ANTON ÇETA I DIBRËS


Nuk më kujtohet mirë viti, por duhet të kenë kaluar nja shtatë-tetë vjetë që kur në Muzeun Historik Kombëtar, Aqif Ademi, nga Maqellara, promovoi një libër për vendlindjen e tij, emri i të cilit nuk më kujtohet. Salla ishte mbushur plot se maqellarasit e duan njeri-tjetrin; nga ana tjetër, njerëzit i bren kurioziteti se mos e kanë emrin në libër. Të lënë në anonimitet për një kohë të gjatë, tani duan të jenë në qendër të vëmendjes. Këtë dibranët e kanë të theksuar. Nuk kishte ardhur Demir Osmani, një intelektual i njohur dhe jo vetëm për Maqellarën. Prandaj mungesa e tij u ndje dhe u justifikua. Dikush tha që “Ka shkuar në Lurë për të pajtuar do gjaqe.” Kjo më bëri përshtypje se pajtimtarët, përveç se janë figura popullore të autoritetshme, kanë edhe përvojë urtësie që buron nga njohja e kanunit. Intelektuali në fjalë ishte i ri për t’i pasur këto vlera. Po më vonë mora vesh se edhe ai “nuk i hynte detit më këmbë”, siç thuhet për një njeri që i niset një pune që nuk mund ta bëjë.
Por të shkojmë tek promovimi i librit. Natyrisht, kishte edhe një diskutant kryesor dhe ai doli që të fliste me letër. Ishte intelektual nga Maqellara, por nuk do t’ja them emrin. Si njeri është shumë i mirë dhe kjo mirësia më bën që njerëzve t’ua fali të gjitha të tjerat. Mbasi tha një pesë fjalë, shumë shkurt, në fund e përfundoi me fjalinë: “Tani Aqifi e bani punën, nuk di nëse do të dalë cucë apo voc”.
Në këto promovime shkoj vetëm për të takuar ndonjë shok, ndonjë prej atyre që na ka ndarë jeta, por më ka marrë malli. Kur njerëzit vërshojnë nga koktejli, unë dal te hyrja e sallës mos më kap syri ndonjë fytyrë të dashur. Jam shumë përzgjedhës. Midis këtyre fytyrave pashë edhe Bajram Stojkun, njeri i nderuar dhe me dinjitet. Sa herë jemi takuar te Klubi i Sportit dhe kemi biseduar për tema të ndryshme. Me Bajramin mund të flisje për çdo temë dhe kuptoheshe drejt. E pashë edhe këtë radhë dhe e takova. E prisnin ca të tjerë me të cilët mua nuk më shkonte fjala, prandaj nxitova dhe i thashë:
– E kuptoj që të presin, po të ndal sa për të të përshëndetur.
– Le të presin, pa t’i thënë ty ato që kam për të thënë, nuk shkoj tek ata. Më vjen keq që nuk kemi kohë të ulemi në kafe dhe të bisedojmë si duhet.
– Nejse, sipas rrethanave, – thashë unë.
– Të falenderoj nga zemra për shërbimin e madh që më ke bërë, – më tha Bajrami.
– Të shkuara të harruara, – thashë unë. – Fundja, kam bërë vetëm detyrën, – shtova unë një fjali klishe nga përdorimi i shpeshtë në socializëm.
Me Bajramin kam qenë njohur tridhjetë e ca vite më parë kur isha mësues në shkollën tetëvjeçare “Demir Gashi”. Kisha në kujdestari një klasë të tetë, të cilës i jepja edhe gjuhë shqipe. Midis nxënësve ishte edhe djali i Bajramit, Edmondi, që sot është bërë mjek dhe kuadër me rëndësi, se e kam parë nja dy-tri herë edhe në televizor. Por, sidoqë të jetë, nuk është fjala për këtë Edmondin sot, por atë djaloshin e atëherëshm që ishte bërë problem për disiplinë. Binte vërdallë klasën dhe mësuesen kujdestare. Me të shkuar unë mësues kujdestar, fillova t’ia mbledh rripat, siç thuhet, por me takt dhe dashuri. Edmondi nga kjo anë merrte vesh dhe bindej. U bë një nga nxënësit më të rregullt dhe më të mirë. Bajrami vinte e interesohej shpesh për të dhe më falenderonte me gjithë zemër. Kuintesenca e fjalëve të tij ishte kjo: “Po të mos kishe qenë ti dhe t’i bëje djalit atë trajtim që i bëre, më kishte dalë nga dora”. Në klasën tjetër i jepja mësim edhe vajzës së Bajramit, Monikës, që ishte ëngjëll dhe jo njeri, mësonte shumë mirë dhe sillej si aristokrate me rrënjë historike. Nuk kishte nga të dilte i keq Edmondi, por ai nuk e duronte harbutërinë, se nuk ishte mësuar me të. E pra, që të mos e zgjatim, kujtova që Bajram Stojku atë ditë më falenderonte për të kaluarën e hershme.
– Falenderimi që po të bëj është i ri, – më tha ai kur e pa se unë po lajthitesha. – E kam fjalën për “Kanunin e Dibrës”. Me të në dorë, kam pajtuar disa familje në Lurë dhe në gjithë Dibrën. Ke bërë një punë që duhet të të falenderojë gjithë Dibra e gjithë shqiptarët, por, të paktën, unë po e bëj.
U ndjeva shumë mirë, si prindi kur i lavdërojnë fëmijën. Nuk kisha marrë kurrë një sadisfaksion të kësaj natyre.Unë e dija se “Kanuni i Dibrës” ka vlera origjinale historike, kulturore, juridike, të mënyrës së jetesës dhe plot vlera të tjera të traditës sonë, por nuk e dija se ai kishte edhe vlera aktuale, siç është pajtimi i gjaqeve sot.
– Qenke bërë si Anton Çeta, – i thashë Bajramit, se ashtu gajtan nga trupi dhe i gjatë, flokëbardhë, i ngjan shumë Anton Çetës.- Faleminderit shumë. Më gëzove me këtë lajm, por njerëzit nuk i pajton as Kanuni i Dibrës, as Kanuni i Lekë Dukagjinit, madje nuk i pajton as Kurani e as Bibla, por njeriu që u flet me zemër në dorë si di të flasësh ti. Më bëhet shumë qejfi që i je futur një pune aq të rëndësishme siç është pajtimi njerëzve.
– Njeriu që duhesh falenderuar je ti. Në luftë nuk shkohet pa armë. Dhe pajtimi është më i vështirë se lufta. Unë e kisha armën, kisha me se luftoja, dhe ky ishte Kanuni i Dibrës, – vepra jote. Me këtë libër në dorë ka shkuar për pajtim edhe Demir Osmani. Me Kanunin e Dibrës në dorë, pajtimtari, edhe në mos diftë shumë dhe nuk e ka përvojën e nevojshme, nuk e ndjen veten ngushtë se flasin shembujt, gjithë ato zgjidhje të mrekullueshme shekullore, që populli ynë i ka vënë në zbatim për të mos u shuar. Në atë libër e kaluara projektohet dhe hedh dritë në të mardhmen. Ka kaq gjera të bukura dhe të mençura, që, po t’i përcjellish si duhet tek njerëzit, nuk mund të mos u bëjnë përshtypje. Kam shumë me të thënë, por do të takohemi dhe do të bisedojmë prapë, do të ta tregoj me hollësi dhe me konkretësi si kam vepruar… U ndamë atë ditë. Por qe takimi ynë i fundit. Jam interesuar për të dhe më kanë thënë që është sëmurë rëndë, në shtrat. Mendjen e ka top, por i është prerë gjuha, fjala, pikërisht ajo për të cilën unë kisha shumë nevojë kur dilte nga goja e Bajram Stojkut. Më vonë mësova edhe nga të tjerët se Bajram Sojku ishte nga pajtimtarët më të mëdhenj dhe më të rrallë në Dibër, tamam Anton Çeta, por për të cilën nuk shkruan gazetat dhe nuk dhanë asgjë televizionet. Ai ka punuar në heshtje, ashtu kokë më kokë me njerëzit , duke përçuar tek secili të drejtën dhe të vërtetën, ato mësime që na vinë nga historia dhe tradita.