Dibrani që nuk ngopet me tituj kampionësh!


Arbër, nëse dikush të sheh kuptohet qartë nga format e trupit që je pjesë e sportit të bodybuilding. Pra, ti je një kampion! Na fol pak mëshumë për veten tënde?
Unë kam lindur në fshatin Kurbek të Maqëllarës në vitin 1986. Atje kam kaluar fëmijërinë time. Shkollën e mbarova në Maqëllarë dhe çdo gjë kujtoj nga ajo kohë ka qenë e bukur. Fëmijëria e kohës time ndryshon shumë me atë të sotmen, dhe mendoj që ka qenë shumë herë më e bukur, më e qeshur dhe më e shëndetshme. Si çdo shqiptar, edhe unë, nga kushtet ekonomike u detyrova të emigroj në Itali, ku punova si gjithë të tjerët. Përveç punës, fillova të merresha me sportin e muskujve.

Si e ke nisur ti këtë sport? Sa vite ke që merresh me të?
Me sportin e bodybuilding ka rreth shtate vite që unë merrem dhe e ushtroj. Kam qenë 27 vjeç kur kam nisur të merrem me këtë sport në Itali. Duke parë njerëz me muskuj në filma, fillova të stërvitem dhe prej kaq vitesh jeta ime është nga palestra në gara. Është një sport që me të vërtetë kërkon shumë përkushtim, stërvitje dhe kujdes të madh me ushqimet. Për mua është një sport shumë i bukur dhe do e luaj deri kur unë të kem mundësi.

A ka një moshë në fillimin apo mbarimin e këtij sporti?
Mosha optimale për të filluar këtë sport varion nga 20 deri 22 vjeç më pas nuk një moshë limit për lënjen e këtij sporti. Nga çdo moshë ndryshon kategoria e cila është e ndryshme nga njëra-tjetra. Sporti i bodybuilding është një sport që jo vetëm për meshkuj. Ka shumë femra të cilat janë kampione në këtë disiplinë. Në Shqipëri ka federate dhe shumë sportistë që garojnë por fitimet dhe mbështetja nga kjo federatë mungojnë totalisht.

Na fol pak për arritjet dhe titujt e fituar nga garimet në këtë sport?
Unë, siç të thashë, këtë sport e kam nisur rreth tetë vite më parë në Itali. Unë kam garuar në vitin 2013 në kampionatin “ATENAS” ku prej kohësh udhëhiqesha dhe stërvitesha nga trajneri Alberto Clementi një bodybuilder kampion i Italisë dhe fitues i titullit botëror në garat WABBA dhe tani si profesionist i FBB. Në vitin 2016 kam garuar në Shqipëri duke zënë vendin e parë në kategorinë -90 kg. Një vit më vonë në vitin 2017 garova sërish në Tiranë ku mora sërish vendin e parë por kësaj radhe në kategorinë -100 KG. Në tetor të vitit 2017 mora pjesë në garova pikërisht aty ku e kisha nisur, në Itali, në kategorinë -90 Kg ku u shpalla kampioni i Italisë për këtë kategori, dhe disa ditë më vonë garova sërish në Itali në një garë të quajtur “2Tori”. Në këtë garë kam qenë më i vogli dhe aty zura vendin e tretë.

Sa kohë ju duhet për tu përkushtuar stërvitjes për të qenë formë?
Minimumi dy orë patjetër që duhet të jem në palestër. Prej kohësh unë zotëroj një Palestër në Tiranë të quajtur “Gessa Fitnes” ku jam instruktor me kohë të plotë. Kjo sigurisht që nuk do të thotë se unë lë pas dore kampionatet dhe evenimentet

Çfarë mendojnë njerëzit dhe si reagojnë kur shohin trupin tënd?
Eh çfarëpyetje!(qesh). Në fakt ka shumë njerëz që më shikojnë të habitur. Nga meshkujt sidomos në plazh marr shumë komplimenta dhe më kërkojnë informacion se si kam arritur të jem në këtë fazë, ndërsa vajzat shpesh herë kanë frikë. Realisht duhet shumë punë për të mbajtur në formë trupin.

Na the që nuk është e lehtë të mbash në formë trupin. Çfarë ushqimesh përdor për të pasur trupin në këtë gjendje?
Përgatitja fillon me masën muskulore. Duhet të konsumojmë shumë ushqime që kanë shumë proteina. Pastaj kur kalojmë në definim ulim sasinë e proteinave dhe karbohitrateve. Sigurisht, që marr edhe suplemente. Ato janë pak të shtrenjta dhe të gjitha këta para i nxjerrim nga xhepi.

Si ndihesh kur hipën në skenë për të performuar bodybuilding, ke emocione?
Normalisht që emocionet janë gjithmonë të pranishme, por kur unë dal në skenë të performoj, harroj çdo gjë dhe përqendrohem vetëm tek gara dhe trupi im. Nëse fokusohesh tek emocionet harron çdo gjë dhe 5 muaj stërvitje të shkojnë dëm.
A ka një federatë që ju përkrah ju sportistët dhe kampionatin?
Po, ekziston një federatë e këtij sporti por mendoj që askush nuk e vendos ujin në zjarr për të kontribuar në këtë sport. Normalisht si pothuajse në të gjithë sportet që janë në Shqipëri

Le të kthehemi tek vendlindja juaj. I ruan akoma lidhjet me Dibrën?
E si të mos i ruaj. Guri i rëndë peshon më shumë në vendin e tij. Nëse do të kisha mundësi unë do të rikthehesha përgjithmonë atje, por andej nga ai vend i bekuar nuk po bëhet asnjë investim që të na japë një mundësi për të jetuar atje. Unë në Maqëllarë kam një pjesë të familjes dhe sa herë që vij çmallem me atë ajër. Dibra gjithmonë ka qenë në zemrën time.
Arbri, si është një ditë e jotja?
Një ditë e imja është pothuajse normale dhe e zënë si të gjithë. Siç thash më parë, unë pjesën më të madhe e kaloj në palestër. Më pas familja zë një vend shumë të rëndësishëm për mua dhe mundohem ti përkushtoj kohë sa të kem mundësi. Është dhe një sipërmarrje tjetër e imja në Tiranë që i përkushtoj një pjesë tjetër të kohës.

Si i sheh të rinjtë e sotëm?
Sot të rinjtë kanë mundësi shumë më të mëdha se në kohën time apo më parë. Tani mund të lëvizësh i lirë kudo që dëshiron të shkosh dhe të jesh ai që ke ëndërruar të jesh. Ata asnjëherë nuk duhet të demotivohen nga një gjë e vogël, dhe nuk duhet të ndalojnë në pengesën e parë që do tu bëhet. Duhet patjetër të punojnë fort për të qenë dikush në jetë.