Shkolla shqipe në Radomirë


Shkolla e parë shqipe në Radomirëështë hapur në shtator 1940. Ajo është hapur në lagjen Rade. Lokali ka qenë në të majtë të rrugës këmbësore duke u ngjitur lartë nga mullinjtë e Dërbaçit për në Rade, në fund të arës së Cen Canes. Ndërtesa ka qenë një katëshe me dy dhoma. Ka pasur një burim ujë përpara dhe një kumbull. Mësuesi i parë ka qenë Alush Abazi nga fshati Vleshë. Nxënësit e kësaj shkolle janë Lutfi Selmani, Islam Selmani, Ramadan Ahmati, Zeqir Ahmati, Isuf Çaveçja, Madana etj. Jeton sot vetem Lutfi Selmani, i cili ruan kujtesë të mirë dhe ka mbresa të bukura nga shkolla duke i treguar me deklamacion. Unë e kam intervistuar disa herë. Vajzat nuk kanë shkuar në shkollë. Programi e financimi i mësuesit ka qenë shtetror dhe i unifikuar. Shkolla shqipe në Rade ka vijuar mësimet për një vit e gjysmë. Më pas është mbyllur, për shkak të rrethanave të kohës.
Shkolla e Rade ka qenë me drekë. Nxënësve u jepej një racion bukë gruri, një copë marmalatë dhe dy copa djath në formë trekëndëshi. Ushqimi merrej çdo ditë në Peshkopi. Ka qenë vendosur radhë për çdo fshatar, me detyrim, për të shkuar në Peshkopi e për të tërhequr ushqimin. Dreka e fëmijëve ka vijuar një vit. Financimi i drekës bëhej nga shteti. Më pas aksh njeri, për motive të mbrapshta, u ka thënë fëmijëve se djathi bëhet nga derri dhe fëmijët nuk e kanë ngrënë.
Shkolla e parë shqipe në Radomirë lidhet me emrin e Rrahim Dakut. Banorët e zonës e kanë quajtur shkolla “Rrahim Daku”. Ai ka qenë kryeplak si në kohën e mbretërisë dhe në kohën e pushtimit Italian. Në pranverë të vitit 1940 Rrahim Daku në marrëveshje më qeverinë e kohës ka marrë leje për të hapur shkollën shqipe në Radomirë. Me kontribut vullnetar e pak me detyrim, banorët e Radomirës kanë ndërtuar lokalin për afro 4-5 muaj. Në shtator 1940 shkolla ka qenë gati me programe shtetërore, me mësues, banga e gjithçka i duhet një objekti mësimor. Viti mësimor ka qenë me 32 javë. Kryeplaku Rrahim Daku niste fshatarët për të marrë ushqimin e nxënësive. Sa do të dëshiroja sot që komuniteti i Kalasë Dodës të marrë përgjegjësi për edukimin e fëmijëve të vet!
Shkolla e parë shqipe në Kala të Dodës është hapur në Ploshtan, shtator 1922. Përpjekjet e para janë bërë në vitin 1918. Nismëtar ka qenë Shefki Manallari nga Radet. Ai kishte pasur një biznes të vogël në Selanik. Nga Selaniku shkon në Itali ku qëndron disa vjet. Si në Selanik e në Itali kishte rënë në kontakt me idetë e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Në vitin 1918 kthehet nga Italia dhe hapën një klasë mësimi në shtëpinë e tij me fëmijët e fshatit. Kjo përpjekje nuk ka qenë e suksesshme, ashtu si përpjekja e Jemin Lalisë po nga Radet për tu mësuar djemve shkrim e lexim në gjuhën shqipe. Ai që e bëri realitet shkollën shqipe në Radomirëështë Rrahim Daku horizonti, vullneti e aftësia për të marrë vendime e për ti realizuar është për tu pasur zili.
Shkolla “Rrahim Daku” është mbyllur për tu rihapur në tetor 1944, në fshatin Dërbaç të mejtepi. Në vitin 1944 me detyrim kanë mësuar edhe vajzat. Por shkolla shtatëvjeçare e tetëvjeçare është hapur shumë vonë nëRadomirë , vetëm në vitin 1966, plot 26-vjet pas hapjes së shkollës shqipe të fshatit. Kjo rëndon mbi ndërgjegjen e autoriteteve drejtues arsimore të rrethit Dibër. Kur Han më 1863 ka vizituar Radomirën, thotë se ka gjetur qytetërim.