Poezi nga Xhoana Tafçiu


PO NDJEJ TE FTOHTE

Po ndjej të ftohtë,
Këtu për rreth, gjithçka e akullt,
Po ndjej të ftohtë.
Përse vallë?
Askush nuk ma thotë arsyen,
Pse ndjej të ftohtë.
Në këtë ditë të nxehtë vere,
Po ndjej të ftohtë.
Sa shumë e akullt qenka kjo botë!
Unë i afrohem e ajo largohet,
Unë i buzëqesh e ajo tërbohet,
Kur rri e mërzitur, ajo gëzohet,
Unë i jap dorën, ajo më shtyn,
Harron se fytyrën e vet po pështyn.
Përse kaq e akullt?
Përse kaq e ngurtë?
Përse iku dita, kur ajo sillej butë?

Ja, përsëri po ndjej të ftohtë,
Ndjej që po vjen një stuhi.
Ah, po…ajo është e nesërmja.
Bashkë me të vjen dhe shpresa.
Nuk ndjej më të ftohtë.

KURRË MOS THUAJ “SIKUR”

Një sy i përlotur,
një zemër e copëtuar,
një shpirt i përvëluar,
gjithmonë thotë “sikur”.
Një fëmijë jetim,
një fëmijë i varfër,
një fëmijë i shtypur,
gjithmonë thotë sikur.
Kjo fjalë na kthen pas,
na i merr ëndrrat,
na i mbyll sytë,
Deri kur do zgjasë?
Deri kur do themi “sikur”?
Deri kur shpirtin do trazojmë?
A do ketë një fund kjo fjalë helmuese?
A do jetë e lidhur pas nesh
gjithmonë?
Përse thua sikur për atë që shkoi?
Përse thua sikur për atë që se ke?
Ngrihu e lufto, zgjohu o njeri!
Mposhte këtë fjalë e hidhe tej!
Leri ndonjëherë ndjenjat mënjanë,
Se jetojmë në një botë të padrejtë.
Kurrë mos thuaj më “sikur”
Zhduke këtë fjalë nga ky realitet!

ZEMRA NE UDHETIM

Po prekja tokën e xhenetit
Po ndjeja aromën e mirësisë,
Po jetoja ëndrrën e Ahiretit,
Ecja pa frikë.
Ecja, vrapoja…aromën e xhenetit shijoja.
Kisha lulëzuar…
Kishte ardhur pranvera,
Malet, detet, dielli dhe hëna,
Po festonin me mua.
Tani, thashë, nuk do të ketë më vdekje,
Nuk do të ketë më një fund,
Nuk dëgjojmë atë që na vret veshët,
Nuk shikojmë atë që na vret sytë.
Nuk durojmë më padrejtësi në heshtje,
Sepse nuk ka më padrejtësi.

Eh, kështu isha zhytur në mendime,
Zemra udhëtonte, mendja ëndërronte,
Po arrija të bindja veten time,
Se isha përhumbur…
në botën e përjetësisë,
aq larg…
në botën e mirësisë.
Ah, tani u ktheva në realitet,
Nuk kam më kohë të zhytem në mendime,
Po ik të gjej rrugën e drejtë,
Për të fituar xhenetin, ëndrrën time.