Historia e ngritjes së Muzeut “Vend-origjina e Kastriotëve” në Sinë


Etapa e parë

Në gushtin e vitit 1978 fillova punën drejtor në shkollën 8-vjeçare “Nimete Progonati” në Sinë. Në ditën e parë të prezantimit si drejtor, shtrova detyrat që kishim marrë nga partia dhe pushteti në rreth. Krahas punës mësimore dhe edukative me nxënësit e prindër, duhet të punonim për ngritjen e terreneve sportive, të ndihmonim me nxënës dhe kooperativën bujqësore, të lexonim shtypin në brigadë etj. Veç sa shënuam më lart, ishte detyrë që të punonim për ngritjen e një muzeumi në qendër të Sektorit në Sinë të Poshtme.
Në Sinë rashë në kontakt me gojëdhëna e emra vendesh për Skënderbeun, njëlloj si në Muhur. Në Muhur, që në fëmijëri kur shkonim me bagëti, plaku askohe 96-vjeçar, Rushit Kaleshi, që kishte qenë nizam në Turqi, krahas luftërave, tradhtive, urimeve e mallkimeve për fise e vende (toponime), na theksonte se “Skënderbeu ka lindur në Gjerdh (Gardh të Poshtëm)…. Pleqtë e Sinës flisnin me pasion për Skënderbeun, si ata të Muhurit, ashtu edhe të Sinës, me të vetmin ndryshim: Skënderbeu ka lindë në Sinë”.
Atëhere ndamë detyrat me mësuesit, që me forcat tona do ngrinim muzeun, në kuadër të 35-vjetorit të Çlirimit Atdheut. Unë mbajta toponiminë dhe intervistat me të moshuarit për Skënderbeun, për luftërat më serbët, për luftën Nac-çlirimtare, për hapjen e shkollës shqipe etj. Mësuesit sipas detyrave të ndara punuan me përkushtimm si në punën mësimore-edukative, në ngritjen e terrenit sportive dhe në përgatitjen e muzeut. Kryetari i këshillit të bashkuar Fushë-Çidhën, Sel Bulku, një kuadër më cilësi dhe vyrtyte shumë të larta, në bashkëpunim me përgjegjësin e sektorit të kooperativës bujqësore Shpëtim Salillari nga Manza e Durrësit, na siguruan një dhomë aty pranë zyrave të Sektorit.
Muzeu qe gati më 28 Nëntor 1979. Ky muze u krijua me gjetjet arkeologjike të rastit dhe me ato pak dokumenta, duke u mbështetur në shkrimet e mësuesit të apasionuar Ali Hoxha, në qendër të sektorit të kooperativës bujqësore, Sinë. Mund të thuash se ishte muzeu i Kasrtiotëve, pasi pjesa e luftës Nac-çlirimtare ishte shumë e varfër. Mungesa e dokumentave justifikohej me ‘partizanët kanë hy në luftë në Sinë të Epër’.
Detyra për të vazhduar me nxënës gjetje të rastit arkeologjike vazhdonte, ashtu si dhe problemet mësimore-edukative. Deri në vitin 1982 organizuam dy sesione shkencore për Skënderbeun, duke bërë pasurimin e materialeve dhe shtimin e njohurive për Heroin. Më 29 maj 1982 kooperativisti Isa Kadriu solli në drejtorinë e shkollës një medalion prej bronxi me portretin e Skënderbeut, gjë që na gëzoi shumë dhe e morëm në dorëzim me procescerbal. Në konsultë me mësuesit, vendosëm që t’i bëjmë një telegram Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, duke e njoftuar për medalionin dhe ashtu bëmë.
Ky objekt (medalioni) bëri që të vinin me radhë nga rrethi studiues e drejtues, si Haziz Ndreu, Hysen Lala – drejtor i Muzeut të Rrethit Dibër, shefi i seksionit të Arsimit Beqir Shehu etj. Ata panë medalionin, vizituan dhe muzeun dhe na përgëzuan për punën e bërë dhe lanë porosi që puna të vazhdojë.
Pra, medalioni, telegrami dhe muzeu i ngritur më mjete të thjeshta dhe me pak material, e justifikonin punën e bërë nga kolektivi pedagogjik i shkollës, ku një kontribut dhanë mësuesit Gani Zoku, Xhelal Pashnjari, Haki Përnezha, Tofik Kurti, Shaban Shehu, Naim Berisha, Gëzim Kaba dhe Nexhmi Osmani me shkrimet në shkollë dhe në muze. Kontribut dhanë dhe Mustafa Reska dhe mësuesi Xhelal Meta, që krahas terrenit sportive, merreshin edhe me problemet e muzeut. Detyrat plotësoheshin paralel dhe ecnin mirë.

Etapa e dytë
(Kur shkelën Çidhnën historianët, Prof.Stefanaq Pollo e Prof.Kristo Frashëri)

Më 11 shtator 1982 mora njoftimin nga sekretari i byrosë së partisë së kooperativës Alush Stojku, se ‘do vijnë disa historianë, prandaj dil e priti!’ Ishte porosi në telefon, rreth orës 10. Arritën rreth orës 13 të datës së mësipërme. Gjithashtu, nga Peshkopia, me makinënëmëngjes ishjin nisur në drejtim të Sinës Haziz Ndreu, Hysen Lala, Alush Stojku dhe së bashku me ta, ishte dhe bashkëshortje e Stefanaq Pollos. Rreth orës 18, hipur mbi kuaj, erdhën në Sinë nga Çidhna profesorët Stefanaq Pollo e Kristo Frashëri, të shoqëruar nga Ali Hoxha dhe Mustafa Tola (Ky i fundit nuk qëndroi me grupin, por iku në Çidhën).
Për të treguar peripecitë e rrugës së historinëve të ardhur me kuaj, i kërkova Mustafa Tolës që të shkruaj kujtimet e veta të asaj dite. Ja çfarë shkruan:
Ishte vjeshtë e vitit 1982. Bashkë me mësuesin e apasionuar Ali Hoxha, do të takonim ish drejtorin e Institutit të Historisë Prof. Stefanaq Pollo dhe Prof. Kristo Frashëri. Ata kishin ndjekur një sesion shkencor në Lurë. Atje ne duhet të shkonim me makinë për t’i marrë, por ish kryetari nuk na e dha makinën dhe ne qëndruam në fshatin Çidhën për t’i pritur te shtëpia e Adem Hoxhës, bashkë me të moshuarit (atëhere) Sadin Tola, Selim Xheçi, Hamit Cerri, Shaqir Tola, Osman Basha, Selman Basha dhe Dostan Cani. Pas katër orë rruge në këmbë erdhën nga Lura në Çidhën Stefanaqi dhe Kristo, të lodhur e të raskapitur. Kur i takuam, mezi na dhanë dorën.
Hymë në shtëpinë e Adem Hoxhës, ku qëndruam rreth dy orë, pimë kafe dhe bëmë muhabet. Si zakonisht në odat dibrane, mes të pranishmëve u ndez biseda dhe dhe u zhvillua një muhabet i këndshëm. Pas dy orëve dolëm nga shtëpia dhe jashtë në rrugë, Stefanaqi në prani të Kristos, më tha: “Dëgjo, djalë, unë do të kisha hequr dorë nga mendimi se Kastriotët janë nga krahina e Çidhnës, po të mos kisha takuar sot këta pleq. Ishin pleq me mend e të zgjuar”. Pasi e dëgjova me vëmendje pohimin e tij, ia ktheva: Pse, ç’lidhje kanë pleqtë me Kastriotët?
Stefanaqi u përgjigj: “Gjithë jetën time më ka munduar pyetja , se si mund të lindë një Hero Kombëtar në një vend bosh! Tani kam marrë përgjigjen dhe them se ‘po’. Këtu mund të ketë lindur Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Zgjuarsia natyrale e këtyre njerëzve është e jashtëzakonshme”. Me katër kuaj shkuam në Sinë vonë. Të gjithë mysafirët, përfshi edhe mua dhe Ali Hoxhën ndejtëm në shtëpinë bujare të Shefki Priftit, ku bisedat dhe debatet vazhduan deri në orën dy të natës.
Pasi më pyeti z.Pollo për shkollën, për punën për mësuesit, nxënësit e prindërit, për kushtet e punës etj, kaloi në temën kryesore, për gojëdhënat për Skënderbeun, për toponiminë e fshatrave, për literaturën etj. Gjithashtu më pyeti për muzeun që kishim ngritur me forcat tona, i tregova edhe për kolektivin e nivelin arsimor të tyre, duke i thënë se kishim zhvilluar dy sesione shkencore për Skënderbeun.
I tërhoqën vëmendje tri objekte arkeologjike, të gjetura në Sinnë të Poshtme, të cilat megjithë përpjekjet tona, nuk u bënë pjesë e pasurisë së Muzeut tonë, megjithë përpjekjet tona për t’i tërhequr në muzeun tonë. Dërguam disa herë mësues në Tiranë, por pa rezultat. Ato material ishin:
1. Një unazë floriri, me portretin e Skënderbeut, që kishte përfunduar në pronësi të Ahmet Zogut;
2. Një vulë e thatë me trup guri dhe pjesa më shkronja kishte stemë metalike. Pronari i saj u gjet, por sipas tij, i kishte humbur. Kjo vulë ka qënë gjetur rreth vitit 1967-1968, kur është hapur kanali vaditës, që del në anën e përtejme të Drinit.
3. Një pllakë metalike me stemë, e gjetur rreth vitit 1940, e cila, siç tregojnë, kur fërkohej, ndriçonte derisa të ‘vriteshin’ sytë deri në verbim.
Pasi i tregova për këto objekte, i fola për varrin e Ballaban PashësnëSinëtëEpërme, qëkur gërmuam nëshkamb, gjetëmcopa qelqi shumëtëholla, pjesëe njëene tëthyer. Ndoshta tëtjerëpara nesh e kanëhapur dhe grabitur. Fola përkishat dhe si emërohen nëditëte sotme. U tregova se kur u shemb kisha në Kodër-Çardak, e cila ka qënë edhe shkolla më e madhe për priftërinj (sipas të dhënave nga banorët e hershëm).
I fola për ‘kryqet në gur’, ku sipas M.Barletit “… atje ku vdes një luftëtar apo njeri i shquar, gdhendej një kryq…”. Si zakon i të parëve tanë, në Sinë të Poshtme ka tetë apo nëntë kryqe. Kjo tregon se ka pasë dhe kanë vdekur disa njerëz të shquar apo drejtues luftërash nga Kastriotët në këto vende.
Fola për Kllezin e Poshtëm, ku një përrua e ka zanafillën në Kllezin Epër dhe ky përrua njihet me emërtimin përroi i Qytetit. Fola për Trojën e Mzeze, ku ka shumë toponime e mikrotoponime me objekt pazaret dhe dyqanet. Në bisedë e sipër u ndez debati, kur u përmend Gardhi i Poshtëm e se ai ndodhet në Muhur dhe jo ashtu siç thonë disa se ‘Gardhi i Poshtëm ka qënë Zgjerdhi.
Në debat hyri i pari Z.Frashëri, pastaj Haziz Ndreu dhe më pas Ali Hoxha. Unë kundërshtoja. Z.Pollo kërkoi që unë të paraqes të gjitha argumentat për Gardhin e Muhurit. Disi u lehtësova dhe u çlirova dhe vazhdova si më poshtë:
a. Në gjeografi kur thuhet ‘i Poshtëm’, ngjtas me ketë është ‘i Epërmi’, ose anasjelltas. Psh, dy sinat, dy Brestet, dy Dibrat, ashtu dhe Gardhi i Poshtëm e Gardhi i Epër (dy Gardhet).
b. Në Mesjetë çdo fshat ka kishën e vet. Kështu janë dy Sinët dhe Gardhi i Poshtëm ka kishën e Shën Premtes në Maslis. Gardhi i Epër nuk ka kishë, se nuk ka pasë banorë.
c. Çdo fshat ka ujin e vet të pijshëm. Gardhi i Poshtëm (I Muhurit) ka pasë kroin e vet, me emrin kroi i Gjerdhit (Gardhit).
d. Çdo vendbanim ka pasë e ka varret e veta. Gardhi i Poshtëm në Muhur i ka varret në Çukë të Epëra. Zgjerthi nuk ka.
e. Gardhi i Poshtëm në Muhur ka gjurmë banimi, të cilat janë dëmtuar gjatë kooperativës bujqësore e më vonë u vendos dhe një repart ushtarak, që e dëmtuan dhe më shumë. Zgjerdhi është rreth 1 km larg qendrës së Sinës Poshtme.
f. Çdo fshat ka pasë arat e veta, që mbilleshin me mel, thekër, grurë, elb, tërshërë dhe sidomos vreshta kishte me bollëk. Sot disa vendeve në shpatet e zabeleve u themi vneshta.
Tëgjitha këto qëthamëpërGardhin e PoshtëmtëMuhurit, Zgjerdhi nuk i ka asnjërën. Fjala Gardh, ështëvend i banuar, kurse fjala Zgjerdh (vjen nga fjala ‘zhgardhim’) dhe ka të bëjë me toka që mbillen, kopshtije, por jo troje.
Zgjerdhi i Sinës Poshtme ka ujërat nëntokësore afër, prandaj i janë bërë kullime.
Megjithë argumentet e mia të paraqitura si mësipër, Kristo, Hazizi dhe Aliu qëndronin në të tyren, se ashtu e kishin shkruar e botuar asokohe. Përfundimisht argumentat e mia nuk fituan, se ata ishin tre dhe unë një. Pra, me vota fitoi Kristo. Lexuesit do të gjykojnë për argumentet e mia.
Diskutuam dhe për Kastriotin, si fshat dhe dy palët qemë të mendimit se Kastriotin e themeluan paraardhësit e Skënderbeut. Po ashtu u pajtuam edhe për betejën e parë të turqve kundër Skënderbeut, që ka hyrë në histori si Beteja e Torviollit. Kjo betejë u zhvillua në fushën e Kastriotit, duke përfshirë në veri Shumatin dhe në jug Brezhdan.
Me këto biseda, ora kishte shkuar dy e natës dhe në këtë kohë e bëmë gjumë.
Të nesërmen në mëngjes, pamë disa vende në Sinë të Poshtme dhe vizituam muzeun e vogël që kishim ngritur në qendër të sektorit. Nuk po zgjatem për diskutimet që bëmë, pasi pak prej tyre i shënova në një fletë fletoreje, që e kisha me vete, esencën e tyre po e paraqes sipas shënimit që lanë ato, si më poshtë:
“Sinë, 12 shtator 1982.
Vizituam muzeun e vogël të fshatit Sinë, vendi i origjinës së Kastriotëve dhe Heroit tonë kombëtar, Skënderbeut. Përshëndesim nismën e banorëve Sinës dhe atyre që e përkrahën ngritjen e këtij muzeu. Urojmë që ai (muzeu) të pasurohet sa më shumë e më shpejt dhe të kthehet në një objekt historik të vizitueshëm për edukimin e brezit të ri. Urojmë që së shpejti në Sinë të ngrihet muzeu kombëtar kushtuar familjes së Kastiotëve e bjëve e bijave që nxori kjo derë e shkqlqyer, veçanërisht heroin e pavdekshëm, Skënderbeun”.
Kristo Frashëri, Hysen Lala, Stefanaq Pollo, Haziz Ndreu
Firmat

* * *
Historianët e nderuar Prof.Stefanaq Pollo dhe Prof.Kristo Frashëri, pas kësaj dite, i përcollëm nga Sina rreth orës 11, duke na lënë një porosi dhe një angazhim të tyre. Porosia ishte që ne të vazhdonim punën ashtu siç e kishim nisur dhe të bënim përpjekje për të gjetur literaturë që flet për Skënderbeun dhe Kastriotët. Ndërsa ata na premtuan se nuk do të shkonin në Tiranë, pa takuar drejtuesit e rrethit të Dibrës, me qëllim që të marrin masat për të planifikuar dhe ngritur një ndërtesë për Muzeun e Kastriotëve.
Kjo ndërtesë, sipas tyre, do ishte me plan ndërtesë karakteristike, nga më të mirat në Mesjetë dhe mundësisht të ngrihet sa më shpejt. Ata thanë se ‘ju sinjanët dhe ata të rrethit ta plotësoni me çka të mundeni me material që lidhen me Kastriotët. Ky do të jetë një muzeum interesant në një zonë të Dibrës Poshtme dhe do të varet nga Muzeu i Skënderbeut në Krujë. Vendin ku do të ngrihet muzeu e caktoni në bashkëpunin me shokët e komitetit Ekzekutiv dhe të Urbanistikës, se duhet zbatuar vija e verdhëe ndërtimit. Urojmëtëjemi gjallëdhe ta përurojmë sa më shpejt ketë muze me titull “Vendorigjina e Kastriotëve”.
Porosia e fundit për ju (për sinjanët) është që të na njoftoni për gjetjet e reja interesante.

Etapa e tretë

Historianët bënë punën e tyre, mbetën detyrat për pushtetarët. Profesorët Stefanaq Pollo dhe Kristo Frashëri u larguan nga Sina më 12 shtator 1982, duke lënë detyra dhe duke marrë për vete disa angazhime. Afër dy javë pasi u larguan këta studiues, më 24 shtator erdhën në Sinë një grup i madh njerëzish, drejtues nga rrethi i Dibrës, me në krye të ndeuarin Skënder Dema, kryetar i Komitetit Ekzekutiv te rrethit. Në ketë grup ishin Avni Fida – sekretar i Kom.Ekzekutiv, Ramiz Sela – përgjegjës i Seksionit të Arsimit e Kulturës, Hysen Lala – drejtor i Muzeut të rrethit, Shahin Kamberi – përgjegjës i Qendrës Ekonomike të Arsimit, Mirdash Alliu – inxhinier që do bënte projektin dhe do ndiqte punimet, Surja Stafa etj.
Pasi panë rretheqark Sinën e Poshtme, vendosën që Muzeu të ngrihet atje ku ndodhet sot, pasi kishte një pozicion shumë të mirë, afër baçes së gjithë katundit, ku kishte disa trungje gështenjash dhe një man shumëshekullor. Duhet thënë se për ardhjen e këtij grupi njerëzish nga Peshkopia, unë u njoftova para ardhjes tyre nga zonja Dylbere Hoxha, punonjëse e Zyrës Kuadrit, tamam një zonjë grua.
Pas caktimit të vendit për ngritjen e Muzeut, me kënaqësi të jashtëzakonshme i ftova për një kafe dhe dërgova në shtëpinë e zakonshme të mikpritjes të Sefedin Priftit. Fati i keq se aty nuk gjetëm asnjë burrë, por të zotin e shtëpisë e zëvendësoi në mënyrë të shkëqlqyer nëna e Sefedinit, Dija.
Duke pi kafe e duke biseduar për Skënderbeun, për gojëdhëna e toponime, i nderuari Skënder Dema, i kërkoi leje nënës së Sefedinit. Ajo si burrëneshë i kërkoi të falur, pasi nuk ishin burrat në shtëpi dhe ndoshta u ka munguar muhabeti, se siç tha ajo, ‘me ba muhabet si burri me burra’. Kryetari iu përgjegj se ‘mirë do ishte të ishin, por nuk na mungoi gjë’, duke e falenderuar gruan burrëneshë.
Pastaj e mora fjalën unë, duke i u drejtuar kryetarit të Kom.Ekzekutiv. i thashe se përpara se të merrnin leje, duhet të shkruani në këtë fletore (dhe nxora nga çanta fletoren), vendimin që morët për ngritjen e Muzeut. Dua ta kem kujtim të shkruar me dorën tuaj dhe firmat, anipse nuk ka vulë. Atëhere, kryetari tha: “Jam shumë i gëzuar që sot, unë Skënder Dema do të firmos për Muzeun e Skënderbeut”. Fletoren e mori dikush nga shoqëruesit she ai shënoi fjalët e kryetarit. Për interesat e mia kam kopjuar tekstin si më poshtë:
Sinë, 24 shtator 1982. Sot erdhëm në Sinë, në truallin e Kastriotëve, ku lindi Heroi Kimbëtar, Gjerg Katrioti – Skënderbeu. E ndjejmë veten krenar që na jepet rasti të caktojmë vendin ku do të fillojë të ndërtohet Muzeu simbolik kushtuar origjinës së Kastriotëve dhe Skënderbeut.
Gërmimet arkeologjike në këto troje me rrethinat e saj, si dhe mbledhja e të gjitha toponimeve, gojëdhënave, legjendave etj, për Kastriotët do të hedhin dritë më të plotë për një konceptim të gjerë e më të argumentuar rreth të vërtetës mbi Kastriotët, për ngritjen në të ardhmen të një vepre monumentale.
Avni Fida; Beqir Shehu; Ramiz Lela; Hysen Lala; Skënder Dema.
Firmat

* * *
Pasi pimë kafen dhe unë mora fletoren, dolëm duke pa nëpër rrafshen e Sinës së Poshtme. Shokëve të Seksionit të Arsimit dhe të Qendrës Ekonomike të Arsimit iu dha detyrë që muzeu duhet të dorëzohet më 20 nëntor, në kuadrin e festave të Nëntorit të bëhet përurimi. Z.Shahin Kamberi premtoi se më 19 nëntor muzeu do ishte gati. Ndërsa për pajisjet e brendshme sikur u vu në dyshim arritja e objektivit.
Grupi i qeveritarëve që mbeti, bashkë me mua, shkuam për drekë te Masllam Tafa, një familje bujare. Edhe këtu z.Skënder zhvilloi bisedë me të zotin e shtëpisë për toponimet, gojëdhënat dhe legjendat që lidhen me Skënderbeun. “Unë bashkë me të tjerë, – tha Skënderi, – muzeun do ta bëjmë, por besoj se do vijë koha që Sina do shpallet fshat – muze dhe shtëpijat tuaja do marrin tjetër pamje. Pas këtyre fjalëve, kërkoi leje për të dalë nga shtëpia.

Etapa e katërt

Brenda dy-tre ditësh brigade e specialistëve të ndërtimit të Arsimit dhe brigade e specialistëve e kooperativës bujqësore, të drejtuar nga Vesel Loka, mbështetur dhe nga kryetari i Këshillit Popullor të Sinës Epërme, Ramazan Kadiu, filluan punën. Fillimisht mblodhën dhe specialistët e ndërtimit të vendit, kryesisht nga Sina e Epërme dhe filluan rrafshimin e vendit, grumbullimin e materialeve të ndërtimit si gur, rërë, çimento dhe zhavor.
Të gjitha këto bënë që më 14 tetor 1982 të hapen themelat dhe brenda dy ditësh u rrrafshuan themelet. Vesel Loka nuk pranoi që fasadën (faqen e parë) ta bëjë me gurë ashtu siç është sot, por kërkesa ime ishte këmbëngulëse. Falë kuadrove si Mustafa Tola që dhuroi gurët e gdhendur të shtëpisë së tij dhe falë punës përkushtuese të Shefki Priftit, që ishte përgjegjës sektori në kooperativën e Çidhnës, puna filloi me gurë të gdhendur.

Gurë të gdhendur dha dhe Ibrahim Basha, gurë nga të shtëpisë së tij. Të gjithë banorët e Çidhnës u vunë në punë për të siguruar gurë të gdhendur dhe ia arritën qëllimit. Në shënimet e mia nuk janë të gjithë emrat e specialistëve, por kam të shënuar se fasadën (faqen e parë) e filluan dhe e mbaruan Ramiz Loka, Hasan Leshi dhe Hasan Cerri.
Muaji nëntor atë vit mbajti shumë i ftohtë, sa dalta e hekurit ngjitej për dore, megjithatë puna vazhdonte pa ndërprerje nga mëngjesi deri në mbremje.
Kur vinin vizitorë nga larg, u shërbehej me kafe, të cilën dikush nga punëtorët e merrte të shtëpia e Besnik Kaloshit dhe vizitorët e pinin pa e ditur se ku bëhej kafeja. Kënaqësia ishte e madhe, që po bëhej një muzeum për Skënderbeun.
Brigada e bashkuar nga Peshkopia, nga Arrasi dhe Çidhna e dorëzuan objektin të lyer Brenda e jashtë dhe gati për të vënë pajisjet . Më 19 nëntor realizuan premtimin e Shahin Kamberit, që i pati dhënë kryetarit të Komitetit Ekzekutiv, Skënder Dema. Me mbarimin e ndërtimit të Muzeut, më 20 nëntor 1982, mbaron faza e katërt dhe nis faza tjetër.

Etapa e pestë
Kur dhe pse Muzeu u përurua në vitin 1985

Megjithëse Muzeu përfundoi së ndërtuari në një kohë record, ne mësues e nxënës vazhdonim punën në në gjitha drejtimet. Veprat e artit, skulpturat dhe pikturat nuk mund të bëheshin me aksion. Kjo ishte një ndër arsyet kryesore që përurimi u shty. Nga shënimet e mia shkëpus disa fjalë: Në Peshkopi më 13.12.1982 u bë një session shkencor kushtuar luftërave kundër turqve dhe kundër pushtimeve serbe. Në këtë konferencë, veç të tjerëve, ishte Aleks Buda, kryetar i Akademisë së Shkencave të RPSSH dhe merrte pjesë dhe Sulejman Baholli.
Në orën 14.00 konferencën e hapi Avni Fida dhe fjalën e mori drejtori i Muzeut të rrethit, Hysen Lala, i cili foli për shumë ngjarje, duke theksuar se Dibra është e zbetë në paraqitjen e vlerave historike në tekste, megjithëse ka historitë lavdishme.
Shefi i Arsimit dhe Kulturës të rrethit, Beqir Shehu, mbajti kumtesën: “Reformat e Tanzimatit të vitit 1839 dhe disa dukuri në viset e Dibrës”. Këto reforma sollën ndryshime në disa drejtime, tha autori, si më 1909 më 25 korrik u zhvillua Kongresi i Dibrës e më 1910 u hap klubi “Bashkimi” etj. Materialin e përgatitur nga Kristo Frashëri e lexoi Viron Koka. Pastaj mbajtën trajtesa autorë dibranë, shumica e tyre drejtorë shkollash, rreth 28 vetë. Fjala e Aleks Budës u prit me interes. Ai theksoi lavdëroi punën e lektorëve dibranë, duke thëksuar se duhej thelluar më shumë mbi gjenocidin serb në këto anë.
Në këtë sesion shkencor isha dhe unë, bashkë me Sefedin Priftin. Pas mbarimit të aktivitetit, Sefedini takoi z.Buda dhe e ftoi për kafe. Ai pakashumë i tha se ‘jam nga Sina dhe shokët më kanë porositë që të pi një kafe me Ju dhe për t’u falenderuar si Akademi e Shkencave dhe Ju si kryetar i saj për nderin që i bëtë Sinës dhe gjithë Dibrës, me ngritjes së Muzeut të Kastriotëve’.
Shkuam bashkë në hotel Turizmi dhe aty filloi biseda për të cilën interesoheshim, sidomos për Muzeun që mungonin materialet plotësuese dhe nuk ishte bërë inagurimi. E ftuam që kur të bëhej inagurimi të vinte e të festonim së bashku, por ai u përgjegj shkurt: “Unë nuk vi, më vjen keq por unë ato që kam shkruar për Kastriotët nuk i fshij. Ju kam lënë Stefanaqin dhe Kriston”. Biseda mbaroi dhe u ngrit. Në këtë kohë, m’u kujtua debati që kishim bërë më Kristo Frashërin mbi origjinën e Skënderbeut. Pashë se historianët tanë janë kokëfortë në vetëkorrigjimin e mendimeve të tyre, edhe kur ka fakte të reja. Ky ishte takimi im i parë dhe i fundit me kryetarin e Akademisë Shqiptare të Shkencave. Më mbeti në kujtesë jo për mirë, pasi nuk tha asnjë fjalë jo për Dibrën, por as për Heroin tonë Kombëtar.
Unë dhe kolektivi i shkollës vazhduam detyrat që kishim në shkollë dhe krahas tyre punonim për gjetjen e materialeve të Muzeut. Tashmë kishim fituar një përvoje pune në gjurmimin e të dhënave, si toponimet, gojëdhënat e legjendat për Kastriotët, për luftërat kundër pushtuesve, duke u përqëndruar tek ato kundër turqve, por jo vetëm, duke grumbulluar e shënuar nga pleqtë të dhëna të ndryshme.
Unë fitova dhe një eksperiencë në intervistimin e njerëzve dhe plqeqve mendjehollë, që edhe pse pa shkollë, nuk i ngatërronin ngjarjet.
Disa nga të dhënat e këtyre njerëzve, (burra dhe gra), të vjela në vitet 1979 – 1988, po i paraqes më poshtë:
Në Sinë të Epërme mora të dhëna nga Rustem Pashnjari, vjeç 61; Halil Pashnjari 72 vjeç, Sanie Pashnjari 63 vjeç, Xhemal Pashnjari 72 vjeç, Haxhi Drizi 98 vjeç, Selim Kadriu 70 vjeç, Abaz Kadria 77 vjeç, Ymer Loka 66 vjeç, Kurt Kovaçi 93 vjeç etj.
Në Sinë të Poshtme: Tahir Zoku 78 vjeç, Shefki Prifti 42 vjeç, Sefedin Prifti 62 vjeç, Hide Elez Kaloshi 96 vjeçe, Islam Matrisi 80 vjeç, Elmaz Lika 78 vjeç.
Në fshatin Çidhën: Sadin Tola 80 vjeç, Selim Gjeçi 72 vjeç, Shaqir Tola 75 vjet, Osman Basha 77 vjet, Shaban Tërshalla 72 vjet.
Në Gur-Lurë: Liman Murati 63 vjeç; Në Arras Vesel Lusha 75 vjeç, Can Bajraktari 97 vjeç,; Në Brezhdan: Elez Tonuzi 71 veç; Në Fushë-Alie: Abaz Karoshi 75 vjeç, Dik Përnezha 71 vjeç; Në Blliçe: Ramadan Vesel Hoxha 72 vjeç, Xhemal Skepi 57 vjeç; Në Zall-Leshe Met Paci 78 vjeç, Hasan Leshi 70 vjeç; Në Mustafe: Qazim Xhika 50 vjeç; Në Kodër-Leshe Elez Rusi 103 vjeç.
Në zonën e Muhurit, fshati Vajmdhej: Llan Doda 99 vjeç, Ahmet Pira 81; Në Buloç: Selman Losha 77 vjeç; Në Hurdhë-Muhur: Xhil Çiku 76 vjeç, Hamit Balla 75 vjeç, Nezir Rama 80 vjeç; Në fshatin Muhur: Emin Mëziu 85 vjeç, Xhetan Prençi 71 vjeç, Tahir Mëziu 62 vjeç, Sami Hoxha 52 vjeç, Bajram Prençi 77, Islam Hoxha 75 vjeç, Islam Farruku 85 vjeç, Halit Laci 66 vjeç, Idriz Sina 58 vjeç; Në Rreth-Kale: Ibrahim Këbej 69 vjeç; në Kishavec: Haxhi Pira 78 vjeç e shumë të tjerë.
Më vjen keq që nuk po shkruaj emra të tjerë që kanë dhënë të dhëna për Skënderbeun e që nuk i kam shënuar. Po kështu, nuk kam shënuar bisedën me Selim Leshin e Kandrit.
Nga materialet e mbledhuara po shënoj tri legjenda, të treguara nga banorët e këtyre anëve:
1. Haxhi Hysen Drizi nga Sina e Epërme, në vitin 1982, kur ishte 98 vjeç: “Sot i thonë Kepi i Skënderbeut, sepse ka pasë gjurmë kali. Kur Skënderbeu u zu ngushtë të Kepi i Qytetit matana Setës, ai mori vajzën e djalin dhe fluturoi nga Kepi i Qytetit për të dalë në Kepin Harlec. Por kur fluturoi, djali u tremb dhe ra në Setë. Gjurmët e kalit kanë qënë në atë kep, por kur kanë nxjerrë gur sinjanët, kanë prishë gjurmët e kalit. Skënderbeu mbeti pa djalë, kurse gjak femëror ka lënë. Po të kishte lënë djalë, do të kishte ruajtë lidhjet me Sinën, se prej Sine të Poshtme ishte babai i tij”.
2. Halil Hysen Pashnjari, vjeç 72 në vitin 1982, tregonte: “Tre gjurmë të kalit Skënderbeut janë edhe sot në Hurdha të Mshela. Ka fjarue me kalë Skënderbeu nga Maja Shkurt e ka ra në Rrasën Dujs. Prandaj Skënderbeu ishte shumë i zoti për luftë, se ai kishte ene kalin si fluturonte”.
3. Sadin Tola 80 vjeç tregonte: “Skënderbeu në Sheh të Thatë ka pasë ndërtue një kala, që ne i thona kalaja e Skënderbeut. Në një luftë ai dërgou fëmijët, gratë dhe pleqtë në këtë vend shumë strategjik. Kjo kala goditet vetëm në një vend. Kur ngjitesh nga rruga Sinë e Epërme në Pllaj, has në një vend që quhet Hurdha e Verës . Aty ndodhet vendi që quhet Rrafshaja e Topit. Turqve ua treguan këtë vend dhe ata me top goditën dhe e shembën kalanë dhe vranë fëmijë, gra e pleq. Skënderbeu i nami ata që treguan vendin, se nga ku merrej kalaja. (Dhe më poshtë vazhdon: Te Kepi i Qytetit është vendi ku mateshin djemtë për të shkue në luftë e vajzat për t’u bërë nuse”.
(Shënim: Tri intervistat janë bërë në vitin 1982, nga unë autori)
Ishin këto disa nga ato legjenda që mblodhën në atë periudhë. Duke i lënë gojëdhënat, kthehemi në punën e bërë asokohe, 1982-1985. Skënder Dema u zëvendësua nga dibrani Rakip Danqe. Ky jo që nuk u interesua për Muzeun, por dërgoi një urdhër më shkrim që në objektin e muzeut të futeshin material tjera dhe muzeu të kthehej në kopësht për parashkollorët.
Unë shkova në Komitetin Ekzekutiv, ku më priti sekretari Avni Fida, të cilit i tregova urdhërin e dhënë. Pas pak diskutimesh, unë i thashë prerë: Objekti është nisur për muze dhe muze do jetë. Unë do marr materialet që janë te ‘muzeu’ i sektorit dhe do i fus në objektin e ri. Kopësht nuk e bëj! Dhe dola.
Të nesërmen me mësues e disa nxënës, morëm ata material që ishin në objektin e sektorit dhe i futëm në ndërtesën e re të Muzeut. Përurimi i Muzeut të ri u vonua, pas duheshin disa vepra arti; duhej përgatitur mirë një session shkencor për periudhën skënderbegiane dhe origjinën e tij dibrane. Ky session u planifikua dhe u organizua nga përgjegjësi i Seksionit të Arsimit dhe Kulturës Ramiz Lela, më 1 nëntor 1985.
Nga shënimet e mia, pa përsëritur të tjerët po nxjerr këto material: Marrin pjesë në sezion Haxhi Lleshi, Jashar Mezenxhiu, Tefta Cami etj. Referauan: Selami Pulaha, Haziz Ndreu, Luan Malltezi, Malo Hrshova, Ali Hoxha dhe drejtori i Institutit të Historisë Prof.Stefanaq Pollo. Falenderoi për punën e bërë nga studiuesit Jashar Mezenxhiu.

* * *
Më poshtë po jap kujtime për atë periudhë nga Ramiz Lela, ish përgjegjës i Seksionit të Arsimit dhe Kulturës, (me kërkesën time), i cili shkruan: Nga përurimi i Muzeut të Kastriotëve në Sinë të Çidhnës,
2 Nëntor 1985.
Në fshatin Sinë të Çidhnës, në Dibër, në një lëndinë të bukur, me pamje ballore nga Dibra, në një lartësi të konsiderueshme, si një ballkon pranë shtëpive të fisit të njohur e me tradita të Kaloshëve, ndodhet Muzeu i Kastriotëve.
Ky muze i vogël, me një ndërtesë njëkatëshe, me gurë të gdhendur nga mjeshtërit e Sinës, u përurua më 2 nëntor 1985, për të dëshmuar një fakt të madh historik për atë kohë dhe për brezat që do vijnë se origjina e Kastriotëve është Sina, është Çidhna e Dibrës.
Unë në atë kohë isha në detyrën e përgjegjësit të seksionit të Arsimit dhe Kulturës të rrethit Dibër, por edhe si nip i fshatit Sinë, në bashkëpunim me Aziz Ndreun, Besnik Këbejn, Shahin Kamberin dhe të tjerë, kam dhënë kontributin tim për këtë muze.
Sot, kur lexoj shënimet e mia për ato ditë, për punën për ngritjen e muzeut dhe organizimin e sesionit shkencor që u mbajt më 1 nëntor 1985, duket se vlerësoj historinë e kësaj krahine me vlera të mëdha. Nxitës dhe këmbëngulës për ngritjen e këtij muzeu u bë “Artisti i Merituar” Aziz Ndreu dhe Besnik Këbej. Aziz Ndreu kishte bashkëpunim me historianët e nderuar të vendit tonë, me profesorët Stefanaq Pollo dhe Kristo Frashëri. Këta profesorë të nderuar të historisë kishin mbështetur kërkesën dhe mendimin për ngritjen e një muzeu në Dibër, kushtuar Kastriotëve dhe Skënderbeut dhe se ky muze duhet të ishte në Sinë të Çidhnës, në Dibër.
Bashkë me Haziz Ndreun dhe Ali Hoxhën, Moisi Murra, Besnik Këbej e studiues të tjerë nga rrethi ynë, këmbëngulnin vazhdimisht për domosdoshmërinë e ngritjes së Muzeut të Katriotëve dhe dhanë një kontribut të madh për ketë problem. Duhet pranuar se kishim shumë vështërsi për fonde për ndërtimin e këtij objekti, duke patur parasysh se në atë kohë kishte rregulla shumë rigoroze për shpenzimin e çdo fondi që jepej.
Kisha biseduar me drejtuesit e rrethit, sidomos me kryetarin e Kom.Ekzekutiv të rrethit Dibër, Skënder Dema, një burrë i respektuar për punën e tij si drejtues për kohën e gjatë që punoi në Dibër dhe me sekretarin e Kom.Ekz. të rrethit, Avni Fida, të cilët ishin dakord, por meqë rrethi ynë në plan të parë kishte detyrat ekonomike, që nuk ecnin mirë, problem i muzeut mbeti si pas dore.
Megjithëkëto, Aziz Ndreu, miku im i respektuar, këmbëngulte që të ngrinin muzeun, se duhet të kemi një muze të tillë patjetër. Një ditë, muaji qershor 1982, Azizi më vjen në zyrë dhe pasi ndezi një cigare duhan, më tha: “Do vish të shkojmë në Tiranë, se kam lënë një takim me Stefanaq Pollon dhe Kristo Frashërin dhe do e ndajmë punën e muzeut një herë e mirë: Ose do e bëjmë, ose nuk do e bëjmë muzeun, a ta lëmë këtë punë!”
Vendosëm që të shkojmë në Tiranë. Kishim lënë takim një ditë qershori 1982 me profesorët dhe u takuam në ambientet e Pallatit të Kulturës. U përshëndetëm dhe diskutuam kryesisht për problemin e muzeut.

Historia e ngritjes së Muzeut “Vendorigjina e Kastriotëve” në Sinë

Që në fillim e mori fjalën Prof.Stefanaqi, që mendueshëm dhe me një ton diskutimi përfundimtar tha:
“Dëgjo Aziz! Kemi diskutuar disa herë për këtë problem, për një muze të Kastriotëve. Tani ka ardhur koha të ndajmë mendjen dhe dhe të vendosim nëse do ta bëni muzeun në Sinë apo jo. Poqe se nuk e bëni, ta mbyllim ketë problem e ta lëmë farë këtë punë. Por unë mendoj se Dibrës i takon ta ketë këtë Muze”.
Azizi u shpreh: “Unë kam ardhë bashkë me shefin e Arsimit dhe Kulturës, me mendjen që sot ta ndajmë këtë punë. Tani fjalën e ka shefi, se unë nuk kam gjë në dorë. Në këtë situatë të krijuar, duke patur parasysh diskutimet që ishin bërë me drejtuesit e rrethit në atë kohë, por edhe të mundësive që kishim ne si seksion, sidomos me Qendrën Ekonomike të Arsimit, që drejtohej me shumë passion e vendosmëri nga Shahin Kamberi, thashë: Ne do ta ndërtojmë Muzeun patjetër dhe do të organizojmë edhe sesionin shkencor me këtë rast. Me kaq takim, u kthyem në Peshkopi për të filluar punë.
Bashkë me drejtuesit e Kom.Ekz. të rrethit, Skënder Dema dje Avni Fida, drejtorin e Muzeut të rrethit Hysen Lala, përgjegjësin e Qendrës Ekonomike të Arsimit Shahin Kamberi, unë dhe Aziz Ndreu shkuam në Sinë. Këtu u takuam me drejtorin e shkollës Besnik Këbej dhe të gjithë bashkë u ndalëm në bahçen e Sefedin Priftit, ku nëna e tij, një malësore fisnike me veshje krahinore, na shërbeu me një kafe. Ishte një ditë e bukur shtatori, që akoma bari ishte i gjelbërt në baçen e Sefedinit. Nën hijen e pemëve u zhvillua biseda për muzeun e për Heroin tonë, Skënderbeun. U fol për toponimet, për tregimet popullore, për legjendat etj, që lidhen me lastriotët e Skënderbeun, material gojore që kishin mbledhur mësuesit e nxënësit e shkollës 8-vjeçare Sinë, ku drejtor ishte Besnik Këbej. Pastaj dolëm te problem i vendosjes së Muzeut.
Në këtë punë, kontributi ishte i gjithë punonjësve të seksionit të Arsimit, të shkollës 8-vjeçare të Sinës, si dhe e zotërinjve Aziz Ndreu, Shahin Kamberi, Besnik Këbej, Hysen Lala, Hysni Bruçi, Lefko Popa, Duro Ibrahimi, Fitim Sula, Hamdi Kaci, Flamur Sala dhe sidomos specialistët gurëgdhendës duarartë të Sinës që bënë të mundur realizimin e objektivit tonë. U ndërtua, por veprat e artit vonuan përurimin nga nëntori 1982 në nëntor 1985.
Për përurimin e Muzeut u bë një program pune dhe u ftuan për të marrë pjesë drejtues të Ministrisë Arsimit dhe Kulturës, historianë e vetëranë, mësues e punonjë të kulturës. Morën pjesë drejtues të rrethit Dibër, ish Presidenti Haxhi Lleshi, Tefta Cami – minister e Arsimit dhe Kulturës etj. Më 1 nëntor 1985, në Peshkopi me këtë rast u organizua sesioni shkencor me historian dibranë dhe punonjës të Institutit të Historisë pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Kumtesat e këtij sesioni shkencor argumentuan më tej me fakte historike orginën të Kastriotëve dhe se Kastriotët ishin banorë të Çidhnës, të Sinës. Në muze u paraqitën fakte historike, të mveshura me këto toponime e tregime, me gojëdhëna e objekte për Skënderbeun e Kastriotët. U evidentua orgjina e Kastriotëve që nga Pal Kastrioti, Gjoni e Gjergji (Skënderbeu). Aty në muze u pasqyrua thënia e Gjon Muzakës, bashkëkohës i Skënderbeut: “Ta dini se gjyshi i zotit Skënderbe quhej Pal Kastrioti dhe nuk kishte në zotërim më shumë se dy fshatra, të quajtuara Sinja dhe Gardhi i Poshtëm dhe prej këtij lindi zoti Skënderbe”.
Gjithashtu u pasqyrua periudha e Gjon Kastriotit dhe veçanërisht u videntua rinia e Skënderbeut, kryengritja e përgjithshme e vitit 1443, betejat e udhëhequra prej tij në truallin e Dibrës. Trajtesat e mbajtura në sesionin shkencor më 1 nëntor 1985 u arkivuan në Muze të rrethit Dibër, të cilat mund të jenë botuar në organe të ndryshme.
Ajo që nuk është publikuar e botuar deri tani është fjala e Prof.Stefanaq Pollos, mbajtuar në këtë sesion shkencor, pasi kumtesën kryesore e lexoi Selami Pulaha. Në mbyllje, me kërkesën e drejtuesve të rrethit, sidomos me të veteran Haxhi Lleshi, që merrte pjesë në ketë sesion, e mori fjalën dhe Stefanaq Pollo.
Në organizimin e këtij aktiviteti nuk kishte manjetefon, që të inçizonte diskutimet, pasi Stefanaq Pollo nuk kishte përgatitur diskutim me shkrim, unë mbajta disa shënime rreth fjalës së tij. Më pas këto shënime i hodhi në letër me makinë shkrimi Ahmet Tomja, shënime që i mori nga blloku im, në të cilat shënohet: “Prof.Stefanaq Pollo në fjalën e tij përmbyllëse bëri vlerësime dhe konkluzione me shumë vlerë për origjinën e Kastriotëve e për historinë e Dibrës. Në fjalën e tij, ai tha:
Sesioni shkencor ia arriti qëllimit. Nuk është hera e parë që organizohen sesione të tilla për Skënderbeun dhe epokën e tij. U tha se këtu populli ka tradita, në të cilat Dibra zë vend nderi se jo vetëm se është vendi i origjinës së Kastriotëve, por dibranët kanë treguar heroizëm në këto beteja. Është interesant një libër që është shkruar nga një autor arbëresh, jo vetëm se flet për çlirim kombëtar, por jo rastësisht e fillon me Dibrën. Ne do të kthehemi e do rikthehemi disa herë te kjo figurë. Kësaj figure kaq të madhe i jemi borxh, se edhe një pjesë të dokumentave nuk i këmi në dorë, të cilat do bëjmë çmos që t’i kemi për të studiuar këtë përiudhë të shkëlqyer.
Rëndësia e këtij sesioni është edhe lokal, edhe kombëtar, se bëjmë fjalë për ngjarje shumë të rëndësishme të shekullit XV. Këtu mbështetet plotësisht me dokumenta se vendi i orgjinës së Kastriotëve është Sina. Këtu duhet thënë se dihet diskutimi i gjatë që është bërë se kush është vendi i Kastriotëve, Hasi apo Sina. Shoku Selami Pulaha në kumtesën e tij argumentoi përparësinë e Sinës si vendi i Kastriotëve.
Nuk është e çuditshme që për njerëz të mëdhenj secili të ketë pretendime. Psh, serbët kanë thënë se populli shqiptar nuk ka histori dhe Skënderbeun e bënë sllav. Kur festuam 500-vjetorin e Skënderbeut, ne menduam të hartonim një bibliografi dhe u kërkuam bibliotekave të vendeve të ndryshme të na dërgonin literaturën që dispononin. Këtë kërkesë ia dërguam dhe bibliotekës së Athinës. Ajo na u përgjigj: Çuditemi se si ndërmerrni një punë të tillë, kur dihet se është grek. Dibranët punuan mirë për këtë dhe atyre u erdhi në ndihmë shkenca. Tani mund të themi se orgjina e Kastriotëve është Çidhna, është Sina.
Problemi i dytë është problem i Torviollit. Për këtë betejë, dihet se në fillim u lokalizua në Domosdovë, por dy shokë dibranë, Aziz Ndreu dhe Ali Hoxha u munduan ta lokalizonin në Dibër. Mendoj se më bindëse janë argumentat për në Dibrën e Poshme.
Se kur do lëvizet pllaka nga Domosdova, këtë e vendosin organet e pushtetit, por pritet dhe fjala e historiografisë tonë, e cila nuk do mungojë të jepet. Rëndësi ka toponimia, e cila i vjen në ndihmë historisë dhe plotëson atë.
Desha ta mbyll këtë fjalë, me atë që dëgjuam nga Ali Hoxha për Çidhnën: Çidhna zë një vend të veçantë në luftërat për liri. Pyeta se a ka ndonjë pllakë për të përkujtuar, do të thosha atë holokaust, ku gjetën vdekjen aq shumë njerëz, por nuk mora përgjigje. Sigurisht që është mirë të ketë.
Falenderoj seksionin e Arsimit dhe Kulturës për ftesën që na bëri dhe dëshiroj të bëjmë dhe sesione të tjera në këtë vend ku luftoi Gjergj Kastrioti – Skënderbeu dhe trimat e tij”.
Pas sesionit shkencor, më datën 02 Nëntor 1985, u përurua Muzeu i Kastriotëve në Sinë. Në këtë përurim morën pjesë shumë banorë të fshatrave të Çidhnës e zonave të tjera, nxënës të të gjitha shkollave të zonave përreth e të tjerë.

Jehona e përurimit të Muzeut të Kastriotëve në Sinë në shtypin shqiptar

Në gazetën “Zëri i Popullit”, në faqen e parë shkruhej:
U përurua Muzeu i vendlildjes së Kastriotëve
Dje (të shtunën), më 2 nëntor 1985 – B.K) në fshatin Sinë të rrethit të Dibrës u përurua Muzeu i vendlindjes së Kastriotëve. Në cermoninë e organizuar me këtë rast, merrnin pjesë qindra kooperativistë të zonave të Fushë-Çidhnës e Kastriotit, patrotë e veteranë, të rinj e të reja …. Merrnin pjesë edhe kuadro drejtuese të organeve të partisë e pushtetit në rreth etj. …..
Shiritin e përurimit e të Muzeut e preu ministrja e Arsimit dhe Kulturës Tefta Cami.
Pastaj pjesëmarrësit vizituan Muzeun. Me këtë rast Instituti i Historisë, në bashkëpunin me seksionin e Arsimit dhe Kulturës të rrethit Peshkopi, organizuan një sesion shkencor, ku u mbajtën disa kumtesa për origjinën e Skënderbeut dhe të Kastriotëve, si banorë të heshëm të Çidhnës. … (ATSH)

Gazeta “Ushtima e Maleve”, e shtunë, 2 Nëntor 1985
Në faqen e parë ndër të tjera shkruhet:
Sesion shkencor për orgjinën e Kastriotëve
Seksioni i Arsimit i rrethit, në bashkëpunim me Institutin e Historisë, me rastin e përurimit të Muzeut të Kastriotëve në Sinë, organizuan dje një sesion shkencor për origjinën e Kastriotëve. Merrnin pjesë mësues të historisë, bashkëpunëtorë të Muzeut të rrethit, kuadro etj. Mori pjesë anëtari i Komitetit Qendror të Partisë Haxhi Lleshi, ministre e Arsimit dhe Kulturës Tefta Cami, anëtari i Kom.Qendror të PPSH Jeshar Menxhelxhiu, sekretari i parë i Komitetit të Partisë të rrethit Faik Kopaçi, kryetari i Kom.Ekz. të rrethit Rakip Dançe, drejtori i Institutit të Historisë Stefanaq Polloetj.
Sesionin e hapi sekretari i Kom.Ekz. K.P. të rrethit Ndue Kola. Pastaj u mbajtë disa kumtesa. Kumtesën “ Kastriotët banorë të Çidhnës”, e mbajti studiuesi, Doktori i shkencave historike Selami Pulaha e më pas mbajtën kumtesa Haziz Ndreu, studiuesi i historisë Luan Malltezi, Malo Hashorva, Ali Hoxha etj. ….
Korespondent i “Ushtima e Maleve”

Mbresa mga përurimi i Muzeu
të Kastriotëve,
6 nëntor 1985
Shkruan Mevlud Buci
…. Kur u bë përurimi i Muzeut të Kastriotëve, gjëmoi ajo kënga e rapsodit të mirënjohur të Sinës, Rakip Pashnjari:
O moj Sina e Dibrës Poshtme,
Djep i lashtë i Kastriotëve …,
Rrahi shqipja krahët malit,
Linde Gjergjin e Gjon Dibranit…
….
Etapa e Pestë

Refleksion për fazën e pestë
Më takon të theksoj se pas përurimit, vizitave në muze, shumica e pjesëmarrësve në orët e pasdites u shpërndanë, por mbetën shumë njerëz në Sinë. Aty qëndruan miqtë e ardhur nga Tirana dhe nga Peshkopia, të cilët shkuan në shtëpinë e Sefedindhe Shefki Priftit. Disa të tjerë te Sali dhe Shaban Tafa, të Besnik, Shaqir dhe Emin Kaloshi. Këto të fundit kishin miqtë e tyre nga larg. Disa shkuan edhe Në Sinë të Epërme. Pra, Sinjarët pritën me bujari miq e dashamirës të Muzeut, ashtu siç është zakoni ‘darka kur hy në shtëpi të re’.
Këtu mbaron faza e pestë dhe fillon e gjashta

Ngjarjet e Marsit 1997
Shpërbërja e shtetit solli edhe në Sinë shkatërrime të shumta. Ndër objektet që pësoi dëmë ishte edhe Muzeu. Muzeu, ky objekt i rëndësishëm që u ngrit me shum mund e sakrifica u dëmtua nga keqbërësit, u vodhën objekte muzeale me vlerë e mbi të gjitha u muar blloku i përshtypjeve, me mendime e vlerësime nga vizitorët gjatë një periudhe mbi 12-vjeçare.
Në 550 vjetorin e Skënderbeut, viti 2018, u gëzova jo vetëm unë, por gjithë dashamitësit e këtij muzeu, që u rrethua dhe u zbukurua, për t’u pajisur e plotësuar më vonë me materialet e nevojshme. Kam besim se do të riparohet e do pajiset brenda me ato çka i takon. Edhe historianët e këtyre anëve do të punojnë më shumë, për të gjetur dhe botuar materiale dokumentare për të përforcuar mendimin se ‘Kastriotët kur u fuqizuan, dolën nga Sina dhe ngritën fshatin e tyre, që mori emrin Kastriot’. Dihet se Kastrioti është në kryqëzimin e rrugëve të rëndësishme të vendit.

* * *
Është në nderin e dibranëve, por edhe të Akademisë së Shkencave të RSH, të Institutit të Historisë, të organeve të pushtetit në qendër e veçanërisht në rrethin e Dibrës, që ta pasurojnë muzeun me objekte e dokumente, të paktën aq sa kishte para 1990-ës. Tashmë mundësitë janë për ta pasuruar më shumë, pasi mund të kërkohen dokumente jashtë vendit, sidomos në dokumentat e Turqisë e Romës, ku mendohet se ka shumë të dhëna për Dibrën e Dibranët.
Gjithashtu, Drejtoria Arsimore në Peshkopi duhet të gjejë kuadrin e duhur që të punojë në ketë institucion me cilësi të veçanta. Për sinjanët muzeu duhet të konsiderohet si vend i shenjtë.

Konkluzione
(Në vend të Përmbylljes)
Territori Muhur-Sinjë është territori që plotëson dhe përputhet me dokumente, me pozicionin gjeostrategjik, me toponiminë, me arkeologjinë, se ky territor është territori më minimal që përmend Gj.Muzaka për gjyshin e Skënderbeut. Kemi sjellë dokumente dhe argumenta se gjyshi i Skënderbeut quhej Kastandin Mazrek Kastrioti dhe se ai ishte nga Mazreka e Epër në Muhur.
Kastriotët kanë lëvizur për jetë më të mirë nga Mazrekat në Sinjë dhe nga Sinja dolën në fshatin që formuan vetë në krahun e djathtë të Drinit të Zi, me emrin e tyre Kastriot, ashtu si shekuj më vonë fisi Alia i dha emrin fshatit Fushë-Alie.
Nëpër Muhur kalonte rruga kalorsiake me emrin Rruga Dibrane, kurse nëpër Sinjë kalonte Rruga Plakë. Në Muhur ndodhet qyteza e shekullit V-VI pas Krishtit; në Sinjë ndodhet ndoshta Kllezi dhe mes Sinjës dhe Muhurit qyteti i Trojës, që ka varre të shumta, ka ujin, ka dyqanet dhe pazaret, ka vendet fetare me emërtimet Popteshja e Madhe dhe Popteshja e Vogël.
Paraqitja e dokumentave për ekzistencën e Hasit në Fushë-Çidhën mbi lagjen Suli, pajton gjithë autorët e studiuesit, se Kastriotët ishin autoktonë në Dibër të Poshtme dhe me dibranët bashkë bënë histori, sa gjithë shqiptarët në çdo vend të Botës krenohen me Heroin tonë Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.