A duhet t’i pyesin studentët prindërit apo gjyshërit si u shkolluan ata?


Nga Abdurahim Ashiku

Jam në krah të studentëve, madje i kam zili për freskinë që i sjellin kohës, në pamje fizike, por edhe në mendimin plot bukë.
Thashë se “i kam zili” sepse brezi im, tash gjyshër, lindur e rritur në tjetër kohë, nuk e kishte gojën të mbushur që të dilte e protestonte si ata protestojnë sot. Jetonte kohën më të vështirë pas një lufte shkatërrimtare në qelizë të jetës.
Linda në kohë lufte dhe klasën e parë e fillova atëherë kur në gazeta, libra, bile edhe faqe kodrave shkruhej “Bukë dhe kulturë për popullin”!
Do kohë nuk kishim fletore e lapsa dhe, edhe librat na i përcillnin apo i përcillnim brezave që vinin pas. Nuk e di se si por në klasë të parë në vend të fletoreve na sollën pllaka guri, pllaka të zeza futur si fotografitë në kornizë, dhe lapsa guri. Pllakat në njërën anë ishin të vizuara për bukurshkrim e në anën tjetër për aritmetikë. Shkruanim mbi pllakë ushtrimet matematikore detyra shtëpie, shkruanim edhe alfabetin si detyrë bukurshkrimi. Mësuesi i vlerësonte, vinte notën mbi pllakën e gurtë e më tej në regjistër e ne, me një fshirëse të sajuar si zar, i shuanim për të marrë detyra për ditën tjetër.
E mendoja se kjo gjë ndodhte vetëm në fshatin tim luginës së Drinit të Zi dhe nuk e publikoja se druhesha se do më qeshnin, por kur këtë ma pohoi në një bisedë edhe një personalitet i sotëm i shkencës për fshatin e tij në Lumin e Vlorës e besova se ishte kudo.
Mësuesit një “pëllëmbë vite” ishin më të mëdhenj se ne por atë që na jepnin e thithnim me forcë e kishin në përmasat e një universitari.
Vonë, kur bëra një shkrim me titull “Mësuesit më të përkushtuarit e më të harruarit” më erdhi dy letra. Njërën ma shkruante mësuesja ime e klasës së tretë që më dha mësim në vitin 1951 e tjetrën mësuesi i klasës së dytë.
Po shkëpus dy fragmente…
“Akoma pa mbushur 16 vjeç, pas një kursi metodik pedagogjik, lash Beratin dhe erdha në Peshkopi, fillimisht në fshatin Brezhdan, i cili më ka lënë mbresa të paharruara në kujtesë dhe pastaj në kufi, në fshatin malor të Cerjanit ku e ndjeva veten në shtëpinë time. Pra për herë të parë hyra në jetë, në punë si arsimtare për tu dhënë njohuritë e para të gjuhës sonë të bukur shqipe vocërrakëve aq të etur për dije. Në këtë kohë aq të vështirë për të jetuar ku përveç varfërisë qemë të detyruar të përballemi edhe me kërcënimet dhe ofendimet e disa skeptikëve apo keqdashësve që e shihnin si luks duke ndikuar që fëmijët e sidomos vajzat të mos ndiqnin shkollën. Pra ne arsimtarëve të atij brezi na duhej jo vetëm të jepnim mësime në shkollën fillore por edhe të shkonim në çdo familje, shtëpi më shtëpi për tu mbushur mendjen disa prindërve që hezitonin të dërgonin fëmijët në shkollë si dhe për të grumbulluar të gjithë analfabetët në kurset e luftës kundër analfabetizmit që i zhvillonim mbrëmjeve pas pune.
Për mungesë të klasave dhe numrit të domosdoshëm të arsimtarëve na duhej të jepnim mësim në klasa kolektive. Puna kaq e ngarkuar na detyronte të përgatisnim planet e punës për dy klasa dhe kurset e analfabetizmit deri natën vonë. Por kjo punë, megjithëse e lodhshme nuk na demoralizonte, përkundrazi ndjenim sadisfaksion. Ne e bënim këtë sepse e quanim për detyrë ndaj brezave, e quanim të domosdoshme dhe në asnjë mënyrë nuk na shkonte mendja se të kesh dhënë apo të japish mësim në fshat është ofendim apo ke qenë dhe je i persekutuar. Një mendim i tillë është ofezë për çdo patriot, ofezë për rilindësit që kthenin shtëpitë e tyre në shkolla dhe nën kërcënimin otoman apo të shovinistëve grekë, serb apo maqedonas, u jepnin dritë, pra u jepnin arsim fëmijëve shqiptarë të lënë në errësirë duke sakrifikuar edhe jetën. E pra, këta, qenë frymëzimi për ne dhe e quanim për nder të mësonim fëmijët e malësorëve të lënë në errësirë e injorancë pa shkrim e lexim.
Sa kënaqësi është për ne kur shihnim që fëmijët e këtyre malësorëve të zgjuar, me gjithë që në kondita shumë të vështira, mësonin me vëmendje.
E ndjeva veten krenare kur pashë nxënës të mi nga Brezhdani e Cerjani i Peshkopisë, nga Kukësi në Veri, nga fshati malor i Bogdanit në Berat apo nga Saranda në Jug të Shqipërisë, etj. ku unë kam punuar si arsimtare të jenë bërë me arsim të lartë e të mesëm pedagogjik, mjekësor, agronomi etj. Pavarësisht nga trajtimi material, i cili edhe sot është tepër diskriminues për arsimtarin dhe le për të dëshiruar, gjithashtu pavarësisht nga mohimi që iu bë personit tim kur erdha në Tiranë për të vazhduar punën e dashur të arsimtares, me gjithë arsimin pedagogjik që kisha, ndjehem krenare dhe aspak e penduar, mbasi gëzoj simpatinë e ish nxënësve të mi kudo që janë. Le tu rëndojë në ndërgjegjen e tyre ajo padrejtësi, atyre që e bënë.
Ju falënderoj për kujtimet që më zgjuat, kujtime të cilat i ruaj edhe në marrëdhënie me shumë familje të nxënësve të mi, kudo që kam qenë.
Ju përshëndes
Nigjare Didi ( Velçani )
Tiranë 7.7.1993

Në të njëjtën kohë një tjetër letër, tash nga një mësuesi im i klasës së dytë nga Përmeti shoqëruar me një fotokopje të borderosë së mësuesve të Dibrës 16-31 janar 1951…
Mësuesi im më shkruante…
“Lexova me vëmendje artikullin e datës 20 qershor 1993 “Mësuesit – më të përkushtuarit dhe më të harruarit“ të shkruar nga ju Abdurahim Ashiku.
Përmbajtja e shkrimit kujton një të kaluar reale, por i bën thirrje edhe një realiteti të sotëm.
Më emocionoi por edhe më entuziazmoi mendimi juaj që jepni për disa mësues, të ardhur aty në Brezhdan të Peshkopisë dhe veçanërisht për mua, më të riun, në moshën 18 vjeçare, i ardhur nga jugu i Shqipërisë, nga Përmeti (Fshati).
Unë dhe të tjerët erdhëm me dëshirën e madhe për të shkolluar vëllezërit dhe motrat tona, fëmijët e vegjël, por edhe për të zhdukur një plagë të trashëguar nga shekujt e kaluar, analfabetizmin e prindërve tanë.
Për këtë nuk morëm parasysh as largësinë, as rrogën e vogël e sa e sa vështirësi të tjera të atyre viteve, punuam para dhe pas dite me përkushtim atdhetar sepse për ne qe e qartë që i shërbenim atdheut, i shërbenim Shqipërisë dhe vetëm Shqipërisë.
Mbi çdo gjë për ne qe dashuria për fëmijët e vegjël, për tu mësuar atyre shkrim e këndim, dashurinë për atdheun dhe më vonë për të ecur me këmbët e tyre në shërbim të Shqipërisë, të familjes dhe të vetes.
Ne brezi i arsimtarëve krenohemi, që këtij qëllimi ia kemi arritur duke e bërë Shqipërinë të ketë një vend të merituar në botë, me një popull plotësisht të arsimuar dhe pa asnjë analfabet.
Ne arsimtarët krenohemi kur takohemi ose na takojnë ish nxënësit tanë të vegjël, tash mësues, inxhinierë, ushtarakë, këngëtarë etj.
Unë tash kam hyrë në vitin e 6-të të pensionit, por nuk mund të harroj mikpritjen e atij populli dibran, respektin dhe dashurinë që ata treguan për ne arsimtarët jabanxhinj. Shumë kujtime të pashlyera më janë fiksuar nga gjithë familjet e Brezhdanit. Mikpritja, bujaria, thjeshtësia, komunikimi reciprok na e lehtësonte detyrën tonë të vështirë por humane. Këtë respekt e provova atëherë, por që e rishfaqën duke e provuar edhe një herë në vitin 1968 kur u ndodha me shërbim në qytetin e Peshkopisë dhe ku brezhdanasit me të marrë vesh ardhjen time në qytet nuk më lanë asnjë natë të rrija në qytet.
Puna e mësuesit i del para sysh gjithsecilit. Është e vetmja rrugë që e kalon gjithkush, është pjesa më e bukur e gjithsecilit. Në përfytyrim i del secilit mësuesi i tij i parë, pavarësisht se çfarë detyre kryen ai sot.
Asgjë nuk duhet t’i mohohet mësuesit, sepse ata janë dhe do të ngelen më të përkushtuarit…
Me respekt
Gavril Kota
29.6.93.

Këto rreshta të shkruara me sinqeritetin më të lartë të mundshëm ndokujt nga brezi i sotëm i duken si fantazi.
Për mua janë të vërteta sepse ato çaste i kam jetuar, madje i kam në shpirt si kujtime të çmuara.
Pasi mbarova shkollën fillore mu desh që çdo ditë, vjeshtë me shi, dimër me akull e dëborë, pranverë me gjelbërim e lule, të bëja, mbathur jo me çizme por me opinga lope, gjashtë plus gjashtë kilometra rrugë nga Brezhdani në Peshkopi e kthim për të vazhduar shkollën shtatëvjeçare. Nga fshati im me “treqind shtëpi” para meje ishte një nxënës që iu desh ta ndërpriste mësimin në klasën e shtatë për tu thirrur si mësues asaj kohe kur “shtatëvjeçarja ishte universitet”. Pas meje ishin dy të tjerë…
Ende në psikologjinë e fshatarit zotëronte mendimi më mirë një vezë sot se një pulë mot, më mirë me dele e me dhi se sa me shkollë. Për djemtë ishte fjala se sa për vajzat, pas fillores së detyruar mbylleshin jo rrugët por shtigjet.
Në vitin 1956 tek vazhdoja shkollën e mesme bujqësore në Fier për menu mëngjesi kishim çaj me bukë misri e marmelatë…
Ende vendi nuk i kishte ikur sistemit të triskëtimit…
Diçka do të ndryshonte vitet që erdhën por përsëri e jetonim jetën (tashmë studentore) si na vinte. Vitin e parë në Institutin e Lartë Shtetëror të Bujqësisë si e mori emrin në shtator 1961, dhjetëvjetorin e tij, flinim i tërë kursi, 120 vetë në një sallë të madhe në godinën e vjetër të Shkollës së Dakes në krevate druri dhe në dyshekë me kashtë…
Një vit më vonë “fjetorja” u bë sallë studimi, madje me ngrohje qendrore çka na e hiqte të dridhurat fizike provimeve të dimrit.
Në fjetoren “e re” (dikur klasë e shkollës së Dakes) flinim 28 vetë, në krevat hekuri e në dyshekë pambuku…
Dhe vetëm në vitin 1966, kur u ndërtua godina e parë e konviktit të Institutit një pjesë nga ne, në prag të diplomimit, u strehuam në dhoma 6 vendeshe, të ngrohta e me një hapësirë studimi edhe “në dhomë”…
Bursa ishte modeste, 3000 lekë të kohës, 2400 prej të cilëve shkonim për ushqim, 100 për fjetje e 500 për ndonjë film apo teatër e opera. Për tu veshur bukur ferma e Kamzës dhe ajo e Laprakës i kishte dyert e hapura, kuptohet punë me bel e kazmë…
…Kur mbaruam Institutin shkuam atje ku na kish ra lotaria, fushave e maleve për të mbjellë e për të korrë… Kohët kanë ndryshuar, hapësira është zgjeruar aq shumë sa nuk ka “pashë njeriu” ta masë. Studentët që kanë mbushur bulevardet e protestojnë në të drejtën e kohës duhet t’i pyesin baballarët, nënat, gjyshërit dhe gjyshet e tyre që u ra barra e rëndë ta nxjerrin vendin nga analfabetizmi i tejskajshëm në shkollimin masiv tetëvjeçar e në shkollimin e mesëm në të gjitha krahinat e Shqipërisë dhe edhe më maloret, që krijuan institutet e para dhe Universitetin e parë në Shqipëri 61 vjet më parë (çudi se sa të vonuar paskemi qenë në rrugën drejt dijes) si e jetuan kohën e tyre.
Në radhët e studentëve dëgjohet e njëjta parullë si në dhjetorin 1990…
”E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”!
Një thirrje që më ngjan me duart e shtrira në lutjet në kisha e xhami drejtuar Zotit. “A po ma fal Evropën Zot!”
Studentëve të dhjetorit 2018 do tu shkonte për bukuri parulla:
“TA BËJMË SHQIPËRINSI GJITHË EVROPA!”…
Dhe kjo bëhet duke i vënë shpatullat e jo duart…
12 dhjetor 2018