Të lartësojmë çdo ndjenjë pozitive për moshën e tretë!


I shoh çdo ditë, të lodhur, të rrudhur, të kërrusur nga mosha dhe hallet e jetës! Dikush edhe i qeshur dhe i fortë, dikush duke çaluar a duke kollitur! Janë prindërit tanë, ata që u robtuan një jetë të tërë duke punuar, duke na rritur, duke na edukuar e mësuar për jetën. I shoh çdo ditë stolave ulur, kafeneve, trotuareve, lulishteve dhe mendoj se dikur dhe ata patën një rini, një rini të tyren herë me re, herë me shi, herë me dimër e herë me pranverë e tani në perëndim të stinëve të jetës them se meritojnë diçka që ëndërruan; lumturinë që të jep produkti që ata ndërtuan!

Janë kohëra të vështira, kohëra të turbullta politike, ekonomike, financiare, sociale, ama në çdo kohë sado të zymtë të ketë qenë shqiptari, ka ditur të pasqyrojë sensibilitetet pozitive të shpirtit të tij human! E kështu, me sytë e mendjes shikoj të respektuarën moshë të tretë të jetë më pranë nesh, falë dashurisë dhe respektit tonë, përkthyer në institucione e qendra relaksuese për njerëzit e kësaj moshe!

Por, a mjafton fantazia dhe dëshira ime, pasqyruar në këto rreshta si thirrje sensibël, si thirrje humane drejt pushtetit vendor e qendror, si leva të rëndësishme vendimarrëse për lehtësimin dhe zbukurimin sado pak të kësaj kategorie moshe të nderuar? Natyrisht, një bashkëkoordinim punësh mes shoqatash, individësh, mediash me pushtetin do të prodhojë patjetër gjëra pozitive që lartësojnë vërtet çdo ndjenjë pozitive tonën për moshën e tretë! Ka shpresë, natyrisht, përderisa jemi Njerëz!

Ky botim u mundësua nga Lëviz Albania. Ato që shkruhen jo domosdoshmërisht përkojnë me idetë e Lëviz Albania.