Origjina dhe vendlindja e Skënderbeut


Si për çdo figurë të madhe historike, ashtu edhe për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, historia botërore është interesuar të ketë sa më tepër njohuri edhe për jetën personale dhe shoqërore të heroit, para se ai të vihej në krye të luftës legjendare, me qëllim që nëpërmjet tyre, të ndriçojë sadopak formimin e tij shoqëror, politik dhe ushtarak, që kanë ndikuar të shquhej në mënyrë të mahnitshme gjatë epopesë së tij të shkëlqyer në shek. XV.
Vepra e madhërishme historike e Skënderbeut dhe origjina shqiptare e tij, kanë rëndësi të jashtëzakonshme për kombin shqiptar dhe lartësimin e identitetit tonë kombëtar, por gjithsesi, mospërcaktimi ende i origjinës krahinore të Kastriotëve dhe i vendlindjes së Skënderbeut (zyrtarisht), krijojnë një boshllëk të pajustifikueshëm në historinë tonë kombëtare. Për qindra vjet me radhë, burimi kryesor që pati në dorë historiografia botërore për të njohur origjinën, familjen, rininë dhe veprimtarinë e Skënderbeut deri në vitin 1443, ka qenë vepra e Marin Barletit.
Studimet e mëvonshme dhe dalja në dritë e disa dokumenteve të epokës Skërderbegiane, veçanërisht argumentimi shkencor i Profesor Kristo Frasheri, i cili përveç të tjerave, ka shkelë me këmbë çdo pëllëmbë të Çidhnës që lidhen me Kastriotet, krijojnë logjikën historike dhe mbështetjen burimore të besueshme se Çidhna, është origjina e Kastriotëve. Zgjedhja e Dibrës si mbështetje për realizimin e Strategjisë së tij, si dhe pritja shumë e përzemërt dhe mbështetja e pa diskutueshme që i ofrojnë dibranët Skënderbeut, janë tregues të lidhjeve të gjakut me dibranët. Në vitin 1985, krahina e Çidhnës është përcaktuar nga historianët si qendra e Principatës së Kastriotëve dhe vendlindja e heroit kombëtar të shqiptarëve Gjergj Kastriot Skënderbeut, e cila u shoqërua me ndërtimin e Muzeut të Kastriotëve, në fshatin Sinë, në largësi 20 kilometra nga qyteti i Peshkopisë. Vepra e Marin Barletit, për disa shekuj, ka qenë referenca bazë e historiografisë në lidhje me familjen Kastrioti dhe jetën e Skënderbeut nga lindja deri në vitin 1443, kur mori luftën çlirimtare kundër pushtimin osman. Edhe pse të cekëta, veçanërisht për rininë e heroit, kanë qenë më të pasura, krahasuar me informacione të shkëputura dhe ta paplota, që përmbanin burimet e tjera letrare deri në gjysmën e dytë të shek. XIX. Madje, edhe kur gjendej ndonjë burim, informacioni i të cilit nuk pajtohej në ndonjë pikë me veprën e Barletit, historianët e ndryshëm vazhduan ta pranonin tregimin e humanistit shkodran, si më të besueshëm se sa burimet e tjera letrare.
Sipas M. Barleti, deri më 1443, Kastriotët qenë një familje fisnike nga krahina e Ematit (Aemathia), emër me të cilin studiuesit e ndryshëm nënkuptonin krahinën e Matit. Më tej, ai përshkruan historinë e Kastriotëve në gjysmën e parë të shekullit të XV, përfshirë historinë e djemëve të Gjon Kastriotit, veçanërisht të Gjergjit, deri në arratisjen e tij nga ushtria osmane dhe shpalljen e kryengritjes kundër Sulltanit. Tregimi i Barletit për pjesën e parë të jetës së heroit sundoi në vija të përgjithshme në hsitoriografinë shqiptare dhe botërore deri në fund të Luftës së Dytë Botërore. Afërsisht në këtë mënyrë e përshkruan këtë pjesë të jetës së Skënderbeut, edhe historiani tjetër shqiptar, Dhimitër Frangu, bashkëkohës i Skënderbeut dhe i Barletit.
Megjithatë, pati edhe historianë të cilët nuk u treguan shumë entuziastë për mënyrën romantike me të cilën, humanisti shkodran, i ka përshkruar këto ngjarje. Kështu që në shekullin e XIX, V. Markushevi, K. Jireçeku dhe P. Pisani vunë re se tregimi i M. Barletit nuk pajtohej me disa dokumenta, të cilët filluan të shfaqeshin më vonë.
Në mesin e shekullit XX, filluan disa përpjekje serioze për ndriçimin e historisë së Kastriotëve dhe të Heroit tonë Kombëtar, deri në vitin 1443. I pari ishte Fan Noli, i ndjekur nga Profesor Aleks Buda, Profesor Kristo Frashëri, Profesor Kasem Biçoku etj., përfshirë disa studiues dhe historianë dibranë.
KASTRIOTËT DHE SKËNDERBEU
DERI NË VITIN 1443
Fan Noli, ishte studiuesi i parë që analizoi me sy kritik të gjithë veprën e Barletit dhe propozoi një variant të ri mbi jetën e heroit deri në vitin 1443. Në disertacionin e tij të vitit 1947, në kapitullin “Fillime legjendare”, Noli u tregua shume kritik ndaj veprës së Barletit. Sikurse ka vënë në dukje Profesor Frashëri, Fan Noli solli tre lloj argumente: logjikën historike, kontradiktat e Barletit dhe të dhënat dokumentare. Është e pamundur të besohet, thotë F. Noli, që një djalë i vogël 9-vjeçar, që u dërgua në një shkollë ushtarake pranë një pallati perandorak, që shërbeu më tej, për shumë kohë si komandant i shquar në radhët e ushtrisë osmane dhe që qëndroi për 29 vjet me radhë larg atdheut, prindërve, bashkëatdhetarëve, të kthehej në mënyrë të papritur në Shqipëri, si një nga çlirimtarët më të devotshëm dhe organizatorët më të talentuar të luftës çlirimtare që ka njohur mesjeta. Po ashtu, Barleti thotë se Skënderbeu u kthye në Shqipëri më 1443, pasi qëndroi larg atdheut 29 vjet me radhë, por nga ana tjetër, në dy raste të veprës së tij, Ai le të kuptohet se heroi u kthye në atdheun e vet qysh më 1438.
Po ashtu, disa të dhëna dokumentare, i japin argumenta Fan Nolit ta kritikojë veprën e Barletit, sipas tëve vëllezërit e Skënderbeut nuk u helmuan nga Sulltani, mbasi njëri prej tyre, Stanishi, ishte gjallë në vitin 1445, ndërsa tjetri, Reposhi, ka vdekur qetësisht në një manastir të krishterë më 1431. Më tej, Noli sjell dëshminë e një bashkëkohësi italian të Skënderbeut, G. Pontano, i cili pohon se heroi vajti peng te Sulltani kur ishte djalë i rritur. Për të gjetur vitin se kur vajti peng, F. Noli shfrytëzon dy aktet e zbuluara në manastirin e Hilandarit qysh në vitin 1848, nga të cilët njëri tregon se Gjon Kastrioti me të tre djemtë e tij, Reposhin, Kostandinin dhe Gjergjin blenë më 1426 një pirg nga manastiri i përmendur që ndodhet në Malin e Shenjtë, kurse tjetri përmend faktin se Gjon Kastrioti bashke me të katër djemtë e tij, Stanishin, Reposhin, Kostandinin dhe Gjergjin i dhuruan po atë vit dy fshatra, Radostushën dhe Trebishtin, po këtij manastiri. Kjo vërteton, thotë F. Noli, se deri më 1426, pra deri sa u bë 21 vjeç, Skënderbeu ndodhej pranë të atit, në Shqipëri, përndryshe emri i tij nuk do të mund të figuronte në dy aktet e Hilandarit.
Sipas pikëpamjes së F.Nolit, Skënderbeu duhet të jetë dorëzuar peng në vitin 1430, sepse atëherë Gjon Kastrioti u mund prej sulltan Muratit II. Ai gjen mbështetje, për këtë fakt, te historiani francez i shekullit XVII, H. Spondanus, i cili duke trajtuar ngjarjet e kësaj periudhe, ka pohuar se Gjergj Kastrioti u dorëzua peng më 1431, pra kur ai ishte rreth 26 vjeç. Madje, F. Noli ngul këmbë se edhe pas kësaj date, Skënderbeu nuk ka qëndruar vazhdimisht larg Shqipërisë. Ai largohej nga shtëpia e vet vetëm për të marrë pjesë në fushatat ushtarake që ndërmerrte sulltani kundër shteteteve të tjera. Pas përfundimit të tyre, Skënderbeu kthehej në Shqipëri, pranë familjes dhe bashkëatdhetarëve të vet.
Prandaj, përfundon F. Noli, heroi nuk ka pasur nevojë të ikte fshehurazi nga mjedisi turk, pasi ai ndodhej në Shqipëri. Për të provuar praninë e tij në Shqipëri dhe përgatitjet e tij për kthesën e vitit 1443, F. Noli përmend dy dokumente që shpallin Skënderbeun dhe Stanishin qytetarë nderi të Venedikut më 1438 dhe të Raguzës më 1439. Historiografia shqiptare nuk u pajtua plotësisht me trajtesën e Fan Nolit, duke vënë në dukje dy çështje: e para, rrëzimi i tregimit tradicional të Barletit dhe e dyta zëvendësimi i këtij tregimi me Punimin e Nolit. Rrëzimi i të parit nuk vërteton medoemos saktësinë e të dytit. Prandaj historianët shqiptarë të ditëve tona i morën në shqyrtim me objektivitet shkencor të dyja këto aspekte të problemit për të provuar më parë se çfarë të vërtete ka në tregimin e Barletit dhe sa i qëndron kritikës. varianti i ri i Nolit. Profesor Aleks Buda, në vitin 1951, botoi një punim shkencor me objekt disertacionin e Nolit, ku analizoi me sy kritik të dy autorët: Barletin dhe Nolin. Edhe Profesor Buda, pranon mundësinë që Skënderbeu të jetë kthyer në Shqipëri me lejen e sulltanit pak kohë para luftës hungarezo-osmane dhe që këtej të ketë shkuar në betejën e Nishit, prej nga ai u arratis për të filluar kryengritjen çlirimtare të vitit 1443. “Fakti që burimet perëndimore – shkruan ai – heshtin për kthimin e parë në Shqipëri si vasal i sulltanit dhe përmendin vetëm kthimin e dytë nga Nishi si kryengritës, mund të shpjegohet sepse të dy ngjarjet kanë qenë afër njëra-tjetrës, saqë në kujtimin e biografëve u bënë një”. Sidoqoftë, përfundon A. Buda, “një vit më vonë ose më përpara, ky mbetet gjithmonë një kthim nga oborri i sulltanit kur Skënderbeu pat kaluar rininë e tij, gjë që Noli e mohon plotësisht”.
Tre vjet pas kritikës së A. Budës, historiani turk N. Inalçik botoi defterin mufasal të sanxhakut të Shqipërisë/sancak-i Arvanid/, hartuar nga administrata osmane në vitet 1431-1432, ku figurojnë tri shënime që tregojnë se në vitin 1438 Skënderbeu ndodhej në Shqipëri dhe shërbente në sistemin feudal-ushtarak të kazasë së Krujës. Ky fakt i ri së bashku me indikacionet e njohura më parë, u pasqyrua në Volumin e I të “Historisë së Shqipërisë”, botim i Universitetit të Tiranës më 1959, ku periudha e parë e jetës së Skënderbeut, trajtohet në një këndvështrim të ri dhe veçanërisht në pranimin e faktit që Skënderbeu merret peng në moshën 18 vjeçare dhe jo 9-vjeçare, kur Murati II pushtoi pjesën më të madhe të Shqipërisë.
Në vitin 1967, Profesor Frashëri hedh dritë mbi pjesën shumë të errët të jetës së Skënderbeut gjatë viteve 30 të shek. XV dhe në pragun e kryengritjes çlirimtare të vitit 1443. Krahas burimeve të kancelarive dhe kronikave të ndryshme, lindore e perëndimore, një vend të rëndësishëm në këtë studim zë analiza që ai i bën letrës së një funksionari osman të këtyre viteve të sapozbuluara në arkivat e Stambollit, me nr. 6665 dhe veprës së kronistit osman, Idriz Bitlisit, gjithashtu i pashfrytëzuar deri atëherë nga historiografia botërore për Skënderbeun. Nëpërmjet analizës së këtyre burimeve, K. Frashëri del në përfundimin se Gjon Kastrioti, pas dështimit të kryengritjes që ndërmori më 1430, e ruajti sundimin e vet vetëm në krahinën e Mesies, derisa vdiq në vitin 1437. Në këtë kohë Gjergj Kastrioti me emrin Skënder, por pa titullin “bej” gjendej në Shqipëri dhe ishte një spahi në zonën e Dibrës dhe se, më në fund, përpiqej, duke pasur edhe përkrahjen e banorëve misianë, që të zinte vendin e të atit, si sundimtar i Misies.
Duke shfrytëzuar të dhënat që japin tre historianë të vjetër osmanë, Saad-ed-Dini SollakZade, Munexhim Bashi, të cilët nga ana e tyre janë mbështetur te analistët osmanë të shek. XV, Profesor Frashëri pohon se pasi shfaqet më 1438 si subash i Krujës, emri i Skënderbeut zhduket për disa vjet nga burimet historike. Megjithatë, sipas tij, duhet të jetë emëruar rreth vitit 1440 sanxhakbej në krye të sanxhakut të Dibrës. Profesor Frashëri, si përfundim thekson “kthesa e madhe që ndodhi në Shqipëri në vitin 1443, nuk e nxori në mënyrë të befasishme Skënderbeun në skenën historike. Kjo logjikë e ngjarjeve, shpreh qartë parakushtet e suksesit të kryengritjes çlirimtare të vitit 1443, që ishin kontakti paraprak me popullin dhe përgatitja disa vjeçare e Skënderbeut, për kthesën historike të vitit 1443, përfshirë lidhjet me botën e jashtme. Skërderbeu njohu forcën dhe pulsin e bashkatdhetarëve, të njohën edhe talentin dhe urtësinë e Tij, përpara se t’i përvisheshin epopesë legjendare njëçerekshekullore”.

KASTRIOTI, KASTRIOTËT DHE VENDLINDJA E SKËNDERBEUT
Historiografia e re shqiptare e gjeti të zgjidhur problemin e origjinës etnike të Kastriotëve dhe të Skënderbeut. Tezat absurde të pak historianëve të huaj të shek. XIX, të cilët pretendonin që heroi kombëtar i shqiptarëve ishte me kombësi sllave ose greke, qenë rrëzuar përfundimisht nga historiografia e paraluftës për Skënderbeun. Në asgjësimin përfundimtar të këtyre tezave fantaziste, patën dhënë një kontribut të veçantë historianët shqiptarë të periudhës midis dy luftëtarëve botërore, F. Noli dhe A. Gegaj, të cilët argumentuan me materiale të reja, origjinën shqiptare të Skënderbeut, të theksuar vazhdimisht nga Barleti. Vlen të theksohet se, vërtetimin e shqiptarësisë e ka bërë vetë Skënderbeu, në letrën që ai i drejtonte princit të Tarentit, Johan de Ursinit më 30 tetor 1460. Kështu, pas Luftës së Dytë Botërore, asnjë historian i huaj nuk e vuri më në dyshim origjinën shqiptare të heroit kombëtar të shek. XV. Përkundrazi, historiografia e re shqiptare e zgjeroi më tepër problematikën e historisë personale të Skënderbeut dhe kërkoi të zgjidhte edhe origjinën krahinore të Kastriotëve, madje edhe vendin ku lindi Skënderbeu. Qysh në fillim u duk se të dyja këto çështje të lidhura ngushtë midis tyre, paraqisnin vështirësi për një zgjidhje të kënaqshme, pasi të dhënat burimore që ekzistonin për origjinën krahinore të Kastriotëve, linin shteg për interpretime të ndryshme. Ndërsa për vendlindjen e Skënderbeut, nuk ekzistonin fare të dhëna dokumentare.
Ndërsa përsa i përket origjinës krahinore të Kastriotëve, kontradiktat kanë filluar që me pohimet e biografëve të vjetër shqiptarë të heroit. Për shembull, Barleti shkruante se “Kastriotët buronin nga një familje fisnike e Ematit (ex Aemathia)”, të cilën historianët e identifikonin me krahinën e Matit. Ndërsa Gjon Muzaka, në veprën e tij “Breve Memoria” theksonte se gjyshi i Skënderbeut, Pal Kastrioti, zotëronte dy fshatra që ndodhen në rrethin e Dibrës: Sinën dhe Gardhin e Poshtëm. Pohimi i tretë vjen nga kronika raguziane e Pjetër Lukarit, i cili thotë se Kastriotët ishin nga “fshati Kastrat jo larg lumit Drin në krahinën e Hasit në Shqipëri”.
Një tjetër historian shqiptar, A. Gegaj shprehej se Kastriotët ishin nga krahina e Hasit, kurse mbiemrin e tyre e kanë marrë nga pronat që kishin në fshatin Kastri të Mirditës…. Ndërsa Noli në “Historinë e Skënderbeut”, të botuar më 1921, bie dakord me Barletin, se Kastriotët ishin nga krahina e Matit. Edhe për Profesor Budën, Kastriotët rridhnin nga fshati Kastrat i Hasit ….. Origjinën e Kastriotëve nga krahina e Hasit e pranuan edhe autorët e “Historisë së Shqipërisë” të vitit 1959. Në vitin 1959, Historiani dibran Hilmi Sadiku, në gjurmim të Hasit të Kukësit si origjine e Kastriotëve, në punimin e tij “Rreth tezes së Hasit si origjinë e Kastriotëve” botuar ne gazetën “Ushtima e Maleve” në qershor 1986, shpjegon se, pasi ka kërkuar të vjelë të dhëna gojore si legjenda dhe toponime nga tregimtare nga Hasi i Kukësit , si dhe studimeve të botimeve folklorike te fundit te shek XIX dhe fillimit te shek XX, përfshirë botimin e Institutit Folklorik, Tiranë 1967 “Tregime dhe këngë për Skënderbeun” shkruan se: “Është fakt se në traditat e Hasit të Kukësit nuk thuhej asnje legjende, toponim, apo e dhënë gojore, qe t’i përmendi Kastriotet, jo me te flase per origjinën e tyre nga kjo krahine”.
Në vitin 1974, çështja e origjinës krahinore të Kastriotëve, u bë objekt i një studimi të veçantë të Profesor K. Frashëri, i cili për herë të parë edhe çështjen e vendit ku lindi Skënderbeu. Në artikullin e tij me titull “Nga ishin Kastriotët? Ku lindi Skënderbeu?”, ai shtroi për diskutim dhe ballafaqim, të gjitha burimet arkivore dhe letrare, të cilave u shtoi edhe të dhënat toponimike që mblodhi në terren. Nga analiza e këtyre të dhënave, Profesor Frashëri del në përfundimin se, me emrin Has, kronika raguziane e Lukarit dhe koleksioni boshnjak i Fermexhinit, nuk kanë pasur parasysh krahinën e sotme të Kukësit, pasi kjo krahinë, deri në fund të shek. XVI quhej Pashtrik. Ata, sipas Profesor Frashëri, kanë patur parasysh një nga krahinat e rrethit të Dibrës, qendra e së cilës është Çidhna, e masakruar barbarisht nga sulltan Mehmeti II më 1466, në gjirin e së cilës ndodhen fshatrat Kastriot, Sinë dhe Gardhi i Poshtëm, që lidhen historikisht me familjen e Skënderbeut. Nuk është e rastit, thotë autori, që bashkëkohësi i heroit, R. Volaterrano, e quan të atin e Skënderbeut Gjon Dibra ose Gjon Dibrani. Më tej, Profesor Frashëri vë në dukje se nga defteri turk, i hartuar në vitin 1467, del se në fshatin Sinë, që një shekull më parë ishte zotërim feudal i Pal Kastriotit, banonte një familje me të njëjtin mbiemër, e cila ishte familja e Dhimitër Kastriotit. Kjo tregon se Kastriotët ishin vendosur prej kohësh në fshatin Sinë”.
Sipas Fjalorit Enciklobedik Shqiptare, botim i Akademisë së Shkencave, Tirane 2008, ne fq. 1136 shkruan: Kastrioti është vendbanim i lashte nga gjetjet ne Kodren e Gështenjës. Ne shek XIII ishte nen zotërim të Kastriotëve. Nje informacion i tille i dërgon Kastriotët ne fshatin Kastriot me se një shekull para Pal Kastriotit, gjyshit te Skenderbeut, zotërues i Sines dhe Gardhit te Poshtem, i te parit Kastriotas qe permendet nga deshmite e kohes se tyre.
Por edhe pse ishin nga fshati Sinë, shkruan Profesor Frashëri, Kastriotët pronat e tyre i kishin poshtë në fushë. Pikërisht në mes të asaj fushe, pranë lumit Drin, rreth dy orë larg Sinës, ndodhet fshati Kastriot. Pra, Profesor Frashëri pajtohet, për nga emri me kronikën e Fermexhinit, dhe për nga pozicioni gjeografik, në raport me largësinë nga Drini, me kronikën e Lukarit. Në fshatin Kastriot gjendjen mjaft 25 toponime, si Kodra e Gështenjës, që vendasit e quajnë Kulla, ose Kalaja e Gjon Kastriotit, dhe më tej janë Porta e Kalasë, Kopështi i Gjonit, Bunari i Gjonit, Ogradja e Gjonit, Kishat, Kroi i Kastriotit, si dhe kaluerthi, Guri i Luftës, Kodra e Shamatës etj., që flasin per kete vend si banim i Gjon Kastriotit. Të gjitha këto të dhëna përfundon Profesor Frashëri, mbështesin traditën popullore dibrane, sipas së cilës Skënderbeu lindi në Shëngjergj (lagje e Sinës) dhe u rrit në Çelias (lagje e Kastriotit).
Duke ju referuar Defterit turk të vitit 1571, Profesor Kristo Frashëri në librin e tij ”Skënderbeu, Jeta dhe Vepra” shkruan për dy troje ngjitur me njëri tjetrin: “Truallishtja e Gjonit” dhe “Truallishtja “Kuqka” (Kuka, K. F.). Për truallishten e Gjonit shkruan edhe humanisti Italian, bashkëkohes i Skënderbeut, Rafael Volaterano, në vitin 1506. Dhe në këtë vend me dy troja, janë respektivisht dy fshatra: Kastrioti dhe Kukajt, prane njeri tjetrit. Në atë periudhë këta fshatra kanë qenë në të djathtë të përroit të Kastriotit, për të cilën flet toponomia e pasur dhe objektet arkeologjike siperfaqësore.
Pas masakrës së Çidhnës, me 1 gusht 1466, rrjedhojë e dështimeve të Sulltan Mehmetit II për marrjen e Krujës, ushtria osmane i rrafshoi këto dy fshatra, pasi ishin vendbanim i Kastrioteve. Kjo është edhe arsyeja, pse këta dy fshatra nuk eksistojnë në defterin turk 1467. Pas disa viteve ndërpreje, rifillimi i jetës së këtyre dy fshatrave nisi mbi këto germadha, por fare pak më në jug, në të majtë të perroit të Kastriotit, pranë njeri tjetrin, ku janë edhe sot.
Nga fisi i Kuka kanë shërbyer në ushtrinë e Skenderbeut, si komandantë të shquar dhe shumë besnik: Pal, Pjetër, Rajan, Gjergj dhe Lekë Kuka. Pali ka rënë në betejën e Torviollit, kurse Gjergji është rjepur i gjalle në Anadoll, në prezencë të Sulltanit bashkë me shtatë komandantë të tjerë të zënë rob në betejën (fitorja e hidhur) e Vajkalit, Fushë-Bulqizë me 1456. Për këtë gjest kaq të urryer, në betejën e dytë të Vajkalit, një muaj më vonë, Skënderbeu e shpartalloi keqas ushtrinë turke. Pra siç vërehet në dokumente, janë dy truallishte, ku janë vendosur dy fshatra përkatësisht Kastrioti dhe Kukaj ngjitur me njeri tjetrie si dhe dy fise, Kastriotët dhe Kuket. Vlen të përmendet, thekson Studiuesi Koltraka, se marrëdhëniet midis banorëve të këtyre dy fshatrave janë të veçanta, jo si të jenë dy fshatra apo një fshat, por si një fis i vetëm. Po ashtu, deri vonë varrezat dhe institucionin fetar e kanë pasur të përbashkët. Një trashëgimni e tillë, e veçantë (ndryshe nga fshatrat tjerë), vazhdon që nga periudha e Kastriotëve.
Studiuesi Murat Koltraka, në shkrimin e tij “Ku është vendlindja e Skënderbeut?” i referohet një të dhëne tjetër, që daton më 18 tetor 1467, ku Gjoni i Aragones, informon nga Napoli, se një delegacion i dërguar prej Skënderbeut per bisedime me mbretin e Napolit, Ferdinantin, përbehej nga katër vetë, tre prej të cilëve ishin dibrane dhe pikërisht, Pjeter Kuka, Zaharia Gropa dhe Pal Maneshi. Dy të fundit kishin sfiduar kampionët e ushtrisë turke ne duelet provokuese para luftimeve ne dy betejat e Oranikut në Dibër, më 1448 dhe 1456, me lejen e Skenderbeut. Pali ishte nga Çidhna e Eperme (Gryke – Noka e sotme) dhe fisi i tij pasqyrohet në rregjistrat turk në vitet 1467 dhe 1602. Zaharia Gropa ishte nga Zerqani, pasardhës i gropajve të famshem, zotërues të Dibrës ne shek XIII-XIV. Ndërsa Pjeter Kuka ishte nga fshati Kukaj, fqinjë me Kastriotet. Në fund të shkrimit të tij, Gjoni i Aragones, thekson se këta ishin të një gjaku me Skënderbeun.
Origjinën dibrane të familjes Kastrioti e kundërshtoi K. Biçoku, i cili në një artikull polemik me punimin e Profesor Frashërit, të botuar në vitin 1974, i qëndron tezës së mëparshme të origjinës së tyre nga krahina e Hasit të Kukësit. Por argumentet e tij nuk u dukën bindëse, pasi të paktën dy autorë të tjerë shqiptarë, H. Ndreu dhe A. Hoxha e përforcuan tezën e origjinës dibrane së kastriotëve, duke sjellë argumente të tjera mjaft interesante.
Studiuesi Haziz Ndreu, në librin e tij “Kastriotët nga Trojet Arbërore”, njohës i shquar i folklorit dhe tradites të kësaj zone, shkruan: “Që nga Dibra e Epër e deri në Lurë, të gjithë thonë se vendlindja e Skënderbeu është fshati Kastriot”. Po në këtë libër, autori sjell një intervistë të vitit 1973, me Sulë Brugën nga Gurë-Lura, student në Stamboll, i cili pohon se: “Në një orë mësimi të historisë, në vitin 1906, në Stamboll, mësuesi i historise përmend emrin e Skënderbeut. Një student i një kombësie tjetër, e pyet profesorin, se ku kishte lindur Skënderbeu? Përgjigjia e profesorit ishte e shkurtër: “Skënderbeu ka lindur në Celias të Dibrës. Jam 83 vjeç, ka thënë Sulë Bruga, por edhe sot e kësaj dite, nuk e di në ç’vend bie Celiasi”. Nërkohë që Celiasi i Dibrës, ishte një lagje e Kastriotit të Kastrioteve, në krahinën e Cidhnës në Dibrën e Poshtme. Gojëdhënat dhe materiali arkeologjik siperfaqesore, i pastudiuar deri tani, i shperdoruar nder vite, flasin se Katrioti perbehej nga dy lagje te medha. Njera ishte Troja, qe fillonte tek kishat ne jug-lindje te Kalase dhe me shtrirje drejte jugut arrinte ne Terzishte, qender zejtarie e tregetie ne ate periudhe, ku sot eshte shkolla e mesme “Gjergj Kastrioti, Skënderbeu”, me pas vijonte drejte perendimit. Lagjia tjeter ishte Celiasi, nje territori mbi 16 ha qe fillonte tek kishat dhe me drejtim perendimin arrinte deri ne fshatin Bllice, te ciles i perkasin tere toponimet e paraqitura me siper. Ndokush mund te kete xhelozi per heroin tone kombetar, per bemat, famen, marredhenien qe ai ndertoi me kombin e tij dhe Evropen ushtarake e politike te kohes, duke u perpjekur ta ridimensionojne ate. Skenderbeu nuk iu ofrua historise si personazh i letersise, por historia dhe personaliteti i tij dominues ne epoken kur jetoi, te qenurit mbrojtes dhe jozaptues, te qenurit konseguent ne filozofine e lirise, te qenurit ne anen e drejte e bene ate lende per qindra e mijera libra qe u shkruajten per shekuj me rradhe. Ndonje mendje e roberuar, e pajisur me nje guxim regresist perpiqet sot te tjetersoje rolin e Skenderbeut ne historine tone apo historine e qyteterimit europian. Kjo eshte nje perpjekje e mjerueshme sepse historia nuk pranon leksione, ajo jep te tilla. Hipotezat e humbasin terrenin perballe fakteve; interpretimi kerkon moralitet te larte dhe profesionalizem. Dokumentat arkivore, vleresimet e bashkekohesve, si Papet e Romes apo familjet mbreterore me te cilet ai ishte ne aleance, ato te humanizmit dhe iluminizmit europian, tekstet e historigrafeve me ne ze te koherave, jane per ne nje burim i lirshem krenarie dhe sasi e bollshme informacioni per nje histori objektive te ketij burri qe u be shpirti i historise se mesjetes.
Mjafton te sjellim ndermend Volterin, qe nga katedrat e Parisit u kujtonte bashkekohesve se: “Neqoftese perandoret bizantine do kishin qene Skenderbege, perandoria e Lindjes do te ishte ruajtur”.

PËRFUNDIME
Pas këtyre hulumtimeve dokumentare dhe diskutimeve shkencore, mund të thuhet si përfundim se historiografia shqiptare e ditëve tona e ka dritësuar versionin që sundonte në historiografinë e mëparshme për Skënderbeun, për jetën dhe veprimtarinë e heroit deri në pragun e kryengritjes çlirimtare të vitit 1443. Sipas saj Kastriotët ishin një familje shqiptare nga Dibra e Poshtme. Emrin e tyre familjar ata e morën nga fshati Kastriot i krahinës së sotme të Çidhnës, i cili ndodhet pranë lumit Drin.
Gjyshi i Skënderbeut ishte Pal Kastrioti, i cili gjatë gjysmës së dytë të shek. XIV ishte një feudal i vogël – zot i Sinës dhe i Gardhit të Poshtëm, dy fshatra këto që ndodhen në malësinë i Çidhnës, në pjesën veriperëndimore të rrethit të Dibrës. Biri i tij, Gjon Kastrioti, e forcoi pozitën feudale që trashëgoi nga i ati. Ai e shtriu sundimin e vet në krahinën e Dibrës, pastaj në atë të Matit dhe më në fund, para vitit 1407, në viset bregdetare të Mises, midis Lezhës dhe Krujës. Gjatë kësaj periudhe duket se familja e Gjonit banonte herë në Sinë, herë në Kastriot. Pikërisht në lagjen Shëgjerth të fshatit Sinë lindi më 1405 Gjergj Kastrioti, i cili sipas traditës popullore u rrit në lagjen Çelias të fshatit Kastriot.
Gjergj Kastrioti, pasi mbaroi shkollën e içoglanëv, duhet të jetë kthyer përkohësisht në Shqipëri, pranë familjes në vitin 1426. Por më vonë, duke qenë bir vasali, në radhët e ushtrisë osmane, ai mori pjesë në fushatat ushtarake të Perandorisë Osmane. Në mes të viteve ’30 ai shfaqet si spahi timari në rrethin e Dibrës dhe në vitin 1438 si subash i vilajetit të Krujës. Për hir të aftësive të tij ushtarake ai u bë sanxhakbej dhe, rreth vitit 1440, u vu në krye të sanxhakut të Dibrës. Ndërkohë, Skënderbeu gatoi projektin për të organizuar një kryengritje çlirimtare antiosmane. Duket se për këtë projekt, që do t’i sillte atdheut të vet lirinë, ai filloi të punonte të paktën qysh nga viti 1438, mbasi qysh nga ky vit e shohim të krijojë lidhje të fshehta me disa shtete të afërtra (me Venedikun, Raguzën, Napolin, Hungareinë) për t’i pasur si aleatë në luftën kundër pushtuesve osmanë.
Në vjeshtën e vitit 1443, kur filloi lufta hungaro-osmane, me urdhër të sulltanit, Skënderbeu u nis për në frontin e Nishit. Nisja e tij duhet të jetë bërë nga Dibra, ndryshe nuk kuptohet prania e 300 e ca shqiptarëve në repartin që isthe nën komandën e tij. Vazhdimi i ngjarjeve është i njohur. Sapo Janosh Huniadi filloi sulmin kundër ushtrisë osmane, Skënderbeu me repartin e vet e braktisi frontin dhe u nis me nxitim në drejtim të Shqipërisë, ku dha sinjalin e kryengritjes së përgjithshme çlirimtare. Gatishmëria që ai gjeti në masat popullore, tregon se Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, ky hero i rrallë i luftës çlirimtare, kishte krijuar prej kohësh lidhje të ngushta, veçanërisht me vëllezërit e tij të gjakut, dibranët.
LITERATURA
1. M. Barleti, Historia e Skënderbeut, Tiranë, 1967.
2. D. Franco, Commentario delle cose de ‘Turchi e del Signor Giorgio Schanderbeg, Principe di Epyro, Venedik, 1545, f. 2-5.
3. V. Makusev, Istoriceskija Razyskanija o Slavjanah v Albanii v Srednie Veka, Warzawa, 1871.
4. C. Jirecek, Geschichte der Bulgaren, Praga, 1876.
5. P. Pisani, La Légende de Scanderbeg, Paris 1891.
6. F. S. Noli, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Prishtinë, 1968.
7. K. Frashëri, Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pragun e kryengritjes çlirimtare t vitit 1443, në: “Studime historike”, 91967), nr. 4, f. 209- 210.
8. J. J. Pontanus De Bello Napolitano, etj. vëll. II, Napoli, 1519.
9. V. Grigorovic Ocerk Ucennego Putesestvija po Europejskaj Turcii, Kazan, 1848.
10. H. Spondanus, Annales Ecclesiastici ab Anno MCXCVII ad Finem MDCXI V. vëll. II, Ticino 1680.
11. A. Buda, Fytyra e Skënderbeut në dritën e të dhënave të reja, në “Buletinin e Institutit të Shkencave”, Tiranë 3-4 (1951).
12. H. Inalcik, 835 Hicri, suret-i defter-i isancak-i Arvanid, Ankara, 1954, timaret, nr. 314, 324, 335.
13. Historia e Shqipërisë, vëll. II, Tiranë, 1959.
14. K. Frashëri, Aktet e Hilandarit, në “Mësuesi”, Tiranë, 28 korrik 1967 dhe 4 gusht 1967.
15. K. Biçoku, Mbi disa çështje lidhur me veprimtarinë e Gjergj Kastriotit Skënderbeut para vitit 1443, në “studime historike”, 2, (1970).
16. F. S. Noli, Historia e Skënderbeut, Boston, 1921.
17. A. Gegaj, L’Albanie et l’invasion turque au 15e siécle, Paris 1937.
18. Ch. Hopf, Chroniques Gréco-romanes, etj. Berlin, 1871.
19. P. Luccari, Annali di Rausa, venezia, 1605.
20. F. S. Noli, Historia e Skënderbeut, Boston, 1921.
21. F. Noli, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Prishtinë, 1968.
22. Historia e Shqipërisë, vëll. I, Tiranë 1959.
23. K. Frashëri, Nga na ishin Kastriotët? KU lindi Skënderbeu? Në “Mësuesi”, Tiranë, 1974, nr. 35 dhe 36.
24. K. Biçoku, rreth çështjes “Nga ishin Kastriotët”, në “Mësuesi”, Tiranë, nr. 49 dhe 50, 1974.
25. H. Ndreu, Toponimia në ndihmë të historisë së Kastriotëve, në “Mësuesi”, Tiranë, nr. 15, 1975.
26. A. Hoxha, Mbi lokalizimin e fushës së betejës së Torviollit, në “Studime historike, 3”, 1979, f. 241-242.
* Gjeneral Brigade (R),  Doktor i Shkencave Inxhinierike.