“Grazhdani i Dibrës” i Neki Osmanit, një libër me shumë vlera
Nga Osman Xhili


Vetëm pak ditë më parë, në një nga lokalet e bukura anës rrugës, në hyrje të fshatit të Grazhdanit u organizua një festë e vogël, promovimi i librit “Grazhdani i Dibrës”, me autor profesorin e nderuar të kësaj zone, Neki Osmani. Kishin ardhur shokë e miq të autorit nga Maqëllara, Peshkopia, nga Tirana, bashkëfshatarë të profesorit. Kishte ardhur televizioni i Bulqizës për të pasqyruar këtë event sa të bukur, aq dhe të rëndësishëm për komunitetin e më gjerë. Ishte i pranishëm redaktori i librit, doktor Hajri Mandri, gazetari dhe shkrimtari dibran, miku im i nderuar, Halil Rama, drejtori i T.V. Bulqizës, djali i fshatit të Grazhdanit, Edmond Isaku, Aqif Ademi. Në emër të bashkisë së Dibrës merrte pjesë Zamira Gjeleshi dhe plot të tjerë, prania e të cilëve i dha shkëlqim e kolorit këtij takimi mbresëlënës.
Sapo libri doli nga botimi dhe u hodh një njoftim i vogël në internet, qindra komente, falenderime, respekte vërshuan nga Dibra, nga Tirana, pse jo dhe nga Franca, Kili, Amerika, kudo ku jetojnë e punojnë grazhdanas dhe dibranë.
Në fjalën e tij, Hajri Mandri e vlerësoi mjaft punën e profesor Nekiut, si një përpjekje titanike, për të shpëtuar historinë e këtij fshati, që ajo të mos pësonte të njëjtin fat si Kalaja e Grazhdanit. Disa gjëra veniten, me kalimin e kohës, tha doktor Hajriu, të tjerat bëhen më të bukura e marrin ndriçim. Kjo vepër e profesor Nekiut, i takon kategorisë së dytë, pra, sa më shumë kohë të kalojë, aq më e vyer dhe më e kërkuar do të bëhet për njerëzit.
Vlerësim mjaft të mirë i bëri librit të këtij autori, gazetari dhe publicisti, Halil Rama. Ai tha se libri “Grazhdani i Dibrës”, është një mal historie, është kryqëzim i ngjarjeve dhe i fakteve. Është lapidar i personazheve që kanë ecur përmes epokave, në rrjedhën e vazhdimësisë, është pasqyrim i vërtetësisë historike të vjetër e të re, është simboli i një rrjedhshmërie ku renditen me art dhe vërtetësi figura e personazhe të shquar. Në këtë libër, vazhdoi ai më poshtë, ka dendësi ngjarjesh dhe faktesh, që pasqyrojnë në nivele të larta individë, fise, fshatra dhe epoka, që kanë formuar e formatuar trashëgiminë e pasur të Dibrës, trimërinë, dinjitetin, bujarinë dhe zgjuarsinë e bijve të tij, duke u bërë i veçantë në historinë tonë kombëtare.
Është për tu habitur se si autori i librit, profesor Nekiu i qëmton ngjarjet dhe faktet, tamam si ai arkeologu i kujdesshëm q mbledh copërat e një relike antike, apo si ai i paleontologu durimtar e stoik, që përpiqet të bashkojë në një trup të vetëm eshtrat e fosilizuara të një gjallese prehistorike. Nuk kishte se si historiku i këtij fshati të mos fillonte e të mos lidhej me kalanë e Grazhdanit, ndërtuar 2400 vjet më parë. Është për të vënë kujën, se si një monument kaq i madh në kohë dhe në shtrirje, (sipërfaqja e tij, 36 hektarë), të mbillet me grurë e misër, duke mbuluar mistere, që po t zbuloheshin, do të na jepnin lavdi dhe pasuri në të njejtën kohë.
Shumë e spikatur dhe korrekte është historia e fiseve të këtij fshati, një arkivë e vërtetë dhe e gjallë, të cilës me siguri do ti referohen njerëz të thjeshtë e studiues, sa herë që do tu duhet të shtjellojnë data, fakte, hipoteza apo mendime. Në matematikë ka disa teorema që pranohen pa vërtetim dhe q quhen lema, ndaj i tillë do të jetë dhe ky libër. Askush nuk do të diskutojë e hulumtojë më pas mbi gjërat e thëna këtu, por do ta marrë si të mirëqenë e të vërtetë të padiskutueshme. Çdo fis ka vlerat, personat dhe personazhet, që e lartësojnë dhe i japin shkëlqim. Njerëzit janë lulet që e bëjnë fisin një kurorë të bukur dhe fiset e bëjnë fshatin të tillë. Fshati i Grazhdanit është një bashkësi vlerash, saqë më kollaj është të tregosh çfarë nuk ka se të kundërtën. Ky fshat ka nxjerrë doktorë si Suzije Hoxha, farmacistë legjendarë si Faiz Halili, shoferë të talentuar si Pëllum Halili, Fadil Halili, Nuri Hoxha, këngëtarë si Ilmi Hoxha, Lirim Hoxha, Gerald Hoxha. Aty gjen profesorë të nderuar si Eqerem Hoxha, Xheladin Isaku, Abdi Spahiu, Neki Osmani, siç gjen mjeshtëra të krasitjes e të shartimit si Arif Hoxha. Ky fshat ka nxjerrë mundës të kategorisë së parë, siç ka nxjerrë dhe futbollistë të po këtij niveli. Ka nxjerrë valltarë dhe instrumentistë që kanë përfaqësuar jo vetëm fshatin, por vetë Dibrën në festivalin e Gjirokastrës dhe aktivitete të tjera.
Ky është Grazhdani i Dibrës dhe prapë asgjë nuk ke thënë për të. Sepse nuk ke përmendur ata burra trima që u përleshën fyt a fyt me serbin, se aq shumë e deshën lirinë dhe vatanin, më shumë se vetë jetën e tyre. Trima që shkuan, luftuan, ndoshta dhanë dhe jetën në luftën e Shkodrës ndaj Malit të Zi, luftëtarë që u rreshtuan në brigadat partizane,oficerë e komandantë me aftësi të spikatura. Grazhdani ka biznesmenë si Zaimi Korsi, Mond Isaku, Jashar Kurti e plot të tjerë, që dinë të punojnë, të fitojnë dhe një pjesë të këtyre fitimeve ti investojnë për njerëz në nevojë, për vepra bamirësie, apo, në art, kulturë, letërsi, media dhe të tjera drejtime si këto. Ndoshta do të thoshim dhe dy fjalë për emblemën e gjallë të këtij fshati Abdulla Agën, njeriun që po mbush shekullin. Abdullai ishte kryetari i parë i kooperativës, njeriu që përjetoi shumë ngjarje të rëndësishme të këtij fshati, anëtari i delegacionit shqiptar në Kinë, njeriu që u përpoq aq shumë për ndërtimin e rezervuarit të fshatit, ngritjen e blloqeve me pemë frutore, apo vreshtat që i rrinin fshatit si kurorë.
Nëse dikush do të dijë se si bëhej shirja e grurit disa dekada më parë, le të lexojë librin e profesor Nekiut. Nëse dikush tjetër kërkon të prodhojë e të përdorë niseshte bio nga gruri, le ta kërkojë atë në libër dhe me siguri do ta gjejë. Aty gjen ritet që janë përdorur nga njerëzit e këtij fshati, gjen fenë dhe besimin, pa të cilët nuk ka kuptim jeta dhe veprimtaria e një populli.
Nuk do ta tepronim po të thoshim se ky libër është një thesar vlerash, por ca më shumë se thesari i vërtetë, pasi atë mund ta lexojnë të gjithë, në të mund të marrë kush të dojë e çfarë të dojë dhe ai sërish nuk shteret e nuk pakësohet.

KOMENTI JUAJ