Ëndrra amerikane është ëndërr shqiptare


Erman Dine është një nga pasardhësit e Fiqiri Dines, kryeministër i Shqipërisë në Korrik-Gusht 1944. Ai është djali i vogël i Sazan dhe Veronika Dines, i lindur dhe rritur në Gjazë të Lushnjes, ku familja e tij ishte e interrnuara.
“Unë ndjehem fatlum që jam pjesë e familjes dhe e fisit që bëri jo pak emër, jo vetëm në Dibër por në të gjithë Shqipërinë”, e nis bisedën Ermal Dine, që njëkohësisht është edhe një kantautor i njohur në SHBA. I ndërgjegjshëm se jo gjithçka mund të thuhet në një intervistë, ai thekson se “ndjehem i privilegjuar që kam atë Baba dhe Nënë që na rritën në kushtet më të vështira të imagjinueshme. Xhaxhai im, Tomorri i cili ka qenë gjithmonë pranë babait dhe familjes së tij, na mësoi vjershat e Skëndërbeut të Naimit. Ata kaluan tek ne virtytet, vlerat njerëzore, traditën dhe kulturën e familjes tradicionale shqiptare. Na mësuan të duam vendlindjen dhe çdo gjë shqiptare pavarësisht periudhës komuniste, sepse Shqiperia është shumë më e madhe dhe më e vjetër se periudha e turpshme e komunizmit. Po ashtu ndihem fatlum për vëllezërit që kam, djemtë dhe vajzat e xhaxhallarëve dhe të hallave me të cilët u rrita dhe vazhdojmë të jemi pranë njëri-tjetrit në të keqe e në të mirë”.

Cili është rrugëtimi nga “ferri “Savër të Lushnjës drejt “ëndrrës amerikane”?
Ky rrugëtim ka qenë një “Odise”e vërtetë. Nuk kishte si të ishte ndryshe kur shpërngulesh familjarisht nga Shqipëria e kohës së komunizmit për në Amerikë. Ekziston një hapësirë shumë e madhe midis të dyjave si nga aspekti gjeografik, po ashtu nga ai kulturor dhe i zhvillimit njerëzor të gjithanshëm. Ne jetuam në një vend të mbushur me bunkerë betoni, totalisht të izoluar nga pjesa e botës. Të rrethuar me tela me gjëmba, me kampe interrnimi dhe burgje të panumërta. Liria fizike dhe ajo e shprehjes nuk ekzistonin. Imagjinoni për një moment ndikimin psikologjik që një shpërngulje e tillë mund të ketë tek njerëzit e lindur dhe të rritur në një diktaturë si ajo e Shqipërisë. Brenda familjes tonë dhe shoqërisë së ngushtë ekzistonte koncepti i lirisë dhe i demokracisë, sepse kishim me çfarë ta krahasojmë, megjithatë midis konceptit dhe realitetit ekziston një hapësirë shumë e madhe. Shkuam nga një diktaturë çnjerëzore tek vendi me demokracinë më të përparuar në botë. Aty ku liria fizike dhe e shprehjes janë e drejtë elementare për çdo njeri, pavarësisht etnisë, besimit fetar apo racës. Aty, ku suksesi individual kufizohet vetëm nga aftësitë dhe ambiciet e individit! Ëndrra Amerikane është për çdo njeri që punon dhe respekton ligjet e vendit. Që mendon dhe punon për një të ardhme sa më të mirë për veten, familjen dhe fëmijët. Pra është ëndërr e çdo njeriu pavarësisht vendit ku jeton, është edhe ëndërr shqiptare. Është sidomos ëndërr shqiptare e cila për ne dhe të gjithë shqiptarët që jetuan kohën e komunizmit rezultoi të ishte e paarritshme në vendlindje. Sot, 28 vjet pas largimit nga atdheu, jemi të integruar në shoqërinë multikulturore të Amerikës. Kemi hedhur rrënjë të reja në tokë të huaj e cila për ne është “shtëpia larg shtëpisë”. Për këtë jemi shumë mirënjohës ndaj shtetit Amerikan dhe shoqërisë që na pranoi mes tyre.

Si e përjetuat bashkimin e Familjes së Madhe?
Bashkimi jonë familjar pas një periudhe ndarje prej 46 vjetësh ishte një eksperiencë që nuk do ta harrojë kurrë. Ishte data 11 Shkurt e vitit 1991. Dita që lamë atdheun, dita e parë e lirisë për të gjithë ne. Ishim të gjithë pjesëtarët e familjes sime, pra nëna babai dhe të katër djemtë. Ishte po ashtu edhe djali i xhaxhait. Xhaxhai, gruaja dhe vajza e tij erdhën dy ditë më vonë. Po ashtu edhe halla me të gjithë familjen e saj. U bashkuam të gjithë në Athinë të Greqisë. Mendonim se gjëra të tilla ndodhin vetëm në filma. E kam akoma të freskët në kujtesën time dhe e kujtoj shpesh atë ditë. Do të kishte qenë një skenë ideale sikur bashkimi të kishte ndodhur në Maqellarë, aty ku e kishim lënë në 45-ën. Por ja që ëndrrat, edhe ato pak që realizohen, nuk dalin ashtu si i përfytyrojmë ne. Megjithatë ajo mbetet një nga eksperincat më mbresëlënëse që kam përjetuar në jetë. Ditën e parë na priti xhaxhai (Xhelal Dine), i cili kishte ardhur nga Amerika. U thanë shumë gjëra atë ditë, gjatë takimit të parë. Ishim të gjithë të pushtuar nga një ndjenjë e çuditshme. Ndodhën shumë gjëra, shumë shpejtë. Sidomos për ne që ishim mësuar me monotoninë e jetës në një diktaturë që i kishte mohuar njeriut të gjitha ngjyrat dhe nuancat që e bëjnë jetën të paparashikueshme dhe interesante. Edhe shpresa, e cila vdes e fundit zbehej nga dita në ditë. Nuk po e zmadhoj kur them sene jetonim me bindjen se nuk do të shiheshim më kurrë me familjarët përtej kufirit. Bashkimin mund ta quaj një ringjallje të vërtetë, me të gjithë kuptimin e fjalës. E gjithë kjo eksperiencë kishte ndjesinë e një ëndrre të bukur që shumë prej nesh e kishim përfytyruar shumë herë në imagjinatën tonë. E vetmja liri që gëzonim deri atë ditë. Kjo ndjesi vazhdoi edhe të nesërmen. Aty do të shihja edhe ribashkimin e nënës me vëllanë e saj, të cilin nuk e kishte parë që në moshën 6 vjeçe. Deri atë ditë nuk kisha parë as nënën dhe asnjë burrë të familjes të derdhte lot si atë ditë. Pak ditë më vonë do të takoja edhe Mixhën Dilaver, vëllanë e Fiqiriut, dhe gruan e tij. Dilaveri ka qenë pranë Fiqiriut gjatë gjithë jetës së tij, politike, ushtarake dhe private, deri ditën që ai ndërroi jetë. Fiziku dhe qëndrimi i tij edhe pse i moshuar, ishte dinjitoz dhe të impononte respekt. Përkrahja dhe ndihma që familjarët tanë na dhanë gjatë procesit të aprovimit të azilit politik, më pas edhe në Amerikë është e paçmueshme!

Cila është gjyshja për Ju, që tregohej me gisht në diktaturë si gruaja e burrit dhe nëna e djemve “armiq të popullit”?
Unë nuk e njoha gjyshen, për fat të keq. Ajo ndërroi jetë pak kohë përpara se të lindja. Do të kisha shumë dëshirë ta njihja. Të kisha provuar dashurinë e dyfishtë të gjyshes. Sa pyetje që do të kisha për të. Sa shumë gjëra do të zbardhte ajo, për historikun e familjes sonë. Për fëmijërinë e tim eti, prapësitë e tija. Për vendlindjen e tij, për Maqëllarën, për njerëzit e saj. Për atë Shqipëri tjetër, në zhvillim e sipër me të gjitha shtresat e një shoqërie të lirë për të cilën unë vetëm kisha dëgjuar nga kujtimet e pakta të atyre që e kishin jetuar në moshën fëminore ose shumë të re. Nga pikëpamja e një gruaje, e një nëne, jashtë çdo kornize politike. Megjithatë e kam ndjerë prezencën dhe ndikimin e saj në familjen tonë nëpërmjet babait dhe nënës, e cila e ka dashur dhe respektuar shumë. Po ashtu edhe nga kujtimet e vëllezërve më të mëdhenj. Mësova se ishte grua e fortë, e rreptë, por e drejtë, të cilës nuk i binte fjala në tokë. Po ashtu e dashur, bujare dhe e butë me fëmijët.

Ju jeni shumë aktiv me statuset tuaja në rrjetet sociale për zhvillimet në Shqipëri. Mos ka të bëj me gjenin familjar?
Është e vërtetë që kam qenë aktiv në rrjetet sociale për disa vite. Unë ndjej një përgjegjësi për të treguar atë që jetova dhe pash me sytë e mi gjatë diktaturës komuniste. Sidomos kur shikoj sa shumë pak njohuri ka për atë kohë.
Ne u lindëm dhe u rritëm në një mjedis armiqësor të mirëfilltë. Njerëzit keqdashës ishin kudo, i përkisnin të gjitha moshave dhe shtresave të ndryshme të shoqërisë. Duke filluar që nga moshatarët tanë, mësuesit, qytetarët e thjeshtë të indoktrinuar me doktrinën përçarëse enveriste, administratorët e fermës ku jetonim, të qytetit e deri tek byroja politike në kryeqytet. Ne ishim në shënjestër. Mjaftonte shkaku më i vogël për të cënuar të pambrojturit, siç ishim edhe ne, klasa e të “deklasuarve”. Kështu na kishte etiketuar shteti komunist. Rastet e përbuzjeve, e konflikteve dhe përpjekjet e disa bashkëpunëtorëve të regjimit komunist për të na bërë keq ishin të panumërta. Ishte një luftë psikologjike e gjithanshme, një persekutim që vinte nga kushdo dhe në çdo kohë. Unë kam një rast konkret, që më ndodhi kur isha në shkollë tetëvjeçare, në Ngurrëz të Lushnjes. Mësuesja e frëngjishtes një ditë më nxori përpara klasës dhe u tha fëmijëve të klasës “kjo është fytyra e shëmtuar e armikut” dhe më qëlloi me grusht në bark! Shkaku ishte ndonjë prapësi fëminore ose mos bërja e detyrave ashtu siç duhej. Më kujtohet edhe një rast tjetër. Nëndrejtori i shkollës më nxori mua dhe gocën e xhaxhait përpara gjithë nxënësve të shkollës, tetëvjeçare dhe të mesme. Filloi të tallej në mënyrën më cinike me rrobat që ne kishim veshur. Ishin rroba të ardhura nga Amerika, diçka që për “ta” ishte halë në sy. Kishin një dëshirë të zezë për të na parë dhe për të na bërë sa më shumë keq!

Cila është Muza Juaj në albumin “The Cries of the Eagle” dhe kënga e fundit?
“The Cries of The Eagle” është një projekt muzikor, një album muzike në gjuhën angleze. Jam akoma në punë e sipër. Po mundohem që të dalë sa më mirë dhe shpresoj që t’a përfundoj së shpejti. “The Cries of the Eagle” në shqip përkthehet “Klithmat e Shqiponjës”. Kjo këngë ekziston në dy versione, shqip dhe anglisht, u shkruajt dhe u kompozua në gjuhën shqipe me titullin “Ndryshk”. Një nga arsyet kryesore për krijimin e kësaj kënge është tundimi që viktima ka për të denoncuar krimin që i është bërë. Sidomos kur organet shtetërore, bëjnë shurdhin dhe qorrin.
Frymëzimi i këngës në versionin shqip ishte kalvari i vuajtjeve pafund i familjes, fisit tim, i shokëve dhe miqve të tyre,që jetuan në bërthamën e terrorit komunist. Për fat të keq ky qe edhe fati i shumë familjeve të tjera në Shqipëri. Jam munduar të përmbledh një hark kohor 74 vjeçar brenda formatit të një kënge. Ndodhën shumë tragjedi në Shqipëri brenda këtij harku kohor. Vëllavrasja gjatë luftës së dytë botërore, e cila zgjati deri në rënien e komunizmit dhe kulminoi me ngjarjet e vitit famëkeqe të 97-ës. Kohën e së ashtuquajtur ‘tranzicioni’ që nuk paska mbarim. Një kohë jo pak e shkurtër, pothuajse tre dekada, që prodhoi një sistem hibrid, as demokrat, as socialist, as kapitalist, që inkurajoi aventurierë dhe oportunistë, të cilët luajtën rolin e politikanit e të patriotit. Vunë partitë dhe karrierën e tyre politike mbi interesat e kombit. Shpërdoruan shpresat, ëndrrat dhe besimin e një populli të sfilitur nga skamja dhe padrejtësitë e panumërta.
Versioni anglisht tejkalon kohën dhe hapësirën e periudhës komuniste, përpara dhe pas. Ka të bëjë më shumë me përpjekjet e kombit tonë për të mbijetuar. Luftërat e shumta kundër pushtuesve të njëpasnjëshëm. Duke filluar që nga periudha e pushtimit Osman, lufta për pavarësi, ajo Ballkanike, qëndresa kundër pushtimit italian dhe gjerman, genocidi ndaj Çamërisë. Lufta për pavarësinë e Kosovës dhe përpjekjet e shqiptarëve të Maqedonisë për të jetuar të lirë dhe të barabartë me etnitë e tjera që përbëjnë atë shtet. Jam munduar të përfshi të gjitha këto peripeci të shqiptarëve për një audience të huaj në teksin e një kënge të titulluar ‘The Cries of The Eagle (echoed)/Klithmat e Shiponjës…(ushtuan).
Gjimnazi Maqellarë me kërkesë të znj.Esmeralda Beça- drejtore Ekzekutive e ATOM ALBANIA dhe ish-nxënëse e Gjimnazit si dhe vendimit të Këshillit Bashkiak Dibër mori emrin Gjimnazi “FIQIRI DINE” në prag të Festës së Flamurit. Ju jeni trashëgimtar dhe keni një kontakt shpirtëror ndër vite me Gjyshin Tuaj. Si e pritët këtë lajm dhe do t’iu kemi në Ceremoninë e Përurimit si dhe 50-Vjetorit të Gjimnazit?
Meqë ra fjala, dua të shfrytëzojë rastin për të falënderuar përzemërsisht të gjitha ata njerëz që morën pjesë në këtë projekt dhe ideatorët e tij. Ky është një nderim i veçantë që i bëhet Gjyshit tim, familjes së tij të madhe, fisit, miqve dhe shokëve të tij të idealit.
Dua të përmend një thënie Gjyshit tim, Fiqiriut, të cilën unë e aplikoj në jetën time të përditshme. “Në rrethana kritike, si individi ashtu edhe një popull tregojnë forcën e tyne morale!” Dua t’i bëjë një paralelizëm kësaj thënieje me një thënie tjetër të famshme. Ajo e presidentit Amerikan, John Kennedy “Mos prit të bëj vendi yt për ty, bëj atë që mundesh ti për vendin tënd!” Të gjithë ata njerëz që vepruan në ditët dhe kohët më të vështira të vendit, për të mirën e përgjithshme duhet të vlerësohen.
Së pari për kontributin që dhanë, për sakrificat personale dhe familjare që bënë për të mirën e atdheut.
Së dyti për aktet shembullore të tyre, që të frymëzojnë brezat e ardhshëm.
Të gjitha gjeneratat e të gjitha kohërave kanë nevojë për shembuj të mirë, modele të qytetërimit dhe të patriotizmit. Shpresoj dhe i uroj gjimnazit që tashmë mban emrin e Gjyshit tonë, sa më shumë suksese. Uroj të prodhojë sa më shumë mëndje të ndritura që t’i shërbejnë qytetit, ku lindën, njerëzve që i edukuan dhe i formuan sa më mirë, po ashtu edhe atdheut, kur është nevoja! Pse jo edhe një njeri që do të arrinte të realizonte bashkimin e trojeve shqiptare etnike?! Kjo do të ishte qershia mbi tortë.
Të them të drejtën jo vetëm mua por, edhe pjesëtarëve të tjerë të familjeve tona na befasoi lajmi. Kemi ndjekur shumë debate dhe replika midis historianëve dhe analistëve në kanale të ndryshme në televizionet shqiptare për disa vite. Krijuam një bindje të fortë se në Shqipëri ruhet akoma një pjesë e mirë e versionit të historisë, që u shkruajt në kohën e komunizmit. Besonim se në një të ardhme, ndoshta jo shumë të afërt, veprimtaria atdhetare e gjyshit do të vlerësohej, por jo kaq shpejt dhe jo në këtë mënyrë.
Qe një surprizë e bukur dhe shumë e mirëpritur.
Dibra tregoi se ajo diti të vlerësojë dhe të nderojë bijtë e saj më të mirë. Për familjen dhe fisin tonë është një nderim i veçantë. Jemi shumë mirënjohës sepse jo të gjithë njerëzit që kontribuojnë në çështjen kombëtare nderohen në këtë mënyrë!

Eshtrat e Mbretit Ahmet Zogu, Dom Nikoll Kaçorrit dhe Mid’hat Frashërit prehen në tokën amë. Mendoni që projekti Juaj i ardhshëm është që eshtrat e z. Fiqiri Dine do të prehen në Shqipëri për të marrë vendin që i takon në altarin e historisë, Ai që Atdheun e vu mbi gjithshka?
Ç’është e vërteta më është bër qejfi shumë kur pash kthimin e eshtrave të Mid’hat Frashërit. Po ashtu edhe ato të Ahmet Zogut dhe të Dom Nikoll Kaçorit, vite më parë. Ata kanë një vend të veçantë në historinë tonë për faktin se ishin firmëtarë ose pjesëmarrës të pavarësisë dhe për kontributin që dhanë për krijimin e shtetit të parë shqiptarë. Të gjithë pinjolla të familjeve patriotike që kanë dhënë gjithçka për atdheun. Kanë vepruar në kohë dhe rrethana të paimagjinueshme për shumë nga ne që jetojmë sot. Nëse marrim parasysh të gjitha dritë hijet, personalitetet e tyre komplekse, bindjet e ndryshme politike, dhe idetë opozitare për mënyrën udhëheqjes së vendit ishin dhe duhet të mbeten figura të shquara të historisë sonë. Pikësynimi i tyre ishte i njëjtë: Ndërtimi i një Shqipërie moderne sipas modelit demokratik perëndimor!
Edhe Fiqiri Dine ka vendin e tij në historinë e Shqipërisë si një njeri që vazhdoi në hapat e të parëve të tij, të cilët dhanë kontribut për çështjen shqiptare në periudha të ndryshme të historisë. Njëra prej tyre ishte lufta Dibrane e 1911-ës, një nga kryengritjet e para të luftës për pavarësi. Babai i tij do të merrte pjesë në Kongresin e Lushnjës si një nga delegatët e Maqellarës. Më vonë Fiqiriu do të përfshihej në ngjarjet më të rëndësishme, më të bujshme duke filluar që nga koha e Zogut deri në përfundim të luftës së dytë botërore. Në fakt Fiqiriu nuk u largua nga Shqipëria deri në vitin ‘46, pra dy vjet pas mbarimit të luftës. Ai qëndroi në malet e Shqipërisë për dy vjet. Gjatë kësaj kohe u strehua dhe u ndihmua nga miqtë e familjes, por dhe nga popullsia e Dibrës, të cilët rrezikuan jo pak, sepse ai kërkohej nga ushtria terroriste e qeverisë komuniste, e cila e kishte dënuar me vdekje. Gjatë kësaj kohe ai u përpoq të bënte çmos për largimin e pushtetit kriminel anti-shqiptar komunist me në krye enver hoxhën, emrin e të cilit refuzoj t’a shkruaj si gjithë emrat e njerëzve të tjerë.
Kthimi i eshtrave të Fiqiriut dhe shumë patriotëve të tjerë në tokën amë për të cilën ata dhanë gjithçka është detyrë morale e pasardhësve të tyre, por edhe e organeve përkatëse të shtetit shqiptar. Shpresoj që përmbushja e kësaj detyre është vetëm çështje kohe.

“Pra, mallkue njai bir Shqyptari, Qi ketë gjuhë të Perëndisë, trashigim që na la i Pari, trashigim , si’ia len ai fmis..” Sa e keni përcjell këtë mesazh te vajza juaj Arianna që të flasë dhe lexojë shqip?
Kjo thënie e famshme dhe tepër domethënëse, e At Gjergj Fishtës, një nga bijtë e “Shqypnisë” me vlerat e mbinjeriut dhe të patriotit të klasit të parë, besoj se ka munduar shumë shqiptarë të emigruar, të cilët për një arsye apo tjetër nuk ia kanë mësuar gjuhën shqipe fëmijëve. Kjo thënie ose amanet i tij, troket në ndërgjegjen time shpesh herë si sqepi i qukapikut mbi trungun e pemës. Jehona që ajo lë në shpirtin tim të përgjysmuar midis vendlindjes dhe vendit ku jetoj, sidomos gjatë ditëve me mall për vendlindjen dhe për njerëzit e dashur që lashë atje, vazhdon për disa ditë. Unë dhe të gjithë pjesëtarët e familjeve tona të mërguara larg vendlindjes do të mundohemi të kalojmë cilësitë tona dhe të familjes shqiptare më të mira tek fëmijët tanë. Kur ata të jenë në moshën e arsyes do t’iu mësojmë gjithçka rreth historikut të familjes dhe të vendlindjes tonë. Unë jam në përpunim e sipër të një serenate shqiptare që ia kam mësuar vajzës, e cila këtë muaj mbush 6 vjeçe. Është një duet që e kam dëshiruar për disa vite dhe besoj, se tani është koha e duhur për ta realizuar. Shpresoj dhe besoj se do t’a publikoj te faqja ime personale në YouTube, përpara fundit të vitit.

Ju jeni mes Fiqiri Dine dhe Fiqiri Dine (i ri). Do t’iu kemi mes Amerikës dhe Maqellarës tani?
Unë, dhe të gjithë pasardhësit e kësaj familje të madhe, nipa dhe mbesa të Fiqiriut, që jetojmë në Amerikë, por jo vetëm, do të mbetemi midis vendit, ku jetojmë, Shqipërisë dhe Maqellarës. Me një sy dhe një vesh të drejtuar drejt vendlindjes. Njësoj si paraardhësit tanë, që u detyruan të jetonin jashtë atdheut dhe familjarëve të tyre. Disa nga ne do të kemi një lidhje shpirtërore me vendlindjen për faktin se u lindëm dhe u rritëm atje, po ashtu edhe nga ndikimi prindëror për të dashur atdheun, sepse të duash atdheun do të thotë të duash veten, prindërit dhe të parët e tu. Dhe përsa kohë njeriu ndjen dashuri për atdheun nuk mbetet kurrë rrugëve, sado larg tij të jetë.
Tani dua t’iu falënderoj juve,personalisht për intervistën, për mundësinë që më dhe mua dhe familjes sonë të madhe për t’u dëgjuar. Jemi po ashtu mirënjohës për kontributin tuaj, për energjitë dhe kohën që i kushtuat kësaj ngjarjeje!
Faleminderit nga zemra!

*Autorja është nxënëse në Gjimnazin “Fiqiri Dine”, Maqellarë. Kjo intervistë është marrë në kuadrin e projekteve që nxënësit realizojnë gjatë procesit mësimor. Edhe në të ardhmen, redaksia mbetet e hapur për të botuar materiale, kërkime e intervista të nxënësve që përcjellin mesazhe më shumë se sa një detyrë shtëpie.