Zeqi Agolli dhe Mit’hat Frashëri në Betejën e Dibrës, nandor 1943


Zeqi Agolli iku nga kjo jetë në moshën 93 vjeçare. Për të nuk shkroi asnjë gazetë, nuk u dha asnjë lajm në mjetet e komunikimit masiv. Kryeministri u harrua në bisedat me këdo në facebook. Ministri Bushati nuk u fol se shkoi për ngushëllim (pa le të lironte hollin e Ministrisë për t’i bërë homazhe e nderime një diplomati karriere që zor se i afrohet kush). Mendjen e kishin tek eshtrat e kryetarit të Ballit Kombëtar…

BALLË PËRBALLË ME MIT’HATIN
E “BALLIT KOMBËTAR”

1 nandor 1943
Tanë natën lufta vazhdoi pa u ndërpre…
… Hamdi Lleshi, ZeqiAgolli e shokë të tjerë, që përdorin mitralozët e randë të vendosur nalt, nën pullaz, janë flliqëduersh e turinjsh si të ishin farkëtarë. Por ata, në realitet, janë farkëtarë të jetës së re dhe do të mbeten të tillë derisa të realizohet ideali i tyne…
Është ky një fragment i shkëputur nga shënimet ditë e natë të shkrimtarit partizan Haki Stërmilli në “Shtigjet e lirisë”…
Betejë e zhvilluar në Dibër të Madhe, në anën tjetër të kufirit shqiptaro- shqiptar, betejë midis forcave të rregullta partizane dhe atyre të parisë dibrane nën komandën e Mit’hatFrashërit të Ballit Kombëtar dhe Bazit të Canit të Legalitetit.
Po çfarë donte Mit’hatFrashëri dhe AbazKupi në Dibër në një moment kthese historike kur Italia fashiste kishte kapitulluar pa kushte dhe gjeneral Azzi, komandant i Divizioni “Firence”, i ishte dorëzuar me gjithçka kundërshtarit të vetëm ndërluftues, Batalionit Partizan të Dibrës?
Shkurt, me pak fjalë, aq sa shënon në një ditar që bie era barot, shkrimtari dëshmitar me sy, me veshë e me laps në dorë,tregon se Mit’hati ato ditë ka udhëtuar pa pra që nga Lura, Peshkopia, Dibra e Madhe, Mati etj…
“Krenët e Dibrës, të nxitun prej MithatFrashërit, HasanDostit dhe IsufLuzës që kanë ardhë këtu, kërkojnë me e marrë sundimin e vendit bashkë me depot e materialeve ushtarake që kanë lanë italianët dhe që tash janë në duart tona” (24 gusht 1943)
Dy beteja, dy fitore të forcave partizane në Peshkopi dhe Dibër të Madhe dhe dy humbje, në Peshkopi dhe Dibër të Madhe, kur forcat e Parisë së Dibrës, Ballit e Legalitetit me në krye gjermanët e operacionit “Edelweis” (rreth 3000 vetë) armatosur me topa të kalibrit të lartë, mitraloza, tanke etj. shkatërruan në themele qytetet dhe plaçkitën si barbarëqyetarët…
“16 nandor 1943
Sot, në orën 10.30 paradreke, plasi pushka. Qyteti u sulmue nga të tri anët. Tash lufta zhvillohet e egër dhe sa shkon shtohet furia e saj rritet.. Tash, mbasdreke, anmiqtëfilluen me përdorë artileri dhe mortaja të randa. Qëllojnë me përpikmëri. Kuptohet se janë gjermanët ata që gjuajnë me kaq saktësi. Artilerinë e randë e kanë vendosë mbi majat, tej urës së Spiles. Nji predhë e artilerisë anmike tash ra mu në strehën e dritares sime…
…Nji autoblindë, e mbetur prej italianëve, u riparue dhe u nis me krye aksione kundër pozitave anmike.
… Autoblinda nuk mundi me ngadhënjye. Ajo paska shku jashtë qytetit dhe paska ndeshë në pritat e anmikut. Gjithashtu qenka gjuejtë edhe prej artilerisë anmike. Hamdi Lleshi dhe shoferi paskan ra dëshmorë…”
Dibra e Madhe ra nën breshërinë e topave, mortajave, bombave të rreth 3000 forcave gjermane, Ballit Kombëtar dhe të parisë së Dibrës. Me pushtimin e Dibrës së Madhe filloi Operacionin gjermano-ballist i Dimrit 1943-1944…

***
Nuk do ti kisha cituar këto ngjarje huajtur nga ditari “Shtigjet e Lirisë”, sikur plot 75 vjet më vonë, në Tiranë të mos ishin hapur “dy varre”, njeri në Parkun Kombëtar dhe tjetri në Varrezat e Tufinës. Njeri do të mbulonte eshtrat e Mit’hat Frashërit e tjetri trupin e ZeqiAgollit, njeri kryetar i Ballit Kombëtar dhe tjetri partizan…
ZeqiAgolli iku nga kjo jetë në moshën 93 vjeç. Për të nuk shkroi asnjë gazetë, nuk u dha asnjë lajm në mjetet e komunikimit masiv.
Kryeministri u harrua në bisedat me këdo në facebook.
Ministri Bushati nuk u fol se shkoi për ngushëllim (pa le të lironte hollin e ministrisë për ti bërë homazhe e nderime një diplomati karriere që zor se i afrohet kush).
Mendjen e kishin tek eshtrat e kryetarit të Ballit Kombëtar… Vetëm një portal, Dibraexpres.com përcolli një shënim në internet, shoqëruar me një fotografi, po nga interneti…
“ZeqiAgolli (shkruante portali) ka lindur në Tiranë më 23 mars 1923, në një familje me tradita patriotike. I ati i tij, Rexhep Agolli, ka mbështetur fuqishëm lëvizjen për pavarësinë e vendit…
Xhaxhai i tij, Vehbi Dibra (Agolli), është një nga drejtuesit patriotë të vendit. Ai ishte pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në ngritjen e flamurit të Pavarësisë më 28 Nëntor 1912 kuu zgjodh Kryetar i Senatit të qeverisë së kryesuar nga IsmailQemali…
Arsimin fillor dhe të mesëm ZeqiAgolli e kreu në Tiranë. Studimet e larta i ka kryer në degën Histori- Gjeografi, të cilat i ka përfunduar në vitin 1957 me vlerësimin “shkëlqyer”. Është njohës i shkëlqyer i pesë gjuhëve të huaja: italisht, frëngjisht, rumanisht, rusisht dhe anglisht…
ZeqiAgolli është diplomat i shquar, me një përvojë 44-vjeçare në karrierën e tij…
ZeqiAgolli është i shoqi i dramaturges dhe shkrimtares së madhe Drita Agolli, si dhe vëllai i artistes së famshme të Teatrit dhe Kinematografisë sonë Esma Agolli…

***
Unë e kam njohur ZeqiAgollin në vjeshtë të vitit 1959 kur erdhi në fshatin tim në shoqërim të një delegacioni të huaj. Më tërhoqi pamja e tij, trupi i gjatë e i drejtë, fisnikëria e komunikimi i ëmbël. Më ngeli (edhe sot) në kujtesë zëri i tij melodioz dhe frëngjishtja e rrjedhëshme si në një poezi…
Në vitin 1966-1967 do ta njihsha më nga afër, tash si kolegë pune në bujqësi, ai kryetar i kooperativës bujqësore të Dohoshishtit e unë si përgjegjës sektori në Ndërmarrjen Bujqësore të Dibrës. Nuk erdhi vetëm. Erdhi bashkë me të shoqen Drita Agolli dhe me nënën. La emër në Dohoshisht atyre viteve kur punohej për përmirësimin e jetës në fshat, për daljen në dritë të figurës së gruas dhe vajzës, për shkollimin e të rinjëve dhe të rejave asokohe në dy shkolle të mesme në qytetin e vogël të Peshkopisë, Shkollës së Mesme Pedagogjike dhe Shkollës së Mesme Bujqësore…
Më vonë, sa herë që takoheshim ndjeja ngrohtësinë e një njeriu që dinte të tëhynte në zemër e të ulej këmbëkryq në shpirtin tënd…

***
Por kush është ZeqiAgolli?
Një përgjigje që një libër i tërë, në luftë kundër pushtuesit nazi-fashist dhe shërbëtorëve të tyre, nuk e nxë, mbase edhe dy…
Nga goja e tij le të shkëpusim disa fragmente nga “hyrja në një intervistë”…
“Unë kam lindur në Tiranë në 23 mars 1923. Prejardhjen e hershme e kam nga Dibra. Babai im më ka vdekur shpejt. Ai, së bashku me të vëllanë, Vehbi Dibrën (Agollin), kanë qenë ndër veprimtarët e veçantë në shërbim të Pavarësisë së vendit, ndërkohë që Vehbiu pati edhe post të lartë në qeverinë e parë, e dalë menjëherë pas Shpalljes së Pavarësisë.
Është një nga liderët patriotë që në krye të delegacionit të Dibrës, mori pjesë direkt në ngritjen e flamurit tonë kombëtar në Vlorë në 28 Nëntor 1912.
Pikërisht në mbledhjen e parë solemne, ku u ndërtua qeveria e parë e shtetit të ri shqiptar, e cila do të hynte fuqishëm në historinë e vendit, xhaxhai im, i propozuar nga patrioti i madh Luigj Gurakuqi, u zgjodh Kryetar i Senatit të saj dhe gjatë gjithë kohës së qeverisë së IsmailQemalit ai ka qenë krahu i djathtë i tij. Madje, vlen shumë të përmendet një fakt më se historik, ku tregon më së miri afrimitetin e tyre. Ky fakt ka të bëjë me momentin kur është larguar IsmailQemali në krye të delegacionit shqiptar për në Londër për të mbrojtur interesat e vendit. Si zëvendës të tij në detyrën e kryeministrit ai nuk la Nikollë Kaçorin, që ishte juridikisht zëvendëskryetar, por ia delegoi kompetencat për të nënshkruar të gjitha aktet e qeverisë në emër të tij, pikërisht Vehbi Dibrës. Ky detaj është dhe në rrëfimin e vetë Ismail Qemalit në botimin e tij…
Ne e kemi pasur babain në gjendje. Ai, kur vdiq në vitin 1934, e la nënën vetëm 34 vjeç, mua 11 vjeç, time motër Esmanë 6 vjeç dhe motrën e vogël Semihanë vetëm 9- muajshe…
Pushtimi i Shqipërisë, mua më gjeti vetëm gjashtëmbëdhjetë vjeç. Megjithatë, nuk e di, por isha i përgatitur psikologjikisht të bëja diçka dhe të mos pranoja në heshtje realitetin e zymtë të Shqipërisë së asaj kohe. Nuk e di as sot se çfarë më bëri aq të vendosur, që në ditët e para kur prisnim me orë pushtimin…
…Unë kam qenë aktiv që në demonstratat e datës 4, 5 dhe 6 prill 1941, kur pritej të hynte ushtarakisht Italia fashiste…
…Ishte pasdreke e datës 6 prill 1939. Nëna ime, Ija, po lante rrobat në pusin e oborrit të shtëpisë. Kur në një moment dëgjojmë zhurmën e skuadriljeve të avionëve ushtarakë italianë që kalonin mbi qiellin tonë. Ija u ngrit në këmbë, ngriti sytë drejt aeroplanëve, përplasi duart në shenjë alarmi dhe me lot në sy thirri me të madhe: “Na iku Shqipëria”. Kur pashë nënën ashtu duke qarë dhe dëgjova fjalët e saj aq të zjarrta për Shqipërinë, m›u rrëqeth trupi dhe nuk munda t›i mbaja lotët. Ky ishte mësimi më i mirë patriotik për atdheun që ma dha nëna ime e shtrenjtë, Ija ime e dashur.
Kam qenë veçse 16 vjeç, por nuk e di, më dukej vetja shumë i burrëruar. Kisha një idealizëm patriotik që më digjte të tërin. Në çdo çast zieja për faktin se si mund një ushtri e huaj të vijë e të bëjë ligjin në shtetin tonë. Ndoshta është ajo mosha adoleshente dhe patriotizmi që karakterizonte fuqishëm djalërinë shqiptare në atë kohë.
Kështu, me gjithë nënën time e kthyem shtëpinë ku banonim në bazë të sigurtë të lëvizjes nacionalçlirimtare.
Në të kanë hyrë që nga Enver Hoxha, Qemal Stafa, Vukvanoviç Tempo me sekretaren e tij që më mbrapa u bë gruaja e tij, Miladin Popoviçi, Vojo Kushi, Gogo Nushi, Nako Spiru, Ramiz Alia, Ali Sina, Ali Zhuri, Galip Hatibi, Skënder Kosturi, Myfaret Dhrami, Jashar Mezelxhiu, Sadik Premtja, Sejfulla Malëshova, Misto Mame, Pirro e Alqi Kondi, Nexhmije Xhuglini, Naxhije Dumi, Liri Gega, Jovan Andoni, Fiqiri Basha etj.
Ka qenë një nga bazat kryesore të luftës. Pikërisht në shtëpinë time është zhvilluar Konferenca e Jashtëzakonshme e Partisë Komuniste.
Ka qenë një mbledhje që zgjati plot katër ditë e katër net, pa u ndërprerë që nga momenti kur ilegalët u futën brenda në dhomën e katit të dytë të sajuar për takim të posaçëm. Mbaj mend që punonin me orë të tëra në konferencë, ku dëgjoheshin debate e përplasje. Ishin rreth 15 veta gjithsej…
Zeqiu, djalë i vetëm i  familjes së Rexhep Agollit, vëllai i dy motrave dhe i një nëne dibrane trimëreshë, do të rrëmbente pushkën e do të dilte malit.
Atë do ta shohim trim në betejën e Dibrës së Madhe, partizanin “Zeqi Agolli e shokë të tjerë, që përdorin mitralozët e randë të vendosur nalt, nën pullaz, janë flliqëduersh e turinjsh si të ishin farkëtarë. Por ata, në realitet, janë farkëtarë të jetës së re dhe do të mbeten të tillë derisa të realizohet ideali i tyne…”
Përballë kishte Mit’hatFrashërin… E mundi 75 vjet më parë…

 

Ndahet nga jeta diplomati dhe poligloti Zeqi Agolli

Unda nga jeta, më 18.11.2018, Zeqi Agolli, veteran i LANÇ dhe për disa kohë shef i Departamentit të Jashtëm në Komitetin Kombëtar të Veteranëve të LANÇ.
Zeqi Rexhep Agolli lindi në Tiranë më 23 mars 1923, në një familje patriotike dhe të lidhur ngushtë me luftën kundër pushtuesve të huaj, madje duke qenë Shtëpi Bazë e LANÇ. I Ati i tij, Rexhep Agolli, ishte burrë i nderuar dhe si financier i zoti, mbështeti fuqishëm lëvizjen për pavarësinë e vendit së bashku me të vëllain Vehbi Dibra (Agolli) që ishte një ndër nismëtarët e shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, dhe mori pjesë në ngritjen e Flamurit në Vlorë, më 28 Nëntor 1912, dhe në formimin e qeverisë së parë nën drejtimin e Kryeministrit Ismail Qemali, ku Vehbi Dibra u zgjodh kryetar i Senatit të qeverisë. Zeqi Agolli ishte bashkëshorti i Drita Agollit, regjisores së parë grua në Shqipëri, si dhe aktore, pedagoge dhe shkrimtare, e nderuar me titullin e lartë “Mjeshtre e Madhe e Punës”. Ai ishte edhe vëllai i artistes së njohur të Teatrit Kombëtar dhe Kinematografisë shqiptare Esma Agolli. Pas çlirimit të vendit, Zeqi Agolli kreu studimet e larta në fakultetin e Histori-Gjeografi. Ishte njohës i pesë gjuhëve të huaja, italisht, frëngjisht, rumanisht dhe anglisht. Që në moshë të re Zeqi mori pjesë në grupet e edukimit në Tiranë, u aktivizua në aksione të ndryshme me rininë antifashiste që u zhvilluan në Tiranë në mbështetje të LANÇ. Ai mori pjesë në shpërndarjen e trakteve luftarake dhe në demonstratat që u organizuan në qytetin e Tiranës.
Shtëpia e Zeqi Agollit ka qenë një nga bazat më të fuqishme të njësive guerile të Tiranës. Në këtë bazë kanë hyrë udhëheqësit kryesorë të PKSH dhe LANÇ, si Enver Hoxha, QEmal Stafa, Misto Mame, Vojo Kushi, Gogo Nushi, Nako Spiro, Nexhmije Xhuglini (Hoxha), Ramiz Alia etj. Enver Hoxha qëndroi 9 muaj tek ajo shtëpi bazë e LANÇ.
Në 23 nëntor 1941 Zeqi Agolli mori pjesë në themelimin e Rinisë Antifashiste Shqiptare. Në shkurt të vitit 1943 u pranua anëtar i PKSH, në qershor 1943 zgjidhet anëtar i KQ të Rinisë Antifashiste. Në shtator të vitit 1943 caktohet sekretar politik i Rinisë Antifashiste të Dibrës së Madhe. Në të njëjtën kohë zgjidhet sekretar i Komitetit Antifashist Nacionalçlirimtar të Qarkut Dibër, me Kryetar Haki Stërmillin. Në nëntor 1943 hyri në radhët e batalionit partizan të Dibrës së Madhe, me Komandant Haxhi Lleshi, Hero i Popullit, dhe mori pjesë me armë në dorë në luftimet e batalionit deri në çlirimin e plotë të vendit tonë, më 29 Nëntor 1944. Në gusht 1944 caktohet Sekretar Politik i KQ të Rinisë Antifashiste në Peshkopi. Mbas çlirimit të vendit Zeqi Agolli shërbeu si shef kabineti i Enver Hoxhës.
Dy vjet më pas, punoi për mëse 42 vjet me radhë në funksione të ndryshme në Ministrinë e Punëve të Jashtme, si drejtues dhe diplomat në krye të disa ambasadve të vendit tonë në shumë shtete të botës. Pas një karriere të gjatë dhe të suksesshme diplomatike, në vitin 1988 në moshën 65 vjeçare, Zeqi Agolli doli në pension.
Ai ka qenë një prind shembullor që ka ditur me bashkëshorten, Dritën të edukonin, dy vajza të mrekullueshme, Tamarën dhe Elirën, të cilat kanë shërbyer me përkushtim në sektorë të ndryshëm të vendit. Për punë korrekte dhe si kuadër me dinjitet, Zeqi Agolli është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me disa urdhra dhe medalje. Si gjithë të tjerët Zeqi ka përkrahur dhe ka ditur të orientohet drejt në proceset demokratike të vendit tonë pas vitit 1990. Mbas daljes në pension u anëtarësua në Organizatën e Veteranëve të LANÇ, Zona nr. 2, në njësinë administrative nr. 2. Ka qenë gjithnjë i përkushtuar në zbatimin e detyrave të ngarkua duke kontribuar në mbrojtjen e vlerave të LANÇ dh propagandimin e tyre në radhët e brezit të ri. Për kontributin e dhënë ka qenë zgjedhur në disa konferenca Anëtar i Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar. Është vlerësuar me titullin e lartë “Nderi i Organizatës së Veteranëve të LANÇ”.
Me vdekjen e tij familja humbi njeriun e saj më të dashur dhe ne një shok besnik të idealeve të LANÇ. Në emër të Kryesisë së Komiteit Kombëtar, si dhe personalisht të Kryetarit Rustem Peçi, Sekretarit të Përgjithshëm Odise Porodini dhe Kryekëshilltarit të Komitetit Kombëtar Ziqiri Mero, i shprehim familjes ngushëllime më të thella për humbjen e njeriut të tyre të shtrenjtë.
Zeqi Agolli u nda nga jeta më 18.11.2018 dhe u përcoll me gjithë nderimet që meritonte.
Për të gjithë rolin dhe kontributin e tij është vlerësuar nga miqtë dhe dashamirësit e tij. Para disa muajsh u nda nga kjo jetë dhe bashkëshortja e tij Drita Agolli. Tashmë ato janë së bashku në jetën e amshueshme. I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre. Komuniteti dibran i Tiranës humbi një personalitet të spikatur të diplomacisë e mendimit, së bashku me regjisoren dhe profesoren e Akademisë së Arteve të Bukura, Drita Agolli!
U prehshi në paqe!