Lamtumirë, gjeneral!


“Unë rrallë kam njohur njerëz që të jenë kaq shumë të ditur, kaq shumë të informuar dhe, mbi të gjitha kaq shumë në gjendje për t’i paraqitur mendimet me një gjuhë të pasur, me një frazeologji të zgjedhur, plot figura dhe paralelizma, plot shoqërime idesh dhe mekanizma të tjera artistikë që e bëjnë të folurin e këndshëm…”

“Sa mirë e njihte Hyseni kulturën popullore, doket dhe zakonet, kanunin, filozofinë popullore, sa mirë dhe me vend dinte ta përdorte alegorinë, duke krijuar asosacione dhe shoqërime idesh, sa mirë e njihte Hyseni formën e të menduarit të popullit, gjuhën e pasur me të cilën shprehej, etikën dhe estetikën popullore, frazeologjinë popullore…”

Në vitet e krizës humanitare në Kosovë, 1998-2001, ka luajtur një rol kyç si pjesëmarrës në stafin logjistik të UNHCR. Me përvojën e fituar në këto vite, hartoi disertacionin “Për përballimin e emergjencave civile”, me të cilën mori titullin Doktor Shkencash.

Nga Xhafer Martini

E kishim bërë zakon që unë dhe Hysen Repa çdo të shtunë të takoheshim tek studio M&B e Bujar Karoshit dhe të pinim kafe dhe të bisedonim. E prisja të shtunën me një ndjenjë hareje. Bujari, si kalonte një gjysmë ore, ngrihej dhe fillonte punën, me gjithë dëshirën për të qëndruar. Unë dhe Hyseni vazhdonim. Ajo shprehja popullore se “Me filanin nuk ngopesh”, sikur ka lindur për të karakterizuar Hysenin. E kisha pasur nxënës në tetëvjeçaren e Fushë Alies shumë vjet më parë. Ishte nxënës i shumë i mirë. Shkëlqyeshëm i ka bërë të gjitha kategoritë e shkollave dhe u bë inxhinier ushtarak. Shërbeu shumë vjet në Shkodër, në qytetin e kulturës dhe të traditës qytetare. Hyseni ishte njeri që mësonte dhe sigurisht që mësoi shumë prej qytetarisë shkodrane. “Dibranishtja”, në çfarëdo forme që të shfaqet, do latuar, përpunuar, ëmbëltuar. Dhe më duket se kultura dibrane me kulturën shkodrane shartohet më mirë se me çdo kulturë tjetër. Prandaj Hyseni kishte kryer edhe një shkollë të dytë, siç është tradita shkodrane. Vitet e demokracisë e gjetën në Tiranë dhe unë në këto vite i kam pasur takimet më të shpeshta me të.
– E kam qejf që parathënien për librin tim të ri për Halil Alinë ta shkruash ti, – i thashë një ditë, katër pesë vjet më parë. – Jeni të dy gjeneralë dhe nga një fshat, nga jam edhe unë. Ia kemi borxh t’ia qajmë hallet atij populli që u shtyp dhe u persekutua për pesëdhjetë vjet.
Pranoi me dëshirë. Nxora stilolapsin dhe bllokun t’i bëja gati ndonjë pikë ku të përmbahej.
– Jo, – tha, – ose e shkruaj vetë nga germa e parë deri tek e fundit, ose nuk e shkruaj fare. Harrova që Hyseni ishte shumë krenar.
– Kjo është edhe më mirë, -i thashë. Dhe vërtet e shkroi ashtu si unë do të kisha dëshiruar të shkruhej ajo parathënie.
Me Hysenin mund të bisedoje për çdo temë. Ai dinte të shikonte të mirat tek çdo njeri, ashtu siç zbulonte të këqijat dhe negativitet.
“Ti e ke njohur M.A., – më tha një ditë ndërsa kujtonim të kaluarën e fshatit tonë. – Ai ishte çoban, nuk bënte për asnjë punë tjetër, veçse të ruante dhentë. Por ama këtë punë e bënte me mirë se kushdo tjetër. Kur dhentë iknin andej nga donin, vraponim mbas tyre dhe e i trembin me kajuken e zezë që u sillej sipër kokave si shqiponjë. E kishim mendjen tek lojërat. Delja trembet sikur t’i bjerë ujku. Kur trembet, ajo humb në peshë dhe në qumësht. Kurse M.A. u rrinte dhenve në këmbë, pranë, gjithmonë anash, si një “mur” mbrojtës, i udhëhiqte andej nga ishte kullosa më e mirë, dhe ata me çobanin pranë, ndiheshin të qeta, të sigurta. Prandaj dhentë e tij, megjithëse hanin në një vend me tonat, kishin ndryshime të mëdha.”
E dhashë këtë episod, në dukje pa rëndësi, vetëm për të treguar se sa vërejtës i hollë dhe sa psikolog ishte Hyseni. Psikologjia mësohet në shkollë. Psikologjinë Hyseni e kishte tek shpirti, ishte mënyra e tij e të vërejturit ë dukurive dhe filozofimit rreth tyre. Pastaj kujtonim njerëzit e mirë të fshatit tonë, pleqtë dhe plakat, zbulonim hiret dhe vetitë e tyre të çmuara. Nga këto biseda kuptoje sa mirë e njihte Hyseni kulturën popullore, doket dhe zakonet, kanunin, filozofinë popullore, sa mirë dhe me vend dinte ta përdorte alegorinë, duke krijuar asosacione dhe shoqërime idesh, sa mirë e njihte Hyseni formën e të menduarit të popullit, gjuhën e pasur me të cilën shprehej, etikën dhe estetikën popullore, frazeologjinë popullore.
Pastaj biseda mund të kapërcente papritur dhe të zhvillohej për një president apo mbret të x apo y shteti, për historinë kombëtare apo botërore, për personalitete dhe gjeni të fushave të ndryshme, për shkencëtarë, filozofë, artistë, mendimtarë, shkolla filozofike duke filluar nga lashtësia e duke ardhur deri në ditët tona. Unë rrallë kam njohur njerëz që të jenë kaq shumë të ditur, kaq shumë të informuar dhe, mbi të gjitha kaq shumë në gjendje për t’i paraqitur mendimet me një gjuhë të pasur, me një frazeologji të zgjedhur, plot figura dhe paralelizma, plot shoqërime idesh dhe mekanizma të tjera artistikë që e bëjnë të folurin e këndshëm.
Hyseni ishte edhe një dëgjues i mirë. Ai kishte kulturën e të dëgjuarit që rrallë njerëz e kanë. Të shikonte ndër sy dhe të krijonte atë ndjenjë të këndshme sikur t’i nxjerr mrekulli nga goja. Këtë mënyrë sjelljeje, këtë qëndrim ndaj bashkëbiseduesit, këtë nderim dhe respekt nuk ta sjell kushdo në tryezën e bisedës, veç një njeri i ditur i kalibrit dhe i formatit të Hysenit. Hyseni nuk ishte vetëm gjeneral Brigade, por edhe gjeneral i bisedës, i mendjes, i sjelljes aristokratike në kuptimin e plotë të kësaj fjale; ishte një nga përfaqësuesit më të mirë të elitës mendore të kombit. Hyseni ishte edhe një baba dhe familjar i shkëlqyer. Një ditë ndërsa bisedonim të tre, e mori në telefon vajza dhe i tha: “Baba sot drekën e duam prej teje”. “Do ta bëj”, – tha. Atë ditë shkoi më herët se zakonisht tek shtëpia. Ishte njeri pa paragjykime, me koncepte dhe qëndrime bashkëkohore. Fudullëku i Çidhnës tek ai ishin tretur. Kishte mbetur ai dinjiteti pa të cilin njeriu nuk jeton dot, sidomos një njeri si Hyseni. Kishte fëmijë të mbarë, të edukuar dhe të talentuar. Vajza e madhe, Albana, është mjeke në Kanada, vajza tjetër, Artemisa, e cila jeton në Itali, është një emër i njohur në skenat operistike europiane dhe botërore, ndërsa vajza e vogël, Eleni, ka mbaruar studimet në Universitetin Europian të Tiranës për drejtësi, ndërsa Alketi ka mbaruar mbaruar studimet në Shqipëri për shkenca inxhinierike.
Por kishte dy – tri të shtuna që nuk po na vinte. U bëmë disi merak, por mendja nuk na shkonte kurrë tek e keqja. Merre një herë në telefon, i thashë Bujarit. Ai i dërgoi SMS për të cilën Hyseni e as pjesëtarët e tij të familjes nuk patën mundësi të përgjigjeshin. Hyseni ishte përballur prej ditësh me vdekjen dhe ne nuk dinim gjë. Dhe ja ku vjen lajmi i kobshëm… Atë ditë në studion M&B nuk u puna për tjetër gjë, veçse si të nderonim Hysen Repën. Ishte angazhuar Shoqata “Çidhna dhe Kastriotit”, një nga themeluesit e saj ishte edhe Hysen Repa. U njoftuan anëtarët e Shoqatës për vdekjen e tij, u përgatit fjala që do të mbahej në varrim në emër të Shoqatës, përgatitej kurora me lule dhe bëheshin shumë punë të vogla, por me rëndësi që kishin vendin e vet në përgatitjen e përgjithshme për t’i dhënë lamtumirën gjeneralit tonë të dashur. Prandaj ishin në lëvizje Bujari, Tafë Tola, Hajredin Toca, Xhevdet Kacani e ndonjë tjetër. Përgatitjet e mëdha i kishte, natyrisht, familja, por edhe Ministria e Mbrojtjes me punën e palodhur të Dilaver Laçit. Trupit të pajetë të Hysen Repës iu bënë nderimet si gjeneral i Forcave tona të Armatosura. Homazhet për të u bënë në mjediset e hapura dhe shumë të përshtatshme të Ministrisë së Mbrojtjes. Të bënte përshtypje rregulli, ecuria e punëve sipas ritmit që kërkohej, prania e gardës për këto raste dhe e shumë ushtarakëve të tjerë. Bëri homazhe dhe përshëndeti edhe zëvendësministri i Mbrojtjes z. Petro Koçi. Unë, mbasi i vura dorën në ballë për herë të fundit gjeneral Hysenit, siç bënë të gjithë, shikova edhe anë të tjera të homazheve. Kishin ardhur plot nëna dhe gra të veshura me të zeza nga vendlindja. Ato ishin ulur në një anë të sallës së madhe dhe rrinin plot dinjitet me brengën që u kishte shkaktuar vdekja e gjeneral Repës. Të tjerë, burra nga fshatrat e zonës, kishin bërë gjithë atë rrugë dhe ishin të gjithë aty.
Tek varri gjithashtu pati një “bukuri të veçantë”, nëse mund të shprehesh kështu për një varrim. Trupi i pajetë i gjeneral Hysen Repës ishte mbuluar me flamurin kombëtar. Para tij u lexua edhe fjala e lamtumirës e Shoqatës “Çidhna dhe Kastriotët”, gjenerali në pension Gjergj Vladi lexoi telegramin e ngrohtë të ministrit të Mbrojtjes, znj. Olta Xhaçka, që i dërgonte familjes ngushëllimet për vdekjen e gjeneral Hysen Repës, duke bërë vlerësim të mirë punës së tij. Në ballë si gjenerali për gjeneralin rrinte Dilaver Laçi që, si të thuash, kishte regjinë e gjithë procesit të varrimit. Rigonte një vesë shiu, por sapo filloi ceremonia e faljes nga Ali Hoxha, shiu pushoi dhe u duk dielli. Ai sikur i mënjanoi retë me dorë për të përshëndetur për pak çaste arkmortin me trupin e pajetë të gjeneral Hysen Repës.
Më në fund breshëria e të shtënave dhe trupi i Hysen Repës zbriti në tokën që do të na tresë të gjithëve.
Lamtumirë Gjeneral! U prehsh i qetë në tokën amtar!

Kush ishte Hysen Repa?
Hysen Jonus Repa u lind në Fushë Alie më 26 janar 1948.
Shkollën 7-vjeçare e përfundoi në fshat në vitin 1962. Në vitin 1966 mbaroi shkollën e mesme “Skënderbej” në Tiranë. Në vitin 1971 mbaroi Akademinë Ushtarake, ndërsa një vit më vonë u diplomua për Inxhinieri Mekanike në Universitetin e Tiranës. Në vitin 1978 përfundoi edhe studimet për Ekonomi në Shkodër.
Ka kryer një sërë kualifikimesh brenda dhe jashtë vendit si në SHBA, Turqi, Gjermani, Bruksel, kryesisht në mbështetjen logjistike dhe planifikimin e mbrojtjes.
Karrierën profesionale e nisi si pedagog në shkollën teknike “Skënderbej” në Tiranë në vitet 1972-1975. Më pas shef ofiçine në Divizionin e Shkodrës deri në vitin 1980. Nga viti 1981-1992 ka qenë shef teknike dhe Zv. Komandant Divizioni po në Shkodër.
Në vitin 1992, për dy vite rresht ka qenë drejtor transporti në Ministrinë e Mbrojtjes, dhe më pas zv.drejtor dhe drejtor i logjistikës pranë kësaj ministrie deri në vitin 1996.
Në vitin 1996 ka qenë anëtar i Komitetit Ushtarak të Standardeve (MASS), në NATO, Bruksel dhe në vitin 1997 ka qenë Komandat Divizioni në Shkodër.
Gjatë vitit 1997 ka qenë bashkëkomandant me forcat paqeruajtëse Spanjolle në Lezhë e Shkodër, ku mori vlerësime maksimale nga koleget e NATO-s. Në vitin 1997 mori edhe gradën Gjenerel Brigade.
Në vitet e krizës humanitare në Kosovë, 1998-2001, ka luajtur një rol kyç si pjesëmarrës në stafin logjistik të UNHCR. Me përvojën e fituar në këto vite, hartoi disertacionin “Për përballimin e emergjencave civile”, me të cilën mori titullin Doktor Shkencash.
Më pas, nga viti 2002 deri në vitin 2012, kreu me dinjitet disa detyra civile si pjesë e stafit mbështetës me medikamente mjekësore në Kryqin e Kuq Gjerman, drejtor i Shërbimit Diplomatik në Ministrinë e Punëve të Jashtme, specialist në drejtorinë e përgjithshme të doganave, derisa doli në pension.
Krahas punës, u mor edhe me kërkime e studime në fushën ushtarake, ekonomike, historike. Ka hartuar dhe botuar një sërë materialesh si: “Projektimi dhe prodhimi i karroofiçinës për mbështetjen me riparim të njësive ushtarake”, “Përgatitja e hartave profesionale të burimeve ekonomike, natyrore dhe rrugë-kalimet në Shqipëri”, referate në simpoziume shkencore për organizimin ushtarak dhe popullor të krahinës së Dibrës në vitet 1912-1921, “Historia e revolucioneve, grushte shteti dhe rebelime në Shqipëri, pasojat (1912-1997)”, si dhe mjaft artikuj dhe konsiderata për Luftën Nacionalçlirimtare, Masakrën e Fushë Alies në 1944 dhe historinë e lavdishme të krahinës së Çidhnës në shekuj.
Pas lirimit nga ushtria ka qenë i angazhuar politikisht dhe ka luajtur një rol kyç në fushatat elektorale për kandidatët Sali Shehu (Dibër, 2002), Besnik Mustafaj (Tiranë 2002,2005) si dhe Spartak Ngjelës (2003).
Ai komunikonte në tri gjuhë: anglisht, rusisht dhe italisht.
Ishte i martuar me Nahile Haqif Repa (Marku) dhe ka katër fëmijë: Albanën, Artemisën, Alketin dhe Elenin.

 

Gjeneral

Nga Ilir Seci

Zotni Hysen Repën e kam njoftë në Shkodër nëpërmjet Halil Hajdarit që e kishte mik për krye.
Gjenerali ishte mishënimi i urtisë proverbiale dibrane, burrë i matun, fjalëpakë, shumë i ditun, që e ndigjonte me durim gjithkand e nuk ia ndërpriste kujt fjalën asnjiherë, çkado që ti diftonin. Nuk ua ndërpriste fjalën as në rastet kur njerëz krejt të paditun i flitshin për gjana që ai i dinte fort mirë.
Gjenerali ishte njiherit ushtarak dhe inxhinier mekanik, shumë i zoti në të dyja. Ishte shume i lexuem dhe njeri i kulturuem. Qysh në vitet ‘70-të kishte mësue në mënyrë autodidakte tre gjuhë të hueja: rusisht, anglisht, italisht. Gjithnjë kërkues me aq sa ishin mundësitë e asaj kohe, lexonte materiale në ato gjuhë për me i vu në dobi të ushtrisë shqiptare. Me mundin e vet si inxhinier pat ba mikrobusin e parë ushtarak sallë operacioni, 100 % funksionale, që mund të lëvizte në udhë të ngushta e rrugë të vështira nëpër prapavija në rast lufte. Ashtu, kërkues dhe gjurmues gjanash të reja, e kujtojnë tanë ata që e njoftën. Ushtrinë e donte si shqiptar, jo si partiak, ishte atdhetar dhe mbi vendin e vet nuk vente asgja.
Mbas ndryshimeve të viteve ‘90-të, u gradua gjeneral në ushtrinë shqiptare që asokohe kishte ministër Safet Zhulalin. Gjeneral Repa iu fut me zell punës për modernizimin e ushtrisë shqiptare, me e shndërrue atë ushtri nga mjet sundimi të PPSH-se në Ushtri në shërbim të kombit, siç e kishin tanë vendet demokratike.
Vizitoi sa herë Pentagonin dhe selinë e NATO-s në Bruksel, ku u prit me respekt, respekt që e fitoi kur e njohën dhe vlerësuen aftësitë e tij. Përkundër tanë kësaj rezumeje të pasun, në vitin 1998 e shkarkuan dhe e nxorën në pension të parakohshëm. E shkarkoi me firmën e tij presidenti i asokohe Rexhep Meidani.
Shkarkuen nji gjeneral të zotin, të përkushtuem, të ndershëm dhe patriot. E shkarkuan sepse përkundër tanë cilësive që banin model si njeri, pati nji të metë të madhe: ishte i aftë. E shkarkuen dhe Gjenerali u shtërngue me qitë jetesën si mekanik.
-“Falemnderes Zotit që kisha atë zanat” – u thoshte miqve…
Gjenerali me tanë ato kualifikime, me ato gjuhe të hueja dhe me dijet e thella u shtërngue me punue mekanik, ndërsa mekanikët u banë deputete dhe ministra…
Pushofsh në paqe Gjeneral Hysen Repa!
Njerëzit zakonisht në raste të tilla thonë për atë që ndrron jetë: “Qoftë i parajsës!” Kjo ka domethanien që ai që shkoi me u gjinde në nji vend ma të mirë se vendi ku u lind e jetoi… Sido me qenë në atë botë, mik i nderuem, nuk ka si me qenë ma keq se në nji vend ku Gjeneralet shtërngohen me u ba mekanikë, nësa mekanikët bahen ministra…
Ti prehesh në paqe Hysen Repa! Sepse i paqtë, si rrallëkush ishe edhe mes nesh!

Hysen Repa, i paqtë, si rrallëkush!

Sot ishte e shtunë. Herë pas here ngrija kokën lart dhe prisja të dukej Ai. Megjithëse e dija se nuk do të vinte, prapë besoja se mrekullitë ndodhin.
Do ta shihja duke pirë cigaren te dera, dhe derisa ta mbaronte, as fliste e as jepte shenjë se kishte ardhur.
Ndoshta do të kishte çuar një mesazh më herët ose një të shtunë më parë: “Javës tjetër kafen do ta paguaj unë.
Pensionin nuk e kam marrë, por lekët për kafe i kam. Drekë mos më kërkoni”.
Ndonjëherë futej brenda. Shihte që kishte klientë në zyrë dhe nuk fliste. Kapte një libër a një gazetë dhe lexonte. Dhe kur e shihte se liroheshim sadopak, thoshte:
“Për mu vazhdoni punën, unë kafen e piva dhe po iki. Kam radhën sot për të gatuar drekën. A po vini?”
Sado punë që të kishim, sado të zënë të ishim, një kafe të shtunën nuk mund ta linim pa pirë me të.
Kur uleshim jashtë pinte duhan dhe i shtohej muhabetit. Dibrançe. Shkurt. Me alegori. Me humor shkodran. Dëgjonte. Nuk kundërshtonte kurrë. Thoshte atë që mendonte shkurt dhe saktë dhe nuk mërzitej. Fliste për gjithçka: për ushtrinë, diplomacinë, politikën, mekanikën, kasapin, librin, artin, muzikën, këngën popullore, jaren shkodrane, operën, Moxartin, Bahun, nëntëdhjetë e shtatën, luftën e Kosovës … e deri te fëmijëria, me kujtimet mbi Kadriun, Selmanin, Nuzin, Llanin… Për gjithçka me dashuri dhe pasion.
Te aktualiteti e ulte ritmin. Dukej se e kishte lodhur. Përkushtimi i tij ndaj punës dhe detyrimeve që merrte përsipër ishte në kontrast me atë ç’ka ndodhur dhe po ndodh në këtë vend.
Zhgënjime. Prapaskena. Sulme. Intriga. Thashetheme. Gënjeshtra. Premtime.
“Po tani?”
“Tani çish?, – thoshte. Unë nuk ndryshoj ma, ju ndryshoni, e keni jetën përpara”. Dhe qeshte.
Ngriheshim. Dilnim te dera dhe ai ndizte një cigare.
“Lërë duhanin, e kanë lënë edhe burra më të mirë se ti!”
“Në kët’ moshë, duhanin e Nahilen nuk i là”.
Por të shtunat nuk ishin veç për mua. Të shtunat ishin për Atë. Miqtë e përbashkët e mësuan se të shtunën vinte
Gjenerali dhe vallja bëhej e madhe…
Të shtunën e parë të janarit nuk erdhi. E pritëm me Xhaferin dy të shtunat e tjera, por prap nuk erdhi. Nuk na shkonte mendja kurrë se Ai po bëhej gati të ikte.
Por iku këtë javë siç nuk do ta kishte menduar kurrë: mbuluar me Flamurin që aq shumë iu përkushtua dhe e deshi dhe tre batare pushkësh në nderim të tij!
Ti prehesh në paqe Hysen Repa! Sepse i paqtë, si rrallëkush ishe edhe mes nesh!
Ike atje, ku në ka Zot, një vend në Parajsë është ruajtur për Ty!
Lamtumirë!
Bujar Karoshi