Hebrenjtë në Shqipëri gjatë Holokaustit


Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Kujtesës, Organizata e Kombeve të Bashkuara, Kongresi Hebraik i SHBA dhe Misioni i Shqipërisë në New York; nën kujdesin e Department of Global Communications United Nations, më 31 janar 2019 u organizua në mjediset e OKB-së veprimtaria shkencore me titull A matter of humanity: “The Rescue of the Jews during the Holocaust”, kushtuar rastit të Shqipërisë.

*Trajtesa që po botojmë është përgatitur nga autori për këtë ngjarje shkencore.

Nëvitin 1932, në kohën kur antisemitizmi në Europë ishte kthyer në doktrinë, Shqipëria u bë vendi i parë dhe i vetëm në kontintent që u njohu hebrenjve të drejtën e organizimit në bashkësi dhe legjitimoi shabbat-in. Është rasti i vetëm i diskriminimit pozitiv të hebrenjve gjatë dekadave kur bota lëngonte nga judeofobia.
E drejta e komunitetit inkurajoi ambasadorin amerikan në Tiranë Herman Bernstein, një figurë qendrore e lëvizjes sioniste botërore (bashkë me A. Einsten-in dhe Ben Gurion-in), që të niste menjëherë negociatat me ambasadorin shqiptar në SHBA Faik Konica për të arritur një marrëveshje ndërshtetërore shqiptaro-amerikane për pranimin në Shqipëri të 500 familjeve hebreje. H. Bernstein e vizitoi kuadrat për kuadrat, me hartë në dorë, gjithë territorin e pabanuar të Shqipërisë bregdetare, që nga Buna deri në Vjosë, me qëllim që instalimi i familjeve hebreje të realizohej pa cenuar asnjë interes individi, asnjë pronë private, pa shkaktuar asnjë provokim.
Misionarë të Kongresit Botëror të Hebrenjve, të Komisariatit të Lartë të Refugjatëve dhe të Lëvizjes Sioniste negociuan intensivisht me qeverinë mbretërore gjatë viteve 1933-1935, duke vijuar të njëjtin projekt të ambasadorit Bernstein. Në vitin 1935 Tiranën e vizitoi misionari i mandatuar Leo Elton, i cili pati bisedime me dy ministra, të ekonomisë dhe të oborrit mbretëror, dhe me ta arriti marrëveshjen që Shqipëria të pranonte masivisht hebrenjtë e rrezikuar dhe ata të vendoseshin në territore të lira, në formën e ngulimeve, të ngjashme me kibutz-et e sotme. Raporti i misionarit Leo Elton iu dorëzua Rektorit të parë të Hebrew University prof. Judah Leib dhjetë vjet më vonë, ku ruhet edhe sot i sekretuar. Ato pak fakte që kanë dalë nga ky raport prej rreth 50 fletësh bëjnë të njohura të njëjtat të dhëna që përmbajnë burimet e arkivave shqiptare. Në këto dokumente Shqipëria cilësohet në mënyrë terminologjike atdhe i dytë dhe atdhe rezervë i hebrenjve. Ndërsa shtypi europian i asaj kohe shkroi me panik se Shqipëria po izraelitizohej, po kthehej në një Palestinë të dytë (si shteti i atëhershëm Mandatory Palestine, që qeverisej nën protektoratin britanik).
Pikërisht kjo është koha kur për herë të parë Italia fqinje, e cila, me një vendim të posaçëm të Konferencës së Ambasadorëve (1921), kishte fituar paketën e privilegjeve mbi Shqipërinë, filloi të alarmohej. Një informator i posaçëm iu shtua në personelit të Ambasadës së Italisë në Tiranë, për të raportuar vetëm për hyrjen e hebrenjve. Në një prej teksteve të shifruar të informatorit (1936) thuhet: Pa dashur të shkaktoj alarm tek ju (në Farnesina), duhet t’ju them se simpatia shqiptare për ne shumë shpejt do të mbarojë dhe vendin tonë do ta zënë hebrenjtë. I njëjti informator, në një radiogram tjetër të mëpasmë, shkruan: Sot, si çdo ditë, shkova në kafe “Kursal” në kërkim të të rejave për hebrenjtë. Por, sa isha ulur në tryezë, brenda hyri një hebreje polake aq e bukur, sa u shastisa fare dhe s’kam fare çfarë të raportoj.
Ardhja e hebrenjve në Shqipëri u lehtësua edhe nga marrëveshja midis qeverisë austriake dhe asaj të Tiranës për heqjen reciproke të vizave (1931).

Shënim: 

Studimi botohet me shkurtime. Versionin e plotë e gjeni në versionin print ose pdf.