Zjarret në pyje, si të bashkëveprojmë për t’i parandaluar


Njerëzit dhe pyjet kanë qenë e janë aleatë të përhershëm, ndoshta që nga koha e krijimit të botës, si një binom i pandashëm. Në këtë rrugëtim të gjatë e të përbashkët, ka qenë dhe mbetet detyrë e njerëzimit të shtojë kujdesin për ruajtjen dhe menaxhimin e pyjeve. Mbjellja e fidanëve të rinj, mosprerja pa kriter dhe parandalimi i zjarreve në pyje, do të ishin tre pikat më të forta për të mbajtur dhe forcuar këtë aleancë të lashtë sa vetë jeta.
Çdo vit zjarret dëmtojnë miliona hektarë të lëndës drusore me vlerë, produkte të tjera pyjore , shkatërrojnë shërbimet mjedisore dhe turistike të siguruara nga ekosistemet pyjore. Humbja e jetëve njerëzore, shtëpive, ndërtesave të tjera, rrugëve, tokës së fermës dhe pemëve frutore, si dhe habitateve, përbejnë vërtet një dëm kolosal dhe vështirësisht të riparueshëm. Kur gjithë kësaj fature fatkeqësish dhe me një kosto shumë të lartë i shtohet erozioni masiv i tokës, si dhe emetimi i gazit karbonik në ajër, pasojat bëhen të pallogaritshme dhe situatat dalin krejt jashtë kontrollit. Zjarret nuk njohin as kufinj mes shteteve mes bashkive, as mes pronës shtetërore dhe asaj private.
Sa për të zgjuar pak kujtesën do të hidhemi vetëm dy tre muaj pas në kohë, në rajonin e Atikës së Athinës, në Greqinë fqinje, ku një zjarr masiv mori njëqind jetë njerëzore, pa hyrë në llogari të tjera. Normalisht dhe vendi ynë e qarku i Dibrës janë prekur hera herës nga zjarre që kanë bërë dëme të shumta. Bekim Qosja, përgjegjës i qarkut të Dibrës për Zonat e Mbrojtura , tregon se më problematikë kanë qenë zjarret e periudhës 2007 – 2012, në zonën e Selishtës, Lurës, Prat, apo diku tjetër. Vitin e kaluar zjarret kanë qenë më të pakta, më të dukshme në Sllatinë dhe Kërçisht, por akoma më pak ka pasur këtë vit, një ogur i mirë për të gjithë ne, merremi apo jo direkt me pyjet.
Po cilat janë masat mbrojtëse kundër zjarreve të pyjeve? Durim Kaba, inxhinieri i pasionuar i pyjeve thotë se hapi i parë dhe vendimtar në menaxhimin e zjarreve të pyjeve, është identifikimi i atyre parametrave që mundësojnë vlerësimin e rritjes së propabilitetit të zjarrit. Të gjitha masat e marra në parandalimin dhe luftimin e zjarreve, sipas kohës që janë ndërmarrë dhe synimit të tyre ndahen në: masa parandaluese, përgatitore dhe lokalizimit e shuarjes.
Masat parandaluese janë të gjitha ata masa që merren vazhdimisht, gjatë tërë vitit dhe ju drejtohen totalisht njerëzve. Qëllimi i tyre final është të parandalojnë shfaqjen e zjarreve dhe kjo bazuar në një nga postulatet e mjekësisë, që thotë më mirë ta parandalosh sëmundjen, se sa ta mjekosh atë.
Po ti shohim për nga karakteri dhe aplikimi i tyre, do të mund ti gruponim në: masa ligjore, masa edukative dhe masa informative – propagandistike.
Masat ligjore shihen si shumë të rëndësishme. Shteti shqiptar i adreson këto çeshtje në Kushtetutë, me ligje dhe akte nënligjore. Meqë pyjet janë një thesar kombëtar, të gjithë qytetarët janë përgjegjës për parandalimin e zjarreve. Si ligje mjaft të rëndësishëm mund të përmendim: “Për emergjencat civile”, “Për mbrojtjen nga zjarri dhe shpëtimin”, “ Për pyjet dhe shërbimin pyjor”, apo “ Për vetëqeverisjen vendore”.
Masat edukative janë ato që përfshijnë edukimin dhe ndërgjegjësimin e njerëzve, në të gjitha grupmoshat. Ato mund të jenë në formë leksionesh të ndryshme, media elektronike dhe e shkruar, apo në formë broshurash e librash të ilustruara me fotografi.
Masat informative – propaganduese, mund të zbatohen dhe kombinohen dhe me grupin e dytë, që përmendëm më sipër. Ky grup masash konsiston në:
– Vendosjen e shenjave në vendet e dukshme, që kanë të bëjnë me ndalimin e ndezjes së zjarrit.
– Organizimi i takimeve dhe bisedave informative me grupe të ndryshme njerëzish të tillë si, barinj, fermerë, biznese, turistë, apo kategori të tjera.
Për të pasur një ndikim sa më të fuqishëm duhet të synojmë njerëzit e duhur, të përcjellim mesazhin e duhur, të gjejmë kohën e duhur për mesazhin dhe të përdorim mjetin e duhur për këtë qëllim.
Metodat për të shuar një zjarr janë të shumta, si ajo me anë të dheut, me anë të ujit, me substanca kimike, me eksploziv, por gjithsesi më klasikja dhe më e përdorshme është ajo me anë të ujit.
Padyshim të gjitha këto masa që përmendëm nuk mund të jetësohen e të vihen në zbatim nëse nuk ka një përfshirje masive të komunitetit dhe fuqizim të rolit të bashkive, si organe të qeverisjes vendore. Bashkitë përfaqësojnë strukturën më të rëndësishme shtetërore, për administrimin e pyjeve dhe kullotave.
Ka kohë që bashkia e Dibrës është përpjekur ta vendosë këtë problem në shina të sigurta. Në drejtorinë e bujqësisë që funksionon pranë këtij institucioni, është krijuar një sektor që menaxhon pyjet bashkiakë. Përgjegjësi i këtij sektori, inxhinier Vullnet Tafa, tregon se në shumë njësi administrative, janë vënë punonjës specialistë për të vëzhguar, koordinuar dhe sensibilizuar problemet e sektorit pyjor. Ata, si sektor dhe si bashki, janë të hapur për bashkëpunime dhe projekte shtetërore, apo me organizata të huaja. Vetëm nëse bëhen bashkë të gjithë faktorët njerëzorë dhe vlerësohen të gjitha hallkat e zinxhirit në mbrojtjen nga zjarret në pyje, jeta jonë do të jetë më e qetë, më e sigurtë, me më shumë oksigjen në mushkëritë tona dhe me më shumë sipërfaqe të gjelbërta.