz letër-lajmërim në derë?
Të gjithë ngrenë supet; nuk ka as edhe një lajm, që të marrim vesh pse ende nuk është hapur porta e strofullës sonë të përditëshme. Dhe kjo, sigurisht, që është një hata e madhe për ne të gjithë, sepse kafen dhe muhabetin ne i kemi mu si frymëmarrjen. Ku të shkojmë tani? Ku të mbytemi?
Kësisoj, ne bëjmë një farë kuvendi duke hamendësuar ngjarjet që mund të kenë përfshirë të zotin e kafes, Lal Pogën. Kuvend i thënçin sepse me thënë të drejtën nuk ecën hiç. Janë thjeshtë hamendësime që bëhen në këmbë, në mes të rrugës, pa pikë lezeti. Sepse ne, që ta dini ju, jemi mësuar me muhabet rrafsh në tavolinë; muhabetin ne e kemi lojë bigjozi ku për orë të tëra fjalët hidhen e kërcasin si gurë dominoje. Ndërsa presim e presim, na duhet se s’bën t’i mveshim një arsye mungesës së Lalës.
Mos është sëmurë dhe e kanë çuar natën me urgjencë në spital?! Po si ndodhi, xhanëm, që u sëmur?! Ai dje ishte shume mirë. Piu konjak bashkë me ne si dhe hëngri shtatë petulla bajagi të mëdha. Madje edhe u llafosëm një çikëz me të për shkak se në fletoren ku mban shënim lojët që bëjmë me letra, pati shënuar rrufjani dy lojë më tepër. Ne sigurisht e paguajmë për çdo lojë që bëjmë, por jo të na e hedhë e të na marrë për budallenj. Edhe pse betohej që ishte i saktë me shënimet e tij, ne nuk i besuam. Si t’i besonim kur e dinim mirë sa lojë kishim bërë? Ju nuk e njihni çfarë mashtruesi është Lala. Kurse ne e njohim atë mu siç njohim xhepat tanë. Dhe nëse është sëmurë, mirë t’i bëhet… Por ndoshta nuk është sëmurë. Sepse ka qindra rrethana e shkaqe të tjera, qe mund ta kenë detyruar Lalën, që sot të mos çelë në orarin e përditshëm. Ndoshta ka rënë të flejë në një orë të vonë dhe nuk është ngopur ende me gjumë; ndoshta është vonuar autobuzi që i merr fëmijët për t’i dërguar në shkollë; ndosha mund të ketë humbur çelësat e kafenesë, nuk mban mend ku i ka lënë dhe po i kërkon; ose ka pasur ndonjë bujtës mbrëmë dhe i ka ardhë zor ta përcjellë në pikë të mëngjesit. Ec e merre vesh çfarë ka ndodhur me Lalën!
I vetmi që nuk flet është Aliu. Është ulur kacipup rrëzë murit dhe rri në heshtje mu si ai njeriu, që i di të gjitha dhe nuk ka nevojë të dëgjojë e mësojë asgjë. Xhaketën që vesh përditë, sot nuk e ka në trup. E ka lënë në shtëpi qysh dje në mesditë, pasi qe ngrohtë kur doli i veshur vetëm me trikon e hollë prej pambuku dhe u nis të shkonte në qytet për të marrë pasaportën e re. Nga e vona i pati telefonuar të shoqes e i pati thënë se qe rrekur shumë duke bredhur lart e poshtë dhe se atë natë do të flinte në hotel pasi nuk kishte mundur dot ta kapte autobuzin e orës së fundit. Tani që është veshur hollë, flladi i mëngjesit e bën të tkurrë supet e të mblidhet kutullaq nën vehte. Duket shumë i lodhur, sytë i janë vokur dhe qepallat i janë rënduar. E pyesim:
– Di gjë ti, Ali, përse nuk ka çelur ende Lala?
Aliu kruan një herë fytin, luan nga vendi e disi i mikluar, gjithë përtesë thotë:
– Përse më pyesni mua? Lala do të vijë… Do presim edhe ca kohë, sa t’i hajë rruga dhe veç kur ta shikoni këtu…
– Cila rrugë?! – habitemi ne. – Sepse zakonisht ai çel në orën shtatë, kurse tani ora vajti tetë…! Sa kohë, mendon ti i duhet Lalës të vijë që nga shtëpia e tij, e cila nuk ndodhet më shumë se dy litarë kali larg?
– Do të vijë që nga Dodona, – thotë Aliu. – Mbrëmë nuk ka fjetur në shtëpi. Ka qenë i ftuar te motra e tij në Dodonë.
– Nga e di ti, Ali, që Lala nuk ka fjetur mbrëmë në shtëpinë e tij? – e cytim ne edhe më tej.
– E-huuu…! – nervozohet Aliu. – Ju e dini mire nga e di unë…
Sytë e tij gjysëm të përgjumur, shkartisja deri në kufinjtë e kotjes dhe lëvizjet e tij të rralla e të plogështa na japin të kuptojmë, qe mbrëmë Aliu nuk ka vënë gjumë në sy. Ndaj rrimë dhe e kqyrim me një dhimshuri të shtirur mu si të qe një krijesë në pikë të hallit. Kurse Aliu buzëqesh me zoritje, lëviz kokën si të dojë të thotë “s’po më lini rehat”, mbyll sytë e kotet i mbledhur galuc nën vehte në pritje të vijë Lal Poga e të hapë kafenenë. Por ne nuk e lëmë.
– Ali, – e ngucim sërish, – Na thuaj drejt si të shkoi nata mbrëmë? Sa herë ja kërkove thesaret asaj? A e vole, zhvoshke dhe shkërmoqe mirë? A ia thithe krejt nektarin e ëmbël të buzës…?
Aliu buzëqesh. E di që nuk ia kemi me të keq. Thjeshtë e gicilojmë me fjalë, bëjmë shaka me një të vërtetë, që e dinë të gjithë.
– Lëre-lëre, – dorëzohet më në fund Aliu. – Mbrëmë jam bërë për spital. Ajo shejtane nuk ka të ngopur… Por edhe unë nuk ngopem me të gjithashtu…
Pas këtyre fjalëve, e qeshura jonë gjëmon si dallga kur rreh një breg shkëmbor. Bashkë me ne qesh edhe Aliu, i kënaqur që më në fund kurioziteti ynë është fashitur në të njëjtën kohë me shkulmin e gazmendit, dhe se pas kësaj, nuk ka më vend për të tjera pyetje giciluese.
Ndërsa rrimë e presim Lalën të vijë e të hapë kafenenë, minutat kalojnë e padurimi ynë shtohet edhe më tepër. Atëherë nisim e hedhim romuze në adresë të Lalës. E shajmë ndyrë me rroc e koc me një gjuhë gazepe, nuk lëmë fjalë pa thënë. Tekembramja e lëmë në shmang Aliun dhe teksa folim me zë të vogël, marrim nëpër gojë gruan e bukur të Lalës, atë sykaltrën me gjoksin e kërcyer e korpin krekcar, me shpresën se asnjëri nga ne nuk do t’i fryjë më pas në vesh Lalës për ndyrësitë që nxjerrim nga goja.
Tekembramja i japim karar muhabetit, që vetëm Aliu i vjen hakut Lal Pogës, vetëm ai dhe askush tjetër ia bën paq; prandaj Lala do të bënte mirë të shkonte e të flinte më shpesh te motra e tij në Dodonë.
I mbledhur galuc aty rrëzë murit, Aliu ka nisur të kotet. Ne duam ta ngremë prej aty, ndaj i thërrasim; në fillim me zë të vogël, pastaj gjithnjë e më fort; një herë, dy, tre… Aliu nuk përgjigjet. E tundim nga supet, i themi të shkojë në shtëpi e të veshë xhaketën sepse do të bëhet kallkan prej të ftohtit. Por ai, rras duart në mëngët e trikos së hollë prej pambuku, kutullohet edhe më tepër nën vehte, nëpërdhëmb përgjumësh e thotë:
– Jo tani, jo… Edhe pak dhe vjen Ai e hap kafenenë…
Tek-tuk, në rrugë shikohet ndonjë kalimtar, që nxiton kushedi për ku. Qielli është murrëtyer, duket si një mapë e lagur e nderë skaj më skaj. Jemi në të hyrë të vjeshtës dhe moti po ndryshon çdo ditë e më tepër. Mëngjezeve fryn një rribë e ftohtë ere. Shumë shpejt mund të nisë ndonjë shtrëngatë shiu dhe po nuk erdhi të çelë Lal Poga, do na duhet të nxitojmë për të gjetur tjetër strehë ku të futemi.
Ora tashmë shënon tetë e tridhjetë minuta dhe padurimi ynë ia ka lënë vendin një lloj nervozizmi qesharak. Romuzet dhe sharjet në adresë të Lalës janë bërë më të thekura. Hamendësimet, gjithashtu qesharake. Tekevona, Aliu, nuk i ka rezistuar dot më tepër thëllimit të mëngjesit. Eshtë përmendur nga kotja dhe është ngritur në këmbë disi hutueshëm. Çuditërisht, tashmë edhe ai duket i nervozuar. Bën dy tre hapa, ndalon, kthen kokën andej nga pritet të vijë Lal Poga, mërmërit vetmëvete nëpër dhëmbë dhe shkon e zë vend sërish aty ku ishte më parë.
– Si dreqin u vonua kaq shumë ky, – kërcen e thotë më në fund i nervozuar Aliu.
Nervozimi i tij na habit të gjithëve. Pyesim vehten si ka mundësi, që Ali durimtari, më i urti, paqësori, ai që i di të gjitha dhe që nuk ka nevojë të dëgjojë e mësojë asgjë, nis e nervozohet për vonesën e Lalës?!
Pikërisht ato çaste, shfaqet në rrugë Lal Poga. Silueta e tij sa vjen e afrohet. Ne shquajmë si avitet i zgërlaqur e me hapa të përtuar. Duket ashiqare, që është shumë i lodhur. Ashtu si Aliut, edhe atij, sytë i janë vokur dhe qepallat i janë rënduar nga pagjumësia. Nëpërdhëmb kalimthi një “mirëmëngjes”, fut dorën në xhepin e pantallonave, nxjerr celësat, hap portën e kafenesë, dhe vetëm kur ndodhet përballë pasqyrës së vitrinës prapa banakut, vë re se si, në nxitim e sipër, gabimisht ka veshur xhaketën e Aliut.