LLIXHAT – PPP: privatizim, protesta, politikë


Protesta e përfaqësuesve të shërbimit hotelerik dhe bizneseve familjare që jetojnë rreth e rrotull kompleksit të llixhave në Peshkopi nxorën në pah një proces të dyshimtë korruptiv në lidhje me marrjen në përdorim të ujërave termale.
Bashkia Dibër, megjithëse ka në pronësi kompleksin e llixhave, nuk ka ushtruar kompetencat ligjore për marrjen në përdorim të ujit.
Në dokumentet e disponueshme deri më tani nga redaksia apo të bëra publike nuk është e qartë nëse kompania po kërkon marrjen e kompleksit të llixhave apo marrjen e ujit në hyrje/dalje të kompleksit dhe po planifikon ndërtimin e një kompleksi të ri. Hetimi administrativ nxjerr gabim koordinatat në lejen e marrë
Përfaqësuesit e 35 bizneseve të shërbimin hotelier dhe rreth 200 shtëpive pritëse shfaqin pasiguri për investimet e kryera. Procesi i marrjes në përdorim të ujërave rrit dyshime për privatizim korruptiv të qendrës balneare në Peshkopi.
Vendimi i datës 11 dhjetor 2018, marrë nga Këshillin e Basenit Ujor Drin-Bunë u anullua më 5 shkurt 2019.

Dhjetëra biznese dhe familjarë që punojnë dhe jetojnë rreth kompleksit të Llixhave në Peshkopi nisën një protestë më 25 janar kundër vendimit të Basenit Ujor Drin-Bunë, i cili kishte vendosur më 11 dhjetor 2018 dhënien në përdorim të burimit të ujit të llixhave në Peshkopi. Ky vendim, në dukje i marrë në mënyrë të fshehtë, sipas protestuesve, vë në rrezik të ardhmen e këtyre bizneseve dhe mund të ketë pasoja për qindra të qytetarë, të cilët mjekohen në këto llixha. Banorët nënshkruan një peticion, që ia drejtuan qeverisë dhe kryetarit të bashkisë.
Në mesin e protestuesve, përpara Bashkisë së Dibrës, ishte edhe deputeti i Dibrës, Xhemal Gjunkshi.
“Është e papranueshme që prefekti i Shkodrës apo njerëz të blerë nga ky bord, të vendosin për fatin e një lagjeje të tërë në Dibër, e cila është ndërtuar nga fillimi në funksion të atij uji kurativ. Banorët dyshojnë se praktika për dhënien me koncesion të ujit është korruptive, njësoj si me koncesionet e tjera. Ato akuzojnë bashkinë dhe prefekturën Dibër se kanë ndihmuar me procedura fiktive firmën, duke anashkaluar konsultimet publike me banorët” tha deputeti Gjunkshi.
Gjatë një bisede telefonike, deputeti i Dibrës tha se nuk kishte në dispozicion gjithë procedurën për marrjen në shfrytëzim të ujërave termale, por theksoi se për këtë i është drejtuar zyrtarisht prefektit të Shkodrës për të na vënë në dispozicion të gjithë praktikën që i ka detyruar në marrjen e këtij vendimi korruptiv”.
Një ditë më pas, deputetja e Dibrës, përfaqësuese e shumicës në Parlament, znj. Almira Xhembulla, së bashku me kryetarin e bashkisë së Dibrës Muharem Rama, organizuan një takim me banorët dhe pronarët e hoteleve rreth e rrotull kompleksit.
Xhembulla tha në takim se nuk ka një vendim për dhënien me koncesion, por vetëm një “leje për marrjen në përdorim”.
Në një status në Facebook me 26 janar, Xhembulla thekson mes të tjerash se përfaqësuesit e Dibrës në këtë mbledhje kanë votuar kundër, si dhe kjo leje nuk mund të shfrytëzohet pa një vendim të bashkisë Dibër. Sipas saj, bashkia është e angazhuar maksimalisht për të gjetur të gjitha format për ta bllokuar këtë vendim”.
Ajo e rreshtoi veten mes qytetarëve dhe theksoi se do të kërkojë që kjo leje të pezullohej sa më parë.
“Si deputete e Dibrës, si qytetare, si advokuese e së drejtës së komuniteteve në menaxhimin e burimeve natyrore, që në momentin kur mora informacion për një vendimmarrje që lidhej me ujin e llixhave, në koordinim me kryetarin e Bashkisë e përcolla shqetësimin dhe kërkova informacion tek të gjithë instancat përkatëse. Menjëherë nga Zyra e Kryeministrit u dha urdhër për ngritjen e një grupi pune për të vlerësuar procesin dhe vlefshmërinë e kësaj vendimmarrje”, – tha Xhembulla.
Debati shkoi deri në Kuvendin e Shqipërisë, ku deputetja tjetër e Dibrës Reme Lala, zgjedhur me siglën e PDIU-së, e cila pak kohë më parë iu bashkua maxhorancës, i kërkoi kryeministrit ndërhyrjen e tij për anulimin e kësaj leje. Ajo aludoi për shpërdorim dhe keqpërdorim të ligjit në lidhje me këtë vendim.
Almira Xhembulla mbajti një fjalim në foltoren e kuvendit (lexo të plotë në faqen 4), e cila bëri një panoramë të dhënies së kësaj leje dhe procedurat e ndjekura zyrtare për anulimin e saj.
Ajo rendit gjashtë problematika që rrjedhin prej këtij vendimi si dhe dha lajmin se i është kërkuar zyrtarisht prefektit të Shkodrës të thërrasë në mbledhje të jashtëzakonshme Këshillin e Basenit Ujor Drin-Bunë, ku do të trajtohet projekt-vendimi i anulimit të vendimit nr. 4, datë 11.12.2018”.
Përmes një bisede telefonike, deputeti Xhemal Gjunkshi uroi që kjo të ndodhë sa më parë.
“Si ka mundësi që kryetari i Bashkisë nuk ka informacion, kur ka çuar drejtorin me dieta që e përfaqëson, dhe në anën tjetër shkon përpara banorëve me përfaqësuesin e kompanisë që ka marrë me koncesion ujin?!”, – ngre pyetjen dhe dyshime Gjunkshi. Sipas tij, këshilli i Basenit e ka njoftuar disa herë Bashkinë për të marrë ujin në përdorim dhe kjo e fundit nuk ka shkuar … Pse Bashkia nuk ka shkuar për ta marrë në përdorim ujin e Llixhave, duke qenë se ajo e kishte në përdorim në fakt…?!”
Deputeti Gjunkshi thekson se “Bashkia e ka lënë qëllimisht këtë shteg, për të depërtuar dhe për të ndihmuar dhënien me koncesion”. Sipas tij, Këshilli i Basenit ujor në Shkodër ka votuar dhe ka dhënë një vendim pa patur informacion për sasinë e ujit dhe se aty ka një institucion në varësi të Bashkisë, që ka godina, që ka vaska, ka administratë dhe që prurjet e ujit në total nuk janë më shumë se 8.7 litra në sekondë. Si mund të jepen 6.1 litra? Pyetja e tij është se “Kush e ka keqinformuar qëllimisht Inspektoratin teknik të Këshillit, për të dalë në atë vendim?”
Sipas deputetit Gjunkshi, fakti që mbledhja e Këshillit është zhvilluar me vetëm 13 anëtarë, kur ky këshill ka në fakt 23 anëtarë dhe dy përfaqësues të Bashkisë dhe DSHP Dibër, pavarësisht se deklarojnë se kanë votuar kundër, do kishin dalë nga kjo mbledhje, a do zhvillohej mbledhja dhe a do i jepnin kohë për t’u kundërshtuar ai vendim?”.
Gjunkshi tha se “si përfaqësues i popullit të Dibrës në Kuvend dhe Partia Demokratike jemi në krahun e banorëve deri në zbardhjen e plotë të kësaj afere korruptivo-mafioze dhe anulimin e vendimit”.

Shërbimi i hotelerisë shfaq pasiguri për të ardhmen

Shkëlqim Çipuri është pronari i Hotel “Ballkan”, i cili pozicionohet në hyrje të llixhave. Hoteli ka 40 dhoma, me një kapacitet prej 100 shtretërish.
I kontaktuar përmes telefonit, ai tha se janë të shqetësuar për dhënien me koncension të llixhave. Aq më tepër që këtë proces e kanë marrë vesh rastësisht, përmes personave që kanë kontakt me kompaninë që është e interesuar. Gjithashtu, ai tha se ka zëra se kompania ka edhe një kërkesë drejtuar Ministrisë së linjës dhe Bashkisë së Dibrës, për marrjen me qira të godinës. Këtë fakt, deputetja e Dibrës Almira Xhembulla e mohoi. Ajo tha se nuk ka një vendim për dhënien me konsencion ose me qira të llixhave.
Një punonjës i kompleksit të llixhave i tha gazetës në kushtet e anonimatit se, pavarësisht se po bëhet shumë zhurmë për marrjen në përdorim të ujërave nga kompania “Nesimi-Construction-78”, aktualisht janë dy subjekte që ofrojnë shërbime hotelerike, të cilat kanë marrë ujë nga burimi dhe kanë ngritur pishina pranë hotelit të tyre. Dhe kjo nuk dihet se mbi çfarë vendimi është marrë.
Çipuri tha se kanë një marrëveshje të “pashkruar” me Qendrën Balneare. Ata bëjnë prenotimet dhe pagesat për klientët e tyre dhe në çmimet e ofruara përfshihen edhe shërbimet që kjo qendër ofron.
Çmimet në këto hotele apo shtëpi pritëse luhaten nga 1500-2000 lekë nata për person, ku përfshihet fjetja, ushqimi dhe pagesa e llixhave. Këto çmime janë shumë të lira në krahasim me banjat në Dibër të Madhe, ku një natë, çmimi standard është 24 Euro.
Ky ndryshim i madh në çmim çon që shumica e klientelës së llixhave të Peshkopisë të jenë qytetarë me të ardhura të pakta ekonomike nga rrethe të ndryshme të vendit.
“Investimet tona të deritanishme, – thotë Shkëlqim Çipuri, – janë bërë duke pasur parasysh se kompleksi është shtetëror. Dhënia me koncesion do të vinte në rrezik investimet tona dhe do të rriste pasigurinë e vizitorëve, të cilët shumica janë me të ardhura të ulëta”.
Një banor i lagjes i tha korrespondentit tonë se që këtë vit kanë pasur rënie të vizitorëve, pasi kemi pasur rritje të çmimi të biletës nga 100 lekë në 200 apo 300 lekë, sipas preferencave të administratorit të llixhave. Ky ndryshim është shoqëruar edhe me ndryshimin e administratorit, së paku dy herë vitin e fundit.
Shkëlqim Çipuri thotë se janë të gatshëm të bisedojnë me bashkinë për nënshkrimin e kontratave paraprake për shfrytëzimin e ujërave termale, vendosjen e çmimeve dhe një plan koordinimi, të cilat do të duhet të jenë të detyrueshme, edhe nëse më vonë do të ndodhë dhënia me koncension e qendrës balneare.

Paqartësi e pasaktësi rreth
dokumentacionit

Sipas burimeve në web, thuhet se prurjet e burimit të llixhave janë 14 litra në sekondë, ndërkohë që në vendimin e Këshillit të Basenit Ujor “Drin-Bune” thuhet se prurja mesatare vjetorë është 8.5 litra në sekondë, nga të cilat kompania e interesuar ka marrë leje vetëm për 6.1 litra.
Për të marrë lejen, “Nesimi-Construction-78” ka paraqitur 9 dokumente të ndryshme, të cilat për momentin nuk janë bërë publike dhe nuk i disponojnë as dy deputetët e Dibrës, Gjunkshi dhe Xhembulla, të cilët janë përfshirë në debatet publike mbi këtë çështje. Mes dokumenteve duhet të jenë kërkesa për lejen e përdorimit, projektin për skemën teknologjike, studimet hidrologjike, oponenca e studimit, projekti hidroteknik i marrjes dhe shfrytëzimit të burimit termal, raportet e ndikimit në mjedis etj.
Në dokumentet e disponueshme deri më tani nga redaksia apo të bëra publike nuk është e qartë nëse kompania po kërkon marrjen e kompleksit të llixhave apo marrjen e ujit në hyrje/dalje të kompleksit dhe po planifikon ndërtimin e një kompleksi të ri.
Koordinatat e veprës së marrjes së shënuara në vendimin e datës 11 dhjetor 2018 janë X-53 78 21.8 dhe Y = 46 16 779.2 dhe një ekspert i tha gazetës se ato janë krejtësisht gabim. Këto koordinata të nxjerrin jashtë Shqipërisë.

* * *

Për llixhat e Peshkopisë nuk është hera e parë që flitet për privatizim. Por kjo është hera e parë që rreth tyre bëhet një debat aq i madh. Që duket se nuk do të jetë i fundit. Problemi tani është i qartë edhe për banorët: si ajo do të bëhet dhe si do të ndahen përqindjet e fitimeve mbi të. Ndërsa pyetjes se kush qëndron pas privatizimit, përgjigjen në Dibër e dinë të gjithë: dikush që qëndron pas pushtetit…

Këshilli i Basenit Ujor Drin-Bunë shfuqizon vendimin
4 shkurt 2019-Ndërkohë që kjo gazetë po shkonte për shtyp, Prefekti i Shkodrës në Shkodër Çesk Millja u ka nisur një ftesë anëtarëve të Këshillit të Basenit Ujor Drin-Bunë për një mbledhje të jashtëzakonshme më datë 5 shkurt, ora 10:00, me rend dite revokimin e lejes së dhënë më datë 11 dhjetor 2018.
Në relacionin shoqërues, shkruhet se “subjekti që kërkon të ushtrojë veprimtarinë e shfrytëzimit të ujërave termale duke përdorur mjediset e kompleksit Balnear, i cili me anë të VKM-së nr. 378, datë 12.8.1999, i ka kaluar në pronësi Bashkisë Dibër, një fakt ky i panjohur për anëtarët e KB Drin-Bunë në momentin e vendimmarrjes, madje as përfaqësuesit e vetë bashkisë Dibër, anëtare të Këshillit, nuk kanë deklaruar këtë akt nënligjor, element parësor”.
Sipas relacionit në fjalë, pas hetimit administrativ nga Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, rezulton se “kuota Z e veprës së marrjes nuk është e saktë, pasi edhe nga harta rezulton të jetë rreth 720 m, dhe jo 602 m. Projekti dhe vizatimet janë me kuota të sakta, por nuk përputhen me lejen e zbardhur.
Projektvendimi i anulimit përshkruan koordinatat e pikës së marrjes sipas sistemit GausKryger X=4616955, Y=4454695, ndërsa në vendimin e datës 11 dhjetor 2018 këto koordinata janë X=537821.8, Y=4616779.2.
Megjithatë, hetimi administrativ ka gjetur se ka mospërputhje midis të dhënave të formularit të aplikimit, studimeve, relacioneve dhe vizatimeve.
Gjithashtu, hetimi ka nxjerrë se rezultati i analizave të ujit është i datës 17 janar 2019, pra në momentin e vendimmarrjes nuk ka qenë pjesë e praktikës si dhe nuk është realizuar konsultimi me publikun.
Më poshtë projektvendimi flet për bazën ligjore të anulimit të këtij vendimi.
Megjithatë, pavarësisht vendimit të datës 5 shkurt 2019, duket se ky proces kërkohet të kalohet si rutinë e zakonshme punë e zyrtarëve lokalë e qendrorë. Ndërsa gjithë procedura tashmë duket se është përgatitur me ngut. Një hetim administrativ duhet të bërë edhe për zyrtarët, të cilët me ose pa vetëdijë, lejuan që kjo të ndodhte.

Shënim i redaksisë
Në procesin e privatizimit të llixhave ka shumë aktorë, të cilët janë përfshirë direkt ose indirekt. Redaksia mbetet e hapur për të botuar çdo qëndrim të tyrin në këtë proces. Redaksia mbetet e interesuar për të informuar publikun në lidhje me këtë proces, por nuk mban anë. Ana jonë në këtë proces është interesi publik.