Liman Hoxha, jo vetëm sukses, por edhe vlerë për të tjerët
Nga Shaqir Skarra


 

E njoh që herët, qysh në kohën kur jetoja në fshat e me Liman Hoxhën na ndante thjeshtë një përrua, një përrua i urtë dhe i dobishëm për fshatarët në verë, por në dimër egërsohej e merrte përpara drurë e shkëmbinj, të cilat përfundonin në lumin Drini i Zi.
Limani atëherë ishte djalë i ri, plot ëndrra për jetën nga më të ndryshmet. Në fillim kërkonte të arsimohej, por edhe pse me nota të mira nuk ishte kaq e lehtë. E drejta e studimit vinte me planifikim e një në familje e kishte të arsimuar. Fshati i lindjes ishte i vogël e ambiciet për të ishin të mëdha, nuk mund ti realizonte të gjitha këtu, ndaj familjarisht e së bashku me vëllezërit lëvizi drejt Tiranës qysh në vitin 1989. Kjo ishte një lëvizje e kujdesshme, por e mirë menduar.
Pas viteve nëntëdhjetë telat me gjemba u këputën e kloni nuk ekzistonte më. Askush nuk e pengonte Liman Hoxhën të çante dete e oqeane, të ecte nëpër botë, të punonte edhe si emigrant.
Rruga ishte çelur e Limani u bashkua me karvanin e madh të emigrantëve që kërkonin jetesën ndryshe. Punoi shumë, fitoi mirë dhe përsëri u kthye pranë familjes, pranë prindërve e vëllezërve.
Priste me ditë e net të tëra tani që u kthye nga migrimi për ëndrrën e kahershme , dëshirën por dhe amanetin e babait të tij Vexhiut ta bënte realitet. Dhe në fakt Limani si njeri kurajoz, i vendosur dhe me guxim e iniciativë bëri atë që askush nuk pretendonte ta realizonte në ato vite.
Mundin, djersën dhe sakrificën derdhur vite me radhë udhëve të botës filloi ta investoi në fushën e arsimit. Kjo ishte një sipërmarrje e vështirë ku risku i humbjes ishte i pranishëm kudo megjithatë Liman Hoxha nuk tërhiqej lehtë nga ato që kërkonte të realizonte.
Kishin kaluar vite të tëra që atëherë kur etja e dibranëve për t’u arsimuar u kurorëzua me sukses falë hapjes së shkollës së Kastriotit më 1924, shkollë kjo në ato vite me konvikt, ndaj dhe u quajt Internati i Kastriotit. Nga bangat e kësaj shkolle dolën shumë personalitete të shquara të kombit shqiptar në fusha të ndryshme si në politikë, shkenca, arsim, inxhinieri, mjekësi, art, ushtri e plot degë të tjera. Limani kishte dijeni për të mirat dhe dobitë që solli kjo shkollë në Kastriot në ato vite. Kishte takuar e biseduar shpesh herë me ish nxënës të asaj shkolle, me mësues që kishin dalë nga bangot e asaj shkolle. Por më kryesore kishte në shtëpi Vexhiun, babain e tij i cili e kishte përfunduar me nota të mira shkollën e Kastriotit dhe kishte qenë në një bangë me aktoren e njohur Besa Imami. Ndaj kur ishin bashkë djemtë shpesh herë u thoshte” kush ndërton një shkollë ka ndërtuar një xhami” pasi Vexhiu kishte edhe mjaft kulturë fetare dhe ishte një besimtar i devotshëm.
Megjithatë Limani në fillim kur sapo u kthye nga emigrimi do të merrej me tregti por kjo punë e shikonte se nuk i përshtatej shumë.
Një natë tek ishin mbledhur të gjithë vëllezërit së bashku u shprehu dëshirën dhe amanetin e babait: ”Ne jemi një familje arsimdashëse. Kjo zonë ku banojmë ka nevojë për një shkollë, një shkollë të mirë që të bëjë emër si shkolla e Kastriotit dikur.
Limani pasi mori edhe miratimin e vëllezërve, me dokumentacionin e nevojshëm me vete një mëngjes u drejtua tek Ministria e Arsimit, ku vetë titullari e priti me dashamirësi dhe i premtoi gjithë mbështetjen e dikasterit.
Hapja e shkollës jo publike “Sarina 2002” u bë realitet pasi kishte vdekur Vexhi Hoxha, por amanetin e tij Limani e çoj në vend.
Po kush është në fakt Liman Hoxha, ky njeri vital që çdo gjë e nisi në fillim me pak por gjithmonë duke ëndërruar për shumë?.
Ka lindur në fshatin Blliçe më 1966, në një familje me dije dhe kulturë, nga e cila ka përfituar shumë dhe Limani. Në vitin 1989 mbaron Shkollën e Mesme “Myslim Shyri” në Fushë-Çidhën dhe po në këtë vit shpërngulen familjarisht për në Tiranë.
Në vitin 1989-1990 mbaron kursin e Ushqimit në Tiranë. Më 1990-1993 punon në Gardën e Republikës së Shqipërisë. Pas kësaj kohe është marrë me tregti, duke qenë mjaft i suksesshëm. Në vitin 1999 emigron në Angli për t’u kthyer në atdhe në vitin 2001 dhe në vitin 2002 hapi dyert shkolla jo publike “Sarina 2002”.Përfundon Universitetin Bujqësor të Tiranës, dega ekonomi-financë. Është i martuar dhe ka dy vajza dhe një djalë, Sarën, Rominën dhe Samelin. Janë pra bashkimi i germave të fëmijëve të tij, që është emërtuar shkolla”Sarina”, një emër tashmë që ka krijuar identitetin e saj. Ndërtimi i një vepre të tillë nuk erdhi fare rastësisht. Ende në shtëpinë e tij vazhdojnë të qëndrojnë librat që lexonte në ato vite Vexhiu, një bibliotekë e vogël por me libra të rrallë si fetarë ashtu edhe histori, letërsi e shkencor.
Edukatën, dijen dhe kulturën që kishte përfituar në Internatin e Kastriotit Vexhi Hoxha, bëri të mundur që ndjenjën për arsim e dije ta kultivonte edhe tek djemtë e tij, të cilët vite më vonë të gjithë u diplomuan në degë të ndryshme.
Limani në fillim e nisi me një kopësht, pastaj hapi shkollën jo publike “Sarina 2002”, me një emër tepër njerëzor, duke bashkuar germat e fëmijëve të tij dhe tashmë ka hapur dhe shkollën e mesme të përgjithshme, të profilizuar.
E ardhmja do të flasë krejt ndryshe. Limani tashmë ka ambicie në fushën e arsimit. Megjithëse investimi në arsim është një biznes human, elitar, Limani është i bindur se duke investuar bindshëm në arsim, bëhet më i dobishëm për Dibrën dhe dibranët.
“Do të hap dhe një Universitet, shkollë profesionale dy vjeçare ku fëmijët sapo të mbarojnë maturën ato që duan të zgjedhin mund të vazhdojnë shkollën profesionale brenda kësaj shkolle. Unë djalë Dibre jam dhe do ta hap në metropolin shqiptar. Kjo do të bëhet realitet shumë shpejt”. Dhe Liman Hoxha si njeri me vullnet dhe kurajo nuk ka dështuar asnjëherë.
U deshën të kalonin plot 78 vite që nga ajo datë e shënuar kur hodhi bazat e para arsimi shqip në Kastriot e Liman Hoxha, një pinjoll i një familje të mirë, të njohur, atdhetare, patriotike e arsimdashëse do të përsëriste të njëjtën gjë, por tashmë jo në Kastriot, as në fshatin e tij të lindjes në Blliçe por pikërisht në kryeqytetin shqiptar, ku ka edhe një komunitet të madh dibranësh. Madje, ky 40-vjeçar atëherë nga fshati Blliçe, jo shumë larg fshatit Kastriot, ku u ndërtua Internati, ishte i pari biznesmen nga trevat tona, që hapi një shkollë të tillë në Tiranë.
E nisi Liman Hoxha rrugëtimin e shkollës jo publike “Sarina 2002” me 53 nxënës gjithsej e me ambiente të pakta afro 240 metra katror. Në fillim ishin gjithsej gjashtë mësues, ku drejtoreshë ishte Rudina Maksuti e nëndrejtor Mentor Hoxha.
Sot është një realitet krejt ndryshe: Kanë kaluar dhjetë matura nga shkolla “Sarina” . Sivjet janë regjistruar shtatëqind nxënës nga 53 që ishin në vitin e parë kur u themelua shkolla. Janë diplomuar mbi njëmijë veta ku dikush është bërë kuadro e dikush punon e drejton në sektor të ndryshëm të ekonomisë. Nuk janë më 240 metra katror mjedise mësimi, studimi e kënde lojërash por janë gjithsej 3000 metra katror por edhe 3000 metra të tjera presin të ndërtohen godina shkolle aty ku do të hapet shkolla profesionale. Nuk janë më 6 mësues por janë 45 mësues, të gjithë të kualifikuar që e zotërojnë mirë lëndën e tyre dhe askush nuk mund të futet mësues në shkollën “Sarina” pa përfunduar provimin e shtetit . Janë mbi 45 të tjerë punonjës ndihmës si shofer furgoni, meremetues, roje, sanitare, kuzhiniere etj.. Nga viti në vit mesatarja e notës në shkollën “Sarina” ka ardhur në rritje, kjo falë mësimdhënies së kualifikuar por edhe disiplinës në shkollë.
“Nuk pretendoj se këto rezultate i kam arritur vetëm, thotë Limani.
Jo! E gjitha kjo është bërë në saj të punës së madhe dhe vërtet kualifikuese të kolektivit mësimdhënës, të cilët jo vetëm që më kanë qëndruar pranë, por kanë bërë të pamundurën që shkolla jonë të kishte vërtet rezultate. Dhe rezultatet në shkollën tonë kanë qenë nga viti në vit në rritje”. Limani zakonisht flet pak, por sot foli më shumë, foli për shokët, mësuesit e më pak për vete.
Në shkollën e mesme, për çdo klasë, nga e dyta deri në të tretën, ka nga tri paralele, kurse në klasat e para ka katër paralele, çka tregon se interesi për të ndjekur këtë shkollë vjen vazhdimisht duke u rritur. Shkolla jonë asnjëherë nuk ka pasur nevojë për reklama, por të interesuarit e kanë kërkuar dhe e kanë gjetur vetë “Sarinën”. Duke parë këtë dinamikë të rritjes së numrit të nxënësve nga viti në vit, ne pretendojmë se së shpejti do të bëhemi një ndër shkollat më të mëdha në të gjithë Qarkun e Tiranës.
E megjithatë, Limani si administrator i kësaj shkolle ende ka ambicie, ende kërkon nga vetja, ende premton për më shumë, se i tillë është Liman Hoxha, njeri kurajoz dhe me guxim e iniciativë të madhe.
Karakteri i njeriut formohet e forcohet në përpjekje për të arritur gjithmonë më të mirën, duke u kacafytur shpesh me të keqen e cila ka për detyrë “të zërë rrugën”, të të mundojë e të të lodhë shumë që ti në fakt të dorëzohesh shpejt. Në fakt krejt ndryshe ndodhi me Limanin, nuk ishte i tillë, nuk dorëzohej përballë vështirësive sado të mëdha të ishin ata.
Liman Hoxha u njoh mirë me jetën, me uljet e ngritjet e saj, me të fshehta dhe labirintet e biznesit duke e filluar atë nga hiçi për të arritur më vonë shumë në formimin e tij, do t’i falnin “mëvetësinë” për të ndërmarrë më pas veprime që në fund të fundit do të ishin si një shtrëngatë për t’i dhënë vetë jetës drejtimin e duhur. Limani ka punuar dhe vazhdon gjithmonë me ekip, me kolektivin e mësuesve ku edhe ai mëson nga ata por dhe vetë mësuesit mësojnë nga Limani. “Askush s’është më i zgjuar se të gjithë së bashku” Limani e di mirë këtë dhe puna në ekip e ka ndihmuar të arrijë aty ku është ngjitur sot.
Gjërat më të bukura apo ato që të dëshpërojnë në jetë nuk mund të dëgjohen, të shihen ,as të preken. Ato vetëm mund të ndjehen. Liman Hoxha në kujtimet e tij mbajtur ndër vite hedh dritë jo vetëm për vete por edhe për familjen, për të afërmit, për fisin por edhe për të gjithë atë brez të sakrifikuar i cili nuk ka lënë shteg për të bërë qortimin më pak të rëndësishëm, për tu kërkuar llogari për ndonjë mangësi, qoftë edhe formale, në drejtim të ndonjë detyrimi që nuk e ka kryer dot si duhet. Përkundrazi ai dhe brezi i tij përjetuan kohëra shumë të vështira por që në fund të fundit ato që deshën të mbesin njerëz përsëri njerëz mbetën.
Karakter në gjëra të vogla apo mëdha do të thotë të marrësh përsipër ato gjëra që ti ndjehesh i zoti ti bësh. Shkolla “Sarina 2002”, me administrator Liman Hoxhën, është një shkollë me të gjitha parametrat e kohës. Për vitin shkollor 2018-2019 janë ulur në bangat e kësaj shkolle afro shtatëqind nxënës duke filluar që nga kopshti, para shkollorët e deri në vitin e tretë të gjimnazit. Në saj të punës së madhe vetëmohuese të administratorit Liman Hoxha këtu nuk mungon asgjë duke filluar që nga uniforma, transporti i nxënësve, ushqimi e mësimdhënia, e cila në saj të mësuesve të kualifikuar është në nivele të larta që edhe mjaft shkolla të tjera qoftë publike, qoftë jo publike do ta kishin zili. Që kur e ngriti për herë të parë shkollën “Sarina” Liman Hoxha ndoqi parimin:”Merr më të mirën nga më të mirët” dhe në këtë drejtim nuk gaboi.
Liman Hoxha sot është edhe vetë koshient se edhe pse kishte ambicie nuk do ta besonte se do të ngjitej shkolla e tij kaq lart por ai kurrë nuk u dorëzua përballë vështirësive që hasi gjatë periudhës pesëmbëdhjetë vjeçare. Të investosh në fushën e dijes dhe arsimit është një biznes elitar dhe këtë e di mirë Limani por Limani nuk u dorëzua përballë humbjeve në vitet e para, përkundrazi i jepte forca vetes për të arritur aty ku vërtet është sot. Qëllimi i tij në jetë ka qenë gjithmonë që të investonte për të ardhmen dhe jo për të sotmen, të linte diçka të mirë dhe bukur dhe e ka realizuar plotësisht këtë ëndërr të kahershme.
Në atë që po mundohem të shkruaj dëshiroj të nxjerr në dritë jetën e një njeriu me kontribut të gjatë në fushën e dijes dhe arsimit, në të mirë të vendit, të zhvillimit dhe të emancipimit të shoqërisë, të dibranit Liman Hoxha. Nuk besoj se do të arrij ti them të gjitha, pasi e gjithë jeta dhe puna e tij është shumë, është një jetë njeriu pasi ai vërtet ka bërë shumë sa që edhe ato “kovat me dhe” që ngriti malin e tij sot e kemi tepër të vështirë që ti a numërojmë.
Je i virtytshëm kur ndërmarrjen e guximshme e bën vetiu e jo kur ta kërkojnë të tjerët. Në jetën me plot ngjarje të lakmueshme të Liman Hoxhës, gjen njeriun e bindur për të kryer veprime të guximshme, pa e ditur se ai ato i bën nën trysninë e ndërgjegjes së pastër dhe të njeriut idealist.
Jeta ka provuar se ai që shpërfill mundimin, vuajtjet, përgjithësisht sakrificën për të arritur diçka të virtytshme, në fund ndjehet i lumtur dhe i plotësuar në shpirt e në ndërgjegje. Liman Hoxha i ngjan pa dyshim i ngjan, është “binjak” me çdo njeri që i ngjit shkallët e karrierës me urtësi, duke e konsideruar pozicionin apo një detyrë të lartë qoftë partie, qoftë administrative si një premtim të mundimit për të arritur deri aty.
Falë guximit dhe iniciativës së Limanit e nisi udhën e saj shkolla jo publike “Sarina 2002”, e nisi në një kohë kur në një kohë shumë veta e kishin kaluar hendekun e thepisur të biznesit dhe po arrinin majat, kurse shkolla “Sarina” ishte ende një foshnjë e sapo lindur, pa tendera e dallavere të kësaj natyre por Limani si administrator i saj i vetëm nuk i njihte mirë labirintet e biznesit, të fshehtat e tij, humbjet dhe fitimet por ai e pranoi riskun si do që ti vinte dhe filloi të investojë në fushën e dijes dhe arsimit, biznes ky elitar. Limani nuk kërkonte të mbushte xhepat me para të pa merituara por kërkonte të mbushte mendjet e brezit që po rritej, dhe këtu nuk kishte humbur, por në fakt kishte fituar.
Shkolla “Sarina 2002” ishte e para shkollë që hapej në një zone periferike të Tiranës por që shumë shpejt do të krijonte identitetin e saj dhe do të turreshin edhe nga qendra e nga të gjitha anët për të mbushur klasat e kësaj shkolle të sapo hapur në Tiranë.
Çfarë ishte ajo magji që bëri për Liman Hoxhën për të komanduar, për të drejtuar, për tu dhënë mend të tjerëve, të rinjve e të rejave , arsimtarëve. Por në fakt ai e kishte një magji. Madje shumë të sigurt për ta quajtur investim të së ardhmes, të jetës së tij si njeri me ambicie e që një ditë të mos skuqej nga turpi i qortimit të njeriut me sedër të pastër qelibar.
“Magjia” e Liman Hoxhës është intelekti i tij, është fakti që padijen e konsideron mjerim dhe që si mbështetje të pazëvendësueshme ka këshillimin për gjithçka e me gjithë kënd. Këshillim të cilin ua “lyp” njerëzve me përvojë, kuadrove të rrahur me vaj e me uthull në shkollën e punës dhe jetës, kolektivit mësimdhënës.. Nga kjo pikëpamje , ai nuk tregohet qibar, në mos ndjehet edhe i përulur për të mësuar e përfituar nga kushdo që shfaq ide e praktika të dobishme.
Çdo gjë e mbush enën ku hidhet diçka, ishte bindja e tij e pa tundur, përveç dijes që hap vend tjetër për tjetër dije. Ai këtë sentencë e ka dhe e konsideron të parën, pa të cilën nuk mund të ndërmerrte veprime që kërkonin mposhtje “turpin” kur ishte fjala për të ngritur nivelin arsimor, për tu bërë i zoti i vetes. Dhe “turpi” që mund të bënte ky djalë i ri me pretendime për jetën ishte vijimi i shkollës me vullnet dhe sakrifica të mëdha të cilën e përfundoi me rezultate të larta.
Lakmia e njeriut për pushtet, apo për çdo gjë tjetër kthehet në të kundërtën e saj, të “mbyt” përpara se ky “zjarr” të të fashitet. Liman Hoxha për shkak të karakterit të tij dhe sedrës për të qenë kokë ulur e gjithmonë shembullor për detyrën e ngarkuar, nuk u duk qoftë edhe njëherë të vetme lakmitar e karrierist për të kapur poste që ai e gjykonte se nuk i meritonte dhe ofertat nuk i mungonin por ai brenda për brenda oborrit të shkollës nuk i pa bindjen politike dhe partiake të askujt, as të tij por zgjodhi dhe punoi me njerëz profesionist me qëllim që arsimi të arrinte vërtet majat, të arrinte atë që kishte lënë pa realizuar dikur shkolla e Kastritotit.
Kur njeriu e di se sa e gjatë është udha, dhe kur e çmon se jeta është e vështirë për të dalë faqebardhë në krye të saj, duhet të jetë përherë i përgatitur. Përvoja njerëzore ka çimentuar dhe dhënë prova se punët e vogla janë më me vlerë se punët e mëdha. Kur gjykojmë rreth aftësive drejtuese e organizuese të Liman Hoxhës , të mençurisë së tij, për zgjidhjen e problemeve të shumta që i dalin vazhdimisht përpara, të shumta e të komplikuara, me urtësinë që e karakterizonte ai dinte që ti zgjidhte të gjitha e t’ju jepte udhë. E vetmja mënyrë për të bërë punë të dobishme, ndoshta jo të mëdha, por që të jenë të mirë pritura nga njerëzit, është që ta duash atë që bën dhe të lodhesh e të sakrifikosh për të arritur gjithçka. Limani i bëri dhe vazhdon ti bëjë të gjitha punët me shpirt dhe zemër. Ai u tregua kaq i aftë sa investoi që të ishte jo vetëm një sukses, por të qëndronte gjithmonë edhe një vlerë për të gjithë.
Është sot një fjalë goje të thuash “ai ka qenë i guximshëm dhe i vendosur qysh kur ka qenë i vogël”, por kur “lexon” e gjykon jetën e një personi si të Liman Hoxhës, njeriu qëndron për një çast dhe i thotë vetes: ky paska qenë i vendosur për të mbetur nga fillimi deri në fund të jetës së tij njeri i përunjur ndaj të vërtetës dhe i mirësisë njerëzore. Të gjithë ata që e njohin dhe që e kanë njohur Liman Hoxhën, flasin me plot respekt për të. Por ajo që ajo që zotëron tërë qenien e tij është guximi dhe iniciativa ‘e çmendur’ për të ndërmarrë iniciativa të mëdha, që për shumë njerëz dukeshin ëndrra të parealizuara .
E me gjithë këto rezultate të larta dhe arritje në kaq vite që ka hapur dhe është administrator i shkollës jo publike “Sarina 2002” edhe Limani ka dy pengje që ende i rëndojnë në shpirt. Babai i tij i mirë, Vexhiu vdiq në vitin 2000, po kështu edhe vëllai i tij, Ramazani, intelektuali i kompletuar dhe kuadri më i vlerësuar në të gjithë Dibrën vdiq në vitin 2001 nga një aksident. Të dy nuk mundën ta shikonin shkollën “Sarina” si nisi dhe ku ka arritur. Dhe ndodh shpesh në biseda të ndryshme me miq e shokë kur bisedon, Limanin ende e tradhtojnë sytë, por sido qoftë ai është i bindur se gjithmonë do të punojë me përkushtim të madh që shkolla “Sarina 2002” të mbetet elitë ndër të gjitha shkollat e Qarkut të Tiranës.
Liman Hoxha është krenar për veprat e mëdha të dibranëve. Duke qenë se është shumë i pasionuar pas historisë së Shqipërisë dhe veçanërisht pas historisë së popullit të Dibrës, ai ndjehet tepër i lumtur për ata që kanë lënë paraardhësit e tij, por ai dëshiron që brezat e nesërm të krenohen me veprat që do të lëmë ne sot. Ndaj, mesazhi i tij është: “Çdo dibran, kudo që ndodhet, ta ngrejë më lart emrin e Dibrës dhe të dibranëve, përmes veprave me vlerë, që në thelb të kenë bujarinë dhe humanizmin, dijen dhe shkencën. Mjaft dibranë kanë bërë emër edhe jashtë trojeve tona. Ne kemi vlera. T’i ruajmë pra ato, të mos i humbasim. Vetëm kështu mund ta nderojmë Dibrën”.

KOMENTI JUAJ