Përkujtohet rikthimi i Skënderbeut nga Nishi në Dibër


 

Më 25 nëntor 2018, në Sinë të Dibrës, nën kujdesin e shoqatave “Çidhna dhe Kastriotët” dhe “Unioni i krijuesve dibranë” u bënë dy aktivitete në kuadër të Vitit të Skënderbeut: Imitimi i kthimit të Skënderbeut nga Nishi në Sinë të Çidhnës (1443) dhe sesioni shkencor në Qendrën Kulturore Peshkopi, ku u trajtuan 7 kumtesa në fusha të caktuara.
Nderuan me pjesëmarrje dhe kumtesa në sesionin shkencor: Profesor Paskal Milo, Prof.as. dr. Bernard Zotaj, Drejtor i Muzeut të Ushtrisë Dr. Asllan Zemani, Dr.Zyber Gjoni dhe disa studiues dibranë: Ali Hoxha, Haki Përnezha dhe Azis Keta.
Duhet përgëzuar biznesmeni nga Bulqiza Eduart Keta, i cili me një gatishmëri shembullore vendosi të kontribuonte për këtë aktivitet. Falënderim në emër të nismëtarëve bëhet dhe për Qendrën Kulturore Peshkopi, gjimnazet në Kastriot dhe Peshkopi, shkollën e Mesme Arras, 9 vjeçare në Sinë, Word Vision, Zyber Gjonin, Enver Kaloshin, Abas Kacën, Rauf Ymeraj, Haki Përnezhën dhe Ymer Tafën.
Imitimi i kthimit të Skënderbeut nga Nishi me 300 kalorës e këmbësorë u improvizua me dhjetëra kuaj të mbledhur që nga Kalisi deri në rrethinat e Çidhnës.
Nxënës të gjimnazeve të Dibrës improvizonin këmbësorët. Të gjithë, kalorësit dhe këmbësorët ishin të veshur me kostume kombëtare dhe të pajisur me mjete imitimi luftimi, ku veçoheshin 30 shpata dhe disa mjete të tjera luftimi: heshta, shigjeta, topuz etj.
Të gjitha këto mjete luftimi ishin përshtatur sa më afër origjinaleve.
Afrimi dhe pritja ishte organizuar në formë spektakli, ku binte në sy një regji e kujdesshme dhe koreografi profesioniste e Rufat Ymeraj, sidomos tek vallet, sa epike të burrave aq dhe qytetare të vashave.
Pati dhe disa solistë që plotësonin këndshëm pjesë të spektaklit, ku kishte dhe përshëndetje prej të ftuarve, Këshillit Bashkiak, Bashkisë dhe organizatorëve.

VIZITA NE MUZE
Befasia e të gjithëve ishte Muzeu. Nuk ishte ai i vëzhgimit mediatik i para disa viteve. Ishte i rikonstruktuar si godinë dhe i pasuruar në përmbajtje.
Një shi i hollë që dukej sikur dhe qielli po vajtonte, nuk e ndërpreu aktivitetin brenda dhe jashtë muzeut. Bukuria shtohej tek imitimi i kalorësve rreth muzeut, garda, roja kufitare si dhe truproja e nderit në hyrje të muzeut. Vizita në Muze, dëshira për të bërë foto para çdo stende dhe objekti me të ftuarit, e hijeshuan aktivitetin. Secili mori një kujtim të veçantë, si nishan historik nga ky aktivitet mbresëlënës.
Një grup vajzash me veshjen tradicionale të Çidhnës, krijonte idenë e dasmës së Skënderbeut në hyrje të muzeut.
Improvizimi i një gare me kuaj, edhe se nuk mundi të ndiqej nga të gjithë për kufizimet që krijojë koha me shi, ngjalli jo pak interes tek të pasionuarit e kësaj veprimtarie.
Katër burra, me një talent të lindur, shoqëruar me profesionalizëm nga orkestra dhe të trajnuar nga një koreograf profesionist, ngjallën tjetër emocion, që ndoshta ishte ndër pikat kulmore të spektaklit. Solistët dhe disa djem me çifteli, plotësonin programin me një regji të menduar hollë ku bënin përshtypje mesazhet e përcjella me elokuencë nga një vajzë simpatike, Lorana Alia, që luajti dhe rolin e moderatores.

MIQ NGA BREGU I JONIT DHE LABERIA
-Sa bukur! Bravo Dibra, – përsërisnin dy miqtë nga Labëria, Bernardi dhe Asllani!
-Pse na preve në besë?- do i ankohej Nardi shokut të tij dibran. E dinit se edhe unë dhe Asllani, i kemi në gardërobat tona kostumet e Labërisë? I ruajmë ato si t’i kishim kostume të dhëndërisë. Ah, ta kishim ditur, të ishim veshur me to! Sepse Sina sot, është e gjithë Shqipërisë! Sepse Labëri e Malësi, kanë qenë bashkë në histori.
Kur befas miqtë nga Labëria u ndeshën në rrugën që kthente për Sinë me kalorësinë dhe këmbësorinë dibrane që “vinte nga Nishi”, të gjithë në kolonë e të organizuar aq mirë, bënin çudi: “Kush e krijojë këtë disiplinë kolone edhe në këtë rrugë fshati edhe se shiu po binte curril?”
Por porosia e organizatorëve kishte qenë: Kthimin e Skënderbeut në Sinë, nuk duhet ta shohë vetëm Sina, por çdo fshat ku do kalojë kjo kolonë, ndaj rregulli do ishte maksimal gjatë gjithë marshimit në qendrat e banuara. Po nuk u bë kjo, aktiviteti do quhet i dështuar. Sepse kjo veprimtari, do të ishte pjesë e kujtesës historike jo vetëm e atyre që ishin në Sinë, por e gjithë fshatrave të Dibrës, sepse aktiviteti ishte i tyre dhe për ta.
Kur shoferi ynë mbeti i bllokuar nga autokolona e gjatë e “kalorësisë dhe këmbësorisë” që imitonin kthimin nga Nishi dhe ne duhej të shpejtonim, t’i parakalonim për të kapur orarin e takimit në Sinë, pati propozim për të parakaluar. Por miqtë nga Labëria kundërshtuan prerë: “Në asnjë mënyrë jo! Këta e kanë gdhirë duke udhëtuar dhe neve të shkërmoqim këtë kolonë kaq të organizuar? Kurrë!”
“ -Jo, përsëriti Asllani dhe Ymer KETA, që vinte dhe ai posaçërisht nga Lezha. Ne jemi “ushtarë” para këtyre burrave – do qortonte Nardi, sepse ne në makinë, ata në këmbë dhe në kuaj. Ata po sfidojnë kohën mes shiut dhe shihni: asnjë çadër! Kurse ne jemi për bukuri.”
Shihni me ç’farë rregullsie të habitshme ruajnë distancat. Bravo rinia! Ju lumtë kalorësve! Sa e bukur ideja dhe realizimi!

KRYEBEFASIA NE HYRJE TE MUZEUT
Truproja e nderit, e rreshtuar në dy rreshta para muzeut, me shpatat dhe heshtat në pozicionin ceremonial “Për nder Armë!” pritën Paskal Milon- historian e ish Ministër i Jashtëm dhe ish-deputet i Dibrës. Bernard Zoton dhe Asllan Zemanin, historianë. Personalitetet lokale: kryetari i Këshillit Bashkiak të Dibrës Hajri Laçi, sekretarja e Përgjithshme e Bashkisë, përfaqësues nga Komiteti i Veteranëve të Dibrës etj. Të gjithë të ftuarit dhe çdo i pranishëm që dëshironte të vizitonte muzeun, parakaluan para truprojës së nderit.
Të gjithë të barabartë dhe të gjithë u ndjenë të vlerësuar.
Emocionet dhe përkujdesja për miqtë fillonte nga më plaku në këtë veprimtari, Ali Hoxha. Ai i takonte të gjithë, diku me shtrëngim dore e diku me një buzëqeshje të ëmbël që ja hijeshonte thinjat që i ishin shtuar në arkiva duke studiuar për Skënderbeun.
Më të rinjtë, Daci dhe Përnezha përkujdeseshin për gjithçka, që mos dilte asgjë jashtë regjisë që e kishin përgatitur bashkërisht, me aq profesionalizëm dhe të realizuar me aq kulturë.
Dy djem me një çifteli në dorë, bënin prova “m’çeftas”, sepse ende ndjenin se duhej të bënin diçka më mirë.
Mikpritja dibrane që e pret mikun tek porta, u pa dhe në Sinë më 25 nëntor 2018, por me një risi krejt të përveçme:
Mikpritja ishte me roje nderi!
Dëshira për të bërë foto me Profesor Paskalin, Bernardin, Asllanin dhe përqafimi i ngrohtë me krijuesit dibran, ishin pasqyrë e shpirtit të pastër. I mikpritjes dibrane për mikun. Fotot e shumta që bëheshin në këtë ditë të shënuar, vlerësoheshin si “nishane historike dhe certifikatë pjesëmarrje”. Secili ndjehej mirë që ishte pjesë.

SESIONI SHKENCOR NE QENDREN KULTURORE PESHKOPI
Sesionin, natyrshëm e drejtoi profesor Milo që kishte dhe referatin kryesor. Rolin e moderatorit e kryente Fatos Daci.
Elokuenca e profesor Milos dhe marrëdhënia që ai krijojë me auditorin, ku referoj temën: “Dimensioni Europian i Skënderbeut”, bëri që të ndiqej me shumë vëmendje. Milo dhe referuesit e tjerë, shfrytëzuan këtë takim edhe për diskutime të lira. Kumtesat jua dorëzuan organizatorëve.
Prania e mediave edhe në sesionin shkencor dhe regjistrimi i plotë i çdo diskutimi, ndoshta do plotësojnë edhe më shumë kumtesat e secilit.
Paskal Milo, informoj se “Dimensioni Europian i Skënderbeut” ishte referuar edhe në Londër dhe ishte pritur mjaft mirë sepse edhe Londra e njeh dhe e pranon dimensionin evropian të Skënderbeut.
– Dibra, vijoi Milo – ka kontribute të qenësishme që lidhen me Historinë e Skënderbeut dhe jo vetëm. Unë do i bashkohem lëvizjes- theksoj ai, që të sensibilizoj institucionet që puna e nisur në Sinë dhe në Dibër të përmirësohet. Që Muzeu të pasurohet dhe rruga deri në hyrje të muzeut të asfaltohet. Që t’i paraprimë turizmit elitar të nesërm. Sepse Skënderbeu na faktorizoj ndërkombëtarisht qysh kur vendosi marrëdhënie diplomatike me gjithë faktorin ndërkombëtar.
Profesor Milo citoj vlerësime të personaliteteve për kontributet e Skënderbeut si burrë shteti dhe komandant i Përgjithshëm i ushtrisë së Lidhjes Lezhës dhe evidencoi veprat që ishin shkruar dhe vazhdojnë të shkruhen për Skënderbeun.
Bernard Zotaj, në kumtesën e përbashkët me Asllan Zemanin, theksoi se “Skënderbeu ende kërkon studime të thelluara, sidomos për parimet e artit ushtarak, strategjinë dhe taktikën, ku ai hodhi themelet. Sepse kontributet e Skënderbeut në fushën e Artit Ushtarak janë universale, por ende jo të gjitha të zbërthyera në gjerësi dhe thellësi, në gjithë kompleksitetin e tyre dhe seriozitetin që meritojnë.
“Skënderbeu, – ritheksoj Zoto – hodhi parimet e mobilizimit dhe të zbulimit strategjik. Ai na dha modelin e llojeve të ndryshme të luftimit që ju kanë rezistuar edhe kohëve moderne. Sepse Skënderbeu vuri emrin e tij në themelet e Artit Ushtarak, ndaj dhe u vlerësua në shkallë botërore, sidomos për veçorinë se “zbatoi strategji dhe taktika të avancuara të kohës në kushtet konkrete të gjendjes dhe të mjedisit të vendit tonë. Kjo arsye, Skënderbeu ishte dhe mbetet ndër personalitetet më larta si burrë shteti dhe Komandant i Përgjithshëm i kombit shqiptarë në çerek shekullin e luftërave që zhvillojë”.
Aziz Keta, mbasi vlerësoi veprat e shumë studiueseve dibranë që ishin të pranishëm në këtë sesion, kërkoj mirëkuptimin e tyre kur ishte fjala për histori që lidhen me Skënderbeun. Sepse nuk duhej të ngatërronim dimensionin kombëtar dhe europian të Skënderbeut me dëshirat folklorike për ta pas Skënderbeun, jo vetëm me vendlindje në Dibër të Poshtme, por edhe me lokalizim betejash.
Tendenca e disa krijueseve dibranë për ta lokalizuar Skënderbeun edhe me beteja mundësisht në “katundin tim” ose sa më afër “ katundit tim” më duket e tepruar dhe shumë e dëmshme.
Pse kjo nuk duhet të ndodhë?
Sepse e rrudhim Skënderbeun nga hero Kombëtar dhe europian që ishte, në hero provincial. Por nuk është vetëm kjo. Duke e prurë Skënderbeun me çdo kusht edhe me beteja në Dibër të Poshtme dhe përjashtojmë mundësinë e lokalizimit të betejave edhe në Maqedoninë shqiptare ku ka burime historike, ose, i heqim Skënderbeut Prizrenin si qendër administrative, ju vijmë në ndihmë pa dashje të huajve që mohojnë Skënderbeun, jo vetëm si kombësi por edhe me beteja në territore të Shqipërisë së vërtetë.
Në aspektin logjistik, nuk duhet të banalizojmë sikur Skënderbeu paska luftuar vetëm me gurë që i rrokulliste nga mali dhe me shpatë e topuz. As mos të mohojmë ndihmën e faktorit ndërkombëtar, që mund të mos ishte aq sa duhej, por as nuk mungojë. Sepse ka burime pa fund edhe në botimet e fundit, që të huajt erdhën në ndihmë të Skënderbeut me flori, burime njerëzore, me topa e armë të tjera, me specialist për ndërtim kështjellash, me ushqime dhe veshje, deri dhe mbështetja me flotë, sepse lufta e Skënderbeut, ishte dhe mbrojtje për ta.
Përsërisim: Ishte faktori i brendshëm përcaktues edhe në burime logjistike që përballuam luftën 25 vjeçare, por as faktori jashtëm nuk ishte për t’u mohuar. Nëse e mohojmë këtë faktor, vështirë të na besoj kush, që Skënderbeu rezistoj 25 vjet vetëm me shpatë e heshtë dhe vetëm me forcat e veta.
Se po të kishim vetëm shpatën, do kishim nevojë vetëm për farka dhe jo për punishte baruti. Dhe nëse nuk do kishim armë zjarri, nuk do kishim nevojë as për hendeqe dhe as për luftë nga lart poshtë në dy betejat e Vajkalit në prill dhe gusht të vitit 1465.
Cila ishte mrekullia logjistike e Skënderbeut?
Ishte Lidhja e Lezhës, ku kontributi me flori dhe me burime njerëzore i Lidhjes, ishte tej çdo parashikimi.
Sepse qysh në fillimet e saj, ishin 200.000 dukatë në arkën e Lidhjes si kontribute të princave.
Ishin këto burime që krijuan mundësinë që Skënderebu, të ishte ndër të parët në Europë, që krijojë ushtrinë me pagesë, rojen kufitare dhe Gardën.
Skënderbeu, arriti këtë bashkim kapitalesh në interes të luftës, sepse ai, i pari e kthej ekonominë e principatës së tij në dobi të mbrojtjes kolektive të gjithë principatave shqiptare.
Ishin kështjellat, kriporet, dogana, rrugët që ai kontrollonte dhe vilte taksa, që u vunë në dispozicion të Lidhjes.
Dhe u bë aq i besueshëm sepse, tre të katërtat e burimeve njerëzore, materiale dhe në valutë që ishin shpenzuar para se të vinim tek Lidhja e Lezhës, ishin siguruar nga Principata e tij, që përfshinte këta kufij administrativë: Krujë, Dibër, Mat dhe Mirditë.
Ky shembull personal i Skënderbeut dha efekte të jashëzakonshme. Nxiti çdo princ për të tejkaluar parashikimet në kontribute ekomomike që ofrojë në dobi të Lidhjes. Sepse Skënderbeu kishte krijuar bindjen edhe tek princat e tjerë:
Pa bashkim ekonomik të kontributeve financiare dhe të burimeve njerëzore, do të ishim të humbur të gjithë.
Shumë interesante ishin të rejat që ofruan në kumtesat e tyre Dr. Zyber Gjoni dhe studiuesit e pasionuar dibranë Ali Hoxha dhe Haki Përnezha.
Kryqëzimi i burimeve historike që ata ofruan, shoqëruar me toponomastikën dhe onomastikën e zonës Çidhnës, që ata e njihnin aq mirë, ishin nga befasitë dhe u dëgjuan me shumë interes.
Analiza kritike që bëri Ali Hoxha ndaj disa autorëve dhe në debate televizive, që i japin Skënderbeut më shumë kontribute fetare se atdhetare, u prit mirë nga pjesëmarrësit.
Kumtesat dhe diskutimet e studiueseve dibranë ndihmuan për të kristalizuar mendime të përbashkëta për çështje të diskutueshme rreth të vërtetave historike që kërkojmë.
Kryetari i Këshillit Bashkiak dhe përfaqësuesja e Bashkisë, diskutuan dhe premtuan mbështetje në aktivitetet e ardhshme dhe falënderuan pjesëmarrësit dhe organizatorët.