Pranvera e fundit e Albana Ramës


Ubënë njëzet e pesë vite që Albana nuk është mes nesh. E lindur dhe rritur në Tiranë nga dy prindër të mrekullueshëm, Servet Rama e Nexhmie Rama (Cami). Ti Albana ishe jo vetëm cucë Shumbati, por edhe mbesa e miqve të mi; Emin, Maks, Sakip e Shpëtim Camit.
Ishe në moshën më të mirë kur ike nga kjo botë. Ti vazhdoje studimet në gjimnazin “Ismail Qemali dhe ishe me nota të shkëlqyera. Nuk i kishe nge lojërat e adoleshencës, sepse ti mendoje ndryshe nga shokët e shoqet e tua. Thonë se njeriu sapo lind, lindën së bashku me fatin dhe riskun që do ta ndjek gjatë gjithë jetës, thonë se lind bashkë me talentin për ata që e kanë, se jo të gjithë kanë talent. Ti kishe lindur e tillë nuk e more rrugës, e as ta dha kush. Jo, Albana ishe e talentuar në talentin tënd. Ti kishe ambicie të madhe Albana, premtoje për shumë por jeta jote u tregua e pa besë me ty, nuk të dha shumë kohë të shkëlqeje, dhe megjithatë e me atë kohë të shkurtër ti ishe dhe mbete një kometë gjithë shkëlqim.
Që e vogël fillove të merresh me atletikë në ekipin e “17 nëntorit” dhe gjithmonë keni shkëlqyer Albana. Nga atletika fillove me aerobi. Ende nuk njihej tek ne, madje paragjykohej, por ju me talentin tuaj i sfiduat të gjithë. E thjeshtë, e dashur, njerëzore, falje mirësi e dashuri për të tjerët. Ti e urreje egon, i doje shokët dhe shoqet e i ndihmoje të shkëlqenin edhe ata si ju. Kishe lindur vërtet artiste Albana nuk u bëre rrugës. Në shkollën e mesme “Ismail Qemali” krijove grupin e parë të aerobisë në vendin tonë nën drejtimin e Pëllumb Agalliut. Ishte iniciativë e madhe për kohën, sfidove të vjetrën.
Në vitin 1991, Shqipëria për herë të parë përfaqësohet në Moskë. Ishe ti që e bëre krenar çdo shqiptar në Moskë, duke nderuar veten dhe kombin me çmimin e lartë që more. Në koncertin e madh që u organizua në vendin tonë me rastin e 22 marsit ti Albana ishe edhe soliste edhe drejtuese e atij grupi fëmijësh. Në spektaklin televiziv “12 vallëzime pa një të shtunë” ku debutove së bashku me Enton Lugën talenti yt ra në sy edhe të organizatorëve dhe prezantuesve si Vera Grabocka e Adi Krasta. More edhe vlerësimet maksimale që mund të merren në një eveniment të madh kombëtar.
Edhe në spektaklin tjetër televiziv “Rreth fatit për 12 javë”, në natën e vitit të ri debutove bukur duke shpalosur talentin tënd që nga dita në ditë vinte në rritje e emri yt po lakohej në të gjitha mediat vizive e të shkruara.
Duke parë talentin tënd, duke vëzhguar nga afër se aerobia që deri dje nuk njihej fare nga ne dhe në saj të guximit, vullnetit e talentit tënd mori një rritje dimensionale, të doli e drejta e studimit për në Francë Albana. Do të studioje në një nga Universitetet më të njohura të Francës vetëm për aerobi e kërcim klasik..
Në mëngjes të asaj pranvere të vitit 1996, ku lulet kishin çelur ti u nise herët për në Gjirokastër. U përshëndete me të gjithë njerëzit e familjes me fjalën e madhe shqiptare: “Mirë ardhsh e e dalsh me suksese si gjithmonë”. Kështu të uruan Serveti e Nexhmija, kështu të uroj dhe motra jote më e vogël Elona, po ku ta dinin ata se ti nuk do të ktheheshe e gjallë më nga Gjirokastra, ku ta dinin se fati yt do të ishte tragjik, se vdekja juaj e parakohshme udhëtonte së bashku me ju këtë pranverë.
Ishte pranvera e fundit për ty Albana, lulet kishin çelur por jo për ty se fundja ti nuk kishe nevojë për lule, ishe vetë lule, ishe një gonxhe në shpërthim. Makina me të cilën udhëtoje po ecte, po rrëshqiste mbi asfaltin e zi, ndoshta ishte shpejt, ndoshta ndodhi ndonjë defekt, ndoshta ishte shkruar që ditën që linde Albana por makina përmbyset në rrugë, përmbyset keq e aksidenti ishte fatal vetëm për ty. Në atë makinë kishte dhe të tjerë, por ti i duheshe Zotit atë ditë. Spitali i Gjirokastrës ishte i pafuqishëm të shpëtonte nga kthetrat e zeza të vdekjes, po kështu edhe spitali ushtarak (sot trauma) u gjend i dorëzuar përballë forcës së Zotit.
Ora shënonte 2 e natës, shpirti yt Albana iku, iku nga kjo botë zhurmëmadhe e fluturoi lart në qiell. I le me lot në sy të gjithë, të gjithë kush u ndodh atë natë pranvere aty. Vdekja jote para kohe i pikëlloi të gjithë, pikëlloi edhe Vera Grabockën e Adi Krastën se ata më mirë se kushdo e dinin talentin tënd. Funerali yt ishte ndryshe, një turma e madhe e njerëzve që kërkonte të jepnin lamtumirën e fundit. Erdhën shokë e shoqe. Erdhi Shumbati e Dibra.
Albana, na këputi malli për ty, na kanë mbetur ende lotët në sy. Do të vijnë pranvera përsëri, do të çelin lulet që ti i deshe shumë. Jeta do të vazhdojë Albana por emri yt kurrë nuk do të harrohet. Do të kujtojnë të gjithë se ti ishe një kometë që shkëlqeve pak, por le gjurmë te të gjithë.