Orkestrina e Matit njëra nga mrekullitë e trashëgimisë shpirtërore shqiptare


Trashëgimia Kulturore shqiptare, si pjesë e identitetit tonë kombëtar, përbën kontributin më të vyer, më origjinal e identifikues e shprehur magjishëm në këngët e vallet, veshjet e rapsoditë, baladat e ritet, lojrat popullore e krijimet gojore, ndërtimet e mënyrën e jetesës, gjuhën etj, Ajo është e vjetër sa vetë njerëzimi dhe përfshin shumë fusha studimore që nga arkeologjia, etnofolkloristika, etnografia, gjuhësia, historiografia, arkitektura, etj. Ruajtja, mbrojtja, arkivimi, qarkullimi dhe përcjellja në gjeneratat e reja përbën aspiratën kryesore për shtetin, shoqërinë dhe organizatat civile (OJQ) të mbështetura në politikat e zhvillimit dhe në kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Viti 2018 përmban një kalendar të pasur me ngjarje kulmore në jetën e shqiptarëve. Ato janë të karakterit historik, politik dhe kulturor dhe ngërthejnë një periudhë mbi 550 vjeçare. Secila syresh meriton respektin, pasqyrimin dhe promovimin e saj në dimensione të plota e dinjitoze, si dëshmi e kolona të rëndësishme të progresit shoqëror.
Në korpusin etnomuzikor të kontributit njerëzor instrumentet muzikorë, përbëjnë një pasuri të madhe, të rëndësishme dhe shumë domethënëse. Organizimi i punës me ‘to, krijimi i grupeve orkestrale në ansamblet e rretheve, u bë baza e shoqërimit të këngëve e valleve si edhe loja veças e në grup. Orkestrinat popullore të ngritura mbi traditën e lëvrimit të tyre përbënin njërën nga risitë e kohës. Në shumë zona të hapësirave gjithshqiptare kishte një përvojë të hershme në formacione të vogla orkestrale lëvizëse, që qarkullonin brenda dhe jashtë zonës. Por fillimi i daljes së tyre në skenë do të kërkonte një përgatitje serioze e shumë të kujdesshme nën drejtimin e mjeshtrave muziktarë me përvojë dhe aftësi profesionale.

* * *
Treva e Matit e ka ruajtur, zhvilluar e trashëguar kulturën e tij materiale dhe shpirtërore. Ai ka derdhur margaritarët e shpirtit të tij në këngët, vallet, meloditë e veglat muzikore popullore, në kostumet e bukura e të larmishme në përjetësimin e ngjarjeve të mëdha historike e figurave të shquara të nivelit lokal e kombëtar.
Është e njohur dhe e vlerësuar nga të gjitha instancat profesionale e opinioni artdashës mbarëkombëtar mrekullia e njërës nga këto formacione si është orkestrina popullore e Matit. Krijimi i këtij fenomeni artistik në fillimet e viteve ’60 të shek XX, u mbështet në traditën shumë të hershme të orkestrinave shëtitëse të trevës së Matit. Ideatorët dhe drejtuesit e këtij formacioni shfrytëzuan me zgjuarsi dhe kompetencë profesionale pasurinë e instrumenteve, duke i radhitur llojet e tyre sipas klasifikimeve të muzikologjisë botërore në kordofone, aerofone, idiofone dhe membranofone.
Duke njohur dhe respektuar specifikat tonalo-modale të këtyre instrumenteve nga ana e mjeshtrave drejtues, u bë i mundur bashkëzanimi i tyre shumë logjik dhe organik në përputhje të plotë të mikrotoneve. Baza melodike e krijimit dhe tingëllimit të këtij formacioni muzikor u bënë instrumentet aerofonë dhe kordofonë por edhe teknika ekzekutuese e instrumentistëve virtuozë vendas si: Imer Nelaj, Ibrahim Minxhozi, Shaqir Hazizi, Hysen Koxherri, Sali Kurti etj,.

Si u krijua Orkestrina
popullore e Matit?

Fillimet e veta si formacion i reduktuar do ta kishte në vitin 1965 në një takim instrumentistësh. Në vitin 1966 në Festivalin Folklorik Kombëtar në qytetin e Elbasanit, hitet e kohës “Laçi-Bruçi dhe Uraka” dhe “Liqenit të Ulzës” me tekst e muzikë të kompozitorit Munir Shehu kënduar nga e mirënjohura Feride Kurti do të ndiznin sallat dhe sheshet. Munir Shehu, ky personalitet i kulturës shqiptare, realizoi bashkëzanimin e pasurisë së instrumenteve tradicionalë të trevës së Matit dhe hodhi bazat e një risie shumë domethënëse, Orkestrinën, si një nga kolonat kryesore të ansambleve folklorike në shoqërimin e këngëve, valleve, por veçanërisht të melodive popullore në trevat gege.
Në Festivalin e Parë Kombëtar në Gjirokastër në vitin 1968 kjo orkestrinë, e organizuar dhe drejtuar nga Ai muziktar do të meritonte në mënyrë të padiskutueshme vendin e pare, Më pas do të tërhiqnin vëmendjen e publikut, studiuesve dhe Jurive profesioniste duke u vlerësuar vazhdimisht me çmime deri në “Medaljen e Artë”, Urdhrin “N. Frashëri i Kl të Parë”…
Ky formacion folklorik muzikor, me karrierën e saj prestigjioze 50 vjeçare ka krijuar një përvojë të madhe skenike duke u shndërruar në një shkollë për shumë formacione simotra.
Për të konkluduar në vlerat e spikatura të një formacioni artistik së pari nisemi nga origjinaliteti i produktit muzikorë, aftësia e interpretimit, lënda me të cilën ushqehet, përbërja e instrumenteve dhe mbi të gjitha aftësia ekzekutuese e mjeshtrave në secilin instrument, por edhe cilësia e aftësia organologjike e instrumenteve si zeje prodhimi.
Formulimet melodike të luajtura kryesisht nga këto lloj orkestrash (përfshi edhe atë me disa lloj veglash popullore) parë në sferën emocionale të tyre, janë orientuar në tre stile kryesore:
a – në stilin logogjenik, që përfshin pjesë nga këngët vokale e rapsodike.
Në këtë stil ka luajtur lauria. Ky arketip shumë i vjetër dhe i rrallë transmeton një timbrikë të veçantë. Lauria, si instrument kordofon me hark me mesazhet e veta lirike ka dëshmuar shprehje origjinale të krijimtarisë anonime si dhe aftësi të pakundërshtueshme integrimi me modet muzikore të instrumenteve të tjerë tradicionale në Mat.
b- në stilin melogjenik, që ka të bëjë drejtpërsëdrejti me meloditë tipike
instrumentale, dhe këtu të shumtën është shfrytëzuar repertori i fyejve dhe çiftelisë.
c- në stilin patogjenik, repertor që lidhet me ndjenja të fuqishme, të përbëra nga copëza melodike, bazuar në atmosferën muzikore të këngëve të vajit, por të përshtatura dhe adoptuara me ndjenjë artistike.
Çfarë e dallon orkestrinën e Matit me simotrat e saj?.
Muzika me instrumente tradicionalë në Mat shprehet me të njëjtat instrumente si dhe në trevat e tjera të Shqipërisë së Veriut e Verilindjes. A mund të themi se gjithçka me formacionet simotra është e njëjtë?. Sigurisht që Jo. Tingulli muzikor, si dukuri akustike – natyrore, duke e studiuar në një dimension më të gjerë e më kompleks, si nocion i tillë prezantues, i japin cilësi e atribute të dallueshme.
Një vesh muzikor i stërvitur e bën menjëherë dallimin midis instrumenteve nga disa elementë përbërës, si timbri (ngjyra), forca, ambitusi (lartësia) teknika e ekzekutimit etj. të cilat përbëjnë atë që quhet stil i tingëllimit. Kjo përbën një origjinalitet nacional të kulturës së një populli dhe një autenticitet të veçantë.
Etnomuziklogu gjerman Fritz Bose thotë se :”muzika, jo vetëm që ka funksion tjetër… në popuj të ndryshëm, por edhe tingëllon ndryshe. Dhe është pikërisht stili i tingullit, i studiuar në mënyrë të hollësishme që përcakton karakteristikat e veçanta të një muzike në një hapësirë të caktuar.
Ajo që e bën orkestrinën me vlera origjinale, vendase (anase) është që secili instrument gjatë lojës solo në përbërje të orkestrinës duhet të endet në repertorin e vet, duke ruajtur strukturën, shtrirjen, thyerjet ritmike, ngjyrimet, alternimet etj, duke krijuar një peizazh muzikor mbresëlënës e sugjestionues. Muzikaliteti interpretues, futja e dajres (perkusionit) në orkestrinë i dha dinamikë e impuls, qëndrueshmëri e strukturë më të qartë në krahasim me të gjitha orkestrinat simotra në shkallë vendi.
Janë të shumtë etnomuzikologët që janë shprehur profesionalisht e me dashuri për prurjet dhe origjinalitetin e muzikës së këtij formacioni orkestral. Puna e kujdesshme profesionale e muzikantëve Munir Shehu, Shefqet Doda, Naim Gjoshi, Shefqet Merra, Fatmir Leka, apo e gjurmuesve e mbledhësve të njohur të folklorit, Ymer Neli, Sabri Alia, etj dhe loja e saktë, virtuoze e pastër dhe e intonuar e të gjithë orkestrantëve, ka bërë që ky formacion i muzikës tradicionale të ketë stilin e vet të dallueshëm në nivel kombëtar.
A është i dallueshëm stili muzikor ?.
Aftësia teknike në përdorimin e gishtrinjëve (tre – katër gishtave të dorës së majtë), harmonizimi i të dyja duarve, përdorimi i dorës së djathtë në tremolo të dubluar, apo açakaturat e apoxhiaturat, shfrytëzimi i plotë i tastierës, pastërtia e tingullit, larmia ritmike, dhe siguria ekzekutuese janë kushte jo vetëm teknike ekzekutimi, por edhe aftësi interpretimi. Ashtu sikundër në aerofonet: mënyra dhe koha e të marrunit frymë dhe realizimi i plotë i frazës a fjalisë muzikore, kalimi në oktava, si dhe aftësia ritmike që duhet të udhëheqë dajreja në açelerimet e nevojshme, përdorimi i harkut e glisandot në lauri etj, janë disa veçori që përcaktojnë stilin e këtij fenomeni muzikor tradicional që tashme ka krijuar shkollën e mbiquajtur Orkestrina me instrumente popullorë e rrethit të Matit.
Tashmë ashtu si orkestrina me saze të Jugut të vendit, Fyejt e Gramshit, Kavajt e Gostivarit në muzikën me instrumente tradicionalë mund të themi se kemi stilin muzikor lokal dhe kombëtar.
Këto artistë përmes kompleksitetit të elementëve muzikorë: ritmit, shkallëve muzikore (radhëve tonale), shtrirjes (ambitusit) dhe funksionit të muzikës në jetën sociale etj.
Ndikimi i disa instrumentistëve të njohur që kanë lënë gjurmë të thella në popull për mjeshtërinë e lojës dhe pasurimin e arkivit muzikor, kanë krijuar një shkollë që në popull përdoren me shprehjet: na merr meloditë e filan ustai” ose “lezetoje pak si (thuhet emri i më të mirit)…” . ose edhe kur jepen këshilla : “mos e përzijë” etj. Këto elementë kanë krijuar stilin e tyre origjinal. Prandaj në Mat janë të njohura shprehje klasifikuese si « filanit i këndon çiftelia varur në mur » apo « me ahengjet e Kurdarisë kërcejë lisdanët ». Dy herë i është mundësuar shkuarja në Mat prof. Ramadan Sokoli dhe ai konkludoi me shprehjen se « Mati është bunar i folklorit ». Padyshim që këto konkluzione nuk duhen marrë si përkëdheli por si një apel për gjurmuesit e studiuesit, specialistët e punonjësit e kulturës.
Aftësia dhe profesionalizmi i drejtuesve të formacioneve orkestrale kanë rëndësi themelore në përgatitjen dhe promovimin e këtyre vlerave, nga ku kushtëzohet ruajtja e tingëllimit origjinal dhe zhvillimi i stilit të dallueshëm të tyre.
Si konkluzion :
Së pari, është shfrytëzuar me seriozitet e profesionalizëm lënda muzikore tradicionale. Repertori i saj është plotësisht në shtratin melodik dhe tonal të trevës.
Së dyti: pjesët e lidhura në formë suitash dy e tre pjesësh janë realizuar në shembullin e një forme klasike me racionalitet dhe me pasuri ritmike komplementare.
Së treti: secilit instrument solistik i është lënë hapësira e nevojshme në lojën e tij pa e sforcuar dhe denatyruar duke shfrytëzuar me racionalitet timbrikat e laurisë, ritmet e daires etj.
Së katërti: Virtuoziteti dhe cilësia e tingëllimit është udhëhequr nga aftësitë e veçanta në ekzekutim të Ymer Nelit në fyell e kavall, Behar Nelit në bilbil, Qamil Beshkut në lauri dhe Xhevat Lishit e Isuf Gjokës në dajre, Enver Kurtit në lodër.
Së pesti: Me futjen në orkestrinë të çiftelive dhe bilbilit të temperuar është bërë kujdes në eliminimin e mospërputhjeve të sistemeve toniko-modale popullore me ato kromatike. Koordinimi dhe alternimi i tyre ka ndihmuar në tingëllimin dhe emocionin artistik të orkestrinës.
Së gjashti : Kjo trashëgimi ka memorizuar dhe pothuaj ka vënë gurin e parë të traditës në lojën me instrumente të grupeve vetëm me vajza. Pra dimensionin gjinor të traditës.
Së fundi: Ky formacion muzikorë meriton promovimin në mjedise e skena prestigjioze si një vlerë e rrallë e trashëgimisë shpirtërore kombëtare.
Në nderim të punës plot pasion e përkushtim të «Mjeshtrit të Madh» Imerr Nelaj- Artist i Merituar, një salle në mjediset e shtëpisë së kulturës në Burrel i është vënë emri i këtij Mjeshtri. Ajo sallë është menduar që së shpejti të kthehet në një kabinet folklori sipas një masterplani me ndihmën e ekspertëve dhe përvojës më të mirë kombëtare.
Destinacioni artistik i Orkestrinës, prania e gjithkohshme në skenë dhe në vështrimin e specialistëve e ka bërë atë të vetëdijshme për rolin e saj, ka thadruar tek instrumentistët shpirtin e garës si dhe ka bërë të mundur thithjen e përvojës më të mirë kombëtare. Orkestrinat simotra kanë shprehur gjithnjë admirim për paraqitjen, repertorin, ritmet e larmishme, por kanë listuar me shumë respekt edhe emra të mirënjohur të saj, madje duke i patur edhe si model të tyre. Nuk e teprojmë kur themi se ka patur prej tyre që nuk mund të imitoheshin si Ibrahim Minxhozi, Shaqir Hazizi në çifteli apo Qamil Beshku në lauri e Xhevat Lishi në dajre, etj.
Si një formacion muzikor i traditës që përmban të gjitha instrumentet tradicionalë të trevës, pasurimin e melosit dhe origjinalitetit tingëllues, që ka ruajtur stilin e ka promovuar shoqërimin ekselent të zërave në këngët e traditës e që vazhdon të tërheqë rreth vetes talente të rinj, për autoritetin e opinionit të shkëlqyer që gëzon në rrethet artistike kombëtare të muzikës tradicionale, Presidenti i Republikës së Shqipërisë i ka akorduar titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” në vitin 2017.
Përkujtimi i Jubileut të 50 Vjetorit të marrjes së Çmimit të Parë nga kjo Orkestrinë në tetor të vitit 1968 është edhe një homazh nderimi për shumë nga artistët themelues të cilët nuk janë më në mesin tonë.
Po kaq nderim meritojnë edhe ish drejtues të institucioneve kulturore në rrethin e Matit për ndihmesën dhe vlerësimin e punës me instrumente muzikorë tradicionalë nëpër ansamblet e tyre artistike. Këto ditë në shtëpinë e Kulturës në Burrel do të mbahet një veprimtari artistike Jubilare në respekt të rrugëtimit të suksesshëm të kësaj orkestrine me instrumente të traditës, si një emblemë e trashëgimisë së identitetit kombëtar në fushën e muzikës.
* Studiues i etnomuzikologjisë, tetor 2018.