Kuvendi i Lezhës


“Lirinë mund ta kishit fituar me trimërinë tuaj dhe me një tjetër çlirimtar se Arbërisë nuk i mungojnë burrat. . Lirinë nuk ua solla unë, por e gjeta këtu në mesin tuaj. Armën nuk ua ngjesha unë, por ju gjeta të armatosur. Lirinë e kishit kudo, në kraharor, në ballë, në shpatë dhe në ushta”
(Skënderbeu, Krujë 1443)

Gjergj Kastriot-Skënderbeu ishte përfaqësuesi më konsekuent dhe me i shquar i elitës drejtuese shqiptare, i cili udhëhoqi me vendosmëri frontin e luftës së shqiptarëve kundër pushtuesve osman. Nën udhëheqjen e tij lufta e shqiptarëve u ngrit në një shkallë më të lartë dhe më të organizuar , e cila shënoi një kthesë vendimtare në zhvillimin politik të Shqipërisë. Krahas mbrojtjes së vendit ai i kushtoi kujdes edhe viseve të tjera të pushtuara shqiptare e cila ndikoi në forcimin e mëtejshëm të lidhjeve me banorët e këtyre viseve dhe në forcimin e bashkimit të të gjithë popullit shqiptar. Për ti bashkuar forcat shqiptare bashkë me princër të tjerë Skënderbeu më 2 mars 1444 në Katedralen e Shën Kollit në qytetin e Lezhës themeluan Kuvendin e Lezhës, e cila ishte i pari kuvend kombëtar i princërve dhe i fisnikëve shqiptar të shek. XV. Në këtë Kuvend morën pjesë Skënderbeu, Gjergj Arianiti, Andrea Topia bashkë me dy djemtë e tij, Gjergj Stres-Balsha, Nikollë e Pal Dukagjini, Teodor Muzaku i riu dhe disa pjestarë të tjerë të kësaj familjeje, Lekë Zaharia, Pjetër Spani bashkë me 4 djemtë e tij, Lekë Dushmani, Stefan Gojçini etj. Para mbajtjes së Kuvendit, ai zhvilloi paraprakisht me ta takime vetanake, si rrjedhojë e të cilave u vendos që të mbahej në Lezhë një kuvend i fisnikëve shqiptarë. U zgjodh Lezha si vend për mbajtjen e Kuvendit sepse kishte një pozicion gjeografik të favorshëm për mbajtjen e saj. Ajo ndodhej në afërsi me zotërimet e pjesëmarrësve kryesorë të Kuvendit, ishte e veçuar nga zotërimet e tjera të Venedikut dhe kishte lidhje të ngushta ekonomike me viset e çliruara shqiptare, veçanërisht me ato të Kastriotëve. Fjalën hyrëse dhe hapjen e Kuvendit e mbajti Skënderbeu, i cili u ndal në domosdoshmërinë dhe rëndësinë e bashkimit politik të shqiptarëve, ndërsa pjesëmarrësit të tjerë diskutuan format e bashkëpunimit dhe rrugët për realizimin e bashkimit politik të tyre. Kështu ata institucionalizuan Kuvendin si forumin politik më të lartë vendimmarrës të fisnikëve shqiptarë duke lënë mënjanë divergjencat të deri atëhershme ekonomike dhe politike të vendit duke nxjerrë mësim nga përvojat e kaluara.
Kryetar i Lidhjes u zgjodh Gjergj Kastriot Skënderbeut ndërsa Institucioni më i lartë vendimmarrës u bë Kuvendi i anëtarëve të Besëlidhjes, i cili do të mblidhej herë pas here për të diskutuar çështje të rëndësishme. Kuvendi vendosi që bashkimi të bëhej në formën e një besëlidhjeje të një aleance ushtarake nëpërmjet drejtuesve të principatës e të krerëve të tjerë të vendit që njihet me emrin Lidhja shqiptare e Lezhës. Në Kuvendin e Lezhës u vendos që të formohej një ushtri e përbashkët bërthamën e së cilës e formuan luftëtarët që i mobilizonte vetë Skënderbeu. Ushtria shqiptare përbëhej nga trupat e përhershëm dhe nga luftëtarë që mobilizoheshin vetëm gjatë kohës së luftës. Trupat e përhershëm ishin ndarë në dy pjesë kryesore. Njëra përbëhej prej 2000-3000 kalorës të armatosur lehtë të cilët i stërviste Skënderbeu dhe shërbenin si gardë personale e tij dhe pjesa tjetër ruante kështjellat e vendit dhe brezin kufitar në viset lindore. Në rast mobilizimi të përgjithshëm, forcat ushtarake shqiptare arrinin nga 20. 000-30. 000 luftëtarë duke formuar një ushtri të madhe për kohën. Me Lidhjen e Lezhës secili princ ruante autonominë e vet politike ndërsa Skënderbeu si kryetar i saj nuk kishte të drejtë të ndërhynte në zotërimet e sundimtarëve të tjerë, por caktimi i një udhëheqësi politik e ushtarak unik ishte një hap që ndihmonte për kapërcimin e përçarjes feudale. Pas Kuvendit të Lezhës, Skënderbeu organizoi një ushtri prej 8. 000 kalorës dhe 7. 000 këmbësor ku një të tretën e bënte garda e tij.
Kuvendi gjithashtu vendosi që të krijohej një arkë e përbashkët e cila do të administrohej nga Skënderbeu. Të ardhurat e saj do të vinin nga kuotat që do të jepnin anëtarët e Lidhjes. Krerët e vegjël që nuk jepnin dot para u ngarkuan të dërgonin më tepër ushtarë. Në këtë pikë Pal Dukagjini propozoi të caktohej edhe numri i ushtarëve që do ti jepte çdo kapedan, por pas shumë bisedimesh kjo çështje mbeti në pëlqimin e çdo kryezoti. Të ardhurat e përmotme të Skënderbeut ishin sipas Barletit 200. 000 dukata të arta nga pagesat e kapidanëve aleatë, nga të ardhurat e principatës së Krujës dhe nga kriporet e Shën Kollit të Gurrit afër Durrësit. Ushtria e ligës ishte afër 18. 000, gjysma kalorësi e gjysma këmbësi. Tri të katërtat ishin nga principata e atërore e Skënderbeut, krutjanë, matjanë, mirditas dhe dibranë. Pas përfundimit të Kuvendit të Lezhës, Skënderbeu i shoqëruar prej nipërve dhe Pal Dukagjinit u kthye në Krujë. Në Kuvendin e Lezhës qëndrimi i Venedikasve ishte tipik. Ata dërguan vëzhgonjës në Kuvend, për të dëgjuar dhe për të raportuar, por nuk morën kurrfarë zotimi, por i lejuan Skënderbeut ta mbante mbledhjen e tij në tokën venedikase(Republika e Venedikut në këtë kohë kishte nën zotërimin e saj shumë qytete të Shqipërisë).
Në Lidhjen e Lezhës u bë i pari bashkim politik në shkallë mbarëshqiptare që njihet në historinë e Shqipërisë. Skënderbeu duke qenë komandant i përgjithshëm, nën udhëheqjen e tij ushtria që ai udhëhoqi u bë tejet e organizuar në mbrojtjen e vendit. Tokat shqiptare për me se 25 vjet mundën tu bënin ballë vërshimeve të njëpasnjëshme dhe betejave masive, bllokadave dhe rrethimeve që organizoi Murati i II-të dhe i biri i Mehmetit të II-të të ashtuquajtur”pushtues të botës”, ku një pjesë e tokave shqiptare u përfshinë në një shtet të vetëm. Shteti i Skënderbeut kah vitet ‘60 arriti të shtrihej nga jugu në lumenjtë Devoll e Seman, deri në malësinë e Dukagjinit në veri, nga brigjet e Adriatikut në perëndim deri në Luginën e Drinit të zi në lindje. Por ky shtet nuk përfshinte të gjithë viset shqiptare. Forma e organizimit të shtetit të tij ishte e tipit të “monarkisë feudale” ndërsa ai mbante emrin “zot i Shqipërisë”. Si monark nxirrte dekrete për mobilizimin e përgjithshëm të popullsisë, për madhësinë e taksave, të doganave etj. Pranë tij vepronin disa këshilla si këshilli i princërve, këshilli i lartë, këshilli i luftës etj. të cilët i thërriste dhe këshillonte Skënderbeu për probleme të rëndësishme. Skënderbeu kishte të drejtë të konfiskimit të pronave, të drejtën për të gjykuar krimet e rënda si tradhti, spiunazh etj. Shteti i Skënderbeut kishte të gjithë tiparet e shtetit të asaj kohe, edhe pse ishte në luftra të vazhdueshme ai kishte simbolet e veta, flamurin, stemën, vulat, kishte arkën me të ardhurat nga doganat dhe taksat, kishte aparatin administrativ dhe padyshim ushtrinë.
Pushteti i tij ishte i trashëgueshëm. Kështu që gjatë ekspeditave në Itali, pushtetin ai ia la së shoqes kurse kur vdiq pushteti i kaloi të birit Gjon. Me vendimet e Kuvendit të Lezhës u bë një hap i madh dhe vendimtar drejt bashkimit politik të vendit dhe krijimit të një pushteti qendror të përfaqësuar nga Gjergj Kastriot – SkĽnderbeu, të cilin ai e fuqizoi gjithnjë e më shumë për të bashkuar sa me organikisht shqiptaret e viseve të lira shqiptare. Konsolidimi i Lidhjes së Lezhës në sajë edhe të mbështetjes së fuqishme të popullit liridashës shqiptar i dha Skënderbeut si udhëheqës i saj mundësinë që tu bënte ballë dhe me sukses situatave të vështira të një lufte të gjatë e cila u zhvillua menjëherë në dy fronte gjegjësisht kundër osmanëve dhe Venedikut.