“Vikama e Skënderbeut», një poemë dhe poezi të suksesshme të autorit Astrit Gjunkshi


Me datë 3 dhjetor u mblodhën shumë miq të autorit Astrit Gjunkshi, poetë e lexues të apasionuar pas poezisë në mjediset e Qendrës Multifunksionale ‘Ten’- ish kinema ‘Dajti », në Tiranë, në veprimtarinë për prezantimin e librit «Vikama e Skënderbeut», krijim i këtij autori tashmë të suksesshëm. Libri, botim i M&B, është sponsorizuar nga z. Musa Riçku, botuesi i gazetës «Rruga e Arbrit» dhe përmban nga një poemë dhe poezi mjaft të arrira artistikisht e me përmbajtje me mjaft vlera. Ai u prezantua nga autori nga recensenti z. Behar Metohu. Regjisori, aktori e shkrimtari Aqif Ademi interpretoi disa poezi që u duatrokitën nga auditori, që vlerësoi shumë krijimtarinë e autorit. Bashkë me këtë libër, autori prezantoi edhe librin tjetër «Të hapësh botën e njeriut», që përfshin gjithashtu një poemë dhe poezi të tjera. Paraqitjen e reçencës për këtë libër e bëri dr. Stavri Trako.
Figura e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu ka qenë e pranishme në disa poezi që autori ka shkruar në librat e botuar në dy vitet e fundit. Por, ai gjykoi se nuk ishin të mjaftueshme ato poezi për të shprehur në vargje nderimin e pakufishëm të popullit tonë dhe ndjesinë e tij personale për njeriun më të madh që ka lindur kombi shqiptar në historinë e tij.
Dhe, pikërisht ky vit i 550 vjetorit të vdekjes së Heroit, ishte momenti më se i duhur që e frymëzoi atë për të shkruar një vepër më të plotë poetike, që përfshin poemën prej afro 30 faqe “Vikama e Skënderbeut”, si dhe një «paketë» më të plotë me poezi kushtuar epokës Skënderbegiane dhe disa poezi me mesazhe që duhet të përçojë edhe sot te kombi shqiptar vepra e tij e lavdishme.
Poema «Vikama e Skënderbeut», që i ka djënë titullin të gjithë librit është vendosur në pjesën e parë të tij. Në pjesën e dytë janë sjellë disa poezi që evokojnë jetën e heroit dhe të popullit të tij gjatë asaj epoke të betejave fitimtare kundër perandorisë otomane. Në pjesën e tretë sillen poezi me temë aktuale, të cilat trajtojnë kryesisht momente të shqetësimeve të përditshme të shoqërisë sonë dhe të njeriut të thjeshtë, por mesazhet që ato japin parashtrojnë nevojën e reflektimit shoqëror me forcën e virtutit dhe të shpirtit të madh të lirisë, drejtësisë e krenarisë më të mirë kombëtare që kemi trashëguar nga Skënderbeu.
Poema « Vikama e Skënderbeut » është një vepër me subjekt që sjell në ditët e sotme një element kyç të historisë së epokës së Skënderbeut, siç janë fushëbetejat më të spikatura ku Heroi bëri historinë e tij dhe të kombit tonë, së bashku me popullin e tij. Nga pikëpamja historike, vepra është bazuar në leximet e marra nga historianë seriozë, kryesisht në shkrimet e profesor Kristo Frashëri, por dhe nga autorë të tjerë të parapëlqyer, përfshirë historianë të trevës dibrane.
Në veçanti, duke vlerësuar përpjekjet heroike për liri të mbarë popullit shqiptar, autori nënvizon rolin e veçantë të popullit të Dibrës në fitoret e Skënderbeut. Këtë pohim të fundit, autori e bazon në faktet historike të 18 betejave të zhvilluara jo rastësisht në këtë trevë. Si një prej strategëve më të mëdhenj të kohës së tij, Skënderbeu i ka përzgjedhur fushëbetejat me zgjuarësi, pikërisht për shkak të veçorive të terrenit në kufijtë me zotërimet otomane, por edhe të lidhjes së veçantë që ai kishte me Dibrën si vend i tij i origjinës dhe mbështetjes masive të popullit dibran.
Megjithatë, libri është një vepër letrare dhe jo historike. Për këtë arsye, autori përpiqet që elementët historikë t’i trajtojë artistikisht, duke mos hyrë në shumë detaje historike. Ai shfrytëzon ato elementë të spikatur historik që i shërbejnë synimit të tij për të përjetuar në ditët e sotme atë shpirt të madh të lirisë dhe të virtuteve që bënë të mundur fitoren e nje populli të vogël mbi superfuqinë e kohës.
Autori nënvizon se ishin shpirti i madh për liri i Skënderbeut dhe virtutet e zotësia si prijës i madh që bashkuan rreth tij princat e përçarë dhe popullin në sakrificat e paimagjinueshme, në betejat fitimtare kundër ushtrive të mëdha të sulltanëve. Ai arriti që këtë shpirt ta ngulisë thellë te komandantët dhe populli i tij, dhe këtu qëndron kyçi i shkëlqimit të asaj epokës së tij. Thelbi i synimit të poemës është të ngjallë sot këtë shpirt të madh te kombi shqiptar, duke u kthyer në vlerat më të mira të traditës, përkundër deformimeve të mëdha aktuale në shoqërinë tonë.
Prandaj, dy personazhet e librit, Drit Rahoniku, shqiptar me origjinë nga Dibra e Madhe dhe arbëreshi Xhorxhio Bali, stërnip i plakut Balë, në vargjet e poemës e venë vazhdimisht theksin në këto vlera. Në çdo fushëbetejë që vizitojnë, shpirti i dikurshëm i kohës së Skënderbeut rritet vazhdimisht brenda shpirtit të tyre, deri në formën e një shtjelle të fuqishme. Përqasur me realitetin, ata të dy shpresojnë që kjo shtjellë të hyjë në të gjithë shpirtrat e shqiptarëve e t’i mobilizojë ata në përpjekje aktive për zhvillime europiane të kombit.
Vikama e Skënderbeut është thirrja e madhe simbolike e Heroit drejtuar kombit, përmes dy personazheve, për të çliruar energjitë më pozitive për progres të gjithanshëm të shoqërisë e të kombit shqiptar. Ky mesazh përshkon si poemën, ashtu dhe poezitë e përfshira në dy pjesët e tjera të librit.
Mendojmë se lexuesit do ta shijojnë këtë libër, me një lexim të vemendshëm, për vetë specifikën që ka kjo vepër e cila bashkon elementë letrarë, historik, filozofik e psiko-socialë. Njëkohësisht, libri përban një kontribut me vlerë në përkujtimin që kombi i përkushtoi Gjergj Kastriotit- Skënderbeut në jubileun të largimit të tij për në parajsë, me synimin për ta bërë edhe më të gjallë në ditët tona me ringjalljen e vlerave të tij më të spikatura në shoqëri dhe në trojet shqiptare.
Këto dy libra shpien në katër kolanën poetike të autorit Astrit Gjunkshi, duke konsoliduar kështu këtë studiues të fushës së sigurisë globale edhe si shkrimtar me mjaft vlera.