Torinezja, Karolina Festa (Farrici) – Qytetare Nderi e Burrelit


Më 16 mars 1911 (njëqind e shtatë vite më parë), në familjen e çiftit Viçenzo e Roza Festa, në qytetin e Torinos në Itali, shpërtheu gëzimi dhe hareja, sepse ajo u shtua me një foshnjë të seksit femër, të cilën e pagëzuan me emrin e bukur, Karolina. Para saj në këtë familje kishin ardhur edhe katër fëmijë të tjerë, motrat Xhuzepina, Anxhelina e Xhina, si dhe vëllai i saj i vetëm, Xhovani, i cili mbante gradën doktor i Shkencave Ekonomike. Si fëmija i fundit, Karolina gëzoi tërë kujdesin familjar, duke u rritur dhe edukuar më së miri në profesionin e mësuesisë dhe si një “zogë e bukur”, që me rritjen e saj, në moshë e në shtat do të bëhej nuse e birit të Matit, Hasan Farricit nga fshati Vinjall i rrethit të Matit, në Shqipëri. Ky djalosh, me fizik e bukuri të veçantë dhe me arsimim të lartë ushtarak të marrë në Itali, si inxhinier xhenier, e pikasi këtë “thëllënzë mali”, me tërë hiret e saj femërore, karakteristike dhe edukatën e shëndoshë qytetare që ajo posedonte dhe demonstronte në familje, në rrugë dhe në mjedise të tjera të Torinos dhe jo vetëm, duke i dhënë besën njëri-tjetrit” ndërtuan familjen e re shqiptaro-italiane, të cilën e trashëguan për tërë jetën e tyre. Hasani, bashkëshorti i ardhshëm i Karolinës – Torineze, përballoi pengesa dhe vështirësi serioze atje në Itali.
Edhe pse ai studionte në shkollën e lartë ushtarake atje në Itali, në fushën e inxhinierisë së xhenjos, pushtimi i vendit të tij nga fashizmi italian më 7 prill 1939, e indinjoi thellë dhe u bë një nga kundërshtarët e vendosur antifashist, ku pasojat për të do të ishin një rebelim i vërtetë. Kundërshtimi i betimit të tij, së bashku me shumë shokë studentë bashkëatdhetar, bënë që t’iu nënshtrohej vuajtjeve të shumta, deri në burgosje, të dënuar nga Gjykata Ushtarake e Romës, me akuzën e antifashistit të vendosur e të rrezikshëm. Nën vuajtje të tmerrshme fizike, morale, njerëzore dhe shpirttërore të thellë u gjend edhe e dashura e tij, Karolina, të cilës iu kërkua me këmbëngulje nga autoritetet italiane, divorci me Hasanin,vetëm e vetëm se ky ishte antifashist shqiptar, me rrezikshmëri të lartë, kundër pushtimit fashist italian në Shqipëri. Pas kryerjes së dënimeve të dhëna nga drejtësia italiane, Hasani dëbohet nga Italia për në Shqipëri. Por që nuk iu nda pas edhe Karolina me të cilën kishin ndërtuar familjen dhe kishin lidhur jetën bashkëshortore.
Që të dy erdhën në Shqipëri, duke lënë Torinon e Italisë, qytetin e ëndërrave të fëmijërisë e të rinisë, ku ishte lindur, rritur, arsimuar, e edukuar kjo vajzë besnike. Çifti Farrici, pasi kaluan së bashku muajin e parë në Vinjall, vetë Hasani do të sistemohej me punë në Ministrinë e Punëve Botore në Tiranë dhe pas çlirimit të vendit në fundin e vitit 1944 deri në vitin 1948 punoi si ushtarak, oficer xhenjoje në Ministrinë e Mbrojtjes. Por edhe për Hasanin do të përsëritej kërkesa që i ishte bërë Karolinës në Itali, të divorcohej me bashkëshorten e tij, Karolinën, sespe kjo ishte një shtetase e huaj dhe si e tillë duhet e do të kthehej në vendin e origjinës, në Itali. Si Hasani, ashtu dhe Karolina e kundërshtuan këtë masë ndëshkimore si një veprim antinjerëzor, aq më tepër se ato tashmë kishin edhe një femije, djalin e parë, Skënderin. Karolina edhe kushtin tjetër të rëndë, që iu kërkua nga autoritetet shqiptare, atë të ndryshimit të nënshtetësisë e të kombësisë italiane, e kundërshtoi me vendosmëri.
Në harkun kohor deri në vitin 1960, ku Hasani punonte në disa qytete si në Shkodër, Elbasan e Lushnjë, Karolina për disa kohë ka qëndruar e banuar me periudha të gjata në fshatin e bashkëshortit të saj, në Vinjall, ku tashmë ky fshat ishte bërë si një vendbanim i dytë i dashuruar prej saj, ku fitoi edhe dashurinë e respektin e grave e vajzave të këtij fshati.
Karolina ishte një lexuese pasionante libri dhe nëpërmjet profesionit që ajo zotëronte, si rrobaqepëse e nivelit të lartë, këtë profesion e bënte pjesë masive e bashkëpunëtoreve të saj në qytetin e Burrelit, për të cilin komuniteti kishte shumë nevojë. Kontributi i saj për një kohë të gjatë në këtë profesion si rrobaqepëse, bëri që në sa e sa raste emri i saj të vlerësohej si një model pune, si një model sjelljeje qytetare, por dhe si një model femre e humanisteje, sidomos për fëmijët dhe të rinjtë në nevojë që kishin për këtë lloj shërbimi, ku vetëm në Burrel shërbeu për 32 vjet pa ndërprerje. Në këtë qytet, ajo jetoi dhe edukoi mrekullisht tre fëmijë, Skënderin i cili mban titullin “Qytetar Nderi” i Burrelit, djalin tjetër Idealin, si dhe vajzën, Donika që jeton në Itali.
Pas vitit 1992, Karolina deri në vitin 2000 kur u nda nga jeta e saj dhe nga gjiri i familjes, e i shoqërisë së saj, banoi në qytetin e Torinos në Itali. Por nuk iu nda dhe qytetit të Burrelit dhe Shqipërisë, sepse Këshilli i Bashkisë së Matit, me vota unanime i dhanë zonjës Karolina Farrici (Festa) titullin e lartë “QYTETARE NDERI” e Bashkisë Mat, me motivacionin: “Vajzës së lindur në Torino të Italisë, që sakrifikoi çdo gjë për hir të dashurisë së vërtetë, lirisë, humanizmit dhe që krijoi në Mat, bashkë me Hasanin, që rrezatoi mirësi, edukatë dhe kulturë femërore duke lënë gjurmë respekti te të gjithë”, titull i cili shpreh dashurinë dhe respektin për të, si dhe që do të rrezatojë ndër breza vlerat dhe kontributin e saj si një qytetare, si nënë, bashkëshorte, por që do të shërbejë edhe si një urë e fuqishme miqësie e mirëkuptimi të popullit të Matit me atë të Torinos në Itali dhe anasjelltas. Nderimi i saj me dhënien e këtij titulli të lartë do të mbetet një kujtim i bukur dhe i paharruar për të gjithë komunitetin e Matit për sot dhe përgjithmonë.
Renato TOTRAKU
Nëntor 2018