Mollët e Dibrës: Nga prodhimi te tregu: një kalvar pengesash


Të prodhosh, është njëra anë e medaljes, tjetra është të shesësh produktin tënd. Nëse nuk realizohet e dyta, e para shumëzohet me zero. Janë disa hallka për të shkuar deri te shitja dhe këputja qoftë dhe e njërës prej tyre e bën të pavlerë gjithë zinxhirin.

Mbi 8 mijë ton mollë janë në pritje të tregut. Shumica e tyre rrezikojnë të prishen. Fermerët nuk kanë mundësi ruajtje, kështu që i janë rikthyer stivosjes në kavaletë.

Në Dibër sot numërohen mbi 500 mijë rrënjë të mbjellë me mollë, që e konvertuar në sipërfaqe do të thotë mbi 460 hektarë. Shumica e tyre janë në prodhim

40% e sipërfaqes është mbjellë me mollën Starking, 30% me Golden dhe 15% është mbjellë me Grin Smith. Pjesa tjetër janë lloje të ndryshme, që testojnë veten në tregun e prodhimit dhe të konsumit.

Një pikë tjetër e dobët e fermerëve, sidomos e atyre dibranë, është të qenit vetëm. Toka e paktë, mekanika disa herë e munguar, e bën shumë të vështirë daljen në treg. Është domosdoshmëri bashkimi i tyre në grupe prodhuese. Imputet, fidanat, plehrat, do të merreshin me çmime shumice, teknologjia e zbatuar do të ishte më cilësore dhe marrëveshjet me tregtarët do të lidheshin më lehtë.

Ne, dibranët, shpesh e përmendim mollën, si një nga krenaritë e vendlindjes dhe vërtetë e tillë është. Kjo kulturë drufrutore, me vlera aq të mëdha ushqimore, është bërë pjesë organike e tryezës në konsumin familjar. “Një mollë në ditë e mban doktorin larg” është një shprehje që preferojmë ta themi shpesh. Por, pas këtij fruti të bukur e të shijshëm, fshihet një kalvar i gjatë problemesh, që dhe pse shumë kohë ka kaluar e po kalon, nuk ka gjetur një zgjidhje të përshtatshme dhe të qëndrueshme. Ndaj, po po përpiqemi të japim një panoramë të përgjithshme të këtij problemi, hallkat, vështirësitë dhe mundësitë e zgjidhjes.

Një pasqyrë e shkurtër

Që para viteve nëntëdhjetë Dibra ishte e përmendur për rritjen dhe kultivimin e mollës. Blloqe të tillë, si Kastrioti, Sllova, Qenoku,Gjarajca, Pasmari, Ravnat, njiheshin dhe kishin bërë emër kudo. Frutat e Dibrës shkonin dhe në tregjet europiane, duke konkuruar me cilësinë dhe aromën aq të mirë. Pas atij shkatërrimi total, u duk se problemi u vu në rrugën e zgjidhjes. Për momentin tregu ishte goxha i uritur. Mollat, rrushi e një pjesë perimesh merreshin në Resnje të Maqedonisë, apo diku tjetër. Duke u shtuar numri i bimëve dhe hektarët e mbjellë me këtë kulturë, u arrit një balancë e prodhimit me konsumin e ka pak vite që kjo balancë është prishur. Dibra nuk i konsumon dot mollët që prodhon dhe detyrimisht, një pjesë e prodhimit duhet të kërkojë tregje të reja në Tiranë e akoma më mirë, në tregje të huaja. Falë një pune të palodhur të fermerëve dibranë dhe disa politikave ndihmuese e subvencionuese të qeverive ndër vite, Dibra e ka zgjeruar ndjeshëm hartën e sipërfaqes së mbjellë me këtë kulturë.
Po tu referohemi shifrave në drejtorinë e bujqësisë së rrethit, rezulton se sot kemi rreth 500 mijë rrënjë të mbjellë me këtë kulturë, që e konvertuar në sipërfaqe do të thotë 460 hektarë të mbjellë. Shumica e tyre janë në prodhim, përveç 30 hektarë që janë mbjellje të reja. Prodhimi i përgjithshëm është rreth tetë mijë ton. Nëse i referohemi strukturës varietore, ajo do të na rezultonte e tillë: Dyzetë përqind e sipërfaqes është mbjellë me mollën Starking, tridhjetë përqind i takon varitetit Golden dhe 15 përqind është mbjellë me Grin Smith. Pjesa tjetër janë lloje të ndryshme, që testojnë veten në tregun e prodhimit dhe të konsumit. Vitet e fundit po vihet re një tendencë për të futur varitete të rinj për vendin tonë si Fuxhi, Gala, Pink ledi, që po rezultojnë konkurruese, krahasuar me të tjerët, si ndaj sëmundjeve, ashtu dhe në kërkesat e konsumatorit.
Ne folëm pak më sipër për vitet para nëntëdhjetës,por fatkeqësisht shifrat e atëhershme në disa drejtime janë më pozitive. Vetëm dy blloqe masive, si Pasmari dhe Gjarajca e Brezhdanit i kalonin 350 hektarë, pra diku afër me shifrën totale të sipërfaqes së sotme. Cilësia e asaj kohe ishte super duke pasur një eksport të sigurtë në Gjermani, Çekosllavaki, apo diku tjetër. Po të llogarisësh faktin që këto dy masive të dikurshme, që sot janë të shkreta dhe për pasojë erozioni bën kërdinë, humbja bëhet dyfish më e madhe. Por nuk do qajmë shumë mbi qumështin e derdhur, por të shohim problemet dhe rrisqet e reja që i dalin sot përpara frutikulturës, mollës dhe fermerëve dibranë, në kushtet e ekonomisë së tregut.

histori fermerësh

Premtim Agolli, djali i një familje të madhe dhe me emër, nga Kërçishti i Maqëllarës, qe vendosur në Vlorë me familjen e tij. Një zë i brendshëm i thërriste për në vendlindje, ku kishte tokën dhe pasurinë, që i qenë mohuar dhe shfrytëzuar për dekada të tëra nga sistemi i mëparshëm. Po frynte një fllad i lehtë dhe frymëzues, si për shumë gjëra dhe për bujqësinë. Premtimi, bashkë me babain e tij, Agimin, filluan të mbjellin fidanët e parë të pemëve frutore. Falë dhe ndihmës nga disa skema subvencioni në bujqësi, arritën të mbjellin jo pak, por dhjetë hektarë pemtore, ku katër prej tyre ishin me mollë. Pas shumë vitesh hyrje në prodhim, apo dëmtimi nga kroma, para dy vitesh arriti të marrë një prodhim prej njëmijë kunjtalë mollë, të një cilësie mjaft të mirë. Një tregtar nga Fushë Kruja, e mori prodhimin direkt nga parcela. Kjo pati një ndikim shumë pozitiv në xhepin dhe shpirtin e fermerit, që aq shumë kishte investuar në pemtoren e tij.
Viti i kaluar dukej sërish shumë i mbarë dhe Premtimi shpresonte një sukses të ri. Por nuk thonë kot, se bujqësia është industri pa çati dhe ngricat e 21 dhe 22 prillit të vitit ta kaluar e zhbënë gjithë atë panoramë të bukur të prodhimit, sikur të mos kishte qenë fare. U dëmtua pemtaria në Dibër, Korçë, Kukës e pak më gjerë. Patëm shkruar atëherë se vetëm Dibra mund të kishte pësuar një dëm prej dhjetë milion eurosh. U hodhën sytë nga qeveria, por që aty asgjë nuk erdhi, megjithë ca gjysma premtimesh të dhëna. Të paktën një kompesim për shërbimet e kryera, do të kishte qenë një ndihmesë e madhe për fermerët halleshumë. Premtim Agolli, si dhe shumë të tjerë,ndodhej në kufinjtë e mbijetesës. Ky vit dukej mjaft i mbarë, në gjitha kulturat drufrutore. Të paktën kjo do ta harronte katastrofën e vitit të kaluar, duke hapur një faqe të re. Por nuk qenka e thënë, që gjërat të shkojnë ashtu siç i mendon njeriu. Një tjetër armik, breshëri, godet tre herë, si rrallë vit tjetër, prodhimin e mbarë. Më pas pati dhe një stuhi në fillim të shtatorit, pak para vjeljes, që hodhi në tokë 300 kuintalë, apo gati një të tretën e prodhimit. Megjithë këto dëme, kishte vend për besim, për shpresë, ishin dhe 600 kuintalë të tjerë, që gjithsesi do ta shpërblenin disi mundin e fermerit. Por më pas erdhi një tjetër pengesë, gjetja e tregut. Sa kollaj ta shkruash me dy tre rreshta, me mendjen e qetë dhe xhepin të padëmtuar dhe sa vështirë ta përjetosh këtë moment në rolin e prodhuesit, gati si një tragjedi. Ta shohësh para teje prodhimin që po kalon fazën e pjekjes dhe ti je në dilemë se çdo të bësh me të. Ta lesh aty në pemë dhe të mos merresh më kurrë me të, apo ta vjelësh, duke shtuar dhe goxha para të tjera në listën e gjatë të shpenzimeve të deritanishme. Ditë e netë pa gjumë në kërkim të një zgjidhje, që të ishte më e mira e mundshme. Ai nuk kishte një frigorifer të tijin dhe pse e pat dëshiruar aq shumë. Kërkoi të gjejë një të tillë, duke i paguar qiranë. Më së fundi bëri një marrëveshje, për të marrë dy dhoma me kapacitet 30 ton secila, dhe një qira totale 900 mijë lekë në muaj. Premtimi nuk shpreson të gjejë treg për ta para pesë muajsh, që do të thotë se pesë milionë lekë do të shkojnë vetëm për qiranë dhe transportin. Ja kështu vazhdon të endet fermeri ynë në pritje, në një pritje me pak shpresë, i lodhur fizikisht dhe shpirtërisht, me shumë pak forca, moral dhe para në xhep, për tëfilluar një vit të ri bujqësor.

Qerim Kadriu është një agronom me eksperiencë në qarkun e Dibrës, me pak vite për të dalë në pension. Ai kishte këshilluar gjithë jetën fermerët, për eksperienca dhe teknologji të reja, por dhe vetë ishte përpjekur të bëjë diçka konkrete. I fortë fizikisht, me njohuri të mira teorike, ai merr me një qira simbolike, nga disa miq të tij, një ngastër prej tre dynymësh, të mbjellë me mollë. Pas dështimit nga bryma dhe ngricat e vitit të kaluar, këtë vit Qerimi i kreu të gjitha shërbimet, që nga plehërimi, krasitja, spërkatjet, rrallimi. Prodhimi qe i kënaqshëm dhe i një cilësie mjaft të mirë. Qerimi shiti vetëm njëzetë kuintalë mollë, kurse pjesën tjetër e ka kavaletuar në parcelë. Të shtrira në kashtë thekri dhe të mbuluara po me kashtë. Pak dhe sipër dhe një plasmas mbi të. Kaq mund të bënte Qerimi për prodhimin e mbetur. Ai nuk kishte as arka, as frigorifer dhe aq më pak treg. U shfaqën kavaletat e dikurshme, që i kishim harruar. Qerimi shpreson të gjejë dikë, qoftë dhe me një çmim të vogël, sa për ti shpëtuar mollët nga kalbëzimi e dëmtimi dhe për ti hedhur xhepit të tij ca para të tjera, në këmbim të asaj lodhje të madhe që provoi këtë vit.
Pati dhe ndonjë fermer fatlum që mbijetoi në tregun e hallakatur të mollës. Festim Tema nga Dovalani është njëri prej tyre. Festimi është serioz dhe me disiplinë të lartë pune. Në shtatë dynymë mollë që kultivon, ai prodhoi mbi treqind kuintalë mollë. Falë një cilësie shumë të mirë, ai arriti ta bindë Visin, tregtarin e Fushë Krujës, t’ja marrë prodhimin që në parcelë, me një çmim mjaft të leverdisshëm. Festimi dëshiron të mbjellë dhe tre dynymë me mollë të tipit Fuxhi, por ajo ka një kosto goxha të lartë, pasi i duhen jo pak por 15 milionë lekë, për të realizuar një projekt të tillë.
Janë dhe disa fermerë të tjerë nga Melani, si Zamir Mehmeti, Arsen Tifeku, Zehni Sula e ndonje tjetër, që me pak vështirësi e kanë shitur prodhimin e tyre dhe bëhen gati për sezonin e ri.

Treg i çoroditur

Të prodhosh, është njëra anë e medaljes, tjetra, po kaq e rëndësishme, është të shesësh produktin tënd. Nëse nuk realizohet e dyta, e para shumëzohet me zero. Janë disa hallka për të shkuar deri te shitja dhe këputja qoftë dhe e njërës prej tyre e bën të pavlerë gjithë zinxhirin. Kam asistuar në disa trajnime për të përcaktuar markën e prodhimit në qarkun e Dibrës, qoftë kjo për djathin, jufkat, apo dhe për mollën. Për të arritur në finale, për të lidhur kontratën, patjetër duhet të garantosh dy tregues: sasinë dhe cilësinë. Kjo do të thotë që një prodhues i një produkti të caktuar duhet të prodhojë për aq kohë dhe në atë cilësi, siç është përcaktuar në kushtet e kontratës.
Por, a është në gjendje fermeri ynë, prodhues i mollëve të lidhë një kontratë? Jo e pamundur, por disi e vështirë, për disa arsye. Kur thamë që bujqësia është “industri pa çati”, kemi parasysh dhe vite të vështirë, siç qe ai i vitit të kaluar, kur u prish gati i gjithë prodhimi. Me se do ta garantonte fermeri kontratën e lidhur? Në këtë rast, veç humbjes së prodhimit, do të duhej të paguante dhe për moszbatim kontrate. Po këtë vit që breshëri e dëmtoi cilësinë e mollës në disa rajone? Sërish pasojat do të ishin të njëjta. Në kushtet kur mungojnë shoqëritë e sigurimit për vitet që dëmtohet prodhimi, në kushtet kur fermeri nuk ka kapacitete financuese për të vënë rrjeta antibreshër, gjërat do të ngelen në mëshirë të fatit. Njerëzit do të hapin sytë nga qielli, me shpresën se nuk do të ketë faktorë të dëmshëm atmosferikë.
Një pikë tjetër e dobët e fermerëve, sidomos e atyre dibranë, është të qenit vetëm. Toka e paktë, mekanika disa herë e munguar, e bën shumë të vështirë daljen në treg. Është domosdoshmëri bashkimi i tyre në grupe prodhuese. Imputet, fidanat, plehrat, do të merreshin me çmime shumice, teknologjia e zbatuar do të ishte më cilësore dhe marrëveshjet me tregtarët do të lidheshin më lehtë.
Ka disa vite që Visi, tregtari nga Fushë Kruja, ka marrë sasi të konsiderueshme molle te disa fermerë. Por dhe këtu nuk ka kontrata të rregullta paraprake, por biseda me fjalë vetëm një javë para tërheqjes së mallit. Këtë vit, erdhi në Dibër, me ndërhyrjen e kryetarit të bashkisë, një kompani kosovare, “Doni Frut”. U bënë disa përçapje që në verë me qershinë, për të vazhduar më pas me mollën. Bile punët shkuan dhe më tej, duke caktuar një person kontakti dhe duke dhënë një vend, që do të shërbente si pikë grumbullimi. Në të dy rastet, qoftë me qershinë, qoftë me mollën, punët dështuan, duke lënë një shije jo të mirë. Në rastin e parë u kthye nga kish ardhur një makinë me qershi nga ferma Doda dhe në rastin e dytë një makinë me mollë, nga ferma Zebi. Gabimet qenë të dy palëve. Së pari, duhej nënshkruar një kontratë, që duhej respektuar nga dy palët dhe së dyti malli duhej të merrej në vend nga një përfaqësues i kompanisë, procedura këto që i përmendëm dhe më sipër.
Po mbyllet dhe ky vit bujqësor. Fermeri dibran, sa vjen e pështjellohet më shumë. Mendimet i vijnë të turbullta. Ta mbajë apo ta heqë qershinë? Ta mbajë apo ta heqë mollën? Të mbjellë arrore apo jo? Kush mund ti japë një mendim, një zgjidhje, një ndihmë, le t’ja japë sa më parë, pasi më tej do të jetë tepër vonë. Njerëzit do të kenë ikur nga sytë këmbët në dhera të huaj, duke lënë pas Dibrën e dashur, megjithë pemtoret e ngritura me aq mund e gjak.