Kur vjen një përvjetor…


Kalendarët shpalosin fletët një e nga një, siç përcjell dita orët, minutat, sekondat…siç pret zemra përvjetorët. Ato vijnë dhe ikin të heshtur, ngarkuar me mall e mirënjohje të pakufi, për ata që dhanë jetën për vatan, në emër të një ideali e ëndrre të bukur, ëndrrës së lirisë.
Edhe për ne familjarët e familjes Tola tetori sjell një përvjetor dhe ky i sivjetshmi është 74 vjetori i rënies së dëshmorit Myslym Abdulla Tola, lindur në 1925 në fshatin Ostren i Madh të rrethit Dibër.
I lindur e i rritur në një familje me tradita, i edukuar me ndjenjat e patriotizmit dhe dashurisë për atdheun, i ati, Abdullai, i cili për një kohë të gjatë qëndroi pranë Aqif Pashë Elbasanit, do të përcillte te djemtë të njëjtën traditë dhe, me fillimin e LANC, do ta shndërronte shtëpinë e tij në një bazë të saj. Kështu, ndërsa Arifi, djali më i madh, do të punonte në Komandën e Vendit, duke bërë pasaporta për ilegalët, Myslymi, djaloshi 17 vjeçar, do të braktisë mistrinë e çekiçin, do të rrëmbejë armët e do të bashkohet me partizanët e Brigadës së lV S, duke luftuar përkrah qindra të tjerëve, me guximin e trimërinë që e karakterizonte e duke zbatuar të gjitha detyrat e ngarkuara nga komanda e kësaj brigade. Por…
…lufta është luftë dhe si e tillë nuk do të kursente edhe jetën e këtij djaloshi gollobordas.
22 tetor 1944. Brigade e lV S po përleshet dhëmbë për dhëmbë me nazistët e ballistët në Prezë të Tiranës. Krismat e mitralozit të tij bashkohen me ato të të tjerëve, për të cilët liria vlen më tepër se edhe vetë jeta e tyre e re.
Lufta vazhdon e rreptë, por ka heshtur mitrolozi i tij. Një plumb do të presë në mes një jetë, një ëndërr, dëshirën për ta parë Shqipërinë të lirë.
Në kujtimet që sjellin sot të afërmit e tij, në këtë përvjetor, ka mall, ka dhembje e krenari jo vetëm për të, por edhe për dy dëshmorë të tjerë të fisit Tola: Mexhit Tafil Tola partizan i Batalionit të Dibrës, rënë me 23 gusht 1943 në Sofraçan në moshën 23 vjeçare, e Tofik Adil Tola, partizan i Brigadës së IV S, rënë në luftimet për çlirimin e Tiranës me 16 nëntor 1944.
E vështirë rruga e luftës, por më e vështirë ajo e lirisë. Këta djem, si mijëra të tjerë, do t’ia falnin jetën lirisë, duke u ngjitur kështu në panteonin e lavdisë së kombit.
Në përvjetorët e tyre ne mblidhemi e i kujtojmë, sjellim mbresa e vendosim lule, përulemi me respekt e i nderojmë, ndërgjegjja e kombit i thërret në promemorie, sepse ndërgjegja e kombit nuk vdes kurrë.

* Autorja është mbesa e heroit. Shkruar sipas kujtimeve të vëllait të dëshmorit Myslym Tola, Ramazan Tola.