46 të rinj nga Dibra, 3 ditë, 8 grupe, 8 propozime dhe 2 fitues!


Një kamp përgatitor mblodhi bashkë 46 të rinj dibranë me qëllim dizajnimin e zgjidhjeve inovative për problemet që paraqet zhvillimi në Dibër. Kampi adresoi tri sfidat kryesore: mungesa e kreativitetit dhe imagjinatës në zhvillimin e produkteve të rinj, mungesa e kulturës së duhur dhe mospasja e modeleve që frymëzojnë të rinjtë.
Kampi përgatitor “Made in Dibra” u fokusua te frymëzimi i pjesëmarrësve për të gjetur mënyra se si Dibra mund të kthehet në një qendër kulturore dhe turistike në Ballkan. Kampi përdori teknologjinë moderne dhe një fokus mbi mendimin njerëzor për të nxitur debatin dhe për të ndihmuar të rinjtë me gjetjen e zgjidhjeve kreative për problemet e tyre.
46 të rinjtë u ndanë në 8 grupe. Detyra e tyre e parë ishte të eksploronin nevojat dhe hapësirat në komunitetet e tyre, jo vetëm te banorët, por edhe te vizitorët, pasi prezenca e këtyre të fundit është në rritje. Ata kërkuan për frymëzim në burimet natyrore të zonës, me qëllim krijimin e një dëshire për të shfrytëzuar këto burime dhe për t’i kthyer ato në mundësi zhvillimi për ta dhe komunitetin.
Pjesëmarrësit eksploruan mënyra se si teknologjia dhe mendimi i dizajnit ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve reale dhe patën mundësinë për të folur me persona të shquar në fushat e software, sportit dhe medias.
Erinda, një nga pjesëmarrëset e kampit, tha: “Ky kamp përgatitor më ka dhënë mundësinë për të gjetur zgjidhje jashtë normës për problemet e qytetit tim dhe për të përmirësuar jetën e çdo banori. Këtu kuptova që qyteti im ka një potencial shumë të madh për turizëm, gjë që mund të japë nisma që njerëzit të qëndrojnë në Dibër. Është e trishtueshme të shohësh që tani të gjithë duan të largohen nga Shqipëria”.
Në ditën e fundit, grupet punuan me modelet e bizneseve të tyre, si një mënyrë për të formuluar mendimet e tyre mbi hapat në vijim, bashkëpunimet, burimet etj. Pjesëmarrësve ju dhanë struktura për të ndihmuar me komunikimin sa më të efektshëm të ideve të tyre.
Në fund të kampit përgatitor, grupet paraqitën idetë e tyre një paneli gjyqtarësh. Idetë më të mira u zgjodhën në bazë të disa kritereve të parashtruar, si: qartësia në formulimin e problemit, impakti mbi jetën e rinisë, qartësia e hapave në vijim etj.
Dy projekte fituan: I pari quhej “Hand Made in Dibra”, një projekt me qëllim krijimin e një tregu për produktet e artizanatit dibran me anë të ekspozitave dhe punishteve. Ideja e dytë, “Uskania”, ka si qëllim rritjen e vetëdijes së rinisë dibrane mbi riciklimin. Pika kryesore e këtij projekti është një konkurs i organizuar me anë të Instagramit midis 44 shkollave të rajonit mbi produktin më të mirë të riciklimit.
Grupet janë në Dibër, duke punuar për të kthyer idetë e tyre në realitet. UNDP-ja do të vazhdojë të monitorojë dhe mbështesë grupet në javët që vijojnë.

Përse e bëmë këtë?
Shqipëria përballet me sfida në sigurimin e vendeve të punës për të rinjtë, gratë dhe personat që kanë vështirësi financiare. Edhe pse papunësia është ulur, vetëm 37.9% e të rinjve kanë punë. Të rinjtë e papunë dhe jo në shkollë përbëjnë 30% të grupmoshës 15-29 vjeç, dyfishi i mesatares së BE, vetëm 14.8%.
Veriu i Shqipërisë është zona më e varfër e vendit. Prodhimi i brendshëm bruto për qytet është pothuajse sa gjysma e mesatares shtetërore dhe papunësia e të rinjve arrin shifrën 45%. Gjithashtu, 2/3 të punësuar kanë punë në fushën e agrikulturës, shpeshherë sezonale.
Për të ndihmuar me situatën, UNDP-ja, në bashkëpunim me Ministrinë e Financës dhe Ekonomisë, po zbatojnë projektin “Mbështetje punësimi për të rinjtë dhe gratë në Shqipërinë e Veriut.” Ky projekt i financuar nga qeveria Britanike ka si qëllim krijimin e mundësive për banorët e Shkodrës, Kukësit dhe Dibrës duke ofruar mundësi vetë-punësimi dhe sipërmarrje, si dhe ndihmë ligjore falas për personat më në nevojë.
Përshtati në shqip: Klovis Karoshi

Shkrimi origjinal gjendet në linkun: https://medium.com/@albania.undp/madeindibra-bootcamp-46-youth-from-dibra-3-days-8-groups-8prototypes-and-2-winners-6576cd7be4b4