Mjeku i pagabueshëm


Kishte qenë një burrë që e quanin Nelë Kazani, por i thonin Nelë Akshami – fatngrysur. Kishte nëntë fëmijë, se në dhjetë vjet martese e shoqja, një dërdënge, kishte pjellë çdo vit. Nela kishte pak tokë, mezi bënte bukën për pesë muaj. Iu lut Zotit:
– O Zot, ma bjer vdekjen një sahat e ma parë se kështu nuk jetohet.
Zoti ia dëgjoi lutjen dhe ja ku para tij u shfaq engjëlli Xhebrail.
– Më thirre? – e pyeti ai duke menduar se do ta hante fjalën, siç kishin bërë mjaft të tjerë, edhe pse e kishin thirrur.
– Të thirra, të thirra, – i tha Nelë Akshami pa ia bërë tërr syri. – Kjo imja është jetë qeni, nuk kam ç`e dua.
Por engjëlli Xhebrail e mësoi si të pasurohej…
Në katund u sëmur Lepe Kucurri, më pasaniku i gjithë nahijes, që nuk la mjek pa marrë, por të gjithë i kishin hequr shpresat. Kishte dhimbje të forta barku dhe përdridhej si zorra në prush. Kur e kapte ajo dalldia e madhe, lahej në djersë dhe mezi mbushej me frymë. Vdekja e tij dukej punë ditësh. Katundarët dhe dashamirët e kishin parë dhe vazhdonin ta shikonin. Lepe Kucurri nuk merrej vesh me ta, se rrallëherë binte në mend.
Sipas porosisë së Xhebrailit, shkon një mbasdarke edhe Nelë Akshami për ta parë. Nelës, si fukara që ishte, nuk ia varte njeri.Veç nuk i thonin që të ngrihej dhe të dilte. Xhebraili, i dukshëm vetëm për sytë e Nelës, ishte te këmbët e të sëmurit, çka tregonte që Lepe Kucurri do të shërohej shpejt. Nela vendosi të hakmerrej ndaj atyre që nuk e përfillnin, sidomos ndaj Zebek Bekut, që vinte i dyti për pasuri në fshat.
– Qysh dukesh, o Lepe Kucurri? – iu drejtua të sëmurit.
Pyetja qe për t`u habitur, se, kur tjetri është në atë gjendje, nuk ke përse e hap gojën. Iu kthye me kërleshje Zebek Beku dhe i tha:
– Nuk e shikon që s’jep e s’merr fare, or Nelë Akshami? Apo kishe edhe ti një fjalë për të thënë?
– Ti rregullo gojën, se unë nuk jam Nelë Akshami, por Nelë Kazani, – tha Nela duke e vështruar Zebekun në sy. – Unë për të shikuar dhe për të kuptuar të sëmurin, jam më i ditur se ti. Lepe Kucurri mbas tri ditësh do të ngrihet në këmbë dhe mbas një jave do të mbajë qetë nëse e ka marrë malli për atë punë.
Burrat panë njëri-tjetrin të tramkosur. Ky Nela paska gazhit fare, menduan. Fjalët e Nelës i dëgjoi edhe i sëmuri, për të cilin të gjithë kujtonin se i kishte shkëputur marrëdhëniet me këtë botë. Ai u kacle pak dhe mundi të shikojë Nelën në sy.
– A vërtet, or Nelë? – hapi gojën dhe foli për herë të parë mbas nëntë ditësh në jermi.
– Si buka që hahet, – tha Nela i vendosur.
Nela iu kthye Uk Kucurrit, të birit të Lepes dhe i tha:
– Merrni ca gjethe ftoi, zieni në ujë, ëmbëltojeni ujin me pak sheqer dhe ia jepni të sëmurit. Kështu?
– Po, po, – tha Uk Kucurri me një zë që tregonte bindje të plotë.
Nelë Kazani brofi në këmbë dhe iku në shtëpi të vet. Lepe Kucurri mbas tri ditësh u ngrit në këmbë dhe mbas një jave u shërua fare.
Kjo e tronditi dhe e çuditi fshatin. Nami i Nelë Kazanit u përhap kudo. Tani nuk ia mbante kujt t`ia ndryshonte mbiemrin. Kur dikush sëmurej, Nelë Kazanit i çonin kalin dhe e merrnin si të ishte aga. Asnjë mjek dhe asnjë njeri nuk ishte nderuar dhe nuk ishte mbushur me dhurata si ai.
Nela vazhdonte t`u jepte ilaçe atyre të sëmurëve që u qëndronte Xhebraili te këmbët. Dhe ilaçet e bënin efektin menjëherë.
Sut Balliu, dyzet e pesë vjeç burrë, u plagos lehtë në ballë kur po rregullonte gardhin e ahurit të bagëtive. Nuk qe në të vërtetë plagë, mezi ku i doli një pikë gjak. Mbas një jave nuk e ndjeu veten mirë, por mendja tek ajo pika e gjakut nuk kishte si t’i shkonte. Djali i Sutit shkoi dhe mori me kalë Nelë Kazanin. Suti ishte shëndoshë e mirë në krye të vendit, tek oxhaku, dhe pinte kafe dhe duhan.
– Or Nelë, të munduam kot, por qofsh i nderuar që erdhe, – i tha Sut Balliu.
– Jo, bre, bashi i mikut, për mua mos të të vijë keq. Shyqyr që qenke mirë, – tha Nelë Kazani dhe shtoi: – Por që të bindem se nuk ke asgjë, ti duhet të shtrihesh në shtrat. Vetëm aty e ndaj unë shapin nga sheqeri. Nuk di si të gjykoj kur njerëzit nuk kanë zënë shtratin.
– Nuk kam asgjë, pse të shtrihem?
Ata të familjes, që të nxirrnin merakun, e kandisën Sut Balliun të hynte në shtrat sikur të ishte i sëmurë rëndë. Sa u shtri Sut Balliu, pranë shtratit i erdhi Xhebraili dhe i qëndroi te koka.
– Mirëmbetsh, o Sut, – i tha Nelë Kazani atij dhe doli nga oda.
Suti dhe familjarët e tij kujtuan që Nelë Kazani nuk kishte çfarë të thoshte se kuptohej që Suti nuk ishte sëmurë.
Djali i Sutit që e kishte marrë me kalë, doli ta vinte prapë në kalë dhe ta çonte deri te shtëpia. Kështu vepronin të gjithë. Do t`i jepte edhe paret, se i takonin. Por Nelë Kazani nuk i mori paret, as në kalë nuk hipi.
– E di si është puna, – tha ai duke vështruar ndër sy djalin e ri. – Suti mbas një jave ka për të vdekur. Bëhuni gati.
Vërtet mbas një jave Suti ndërroi jetë mes tmerrit që i shkaktoi tetanosi.
Në mort burrat mbanin në gojë çfarë kishte thënë Nelë Kazani dhe autoriteti dhe pasuria e tij veç vinin duke u shtuar.
Kaluan shumë vite dhe Nelë Kazani po i ndiente shije të madhe jetës. Një natë u zgjua në gjumë i larë në djersë dhe me dhimbje të forta në kraharor. Kur hapi sytë, pa Xhebrailin te koka. U rrotullua me mundim në krevat dhe tek kishte kokën, vuri këmbët. Por Xhebraili i doli prapë te koka. Nelë Kazani disa herë e bëri këtë veprim, derisa Xhebraili i tha:
– Kthehu dhe rrotullohu sa të duash, te koka më ke.