Kampionët tanë të botës!


Krenarë për djem të tillë, që nderojnë Bulqizën, Dibrën dhe Shqipërinë, me titujt e tyre kampion dhe gjurmët e mëdha që lënë pas…

Viti 2018 shënoi disa kulme sportive, për djemtë tanë sportist cilësorë, që arritën të fitojnë tre tituj kampion bote në boks dhe në kikboks, brenda pak muajve. Konkretisht Gjetan Keta, u bë fitues i titullit kampion bote në boks, Ferit Keta në kikboks dhe Adriatik Cami në kikboks. Sinjali i suksesve të tilla e pati zanafillën nga Dibra e Madhe, aty ku vëllezërit Keta organizuan për herë të parë një event me përmasa të tilla botërore në boks dhe kikboks, që tërhoqi vëmendjen e mijra njerëzve që mbushën pallatin e sportit në atë qytet shqiptar që për fat të keq ka mbetur përtej kufijve fizik të Shqipërisë dhe ndodhet në Maqedoni.

Dibër e Madhe, 8 shtator 2018
Gjetan Keta do të ndeshej më 8 shtator përballë sebro-boshnjakut Sladan Janjanin i cili ishte një sportist i niveleve të larta. Mijra njerëz vërshuan nga Dibra, Bulqiza, por të gjitha trojet shqiptare, në mbështetje të djemve tanë, të cilët nën drejtimin e trajnerit të madh, tre here kampion bote ne kikboks Ismail Keta, treguan se janë të pathyeshëm dhe ia dalin mbanë.
Ajo mbrëmje, ishte nga më të bukurat dhe historiket e sportist shqiptar, por edhe historisë dhe kulturës dibrane dhe shqiptare, sepse live nga ringu, këngëtarja big Aurela Gaçe, na solli shumë emocione me këngën e Hajredin Pashës, duke ngritur në këmbë gjithë publikun prej 4000 mijë vetash dhe duke kënduar edhe ai bashkë me Aurelën. Fillimisht në boks u ndesh FERIT Keta përballë turkut Fatih Karakus, por boksieri ynë Keta, tregoi epërsi dhe e detyroi kundërshtarin të tërhiqej. Fitorja e Feritit vlente shumë, por jo për titull, sepse mbrëmja kulm do të kishte boksierin Gjetan Keta, që luante ndeshjen e 26 në karrierën e tij, ku kish fituar 22 e humbur vetëm 4. Ndërkaq qe ky moment vërtet dhuroi emocione të pafund, kur me muzikën e filmit të Skënderbeut, në ring do të ngjitej ai që ndryshe quhet Tajson i bardhë, boksieri triumfues me këmbë dhe duar si prej kromi, Gjetan Keta. Sulmet e fuqishme të tij, detyruan kundërshtarin trë mos rezistonte dot më por të thyhej dhe të ndalonte në raundin e pestë. Ovacionet e fitores s’kishin të sosur dhe Gjetan Keta do të bënte për vete titullin e nje kampioni të ri në boks, pasi i kish provuar tre tituj të tillë si kampion Europe. Dibra e Madhe foli me gjuhën e triumfit dhe prej aty, buroi një titull i ri në boks, që fitohet nga një djalë bulqizak, që ndjek gjurmët e vëllait të tij Ismail Keta. Lajmi i fitores mori dhenë dhe gëzimi u përhap jo vetëm në këto anë, por anë e mbanë botës, kudo ku ka shqiptarë dhe që i gëzohen arritjeve të tilla, ku ngrihet flamuri dhe këndohet himni më i bukur në botë.

Mynih, 8 dhjetor 2018
Tashmë një kapitull ish mbyllur, por gara mbeti e hapur për dinastinë Keta. Kundërshtari i Feritit, nuk u ngop me kaq, por kërkoi revanshin. Mediat truke vijuan prej ditësh dhe muajsh, të kërkonin revanshin e Fatih Karakus ndaj Ferit Ketës, madje kundërshtari ofronte dy titujt e fituar si kampion bote në kikboks. Dhe promotori, njëherësh trajneri i tij Ismail Keta e ka pranuar sfidën.
Tashmë në Mynih në muajin dhjetor, do të kishim betejën e vërtetë të kthimit. Përgjegjësia ishte rritur, sepse edhe vëmendja e medias ishte e përqendruar te kjo ndeshje. Feriti edhe këtu luftoi si luan dhe ia doli, duke e mbyllur me pike në favor të tij ndeshjen dhe duke bërë për vete dy titujt e botës ne dy federata të ndryshme në kikboks. Vërtet një tjetër mrekulli, një tjetër sukses shumë i madh, që ka të njëjtët autorë dhe promotorë, vëllezërit Keta dhe Ismail Ketën si kryefjalë. Suksesi i Feritit, merr akoma më shumë vlerë, kur mendon që ky boksier në 30 ndeshje të zhvilluara në boks dhe kikboks, nuk njeh deri më tani asnjë humbje…
Edhe ky event u transmetua si zakonisht në ekranin e RTSH sport, që mbetet një promovues në vite i këtyre djemve kampionë jo vetëm në Gjermani ku jetojnë prej më shumë se 20 vitesh, por kudo në botë.

Tiranë, 22 dhjetor 2018
Në skenë tashmë shfaqet një tjetër sportist, që deri më tani kish provuar një titull europe, por jo bote. Bëhej fjalë për djaloshin nga Tërbaçi Adriatik Cami, që jeton prej 20 vitesh në Athinë. Dëshira për të fituar një titull të lartë në Shqipëri, mundësoi idenë e tij, që federata ËKF, ia bëri realitet. Në sallën sportive Feti Borova, u zhvilluan disa ndeshje, por kulmi ishte përballja e Camit me marokenin Zaruali. Fillimisht kikboksieri ynë e nisi keq ndeshjen në raundin e parë, por i dyti foli vetëm për kikboksierin dibranë që arriti të mposht me KO kundërshtarin, duke ngjallur shumë entuziazëm dhe kënaqësi tek të pranishmit e shumtë. Kësisoj fitorja u shoqërua me titujt kampion në dy federatat përkatëse, ËKF dhe KING OF DHE RING. Me këtë fitore dhe dy titujt e fituar, Adriatik Cami bëri mbylljen e karrierës së tij, duke premtuar se tashmë do të ishte një trajner në këtë sport dhe promovues i kikboksit në Greqi dhe Shqipëri.
Kësisoj ky vit, mund të konsiderohet si majë e arritjeve të sportistëve dibranë në nivelet ndërkombëtare, me tre tituj bote të fituar në boks dhe kikboks.