Psikologji dhe traditë të shkrira bashkë në vëllimin poetik “Udhë në pasqyrë”


Si rastësisht u ndodha në promovimin e këtij vëllimi poetik. Pashë poetë, aktorë, politikanë e përgjithësisht njerëz të dijes. Isha në shoqëri me Zabit Lleshin, që më prezantoi me autorin. Veprimtaria filloi me urimin “Urime” dhe mbaroi po me këtë urim. Librin e morën dikush nën sqetull e dikush e vendosi në makinë, sipas gradës ekonomike. Një paraqitje libri mjaft dinjitoz nga Botimet M&B. Unë e mbaja në dorë.
Pa arritur të ulesha diku, shfletova disa poezi në autobus. Në fakt, edhe pse u thanë fjalë të mira në promovim, (se zakonisht të tilla fjalë thuhen në këto raste), meqë nuk kisha asnjë njohje personale me autorin, (edhe pse është person publik), vargjet nuk më ‘lëshuan’, aq sa kisha kaluar një stacion autobusi më tepër nga ku duhej të zbritja. Ndjeva se poeti Ahmet Prençi ishte afër meje, tashmë jo si mbrojtës i ligjeve shtetërore, por si mburojës e shpalosës i ndjenjave njerëzore. Dhe këtë e ndjen poeti dhe shkencërisht e jep psikologu, se poezia vjen para psikologjisë.
Në poezinë e tij sikur shkrihen të dyja: Poeti me psikologun, bazuar në traditën tonë popullore. Aty tradita shihet në kohët e sotme, së brendshmi, me trokun e melodive të një shpirti të pasur, të mbushur me ndjesi, përjetime, mbresa, emocione, gjendje ballafaquese. “Ne ikëm në qytet./ Mbyllëm shpi e katandi, / Llambat e vajgurit s’janë për qytetet! /Po nëna e mori, e ruajti të shtrenjtë/Aty pran dritares, …(Llamba e vajgurit). Udhë në kohë jo shumë të largët, paraqitur me llampën dhe nënën., si “për të ndezur mallin në gji”.
Duket sikur në vargjet, strofat dhe poezitë e tij pikturon me ngjyra të forta kumte dhe ndjesi e mall, gjendje shpirtërore që dalin nga mesazhet, duke na dehur me temporitmin e vrullshëm të aktit poetik, në tentativën për të na ofruar te malli me dimensionet e një ëndrre, tek e cila na josh të besojmë dhe ne lexuesit e tij: “… E anuar kulla. / I dhëmbin ijet. / Kurrizi i dalë, / Rematizma i ka mpirë këmbët…”. Eh, sa prej atyre që ishin në atë promovim, kanë lënë kullat diku, që vazhdojnë të anohen! Ndoshta nuk ka nevojë ta çojmë deri në fund, se poeti na ka ‘sqaruar’se: “E shkreta vatra e udha pa njerëz / vdes edhe Planeti po s’pati njeri! (Kulla).
Poezitë e tij kanë impresione burimore, të nxitura nga tradita e krahinës, por jo vetëm. Poeti rikrijon struktura poetike me mjete moderne, duke e tejkaluar objektin e tradicionalizmit me nëntekste të reja. “Ne mblidhnim xixëllonja në grushtat e dritës/I fusnim në magje që të shtohej mielli,/Në mbrëmje kur Drini puthej me brigjet/ e në buzë laureshe këndonte fyelli…”. (Për vete). Kemi të bëjmë me një poezi dinamike, që rrok hapësira jete në lëvizje, nga një besim pagan, po aq edhe fëmijëror, pasuar nga dy vargje që përndizen në vatrat e përflakura të metaforës në ‘buzë laureshe me fyell’. Aty është e dukshmja dhe e padukshmja, e thëna dhe e nënkuptuara, tradita dhe psikologjia. Fundja të gjithë mosha madhore mbajnë mend se mblidhnim xixëllonja e i hidhnim në magje të miellit. Poeti e ka ngritur në art këtë yshje, duke shprehur një botë ideo-emocionale, siç është vetë jeta njerëzore.
Poeti shkon më tej, në botën e perëndive. “Perënditë në Olimp i kanë shtëpitë/ në Korab bëmat, intrigat dashuritë” (Korabi). Si njohës i mirë i mitologjisë, i miteve ballkanike, na jep se “..përtej reve, përtej qiellit, përtej ëndrrës…”, ka verbe dhe pasione deri nga më të ligat. Ballkani me majat e tij më të larta, një ndër të cilat është Korabi, kanë pësuar nga ato bëma dhe intriga të kurdisura në Olimp apo edhe më sipër, në Karpate. Të paktën kështu e kuptoj unë. Nuk e shtyn më, por më tej thotë: “…në urrejtje jam prap naiv, / s’di të urrej, ose urrej shumë pak” (Harku i Ylberit). Të ecësh në udhën e poezisë, nuk do të thotë se je naiv, por do të thotë të jesh i pushtuar nga magjia e fjalës, (se atë ka poeti).
Bota e paraqitur në poezitë e Ahmet Prençit mbart gëzime, hidhërime, dashuri, iluzione, duke flakur çdo çast të keqen nga vetja dhe nga të tjerët, në emër të një sistemi vlerash, tek të cilat beson. Përsa i përket Olimpit dhe Korabit, beson dashuritë e urren intrigat. Gjithkund e gjen në këtë vëllim këtë dukuri. Poeti, ndërkohë që i ngre kult bukurisë njerëzore dhe, mbi të gjitha, të shpirtit njerëzor, mirësisë, dashurisë, fisnikërisë. Poeti “luan” me gjërat, në dukje, të imëta e të vogla, por që në fakt, përbëjnë raportet e tij me vetveten, me unin dhe jashtëunin, si: ‘Me nazet si Shotë, me hiret si Zanë”; me ata që e rrethojnë, duke na sjellë kështu hapësira të ndjesive dhe përjetimeve, “…I mekur pa fjalë nga hijeshia/ fustanellë me pala malesh,/ mbi supe Labëria”, në të cilat gjen trajtat dhe modelet e procedimit modern të aktit të shkrimit të poezisë.
Poezia e Prençit është një poezi në rrugëtim të natyrshëm drejt vetvetes, si njohës i mirë i psikologjisë njerëzore. Duket se jeta e ka përplasur me të mirën dhe të keqen, bazuar dhe në punën e tij profesionale. Diku stigmatizon dukuritë negative të individit dhe shoqërisë, ironizon dhe demaskon veset, cenet dhe maskat e kohës dhe të bashkëkohësve. “I admiron, të tallin/ i përkrah, të përdorin,/ i ndjek, të gënjejnë,/ i harron, të urrejnë, i përçmon, të vrasin (Qasje). Këto antiteza dalin aty-këtu së bashku me të bukurën, ndërsa poeti nuk di të ofendojë, edhe pse ndoshta është ndeshur me të ligën.
E shëmtuara, virtyti dhe vesi: “Çudi me njerëzit kërmij/ të vegjël, të mbrojtur me guacka,/ E gjuajnë çastin e bunacës,/ të sulen pas lëmshit në gracka”, vihen në antitezë me fisnikërinë, të bukurën: “Por unë jam përtej tyre / Jashtë pellgut jashtë bunacës…”, duke na përcjellë mesazhin e luftës së njeriut modern në shoqërinë globale për t’u vetëpërsosur në shkollën e madhe të bukurisë dhe të pasionit për vepra të drejta humane.
Vendlindja në mesin e luginës Drinit të Zi, duket që në fëmijëri e ka ndihmuar të shkruajë poezi, pasi kjo luginë (edhe vetë Drini) ka mjaft legjenda e gojëdhëna. Me këto gojëdhëna dhe legjenda merret ‘personazhi’ në disa poezi të vëllimit “Udhë në pasqyrë”, së bashku me enumeracionin e vendbanimeve ku kalon. Duket se poetit i kalon pranë kullës së tij: “Kulla ime shelg përkulet,/ Udha ime në pasqyrë, Mbyllet qielli si qepalla,/ Si qepalla që fsheh synë”. Ja mu këtu te kulla e vet, merr shkas për t’u vënë titullin poezive, vëllimit poetik. “Për mua jelek dhënduri,/ për motrën vello ari, /… Derdhesh, shkrihesh si sheqeri,/ nëpër male e nëpër fusha, me shtatë ngjyra si ylberi.” Diku është “djep kreshnikësh’, diku vjen si ‘shtopjzavalle’,/ me valët si ninullë, ../duke kaluar ‘Zall-Sopot, Murrë e Mallë, /Bicaj Luma e Veleshicë,/ zbresin si qingjat manar, n’gjunj ulen e pinë sisë” (Kalëron Drini i Zi). Zgjodha këto toponime të të lumit ‘tel sharkie’, sa për të prekur sadopak shijen artistike të autorit, me mallin e vendlindjes, që së bashku me kullën, të parët e bashkëkohësit në … “Dibër t’Madhe, Luzni e Muhur, Fushë-Alie, Reç e Dadhë..”, janë “Luftëtarë e mendjeartë”.
Tematika e poezive të Ahmet Prençit është e gjerë dhe e larmishme; ka brenda, flirtin, idilin, moskuptimin, pritjen, ikjen, “kthimin në fëmijëri”, ku “Sqepi i trumcakut thyhet pas xhamit”, si te balada e Nanë Vllazne, ku zogu (laraska) jep lajme. Në folklor poeti popullor ka thurur vargjet: -Moj laraska me penin e zi, a i ke pa nanë vllaznit e mi? Poeti e njeh këtë baladë, njeh folklorin dhe nëpërmjet kësaj pasurie të madhe të krijimtarisë popullore, të figuarave të tilla, jep artin bashkëkohor. Njeh heronjtë tanë, njeh Mahmut Dac Kalisin me “Shtatin në Veleshicë, kryet në Gjallicë…”, njeh heroizmat e Jasharëve, që “Në luginën e Prekazit bie shi,/…Pastaj përmes shiu,/ rrebesh me plumba zjarri,/Rrufetë si Zeusi/ i prêt Adem Jashari!
Temat janë nga më të ndryshmet, nga ato të Drinit me këngët e tij, të Kosovës, të Labërisë, ato të ‘hershmet’ me “Faraonë e skllevër”, me “Migjenin që më sfidoi mbrëme” e shumë e shumë të tjera. Ato sjellin jehonën nga e kaluara e afërt apo e largët, sjellin Prekazin, etj. Poeti “flirton” me ëndrrat, iluzionet, vjeshtën me kulumbritë, “motive në shi”, “Zjarrmia” pa kthim, “Guri i Shqipes”, me enigmat e tij të mbetura në hije etj, etj.
Me këtë vëllim poetik Ahmet Prençi përvijon individualitetin e tij si njohës i mirë i psikologjisë, traditave të lëna nga të parët, që di të bëjë art me to. Diku me rimë e diku jo, vargjet tingëllojnë ëmbël e të ngrohtë, të fuqishëm e mesazhdhënëse. Dikush në promovim tha se ‘ka shkruar e botuar poezi në shtypin e kohës para viteve 1990. Ndoshta aty janë fillesat, por nuk jam i bindur se ato poezi mund të jenë model për një poet tjetër. Koha e ka pjekur Ahmetin jo vetëm si shtetar të mirë, por edhe si poet e ndoshta më pas edhe si prozator. Sigurisht e them ketë duke lexuar poezitë e vëllimit “Udhë në pasqyrë”, ku afresku i gjendjeve, imazheve, mbresave, përjetimeve, kujtesave të sjella në art, në artin e shkrimit poetik, sjell prirje dhe tendenca të poetikës bashkëkohore mbarëshqiptare. Kjo duket te zhbirimet e holla psikologjike, etike, filozofike të shumë poezive të tij, që tregojnë shkallë të lartë mprehtësie dhe inteligjence natyrale, për të na dhënë peizazhe të thyera të jetës së gjallë dhe të shpirtit njerëzor.
Autori shkruan poezi, në disa prej të cilave tradicionalizmi si mënyrë jetese, tashmë jepet artistikisht me risitë e modernitetit të poezisë. Lexuesi ndjek vargun me rimë, asonanca dhe ritme të matura, që janë poezi të traditës sonë letrare, por në asnjë rast nuk bie në thjeshtëzime të tepruara, se “magazinier nuk bëhet poeti”. Ja, me elegancën e vargut, freskinë dhe modernitetin e figurës, ndonjëherë edhe spontanisht vargu del natyrshëm, me gjetje të veten, si pjesëtar i një shoqërie në liri, ndihet një misionar i lirisë, me hallet dhe problemet edhe të kulturës sonë. Sigurisht që ndihesh i afërt me njerëzit kur flet përmes ndjenjave.
Së fundi, të kesh redaktor Besnik Mustafajn, është privilegj, do të thotë se poezia ka vlera të shumta, ndryshe kalibri i shkrimtarëve të këtij rangu nuk merret me krijime të dosidoshme. “..një suprizë e bukur… – vlerëson Mustafaj. Por nuk do e kisha marrë marrë dot me mend se ai kishte gjithashtu aftësi t’i shprehte me poezi marrëdhëniet e tij të brendshme me botën që e rrethon”.