Meditim i Nazmi Koçit mbi supin e të cilit iku Zeqi Agolli


OLYMPUS DIGITAL CAMERA

Me Nazmi Koçin prej kohësh komunikojmë larg e larg, e kur ndodh që të jem në Tiranë pimë një kafe e marrim arratinë nëpër Dibër, luginës së Drinit e Zallit të Okshtunit, gjelbërimit e bukurive të natyrës e të njerëzve të një treve që të hyn e të del vetëm me shpirtin.
Më shkroi një letër, plot mall e dashuri për një njeri që iku pa ceremoni kur kundërshtari i tij “pushkë më pushkë” u nderua si një hero i madh…
Letrën nuk mund ta mbyllja në ndonjë zarf në arkivin tim, nuk ishte për mua, ishte për të gjithë…
“I dashur Abdurahim!- shkruante
Ju përshëndes dhe ju uroj shëndet të plotë familjarisht.
Po flasim rrallë, por të kujtoj  çdo ditë. Je duke bërë një punë shembullore dhe po vepron sipas një parimi që na thoshte dikur Ahmet Kaçori, sipas të cilit llamba ndriçon kudo që ta vendosësh, qoftë edhe në fund të korridorit.
Dhe ti ndriçon atje ku të ka rënë për pjesë. I ndjek e i vlerësoj mjaft shkrimet tua problemore. Me pëlqen qartësia dhe burrëria e shtrimit të problemeve, zë i fuqishëm i Dibrës e i Shqipërisë edhe atje ku jeton.
Kësaj here dua të të përgëzoj me shumë zemër për shkrimin qe ke bërë për Zeqi Agollin. Në të kishte dashuri njerëzore për një njeri që u largua nga jeta, por dhe për memecët e shurdhët e kësaj bote.
Zeqi Agollin e pata shumë mik, jemi afër dhe me shtëpi. Me të më njohu Xhelil Gjoni, pasi ai pati një nevojë shëndetësore për mua. Ja ofrova me shumë kënaqësi në shtëpi. I njihja veprat e tij dhe për të më kishte folur im atë, Selmani, që kur isha fëmijë. Xhelili e donte dhe e kishte mik të vjetër. U bëmë miq dhe çdo të shtunë do të rrinim bashkë 1- 2 orë në kafe afër pallatit të tij (pranë Poliklinikës Qendrore këtu në Tiranë).
Në se ka të tillë, ai ishte edhe njeri edhe shenjt. Kur më pyeste, “po ty ç’të ka rënë mendja të bësh shoqëri me mua plakun?”, i thosha se je shembulli me tipik i mundshëm që njeriu është i bukur në çdo moshë.
Dhe ai ishte i bukur vërtet. I bukur në mënyrë të padiskutueshme fizikisht, por akoma më i bukur shpirtërisht, këtë jo të gjithë ia shihnin se vinte disi i rezervuar. Kështu ndjehesha i lumtur që pata rastin fatlum që të bëhesha miku i tij.
Vdiq në mënyre krejt të pa pritur.
Vdiq në krahët e mi.
Ja si ndodhi: Me 3 nëntor, Xhelili pati ditëlindjen, e kishte përvjetor. Ai e bëri me fëmijët e tij që i erdhën apostafat nga jashtë. Ne vendosem  që t’i pinim një kafe me këtë rast.
U takuam të premten më 16 nëntor dhe pimë atë kafen e zakonshme. Të nesërmen do të dilnim.
Në kafen e fundit me shprehu atë indinjatën e tij për çështjen e Mit’hat Frashërit.
“Ç’bëjnë këta? – me tha. “Po ne jemi gjallë dhe ai ka luftuar me armë kundër nesh. Unë mund të isha vrare nga plumbat e Mit’hatit e të shokëve të tij. Po të ishte për Mit’hatin e ca të tjerë ne nuk do të ishin rreshtuar midis fituesve të Luftës se Dytë Botërore dhe sot nuk do të kishte Shqipëri fare, as kështu me halle shumë siç e kemi tani”.
Në kaq vjet njohje nuk e kisha parë asnjëherë të indinjuar në këtë shkallë dhe vendosa të bëj mjekun e ta qetësoj sa munda…
Të nesërme ishte 17 Nëntori, dita e çlirimit të Tiranës. Mora makinën dhe i vajta në shtëpi rreth orës 10 para dite. Jo vetëm ishte gati dhe me një entuziazëm të paparë, ju kishte thënë edhe vajzave se do te dilte me shokët për drekë, ishte zgjuar disa herë natën se mos mbetej vonë dhe zbriti menjëherë.
Ditën e çlirimit vendosa ti bëja një xhiro të vogël nëpër Tiranë dhe të shkonim të merrnim Xhelilin në shtëpi. Sistemuar mirë e bukur në makinë e duke shkëmbyer batuta, të buta e të kripura që vetëm ai dinte ti bënte, u nisem vetëm ne të dy për rrugë…
Nuk kishim bere as 50 metra rrugë me makinë, kur e ndërpreu bisedën dhe e vuri kokën në supin tim. U ktheva dhe e pashë, e kuptova se diçka shumë e keqe po ndodhte.
Duke ngarë makinën i hoqa protezën dhe vazhdova t’i flas. “Mbahu i thashë se je burrë i fortë”, e putha në ballë dhe ndërrova drejtim, u nisa urgjent për në spital. Më kishin zënë rrugën, godita një makinë dhe kalova. Isha i detyruar të bëja shoferin, mjekun, shoqëruesin  dhe familjarin. Pas 4 minutash ishim në urgjencën e spitalit…
Jetoi dhe nja një orë dhe dha shpirt në një ditë feste që ne po përgatiteshim ta festonim me shumë dëshirë….
Isha dhe jam ende i tronditur, u ndamë në mënyrë aq të pa pritur…
Mbi librin e përshtypjeve që kishin vënë familjarët në dalje të apartamentit u ula e shkrujta disa radhë me lot në sy…
Të dy e tradhtuam njëri-tjetrin jashtë natyrës sonë të vërtetë.
Ai kur më vuri kokën në sup e nuk më foli më…
Unë kur i hodha një dorë dhè dhe e lashë vetëm aty…
Zeqiu jetoi si njeri dhe iku si shenjt, bile tamam ditën e Çlirimit të Tiranës si një partizan i mirë që i kishte kryer me dinjitet detyrat.
Më mungon shumë, po, po, shumë ai njeri. Mbetet të jetojmë me kujtimin e tij të mirë.”
Ti kishe bërë një mrekulli për të dhe për ne. Në këtë botë shurdh memece, ku njerëzit kanë “halle” të tjera dhe pak iu interesojnë vlerat njerëzore, solle dhe një herë një zë të fuqishëm, shumë të argumentuar se njerëz të tillë që bënë aq shumë për vendin e tyre nuk mund të largohen si hije e të harrohen aq shpejt.
Unë jam plotësisht në një mendje me ty dhe të përgëzoj…
Të përqafoj vëllazërisht, Nazmi Koçi
Tiranë,10 dhjetor 2018

***
Ishte një meditim njeriu për njeriun, miku për mikun, një shpirt i gjallë për një shpirt të arratisur.
Sikur të ishte shkruar me dorë, mbi letrën e bardhë pikat e lotit do t’i kishin shkrirë e bashkuar germat si bashkohen zemrat e njerëzve kur vajtojnë.
E bashkova lotin…
Abdurahim Ashiku, Athinë, 19.12.2018