KALAJA E DODËS – VËSHTRIM ENCIKLOPEDIK


Parathënie

KALAJA E DODËS – VËSHTRIM ENCIKLOPEDIK
Dheu i Kalasë së Dodës (emërtimi dhé është i autorëve; përdorimi është gjithëpopullor në truallin, për të cilin është shkruar libri) ka kufij natyrorë e historikë Veleshicën e Ujët e Lapave. Është një dhé me kroje e me kopshte. Me ara e me livadhe. Me kullota e me bjeshkë. Me ujëra e me ujëvara. Me nëntokë të pasur. Me shtëpi të pastra e me sofra bujare. Me një të folme melodioze e me një folklor magjepsës. Këto thënie e këto cilësime mund të vërtetësohen duke lexuar librin.
Autorët janë studiues dhe mësues shumë të vlerësuar. Libri është përgatitur për shtyp dhe është botuar nga Botimet M&B sipas të gjithë parametrave modernë.
Qëkur e kemi emërtimin “Kala e Dodës”? Që nga viti 1864, – thonë autorët. Ku ndodhej ajo që u quajt Kala e që i dha emërtimin krahinës? Tabja e Nizamëve1, në lartësinë 1224 m mbi nivelin e detit, – konkludojnë ata. Arsyetimet lidhen me udhëtimin e shënimet e udhëtimit nëpër viset e Drinit të konsullit austriak, Johan F. von Hahn. Krahina, – thonë autorët, – ka qenë pjesë e sanxhakut të Dukagjinit (shek. XVI). Më tej, autorët përshkruajnë pozitën gjeografike në të gjitha detajet e njësitë e saj fiziko-gjeografike (Korabi, Sarakoli, Suka / Mali i Sukës, lugina e Çajës, lugina e Veleshicës dhe e Drinit të Zi etj.). Njësitë vendore (etnologjike ose administrative), Katundet e Epra dhe Malësia – Kalisi e Vila, jepen me lagje, fise e vëllazëri. Një krye më vete janë emërvendet. Për emërvendet do të ndalemi pak më tej. Në libër, jepen me detaje fizike e historike rrugët e krahinës.
Bashkë me këtë dhé na vijnë edhe dhetarët – banorët e tij historikë dhe aktualë. Dhe ky Dhé njëjtësohet (identifikohet) me ta. Me një kulturë të madhe familjare e shoqërore. Me ngjarje të mëdha. Me atdhetarizëm të flaktë. Me përkushtim për punën. Me shumë dije për veten dhe për të tjerët.
Nëse duam të dimë a të mësojmë për kulturën e tyre familjare, le të shohim sjelljen e burrave me gratë dhe me vajzat. Njeriu më i madh i të gjitha vendeve dhe i të gjitha kohëve, Profeti Muhamed (Në parantezë: Kështu e përcakton amerikani Maikëll Hart /Michael Hart/ në librin e tij “100 Personalitetet më me Influencë në Botë”, Tiranë, 1998) thotë: “Gratë janë binjaket e burrave”. Vlerësim më të madh për femrat nuk mund të ketë. Këtë binjakësi të grave me burrat e gjen në Kala të Dodës. Madje, na duket se gratë janë më shumë se binjake të burrave në Kala. Shihni veshjet dhe punët e tyre. Edhe veshjet, edhe punët e tyre janë elegante. Kujtoni nuset. Kujtoni vetëm një moment. Nusja çohet në të pamë. Aq dinjitare. Në kalë me sixhade (tani, edhe me makinë). Një djalë i rritur a burrë – përpara kalit. Dhe pastaj, pritja atje ku shkon. Më shumë se princeshë. Shihni nusen e dasmës, përcjellësit, zbritjen e saj te shtëpia e re. Shihni në libër e në jetë tërë dasmën, qëkur fillon e derisa mbaron. Të gjithë për nusen. Gjithçka për nusen. Një moment tjetër: Nusja favorizohej me blerje rrobash të bukura para vajzave të shtëpisë e kunatave më të mëdha. Dhe askush nuk zilepsej. Sepse ishte nusja. Kunatat e kishin përjetuar këtë favorizim. Vajzat do ta përjetonin. Nëse duam të dimë më shumë për kulturën familjare, të shohim traditën e bashkëbisedimit në familje. Ajo ruhet edhe sot, – thonë autorët, – si pjesë e rëndësishme e edukimit familjar për të rinjtë e për të rejat. Edhe dy shembuj të tjerë nga libri për kulturën familjare: Oda e burrave. Aq funksionale e aq hijemadhe. Me shtrojën e saj – qilimat e postiqet e bardha si bora në Korab, me takëmin e kafes, me dërrasën me gdhendje zbukurimore tej e tej murit, ku vareshin ferexhet e burrave e pushkët me grykë poshtë. Me një kulturë të lartë shërbimi. Dhe në këtë odën e burrave edhe në verë, në vatër (të oxhakut) ose në sobë viheshin një krah dru, ashklat dhe fitili i pishës, veç për ta ndezur. Sepse mysafiri vjen në derë pakujtuar. E mysafiri do zjarr. Zjarri është pritja e dytë pas mirëseardhjes e mirësegjetjes. Shembull tjetër? Petkat e shtratit. Ato vijnë në odën e burrave aq të pastra e aq erëndshme. Është tubja e maravës së tharë në palët e tyre. Dhe nuk ka aromatizues modern që e konkurron atë. Atë nuk e konkurrojnë dot as trëndafilat e Holandës dhe të Arabisë Saudite.2 Ka edhe shembuj të tjerë për kulturën familjare. Nuk po i japim për të mos i dalë përpara kureshtjes së lexuesit.
Në duam të dimë a të mësojmë për kulturën e madhe shoqërore në Kala të Dodës, le të shohim mënyrën e organizimit të katundit, të stanit, të ruajtjes së pyllit, të dasmave. Edhe të mortave. Le të shohim kuvendet dhe itifaket. Dhe rreptësinë e itifakeve. Te kuvendet e tek itifaket dhe te historia e kuvendeve dhe e itifakeve në Kala shihet mjaft qartë e mjaft bindshëm mençuria e peshimi i fjalës nga dhetarët, thellësia e gjykimit dhe vendosmëria për t’i çuar deri në fund vendimet.
Organizimi i jetës shoqërore zë në libër një pjesë bukur të madhe. Lexuesi mund të mësojë shumë për këtë. Autorët e quajnë vetëqeverisje. Vetëqeverisje në familje – vëllazëri – fis – mëhallë – katund – dhé (krahinë). Një koncept i madh qytetarie: Vetëqeverisja është formë e vetëdijes shoqërore. Dhe një filozofi popullore vendore. Një filozofi morali. Dhe moral. Vetëqeverisja ka qenë vetëruajtje e edhe vetëmbrojtje e bashkësisë, por edhe e familjes a e individit. Me forcën detyruese të vendit. Pa forcën detyruese të shtetit. Prandaj nuk ka pasur anarki. S’ka pasur amoralitet. Prandaj ka pasur rregull në marrëdhëniet shoqërore. Ka pasur nder. Ka pasur dinjitet. Organizmat drejtues të dheut, – thonë autorët, – ishin tre: 1. Kuvendi i dheut (ku bënin pjesë krerët e katundeve dhe të bajraqeve); 2. Pleqësia e besës; 3. Kreu i dheut a reizi.3 Vini re: Pleqësia e besës. Pleqtë e besës. Kreu i pleqve të besës. Çojeni mendjen pastaj për një moment ç’do të thotë për një katund, bajrak, plak a reiz të mbetej jashtë besës. Në tërë këtë besëlidhje përshfaqet personaliteti i kaladodasit. Dhe ky personalitet mbështetet themelisht në dy kategori psikike-morale, thënë ndryshe – virtyte: burrëria dhe nderi. Prandaj te kuvendet e tek itifaket e Kalasë kishte (e ka) besë e rreptësi. Nga libri sjellim shembullin e itifakut për Urën e Reçit e për ruajtjen e malit (pyllit) në Radomirë. Shembulli tjetër është për spitalin e ruajtjen e spitalit në vitin e kobshëm 1997. Ka aq shumë shembuj mbushamendës në jetën e kaladodasve, që përcillen në këtë libër për t’i marrë si model edukate dhe kulture shoqërore. Pse, a nuk është model edukate shoqërore dhe kulture shoqërore ndihma që jepet kur bashkëlagjasi a bashkëkatundari ndërton shtëpi të re? Ndihmëtarët vijnë pa i thirrur njeri. Po ndihma e cucave dhe e nuseve tek endja e qilimit? Shihni edhe shembullin tjetër: Nëse ndodhte që për arsye sëmundjeje (metil etj.) ose moti, i dëmtoheshin shumë dhentë dikujt, të tjerët do t’i dhuronin dele e qengja e ai nuk do të kthehej me shkop në dorë nga shtegtimi. Një solidarësí shembullore.
Në Kala të Dodës nuk e lënë jashtë të huajin, jabanxhiun. Shihni në libër fjalët e konsullit austriak, Hahn për mikpritjen dhe vlerësimet e tij aq dashamirëse. Më shumë se kaq, në Kala të Dodës nuk e lënë varrjashtë jabanxhiun. Kujtoni emërvendin Vorri i Sejmenit. Kujtoni çfarë thuhet te kënga “Motra me nanë vllazën” (Jan vra do të ri, ishin jabanxhi / Për sevap katuni në dhé i ka shti). Është folklor, por folklori është formë e ndërgjegjes shoqërore. Kujtoni, në kohë të vona varrimin e të rënëve të tjerë jovendës. Në Kala të Dodës nuk u bihet lodrave afër varrezave, xhamisë, teqesë e tyrbes. Sepse aty ka heshtje. Në Kala të Dodës, kaçakët lejoheshin të takonin të fejuarat. Shumë kuptimplote. Shumë e njerëzishme. Shumë familjare. Por edhe shumë shoqërore. Në Kala të Dodës ruhet përbërja fisnore e mëhallës a e katundit. Por janë mirëpritur lëvizjet nga fshati në fshat, sidomos nga Vila e nga Kalisi. Dhe i kanë bërë vëllezër trojesh. Dhe vëlla trojesh është koncept i madh shoqëror. Shih edhe konceptin tjetër të madh shoqëror – familje e mbështetur, që autorët e shpjegojnë bukur, madje, e konkretizojnë me emra e me mbiemra. Kjo është psikologjia e tyre e jetës dhe e marrëdhënieve të tyre me të tjerët. Dhe më në fund, në Kala nuk ka pasur e nuk ka gjakmarrje.
Në libër na vjen si në ekran kultura materiale në Kala të Dodës – banesa, shtroja, veshja, kuzhina e magjja, stani etj. Buka e thekrës është më shumë se një franxhollë qyteti. Flia e petullat e mishi i zier në tambël kanë vend veçantë. Laknori zëvendëson berrin edhe për pashanë.
Në punë të kulturës materiale duam të përveçojmë veshjen. Ajo është pasqyruar hollësisht në libër. Si në një ekspozitë etnografike. Si në një botim mirëfilli etnografik. Veshja e meshkujve është burrërore: Qisja e bardhë rrafshatake, koparania e zezë, mitani, xhamadani (me gajtanë të zinj a me ngjyrë floriri, që mbahej zakonisht i hapur, sidomos ai me skepa), këmisha e linjtë e bardhë, me jakë të ngushtë, qëndisur me tegela me penj të bardhë e mëngët e gjera, tirqit e bardhë me gajtanë të zinj, brezi i bardhë a bardhë e zi, me thekë në dy fundet, qosteku i sahatit prej sermi, që përfundonte te pala e brezit në mes nga përpara, çorapet me mediskambe e opingat me lëkurë lope, lidhur me ndorta të bardha si bora në Korab. (Në parantezë: Asnjë djalë nuk bëhej dhëndër pa çorape me mediskambe). Po gëzofi? Po ferexhja e çobanit a e udhëtarit? Kjo ishte veshja. Ky ishte portreti fizik i burrit të Kalasë. Për ta ekspozuar në muzetë etnografikë më prestigjiozë të Europës.
Veshja e femrave, sidomos e nuseve – pasunore, aristokratike: mëndafsh, birinxhik, krem, atllas, basmë. Basma – me lule trëndafilash. Dimiat, kur s’ishin të mëndafshta, do të kishin vijë mëndafshi. Mëndafsh ishte edhe riza (shamia e kresë). Ojnat, teminat, gajtanët, qëndismat e dukatët plotësonin artin e artistiken te veshja. Në cilin konkurs veshjesh a bukurie mund t’u dilej para nuseve të Kalasë: Shamia e mëndafshtë, zbukuruar me ojna, rruaza e vizllima, lidhur nën gushë. Vargu i dukatëve. Vargu i rruazave. Anteria, libadja e atllasit a trikoja. Dimiat e mëndafshit. Poshterka, e endur me pulla a me katrorë. Shto këtu edhe jelekun me fije ari, shallin e mesit e çorapet me breza.
Në Kala të Dodës ka një kulturë të lartë artistike. Sixhadet, qilimat, trikot e çorapet e Kalasë së Dodës, – thonë autorët e librit, – fituan emër deri tek dyert e Stambollit. Po. Sepse ornametrika e tyre është aq e pasur. Dhe kjo ornametrikë është e kultivuar, e trashëguar, kolektive. Në Kala është shkolla e endjes në vegjë dhe e thurjes me kërrabëza. Në Kala pikturohet me shije të hollë artistike. Penel është fija e ngjyrosur e perit. Ndoshta përdorëm metafora e krahasime. Por, besojmë e meritojnë vendin e tyre. Në këto metafora e krahasime do të plotësojmë diçka. Psikologjikisht, jo të gjithë njerëzit – pra, edhe jo të gjitha femrat e kanë aftësinë për perceptime të holla ngjyrash. Një ndër arsyet është se fizikisht, te ngjyrat e sidomos te nuancat që janë fqinje me njëra-tjetrën në të dyja anët ka vetëm një ndryshim (e dallim) të vogël perceptor (krahaso i molltë / i molltë i kuq / i molltë i mëshelë / si i molltë etj.). Këtë intuitë dhe këtë dallim perceptor vajza e Kalasë e ka shumë të zhvilluar, sepse, siç u tha më lart, ka një oramentikë të kultivuar brez pas brezi, që vjen nga një shkollë, gjithashtu brez pas brezi. Kjo vërtetësohet edhe gjuhësisht me emërtimet e ngjyrave të harxheve e të nuancave të tyre – në rastin tonë, shembulli me të molltë.
Kultura artistike shkon edhe më tej. Te kali i nuses në rrugëtim (sepse nuk mund të kishte nuse pa kalë): sixhadja a hirami, i endur me thekë si sixhade e dujqit (hejbet). Edhe dujqit ishin me vizatime si sixhade. Shtroja e kalit ishte pjesë e pajës. Le të bëjmë tani dallimin me ndonjë rast tjetër, diku tjetër, kur në pajë ishte tërkuza e gjethës.
E bukura shkon edhe më tej. Qethja e deleve në gusht-shtator, – thuhet në libër, – bëhej me bukë feste. Ishte një festë e vërtetë prodhimi. Dhe qethja bëhej edhe me zbukurime. Por edhe vrangulla e boshtit të furkës bëhej me zbukurime. Edhe kërliku i shkopit të çobanit ishte me zbukurime. Edhe anxhiku (caliku) i çobanit bëhej me qemerë te gryka. Një qytetërim, vërtet i spikatur.
Dheu i Kalasë së Dodës na vjen në libër edhe me emërvendet (toponimet) e tij. Toponime shumë interesante: Pellazge në Shullan, Kepi i Fratit në Shkinak, Kroi i Dom Allit në Vasije, Kroi i Zanave në Ceren, Kama e Atit në Çajë, Luftaina në bjeshkët e Korabit, Vilzat në Fshat etj. Tek emërvendet (makrotoponimia dhe minitoponimia) mund të shohësh e të zbulosh topografi e histori, objekte kulti e objekte mbrojtjeje, ngjarje historike e emra historikë, mite e legjenda, fjalë të vjetra e fjalë të vjetruara, fjalë të hershme e fjalë më të reja, fjalë të mbarë gjuhës e fjalë krahinore, krishterizma e islamizma, kompozita e formime të tjera shqipe e edhe fjalë të huaja, që janë futur dhunshëm në vend të fjalës shqipe etj. Shih, p.sh.: Ballëfushë, bukëmirë (Art Bukmira), cakë (= kodër e vogël, çukë), çapël, frashnajtë dhe vallnajtë (= livadhe të rrethuara), Kepi i Brushllës (brushtull bimë barishtore me gjethe të gjera), Kepi i Shpinaxhrit (= Shpinagrit), Kroi i Zanave, Skepsorra, Suka, Vanat, Zgjata etj. Ato na vijnë sipas konfiguracionit, përcaktuar nga një mbiemër që tregon pozitën gjeografike, natyrën, përmasat, ngjyrën etj.; sipas emrit të një bime etj. që rritet vetiu a që kultivohet aty; sipas emrit të lëndës që mbizotëron në përbërjen e aksh vendi; sipas një ngjarjeje historike; sipas një objekti të ndërtuar aty, sidomos me emrin kala, kishë, teqe etj. Janë qindra toponime (p.sh., nga Vila, rreth 250; nga Fshati, rreth 250; nga Buzëmadhja, mbi 300; nga Shkinaku, mbi 450; etj.). Është një fjalor me emrat e vendeve. Por në këtë lëndë toponimike që na vjen si një adresar, me të gjitha ato vlerat historike, gjuhësore etj., duam të përveçojmë vetëm një gjë – vazhdimësinë tonë gjuhësore – gjeografike dhe historike, njësinë (unitetin) e gjuhës shqipe. Vetëm pak shembuj: Ballëfushë në Kala; e kanë edhe arbëreshët (dhe më tej: po i njëjti formim gjuhësor në zonën Lezhë-Shkodër: Ballëdre në Lezhë dhe Balladrini // më 1416 në anët e Shkodrës); Gramë në Kala, Gramë në Karaburun; Shpinagër në Kalis, Shpinager (Shpirag) në Berat4; Qafë-Murra e Dibrës / Qafë-Murra e Kalasë së Dodës; shih Tejdrinia / Tejdrina dhe formime analoge në gjuhën shqipe e edhe emra të këtillë topikë në viset e tjera shqiptare; shih prapashtesat fjalëformuese –th e –z tek Elbth e Majëmalth e Lamëz në Kala dhe më larg se Kalaja: Greth, Lmuth, Theth, Arrëz, Lajthizë, Fierzë e tek arvanitët – Dardhëz, Fikëz, Shkretëz; Kullas (në Kala) e kemi si Liqenas; Nërlusna është si Nënshkodra; E atëherë, etimologët e toponimistët kanë punë me toponimet e Kalasë për shumë gjetje e motivime gjuhësore. Ua ka vënë në tavolinë libri i Beqirit dhe i Ermirës. Edhe historianët e etnologët mund të kenë punë me emërvendet Pellazge, Shitorth, Tejs, Shulla, Vilë e Rade. Ndoshta, edhe arkeologët – me kishën e Tollomazit, Taben e Nizamëve, kalanë e Mlikës (Vilës), kalanë e Aravelit etj.
Kalaja e Dodës është një areal i spikatur jo vetëm natyror e gjeografik, por edhe rrugor. Dhe në libër na vjen edhe me këtë pamje madhore. Edhe me emërtime shumë thelbësore. Prandaj edhe ishte Kala, se zotëronte edhe rrugët.
Kalaja e Dodës na vjen në libër me tërë historinë e saj. Ajo nis me “Kalaja e Dodës në defterët kadastrorë osmanë (1571-1595)”. Të dhëna për Kalanë e Dodës vijnë edhe nga fermani sulltanor i vitit 1585. Aty lexuesi mëson edhe për Vezirin e Madh, Sinan Pashë Topojanin dhe që për vdekjen e tij u njoftua edhe papa Klementi VIII. Kalaja e Dodës përmendet më 1539 si njësi administrative me emrin Nahija e Katundeve të Dibrës, pjesë e sanxhakut të Dukagjinit. Deri në vitin 1883 Kalaja e Dodës ka qenë kryeqendra e nahijes së Lumës, me atributet e kazasë.
Historia e kalasë bëhet nga ngjarje të mëdha: Beteja e 300 nuseve (që vjen edhe me një këngë popullore madhështore); Beteja e Lumës (1912) kundër pushtuesve serbë; Kryengritja e 22 shtatorit 1913: 3000 luftëtarë shqiptarë kundër 60 000 forcave serbe. Historia vijon: Kryengritja e vitit 1920 kundër pushtimit serb; Kujtimet për luftën kundër pushtimit serb nga njerëz që e kanë përjetuar. Pastaj: Mbretëria; Pushtimi fashist; Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare; Çlirimi i Shqipërisë; Zhvillimi ekonomik i krahinës deri më 1967; Zhvillimet politike dhe ekonomike pas viteve ’90 të shekullit të kaluar.
Në libër kalojnë si në revistë personalitete e njerëz të thjeshtë, luftëtarë e dinjitarë, reizë e bajraktarë, pushtetarë e pasunarë, kuvendarë e përjetues ngjarjesh etj.: Mahmud Daci e Mustafë Lita, Qazim Lika e Bajram Gjana; Ibrahim Gjorgji – bajraktari i Radomirës e dëshmori i parë në luftën kundër serbëve e Sadik Gjoniku, nga Stërdoku, zëvendësshejhul islam në Stamboll e shumë të tjerë. Dhe këngë popullore historike: “Djemt e Lumës hiç s’kan dert, / Ka ni luft e bajn përvjet, / Për vatan s’tremen me vdek” Dhe: “Qazim Lika po vikat: / S’shkelet Luma pa u la n’gjak, / Ndash koft serb, ndash Karadak”.
Pjesë e rëndësishme e jetës dhe e historisë së Kalasë së Dodës ka qenë shkolla dhe shkollimi. Në libër bëhet një përshkrim historik i mejtepeve, i luftës kundër analfabetizmit, i ngritjes së arsimit fillor e shtatëvjeçar, për të ardhur deri te shkollat e mesme në Ceren, Bushtricë, Fshat, Kalis. Bashkë me arsimin, edhe kultura është pjesë e jetës. Ajo është pasqyrim social-ekonomik e social-kulturor i një kohe të caktuar. E kanë drejtuar mësuesit dhe specialistë të kulturës. Këngët e vallet e Kalasë janë duartrokitur në festivalet e rrethit e më tej.
Një faqe e veçantë e librit është jeta fetare në Kala të Dodës. Ajo është një trajtesë e mirëfilltë shkencore si për një konferencë shkencore me këtë tematikë. Është një ndër ato faqe libri ku njeh Kalanë e Dodës e njerëzit e saj historikë e aktualë. Ja një shembull i këtyre njerëzve. Në libër shkruhet: Thuhet se dy djemtë e Teqesë së Shkurtit në Gjegje – Nebiu dhe Sula kanë marrë pjesë në luftën ruso-turke (1877-1878) dhe shpatat e tyre janë ruajtur aty (në teqe).
Libri është enciklopedik. Aty është edhe etnografia, edhe e folmja. Aty ka edhe kanun, edhe folklor. Shih, p.sh., konceptin etnografik lisi i gjakut (lidhja nga babai) dhe lisin e tamblit (lidhja nga nëna). Një lidhje tjetër që shpjegohet hollësisht në libër është organizimi dhe vetorganizimi i katundeve, siç u tha, me vetëqeverisjen e tyre.
Ngaqë e kemi afër Kalanë, kemi pasë menduar se e kemi njohur dhe e kemi ditur. Jo dhe aq. Besoj që nuk e njohim kalendarin popullor të Kalasë. Ndoshta, nuk njohim as tetë festat? Ja cilat kanë qenë: ♦ Kryet e motmotit (a Shëngjergji) – 6-8 maj; ♦ Të korrat – 23 qershor; ♦ Festa e maleve (e mesverës) – 7 gusht; ♦ Dita e vjeshtës – 21 shtator; ♦ Mesi i vitit (Shëmitri) – 5, 6 nëntor; ♦ Buzmi – 22 dhjetor; ♦ Mesdimni – 5 shkurt; ♦ Dita e verës – 22 mars. E tërë jeta dhe e tërë puna është bërë sipas këtij kalendari. Lexojeni në libër këtë pjesë se do të mrekulloheni me konceptin kohë e mot!
Një përshkrim i plotë etnografik, por edhe përmallues për ndonjë të moshuar e shumë informues për këta të brezit të sotëm është martesa: shkuesi e shkuesia, kthimi i bukës, përgatitja e pajës, lypja e nuses në muajin e gjatë, dasma me natën e farës, organizimi i dasmës, lojërat në oda, ardhja e dajave, kanaxhinjtë e arkat e nuses, marrja e nuses e ardhja e nuses, nata e kurës (gjerdekut) dhe këngët e asaj nate pak si të lirshme, lodrat (daullet) dhe pushka e dhëndrit, myzhdexhiu e përcjellja e dajave, daria (paja) dhe tregimi i pajës etj. Ditën e ekspozimit të pajës (është dita e dytë e dasmës) ka një konkurs të vërtetë bukurie. Tek oda e grave, bashkë me nusen e sapoardhur mbështeten për muri edhe nuse të tjera të atij viti. Janë nuse të vëllazërisë, të fisit, të mëhallës, por edhe të nipave të shtëpisë. Kur hyn, secila nuse përshëndet me temená grarinë e odës dhe zë vend te muri më këmbë. Ndërkohë, vajzat improvizojnë këngë për bukurinë e tyre.
Autorët kanë shpalosur edhe krijimtarinë gojore popullore të krahinës. Sigurisht. Sepse krijimtaria gojore popullore është pasqyrim estetik i jetës së njeriut. Shih këngët e motmotit dhe festat e motmotit.5 Shih këngën “Oj Fusha e Korabit”. A mund të trajtohet ajo si këngë kurbeti? Folkloristët e dinë. Ne mendojmë se është këngë shtegtimi, këngë jete dhe pune. Sepse deles i shkohet prapa. Dhe deles i kanë shkuar prapa edhe profetë. Është këngë për tufat e për shtegtarët. Sidoqë të mendohet, lexoni shkrimin e posaçëm të bashkautores Mira.
Shih baladën “Kajka e Rexhës”. Djepi i saj, – thotë Jahe Delia, – është Radomira. Te kënga është jeta dhe vdekja, lumturia dhe vuajtja, dashuria dhe dhembja. Dhe stoicizmi. Dhëndri vritet ditën e martesës. Çfarë s’i ndodh njeriut! E tërë kënga është monologu vajtimtar (i nënës). Ajo mallkon kalin që e la pa djalë. Në odën e burrave ka heshtje. Për tragjiken. Nga tragjikja. Cila është etika e këngës? Lexuesi ka rastin jo vetëm ta lexojë këngën, por të shohë edhe komentin e zgjedhur për të.
Jemi te krijimtaria gojore dhe te jeta. Shih mjedisin tipik kaladodas te “Motra me nanë vllazën”: Motra në dhé të huaj ka shkuar te kroi e po mbush enët. Dhe fjuturon një laskër e bie përmbi krue. Laskra e bardhë me bishtin e zi. Laskra sjell lajme. Po këndoi laskra diku te një pemë e jona, na vjen një lajm! Diku thuhet pëllumbi. Ne kemi laskrën.
Shih besën shqiptare te “Motra me nanë vllazën” (varianti arbëresh “Kostandini dhe Doruntina). Hiseni, ma i vogli vëlla, ngrihet nga varri për të sjellë motrën sipas besës së dhanëme (Ani thkee kraiet ka çai mali zi, / Hiseni, ma i vogli, po vain me t’marr ti / Fjuturon si shqipe n’gjokin pullali). Shih gjokin. Dhe gjoki është i Kalasë.
Le të shohim përrallat e episodet në përralla. Edhe këtu është jeta. E mira dhe e keqja. Lufta e përhershme kundër së keqes. Situatat e habitshme. Mrekullorja. Ngadhënjimi. Morali. Lexoni në libër përrallën I vdekmi dhe i xhalli se do të mrekulloheni edhe tani, në kohën e internetit.
Krijimtaria gojore popullore – e kemi fjalën posaçërisht për poezinë popullore – është pasqyrim estetik edhe i historisë së popullit tonë. Autorët citojnë studiuesin francez, Hekar: «Po të duam ta rindërtojmë historinë e Shqipërisë, duhet të mbledhim me kujdes këngët e saj popullore». E vërtetë. Lexoni këngët historike e këngët e trimërisë së Lumës. Shihni këto dy palë vargjesh për të kujtuar ngjarjet e mëdha:
Çohet n’kam Kalisi e Qafa, / Me ni mij po vain Mustafa.
Dhe:
Kur vikati Petro Krali, / Prizrenin kush e kalli? / Qazim Lika e Bajraktari.
Një zë më vete në libër është e folmja e Kalasë së Dodës. Siç dihet, gjuha e përgjithshme, mbarëkombëtare ka variante krahinore. Variantet nuk e prishin njësinë (unitetin) e përgjithshme të gjuhës. Si ekziston kjo simbiozë e si zhvillohet më tej? Ka faktorë socialë. Ndërkohë, është vërtetuar shkencërisht që për arsye historike që dihen, për gjuhën e përbashkët letrare shqipe, variantet krahinore, domethënë, të folmet kanë edhe rol kontributor pasurues. Gjuha e njësuar letrare shqipe – me termin e sotëm – gjuha shqipe standarde – merr nga të folmet fjalë e shprehje që sjellin vlera pozitive për të. Dhe atëherë, të tilla fjalë e shprehje fitojnë të drejtën e qytetarisë, domethënë, fitojnë vlera letrare reale. Ky pasurim i gjuhës standarde me fjalë e shprehje nga të folmet popullore ka edhe gjeografi të caktuara. Për shembull, gjeografia e fjalëve që kanë të bëjnë me bjeshkët e me ujërat, e profesionalizmave që kanë të bëjnë me mbarështimin e deles, me përpunimin e leshit e të bulmetit, ose e etnografizmave që lidhen me veshjen, gatesat etj. mund të vijë nga e folmja e Kalasë. Të tilla ka edhe te libri i Beqirit dhe i Mirës. Shih: p.sh., te krijimtaria gojore e tek emërvendet. Fjalët e shprehjet popullore, të pasqyruara në këtë libër na bëjnë me dije edhe për disa veçori gjuhësore të leksikut të këtyre anëve, çka do të thotë se shërbejnë për kërkime të mëtejshme krahinore e dialektore.
Në fund, autorët vijnë me propozime për riorganizimin administrativ të Kalasë së Dodës. Dhe, sipas autorëve të librit, po të miratoheshin, do të ishin me shumë vlerë. Kurse shkrimi përmbyllës, Kalaja e Dodës, një vend me burime të mëdha turistike duket si një sintezë e si një përfundim i tërë asaj që është thënë më parë. Ai duket sikur thotë: Ja, kjo është Kalaja e Dodës. Vërtet, kjo është Kalaja e Dodës – me visore (peizazhe) e me histori, me kulturë e me qytetërim, me etnokulturë e me folklor, me djem e me cuca, me burra e me trima.
Kalaja e Dodës na ka ardhur edhe nga konsulli e albanologu austriak, Johan G. von Hahn, me librin e tij, me titull “Udhëtim në luginën e Drinit e të Vardarit”. Na ka ardhur edhe nga syzet e konsullit rus, Jastrebov (Staraja Serbia i Albania). Ata kanë qenë të huaj dhe librat e tyre janë udhëpërshkrime a siudhëpërshkrime. Sigurisht, edhe me njohje të pakta: sa u thoshin të tjerët a ç’mund të rroknin për momentin aty ku ndodheshin. Ndonjë – Jastrebovi, edhe me qëllime jo të mira. Kurse autorët tanë janë rrënjës. Me dije dhe formim për atë që shkruajnë. Dhe dashatarë të përzemërt të Kalasë së tyre. Dhe janë të sotëm. Kësisoj, libri i tyre i lë shumë prapa ata të parët.
Kalaja e Dodës na vjen edhe në libra e në shkrime të veçanta nga autorë të tjerë vendës a më tej se vendës: Fejzulla Gjabri, Hamid Noka, Hysë Hasa, Isa Halili, Ismen Brika, Jahe Delia, Mevlan Lushi, Metush Skeja, Muharrem Mezini, Nezir Jata, Shefqet Domi, Shefqet Hoxha, Xhavit Lashi, Xhemal Domi etj. Të gjithë këta kanë shkruar mirë e bukur. Në mënyra të ndryshme e me përfshirje e qasje të ndryshme. Libri i Beqir Shehut dhe i Mira Shehut është gjithëpërfshirës. Ai rreshton fakte e të dhëna deri tek administrimi i brendshëm i shtëpisë (shihni, p.sh., të drejtat dhe detyrat e zotit të shtëpisë dhe të zonjës së shtëpisë). Shih edhe benë e betimin. Ja dhe një fakt, në dukje i vogël, por jo i parëndësishëm: Në vitin 1950, në shtëpinë e Skënder Krroqit është hapur ambulanca e parë mjekësore për krahinën. Ja edhe një fakt tjetër – toponimi Vorret e Vashave në Radomirë. Aty varroseshin vajzat e pamartuara. Domethënia e toponimit është e spikatur. Janë ushtruar qitja, kalërimi dhe mundja në Kala. Ai që fitonte garën, merrte dashin. A do, ndërkohë lexuesi të dijë për Gurasenin? Le të lexojë citimin nga Ami Boué. Po kush e ka ndërtuar Kroin e Mirë? E keni në libër: Safet e Sami Sadiku (Lamallari), më 1938. Por në libër nuk ka vetëm fakte e të dhëna. Ka edhe shpjegime e komente shkencore – historike, folklorike, etnologjike, etnografike, toponomastike etj.
Në libër ka aq shumë tema. Por ato përbashkohen në një. Si ngjyrat te spektri i dritës. Si shtatë ngjyrat e ylberit. Dhe ky ylber është Dheu i Kalasë së Dodës. Brenda së përgjithshmes e përbashkueses, autorët kanë ditur të japin të veçantën e përdalluesen (p.sh., për Kalisin e Vilën).
Libri ka harta e fotografi. Këto janë një vlerë më vete. Citimet në raste të caktuara nga të tjerët e bëjnë librin shkencor dhe ia rrisin vërtetësinë dhe vlerën thënies së autorëve.
Libri do të ketë me siguri vendin e tij të merituar në fondin e botimeve të këtij lloji në Shqipëri e në viset e tjera shqiptare. Me siguri do t’i referohen për libra të tjerë në të ardhmen.

1 Tabe (turqisht tabje) fortifikatë e vogël; llogore.
2 Në Arabinë Saudite, në Taif, 70 km tej Mekës rritet një lari (varietet) trëndafili erëndshëm, që nuk e ka asnjë vend tjetër i botës. Çdo vit aty bëhet panairi botëror i trëndafilave.
3 Kreu a reizi i dheut zgjidhej nga kuvendi. Ndërrohej nga kuvendi. Nuk mund të zgjidhej më shumë se dy herë. Demokraci krejt e kulluar.
4 Shpinaxhri (Ne e kemi rindërtuar Shpinagri) në Kalis = mal që është si shpina e agrit: Kepi i Shpinaxhrit / Shullani i Shpinaxhrit / Udha e Shpinaxhrit. Edhe në Berat ka Shpiragu (rotacizmi n → r). Agër e shpjegon prof. Çabej me një fjalë të moçme të shqipes, gare, që e ka Buzuku = gomar, magar. Prej indoeuropianishtes. (Shih: Eqrem Çabej, Studime gjuhësore, Prishtinë, 1976, f. 30). Në të folmen e Ujemujës (qarku i Dibrës) gjallon kuptimi i figurshëm mbiemëror i fjalës agër “i trashë, gomar”, për dikë, me theks tek ë dhe me rr: agërr.
5 Është interesante të veçojmë te ritet e festimit të Ditëverës patkimin e shpendrës (shpendra është taçja) dhe të folesë së milingonave përreth dy javë. Ditën e festës, secila vajzë merr shpendrën e vet. Çdo vajzë merr një kupë dhé nga foleja e mizave. I vënë tek dyert e shtëpisë dhe të ahurit. Më shumë se paganizëm, na duket kujdesi për bimët dhe gjallesat: i ushqyen rreth dy javë.