Elez Isufi, dibrani që u dekorua nga mbreti i Austro-Hungarisë


Kujtoj se asht e tepërt me u zgjat në përshkrimin e gjendjes s’administratës, kur ishte Ahmet Zogu kryeministër e ministër i Punëve të Mbrendshme, mbasi të interesuemit e dinë fare mirë. Veprimet arbitrare dhe ilegale provokuen që të bahesh antentati kundër Ahmet Zogut në parlament. Ahmet Zogu shpëtoi me nji plagë të vogël në dorë. Por, përveç disa pak besnikëve të tij, gjithë populli dhe ushtria u çue kundër tij dhe banë Revolucionin e Qershorit, i cili përfundoj me fitimin e kryengritësve dhe me ikjen jashtë Atdheut të Ahmet Zogut me shokët e vet…
Elez Jusufi e çmonte delikatesën e gjendjes së turbullueme, prandaj herë pas here i shkruente dhe i tërhiqte vrejtjen ministrit të Mbrendshëm, Rexhep Shalës, ashtu dhe Bajram Currit. Nga fundi i telegrafoi Rexhep Shalës, tue i tregue se rreziku që i kërcënohet sot Dibrës, sigurisht, nesër do t’i kërcenohet Tiranës e gjithë Shqipërisë. Me këtë kuptim, i shkroi nji letër edhe z. Kristo Dako, ish-deputet i Dibrës, i cili ia dëftoi letrën Fan Nolit, kryeministër i qeverisë revolucionare. “E di, ishte përgjigjur Fan Noli, plaku nuk shkruan gënjeshtra dhe nuk gabohet, por, sigurisht, ka kalue koha për marrje masash”.
…Pak ditë para se të pëlciste kryengritja, Ahmet Zogu, me anë të Dine Hoxhës e të Murat Kaloshit, i kishte propozue Elezit shuma të mëdha dhe zotime me i përmbush dëshirën, mbasi të rrëzonte regjimin e të merrte në dorë fronin e shtetit. Por, thotë Dine Hoxha, meqenëse Murat Kaloshi s’dinte me e paraqit çështjen në atë hollësi mendjeje që meritonte u zemërue Elezi dhe s’u bind. Të gjitha këto arsye, ashtu dhe thirrja zotnuese e ndërgjegjes kombëtare, e shtynë me mos shikue asgjë me u hedh në rrezik me pezmatim e dëshpërim të madh. Merr me vete nja njiqind vetë nga Reçi e nga Dardha dhe shkoi në Peshkopi, nji ditë përpara se të fillonte kryengritja.
…Krahina e Maqellarës përbahet prej 23-24 katundesh. Rruga që shkon nga qyteti i Dibrës së Madhe për në Peshkopi i ndan në dysh këto katunde. Për këtë shkak katundet e ndame në dy pjesë quhen “katundet mbi udhë” dhe ‘katundet nën udhë”. Katundet mbi udhë janë rreshtue rranzë malit që e ndan kufinin shqiptar me atë të Serbisë. Katundet nën udhë janë ndërtue gjatë buzës së Drinit. Nga të dy këto pjesë nji numër i madh i popullsisë ishin fut në qytet për tue u vu në shërbim të Ahmet Zogut.
Simbas planit të përgjithshëm, fuqitë e Ahmet Zogut në këtë mënyrë do të nisshin veprimin:
Fuqia e Aqif Lleshit, e Taf Kaziut dhe e Pëllumb Lleshit do të suleshin në anën që quhen “katundet nën udhë” dhe fuqia e Dine Demës dhe Dine Maqellarës do t’i mësynin “katundet mbi udhë”. Fiqiri Dineja me nji fuqi tjetër do të krefte rranxën e malit dhe mandej do të pushtonte gurin e Erebarës që zotnon mbi Qenok. Major Gjilardi, Sul Shehu, Mustafa Bej Serdari dhe Sherif Tafa me nji fuqi të konsiderueshme do të dërgojshin nga maja e malit Skertec, në mënyrë që t’u mbajshin krahët fuqinave të përmenduna ma nalt dhe t’i pranojshin në rast nevoje Dine Hoxhën, Murat Kaloshin dhe Selim Nokën me fuqitë e tyne do të rraseshin në katundin Pollozhan dhe do t’i kërcënohesh Peshkopisë e kazermës së saj. Në të gjitha këto fuqi, përpos atyne që komandonte Dine Hoxha, Murat Kaloshi e Selim Nezha, kish oficera rusë, topa, mitralozë, kafshë të ngarkueme me municion e ushqime.
Elez Jusufi, tue e pa gjendjen kritike dhe tue e çmue se fuqija e tyne e vogël nuk ishe gjendje me i përballue fuqitë e mëdha të kundërshtarit, thuhet se i propozon Ali Riza Topallit që të tërhiqeshin në disa vende strategjike të malësisë, prej ku ta pengojshin Ahmet Zogun, në veprim e në marshim kundrejt Tiranës. Elezi dëshironte që të mos derdhej gjaku kot, ta zgjojë qeverinë e Tiranës dhe t’i sigurojë kohë kësaj për me marrë masa defensive. Por Ali RizaTopalli, për shkaqe të pazbulueme prej nesh, nuk e pranoi propozimin e Elezit.
Fuqitë kryengritëse, kur iu avitën Qenokut, ndeshën n’atë fuqi të vogël q’ishin zbrapsë nga Maqellara dhe kishin zanë vend aty. Krisi pushka. Meqenëse mbi gur t’Erebarës s’kishte ndonji fuqi qeveritare, Fiqiri Dinja e pushtoi pa ndonji pengim dhe Qenoku ra në dorë të kundërshtarëve pa ndonjë vështirësi të madhe. Katër a pesë të vramë e të plagosur mbetën nga të dy palët.
Ushtria e rregullishme që ndodhesh në Llasen, nji vend nja njizet minuta larg Peshkopisë, luftonte me trimni të jashtëzakonshme dhe la nja 15 dëshmorë. Fuqia e major Gjilardit dhe e Sul Shehut që qe dërgue nga maja e Skertecit, e qëlloi ushtrinë nga krahu i majtë dhe në këtë mënyrë e lehtësoi sulmin që bajshin kryengritësit në ballë t’ushtrisë. Natyrisht, në fund, fituen kryengritësit.
Kur vazhdonte lufta në Llasen duel në Peshkopi Suf Xhelili. Mbasi e konstatoj gjendjen kritike u kthye e u tha Elezit e Ali Rizait e oficerave të tjerë se “po të qëndrojshin edhe ma në Peshkopi, do të bijshin rob në duart të kryengritsave ose do të vriteshin, mbasi situata ishte përtëkeq fare”. Kur pyetet Ali Rizai sa municion ka në depo, ai përgjigjet se s’kishte veçse katër arka. Kjo përgjigje i tronditi dhe i trembi të gjithë, në çrregullim të plotë…
Elezi i imponoi burrnia e shtefnija që të mos largohet nga kazerma pa ardh dhe ajo ushtri që ndodhej në ballët e luftës dhe që ishte dhanë urdhni me u zmbraps. Prandaj, priti i mërzitun. Ndërkohë, zunë me ra si breshën plumbat e kundërshtarëve n’oborr të kazermës, atëherë u çue Suf Xhelili dhe duel jashtë kthinës.
Atë e ndoq mbasandej edhe Elez Jusufi. Suf Xhelili u vra tue zbrit nga nji mur i ulët i oborrit të kazermës, kurse Elez Jusufi u plagos n’oborr. Ali Riza Topalli me shokët e vet duel nga kthina për t’ikë, por tue e pamë Elezin që ishte rrëzue i plagosun, Ali Rizai e kapi kryet e vet me grushta dhe u kthye prapë me gjithë shokët e u mbyllën mrenda. Mbas nja pesë minutash u futën ngadhnjyes në kazerma Fiqiri Dinja, Hysni Dema, Sul Shehu dhe Aqif Lleshi; disa ditë më parë këta të fundit i kishte armatosur Ali Rizai. Kështu Ali Rizai bashkë me shokët e tij oficera ra rob në duert të kryengritsave dhe lufta mori fund.
Suf Xhelili u vra dhe vdiq në çast. Elez Jusufi, i plagosun me dy plumba nën kërthizë, ndërroi jetë natën e 29-30 dhjetor 1924. Vrasja e tyne s’qe aksidentale apo e rasës. Ishte përgatit nergut dhe u krye prej njerëzve të shenjuem. Ndërkohë u vra Murat Qerrja dhe u plagos Nesim Ahmeti, Osman Musai dhe Mehmet Kurti, të gjithë nga Dardha e besnikë t’Elezit…
Elezi leu në katundin Sllovë të krahinës Trojak në Dibër të Vogël. I kishte kalue të gjashtëdhjetë vjetët. Ishte trashaman e me shtat mesatar. S’kishte fuqi oratorike, as bukuri trupi e ligjërimi, fuqinë mendore e kishte të pasun e të fortë. Gjithë jetën e kishte shkue ndër male e në mes të malësorëve. Në kohën e Turqisë kishte takue e bisedue me njerëz të mëdhenj. Pak fliste e shumë dëgjonte. E kuptonte mendimin e folësit, por nuk e thoshte atë që mendonte. Mpreftësia e mendjes dhe hollësia e gjykimit t’Elezit i kishin habitë edhe diplomatët e huaj. Si në t’ecun, ashtu dhe në të folun e në punë ishte i randë e i plogët. Ishte kokëfortë dhe njeri me sedër. Sa qe gjallë kërkush s’mundi me e bamë vegël e dëshirave të veta.
Në kohën e Turqisë, simbas zakonit t’athershëm të malësorëve ishte bamë dalëzotësi i pasanikëve dhe i pashallarëve të mëdhenj të nënprefekturës së Rekës që kishin kope të mëdha delesh dhe i mbronte këta kundrejt të liqve dhe kusarëve. Për këtë shërbim merrte prej tyne nji shpërblim të caktuem dhe dhurata të mjafta. Kësilloj, në krahasim me shokët, qe bamë mjaft i pasun.
Qe bamë prijësi i popullit të Dardhës e të Reçit që shquhen në trimni. Shtëpija e tij ishte streha e tyne. Influenca e shkathtësia e Elezit jo vetëm në Reç e në Dardhë po shtohesh edhe në të gjithë krahinat e Dibrës.
Zotësia e influenca e Elezit në Dibër që dukej qysh në kohën e Turqisë kur ishte kapter i gjindarmërisë, detyrë kjo, gjatë kohës së ushtrimit të së cilës i pat bamë shumë shërbime qeverisë, tue i pre hovin cubnive, kusarive e ligësive të ndryshme që baheshin prej andej.
Imperatori i Austro-Hungarisë Franz Josefi e dekoroi me “Frans Jozef-Orden”, me dekoracion lufte së bashku me dekretin përkatës, Z292 1917, më datën 2 Fruer 1917, kur shkoi në Vjenë për të marrë pjesë si delegat i Dibrës në festën e datëlindjes së tij.
Në Shqipni, në mënyra të ndryshme, Elezi bani shërbime të çmueshme. Në kohë të Turqisë, më 1912, kryengritja e madhe që u ba në Kosovë, ma së pari ka fillue me guximin e Elez Jusufit. Kur qytetarët e Dibrës së Madhe dolën në mal, me përkrahjen e Elez Jusufit e mbasi u bashkue ky burrë me ta, arrinë qëllimit që patën. Prapë në 1912, kur ushtria serbe marshoi për në Dibër nga ana e Prizerenit, në Qafën e Kolesjanit të Lumës Elezi bani nji luftë të rreptë kundra serbëve që vijshin si dhunuesa dhe iu shkaktoi dëme të mëdha.
Më 1915, kur ushtritë serbe, të thyeme prej fuqive austro-hungareze, po ikshin nëpër Lumë, Elezi i priti ndërmjet Kalasë së Dodës e Trojakut dhe në luftën e përgjakshme që u ba, lanë serbët përpara materialit luftarak të shumët, me mijëra të vramë, ndër të cilët dhe shumë oficera me grada të nalta. Më 1921, tre a katër muaj me radhë u qëndroj serbëve në malet e Lurës dhe nuk i la të rrasen brenda Shqipnisë. Me nji trimni e rezistencë të jashtëzakonshme dhe tue qendrue në shi e dëborë i përballoi serbët dhe nuk u hoq s’andejmi, deri sa u liruen kufijt e 1913-ës. Në këtë mënyrë Elezi i sherbeu Atdheut, për të cilin bani sakrifica të mëdha tue dhanë prova atdhedashunie.
Kur u vra Elezi bashkë me nipin, me të marrë këtë lajm, oficerët serbë që ndodheshin në qytetet të Dibrës së Madhe, për gëzim të kësaj, gostitën të gjithë ato që qenë prezent me çaj e ambëlsira etj. Shumë herë nga shqiptarë e të huaj i qenë propozue me mijëra napolona, por ai nuk ndërroi mendje, nuk e shiti ndërgjegjen dhe nuk e pezmatoi zemrën tue i vu vetes nji njollë të pashlyeshme. Deri në vdekje qendroi besnik i Atdheut e i idealit kombëtar.
Kur dergjesh i plagosun çova nji njeri për me e pyet mbi gjendjen shëndetësore. I thotë të birit, Cenit: “Falju me shëndet Ismail Strazimirit dhe thuej se afrimi i vdekjes e trubulloka njerin, por, në shpëtofsha kësaj radhe nga thonjtë e natyrës, nuk do të përzihem ma me njerëz, kam me u ba bari bagëtish”.
Me këtë mënyrë më nepte me kuptue se vdekja që po i kërcënohej kësaj radhe e kishte shtye të mos marrë masa paraprake sikundër duhesh, mbasi ajo qenka urdhërue prej fatit. Veç kësaj, deshte me thanë: “Punova për Komb e Atdhe. Tue dasht që të mos i veçoj njerëzit në partizanë e në kundërshtarë u ndihmoi dhe ua mbrojti nderin dhe pasunin e tyne. Këta njerëz që unë u pata ba kaq nder me dhanë besën, por më tradhtuen. Prandaj, në shpëtofsha nuk do t’i baj ma kujt”.
Edhe nipi i Elezit, Suf Xhelili, qe trim e i mençëm. Përmendesh për besën që kishte zakon me e mbajt. Dhe ky, si Elezi, ishte njeri me shtefni. Ky ishte i përvujt, gojambël, zemërbardhë, i pashëm dhe i hijshëm. Po të jetonte, ky mund të zinte vendin e Elezit.

***
Si hynë në Peshkopi fuqitë kryengritëse, Ahmet Zogu duel nga qyteti i Dibrës së Madhe dhe erdh në katundin Grevë, ku qendroi nji natë. Të nesërmen, don me thanë me 18 Tetuer 1924, erdh në Peshkopi, ku qendroi dy ditë.
Mbasi i plotësoi mungesat e nevojat dhe mbasi muer me vete edhe fuqinë e Kryeziut, që erdh nga Luma, u nisën për Mat, tue kalue nëpër katundin Selishtë. Në krye të javës që filloj kryengritja, Ahmet Zogu u fut në Tiranë.
Kur ishte Ahmet Zogu në Peshkopi shkova atje. Rrugës ndesha nja tridhjet a dyzet ushtarë të çveshun e të çarmatosun që kishin qenë në Peshkopi dhe tash me nga nji shkop në dorë po shkojshin nëpër shtëpijat e tyne.
Sosa në Peshkopi. Peshkopia ishte mbush plot me njerëz, dikujt i nepshin të holla dhe dikujt armë. Gjithë kjo përgatitje po bahesh për të rrëzue qeverinë që kishte pësue aq kobe. Kjo gja me bani përshtypje të madhe; më ngjau sikur i turren nji të sëmuri të mbushun me plagë.
Shkova për ngushullim ke djemtë e Elezit. Kur dola prej andej bante nji ftoftë i madh. Veç kësaj, nji mjegull e dendun dhe e zezë e kishte mbulue horizontin.
Ndërkohë, në rrugën e Trojakut pashë dy gra, nji plakë dhe nji e re që kishin hyp mbi kuaj dhe po udhëtojshin të pezmatueme e të trishtueme. Plaka ishte e ama e Riza Drinit, ish-nënprefekt i Lumës dhe tash i refugjuem n’Itali, e me e reja ishte bashkëshortja e tij fatkeqe që ishte martue me të dy muej ma parë. S’kishte marrë me vete veçse dy valixhe dhe kishin ikë të tmerrueme për me u struk në shtëpi t’Elez Jusufit, që të shpëtojshin shpirtin e nderin. Pamjet e Qenokut, e Peshkopisë dhe e Trojakut m’i rrënqethen edhe dejt’ me t’imta të shpirtit e të zemrës dhe më plagosën randë.
Po të mos e kishte lanë Elez Jusufi punën në duer të prefektave, të komandantëve e të ministrave dhe po t’i hidhej në ballë, ashtu sikur kishte bamë edhe ma parë tue nisë nga veprimi i tij i zakonshëm; po të kishte ardhë me kohë në Lumë Bajram Curri; po të mos kishte tregue aq mizori e mahnitje Ali Riza Topalli; po të mos kishte tradhtue detyrën Qamil Kelqerja, Hamza Kuçi e Mujo Peja, në asnji mënyrë Ahmet Zogu nuk do mundesh të futesh në Shqipni nga ana e Dibrës. Sepse në këtë rast nuk do të mundesh me i tërheqë kah vetja gjithë ata dibranë që përbanë fuqinë e tij. Ose, po të sulmonte me përkrahjen e ushtrisë së rregullshme të Serbisë do të derdhesh gjak i madh dhe s’mund të kalonte në Dibër, por tue shkelë mbi kufomat e dibranëve që kishin me e bamë jetën fli.
Prandaj, me syrin tim, Elezi dënohet për paftësinë që tregoi prej dëshpërimit; Bajram Curri për plogështi që tregoi tue mos e çmue gjendjen; Ali Riza Topalli për qeverisjen e ligë e mizore dhe për mahnitjen e tij të pakufizueme q’arrinte deri në vdekje; Qamil Kelqerja, Hamza Kuçi e Mujo Peja për tradhtinë e naltë që banë tue abuzue detyrën e tue mos i qendrue besnikë të regjimit, të cilit i kishin dhanë besën e fjalën e nderit.

(Marrë nga libri me kujtime i Ismail Strazimirit me titull “Lufta kundër pavarësimit të Shqipërisë”, botimet “Naimi”. Botohet me shkurtime me rastin e përvjetorit të vrasjes së Elez Isufit, dhjetor 1924)