Dibra dhe dibranët në panteonin e vlerave


Dy vjet më parë, Hysen Dervishi botoi librin “KRENARIA” i cili jo vetëm që u promovua bujshëm, por edhe u mirëprit nga lexuesi. Me krenari të ligjshme për vendlindjen, në 75-vjetorin e ditëlindjes, dhurata e tij më e çmuar për ne është libri – encikopedi “DIBRA ZEMRA E KOMBIT”. Pikërisht në ditën e promovimit të këtij libri, në praninë e qindra intelektualëve, jo vetëm nga Dibra, por edhe nga Tirana, Mati, Durrësi, Kukësi e Elbasani, Këshilli i Bashkisë Bulqizë i dha titullin “Qytetar Nderi” ish-drejtorit të Konoklubit “Minatori” (prej më shumë se dy dekada), Hysen Dervishi, ndërkohë qe Prof.Dr.Bujar Kapexhiu – Kryetar i Shoqatës “Bashkësia Dibrane”, e nderoi atë me nje “Mirënjohje” në emër të kësaj shoqate.
Gjithsesi në epiqendër të kasaj veprimtarie promovuese në sallën e madhe të Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, ishte libri prej 745 faqesh “Dibra, zemra e kombit”, të cilin unë pata fatin ta kisha që në dorëshkrim, dhe pasi ma besoi autori edhe ta redaktoja me përgjegjësi.
U befasova që në leximin e parë për qasjen e Hysen Dervishit, që e konsideron Dibrën si zemrën e kombit, jo vetëm për vendin që ajo zë në hapësirën gjeopolitike shqiptare, por parasëgjithash për historinë e saj të lavdishme, për personalitetet e shquara që zënë vend parësor në elitën e kombit shqiptar.
Libri i Hysen Dervishit “Dibra, zemra e kombit” që u promovua më 27 tetor 2018 në sallën e madhe të Muzeut Historik Kombëtar në praninë e qindra intelektualëve dibranë (dhe ku autorit iu dha titulli “Qytetar Nderi i Bulqizës”, nga Këshilli Bashkiak i qytetit minator), është një mal historie, është kryqëzimi i ngjarjeve dhe fakteve. Është lapidari i personazheve që kanë ecur përmes epokave në rrjedhjen e vazhdimësisë, është pasqyrimi i vërtetësisë historike të vjetër dhe të re, është simboli i një rrjedhshmërie ku renditen me art dhe vërtetësi figura të mëdha dibrane, të cilët ishin dhe mbeten gurët vendimtarë të themeleve të odave-shtet dhe në vazhdim të shtetit shqiptar.
Në libër ka dendësi ngjarjesh e faktesh që pasqyrojnë në nivelet e larta individë, fise, fshatra dhe epoka, me të cilët Dibra e kombit tonë ka formuluar në trashëgiminë e Nëntë Maleve trimërinë, dinjitetin, bujarinë dhe zgjuarsinë e saj, duke u bërë e veçanta e Shqipërisë.
Në libër renditen mjeshtërisht ngjarje e fakte që flasin për luftëra e individë, për figura politike e patriotike që kanë bërë historinë përmes mendjes dhe pushkës, për burra e heronj që vunë mbi gjithçka atdheun e kombin shqiptar. Në të gjitha ngjarjet e rëndësishme duke përfshirë shekuj e epoka e deri në Luftën e Dytë Botërore renditen figura historike që iu ndizej shpirti për vatanin e pushtuar, ku Dibra e dibranët mbeten malet e mëdhenj dhe lapidarët e yjeve të pashuar të historisë së vjetër e të re…

Autori, një studiues i zoti dhe njohës i mirë i ngjarjeve
dhe fakteve

Pa pretenduar aspak monopolin e së vërtetës, autori me ndjenjën e përgjegjësisë së tij si një studiues i zoti dhe njohës i mirë i ngjarjeve dhe fakteve, duke depërtuar përmes kulturave dhe zakoneve të Dibrës, i rendit rrjedhshëm, pastër e me vërtetësi individët, figurat qendrore, të parët e Dibrës, komandantët, gjeneralët, veteranët, mësuesit, agronomët, artistët, shkencëtarët, heronjtë, ministrat, deputetët, njerëzit e thjeshtë, duke krijuar një tabllo të saktë e reale të Dibrës, e cila gjithnjë nxorri burra me virtyte të mëdha, heronj e mendimtarë që i dhanë kombit besën dhe dëshirën për të jetuar me nder.
Në libër parakalojnë figura të rëndësishme historike të parisë së Dibrës, të atyre burrave që sot ka apo s’ka një në njëmijë, ecën koha e socializmit e përshkruar me vërtetësi si dhe epoka pluraliste. Me një gjuhë të bukur me retrospektiva e art, me një skalitje artistike të figurave të shumta të brezave, pasqyrohet vërtetësia dhe dashuria, urrejtja dhe përçmimi, solidariteti dhe heroizmi në luftë dhe në paqe. Përmes këtij libri me shumë vlera për të tanishmen dhe të ardhmen, vijnë tek lexuesi personazhe të reja e të vjetra nga të gjitha fushat e jetës, duke formuar një tabllo të plotë e reale të Dibrës, e cila në shekuj ka qenë e mbetet balli i historisë kombëtare. E veçanta dhe bukuria e librit është se përmes tregimit, përshkrimit, portretit, pasqyron të shkuarën, të tanishmen, dhe të ardhmen dhe bën vërejtje, thirrje, kritika, aludime, duke zgjuar tek njerëzit mendime të reja dhe të gjitha këto përshkruhen përmes një arti të hollë, i cili të bën përshtypje për botëkuptimin dhe zemërgjerësinë e autorit me përvojë e dinjitet, i cili bën thirrje për një aleancë me moralin e ri, për tolerancë, falje, mirëkuptim, më qëllim që shoqëria e tanishme të mbjellë farën e ringjalljes dhe të korrë frytet e epokës së re…
Në libër trajtohen portrete heronjsh, artistësh, kooperativistësh, mësuesish e mjekësh, trajtohen figura të veçanta të sistemeve e klasave, bazuar tek e drejta e autorit, sepse libri është i tij, veçanërisht tani në epokën e pluralizmit, e cila është koha e respektimit të mendimeve të njëri-tjetrit. Në këtë libër të përshkruar fund e krye përmes artit e kulturës, autori i thur hymne Dibrës, kësaj nëne të madhe e fisnike, e cila ka skalitur në daltën e kohëve personazhe me emër e lavdi të madhe, duke ia rritur famën e prestigjin nënës së saj, e cila lindi dhe mëkoi trima, mendimtarë, bestarë.
Në libër përshkruhet saktë jeta e gjallë me të mirat dhe dobësitë e saj, njeriu, individi që bën historinë, populli, klasat, rrymat, fiset, paria e Dibrës, ushtarët e gjeneralët… Mbi të gjitha në libër është spikatur dashuria, mirënjohja, fisnikëria, tradita për njerëzit, të cilët kanë bërë e bëjnë historinë.
Përmes këtij libri të shkruar me shumë ndjenja dhe kompetencë, del në pah roli i autorit si publicist e historian, duke sugjeruar data, vite, ngjarje, personazhe të cilët do të jenë burim shumë i pasur referencash për të ardhmen.
Përmes librave të tij, përmbledhje poezish, radiodramave, skenareve, studimeve, autori evidentohet një prej figurave të rëndësishme të letërsisë dhe artit dibran përkrah shkrimtarëve dhe artistëve të tjerë të cilët me punën e tyre të dinjitetshme kanë rritur vlerat e veta dhe të Dibrës prej së cilës vijnë.
Përdorimi i një metodologjie moderne në kapërcimin e paragjykimeve, ilustrimi i figurave historike të djeshme dhe të sotme dhe gjykimi për kohën e tyre tregon se autori e njeh historinë duke qenë edhe një hulumtues i burimeve arkivore me një qëndrueshmëri të ekuilibruar fort mirë nisur nga ideja se “askush nuk e ka monopolin e vërtetësisë absolute”. Inteligjenca, transparenca dhe ekuilibri përshkon fillin e mendimit dhe i jep lexuesit një vepër dinjitoze në përshkrim të ngjarjeve, datave, fakteve, emrave duke vënë në ballin e veprës së tij faktorin njeri.
Në këtë libër-enciklopedi shkëlqen si një fill i kuq gjaku, atdhedashuria, dashuria për vendlindjen, për Shqipërinë, për shqiptarët kudo që janë.
Pa asnjë mëdyshje, jeta dhe vepra e 163 personaliteteve dibrane, që nga ajo e Heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Qemal Ataturkut, Ahmet Zogut, Elez Isufit, Iljaz Pashë Dibrës, Dine Hoxhës, Sheh Bulqizës,Tafë Kaziut, Haki Stërmillit, Haxhi Lleshit, Ahmet Camit e deri tek dhjetra akademikët, mjekët, gazetarët e shquar dibranë, si: Prof.Dr.Luan Hajdaraga, Prof.Dr.Bujar Kapexhiu, Prof.Dr.Fehmi Abdiu, Prof.Dr.Shaban Sinani, Prof.Dr.Qemal Disha, Prof.Dr.Petrit Bara, Prof.Dr.Myqerem Tafaj, Bashkim Dedja, Safet Zhulali, Lulzim Basha, Jashar Menzelxhiu, Xhelil Gjoni, Monika Kryemadhi, Ismail Lleshi, Naim Plaku, Defrim Methasani, Sakip Cami,Fatos Daci, Shemsi Prençi, artistët dibranë Hazis Ndreu, Agim Krajka, Skënder Cala, Edmond Zhulali, Perparim Tomçini, Arif Vladi, Liri Rasha, Vera Laçi e Avni Ndreu, sipërmarrësit e mirënjohur, mbështetës të artit, kulturës, librit e sportit: Faik Bruçi, Latif Miha, Musa Riçku e dhjetra të tjerë, të profilizuar aq bukur në këtë libër, shërben që t’u themi më të rinjve se ka edhe vlera të mira ky vend, kjo krahinë, që duhen njohur, që duhen ndjekur, pa folur dhe për Panteonin e vlerave që ka dhe duhet të ketë një komb, pavarësisht se sa popull ka ai në sipërfaqen që mbulon flamuri i tij.

Libër racional, emocional, dokumentar, arkivor

Miku ynë i nderuar Hysen Dervishi sjell kështu për lexuesin një libër racional, emocional, dokumentar, arkivor – burim frymëzimi për brezin e sotëm e për brezat që do vijnë.
Një libër që na sjell një shpirt të madh, gati parajsor të personaliteve dibrane me kontribute madhore për kombin, ku spikat pjesa e portretizimit të tij.
Në këtë libër mësojmë për ngjarje historike, shesh beteja dhe dashuri përmes tyre; data dhe vende, fusha dhe male, rrugë e kodrina me plot dashuri mbuluar, emra njerëzish, të njohur dhe më pak të njohur, heronj të së shkuarës dhe të ditës me mirënjohje dhe dashuri mbështjellë; shpresë për të ardhmen dhe përsëri dashuri përmes saj.
Në këtë rrugëtim të gjatë prej më shumë se pesë dekada në vendlindje, në Peshkopi, Bulqizë, Mat e Tiranë, Hysen Dervishi ka progresuar duke mbajtur në konsideratë kërkesat e kohës, duke konfirmuar marrëdhëniet e tij ndaj vlerave shpirtërore të njeriut. Si i tillë ai nderohet e respektohet në këtë 75-vjetor të ditëlindjes së tij.
Në këtë libër-enciklopedi veç të tjerash shton emra të spikatur në panetonin e vlerave. Duke sendërtuar vlerat shpirtërore, duke qenë gjithnjë, ashtu si dhe në familje afër ngadhnjimit të së mirës ndaj të keqes, dritës ndaj ërrësirës, të vërtetës ndaj të pavërtetës.
Nuk është zor të ndjesh se dashuria është ai motiv që ka rrokullisur njëra pas tjetrës faqe të tëra të këtij libri që frymëzojnë cilindo që atdhedashurinë e ka lajtmotiv të jetës së vet.
Si përfundim, do të thoja se libri i Hysen Devishit “Dibra-zemra e kombit”, është një vlerë e shtuar në letërsinë tonë dokumentare dhe si i tillë ia vlen të jetë në bibliotekat tona.
Edhe njëherë: Urimet më të mira Hysen, për këtë vepër dinjitoze!
*Redaktor i librit