Musa Shehu, mësues dhe gazetar i “Ora”-1930


Ekisha has për herë të parë në faksimilet e disa dokumenteve të viteve ’20 të shekullit të kaluar, faksimile marrë nga Arkivi i Shtetit. I mora fotografitë dhe i kam ende në arkivin tim. Asokohe isha gazetar i Agjencisë Telegrafike Shqiptare për rrethet Dibër dhe Mat
Musa Shehu emërohej mësues në Lurë. Dokumenti fliste për: “Viti shkolluer 1925-1926.”
Vite më vonë në 50 vjetorin e shkollës së parë shqipe në Lurë do ta shoqëroja, do t’i bëja disa fotografi e do të zhvilloja një bisedë për ditën e parë të shkollës shqipe në Lurë. Kishte një kujtesë fotografike tek përshkruante në detaje organizimin e mësimit, emrat e njerëzve që e ndihmuan në të gjitha drejtimet…
Vite më vonë, tek shfletoja në gazetat e vjetra shqiptare në Bibliotekën Kombëtare në kërkim të Dibrës dhe Dibranëve në kohë e hapësirë në faqet e gazetës ORA hasa dy shkrime me firmën Musa Kuçi.
“Kuçi” është mbiemri popullor i familjes së tij, mbiemër i lidhur me Sheh Hysen Kuçin, klerik dibran i Teqes së Vxhenit, pushkatuar nga serbët më 22 shtator 1913 si një ndër organizatorët e Kryengritjes Popullore Dibrane të shtatorit 1913 kundër pushtimit serb.
I kopjova të dy shkrimet, dorëshkrim që fatmirësisht nuk humbi në ikjen time larg Dibrës e Atdheut.
Nuk mund t’i mbaj në arkiv. Ato flasin me gjuhën e kohës si një mesazh mbase edhe për ditët tona…

DIBRANËT E MJERË U FARUEN FARE

Faqeve të gazetës “ORA” 1930,
penë e Musa Kuçit (Shehu)
Dibra u pre për fyti, siç pritet berri e ndahet nga trupi si n’atë legjendën këngë “Koka në Stamboll e trupi në Janinë”. Kësaj radhe nuk bëhet fjalë për një njeri, por në një trevë të tërë që po të heqësh vektorë nga ekstremet e kasolleve me themele shqiptare, takohen në Dibër për ta fiksuar atë si “Qendër Gjeografike Shqiptare”. “Koka”, qyteti i Dibrës së Madhe apo Shehri i Dibrës siç i thonë dibranët mbeti nën pushtimin sllav.
U bë një betejë e madhe në shtatorin e vitit 1913 ku babai i autorit në fjalë Sheh Hysen Kuçi u vra bashkë me pesë të tjerë si pjesëmarrës në kryengritjen më të madhe popullore dibrane për mbrojtjen e trojeve të lashta.
Musai që ishte 11 vjeç, bashkë me dy vëllezërit dhe katër motrat e kaloi Drinin futur; fëmijë dy e nga dy në koshat e kalit.
Nuk prani kurrë pushka e dibranëve “të vetëm në betejë” për ta bashkuar “kokën” me “trupin”. Pushka, mjerisht, nuk pati “barut mbarëshqiptar” dhe u fik…
Abdurahim Ashiku

KRIZË E MADHE EKONOMIKE NË DIBËR

Gazeta “ORA”, 5.11.930
Sot në popull asht një krizë e madhe ekonomike mbasi probleme të bulkut nuk kanë vleftë, ngaqë bulqit të këtij rajoni mbiellin vetëm drithë dhe grurë, nuk ka nëpunësit ekonomik që të dirizhojë me mbjellë duhan e tjera.
Nga ana tjetër; në këtë rajon po ushtrojnë profesionin 80-90 tregtarë nënshtetas jugosllavë dhe gjithë florinin po e nxjerrin jashtë, ndonëse kjo vepër asht e ndalueme në artikullin 1-2 të ligjit mbi ndalimin e të huajve me ushtrue profesion në Shqipni.
Peshkopi 31.X.930

Kuçi
DIBRA E MADHE VUAN NGA SERBI

Dibra e Madhe që përbahesh prej 15.000 frymë shqiptarë e 1000 frymë bullgarë, sot ka ngelë me 5000 shqiptarë dhe 800 frymë bullgarë, për shkak se bashkia e vendit si dhe zyra e tatim-fitimit i detyron për çdo frymë me pague1000 dinarë dhe sot ndërtesat e shqiptarëve që kushtojnë 20.000 franga ari prishen vetëm për pagimin e Vergjisë. Më një anë tjetër ka urdhënuegjindarmërinë me u marr nderin dhe i rrafun nëpër dugajë.
Vuejtje e madhe asht në popullin e mjerë shqiptar që gjinden nëpër thoj të Serbisë çdo ditë e detyruar të largohen me qëllim që të humbin kombësinë shqiptare sido që traktati i lidhun me shtetin shqiptar asht kontratue për lejimin dhe hapjen e shkollave. Përkundrazi gjithë shqiptarët mësuesa me rrogën e dobët, dhe me urdhër të ndaluem që të mos stërvisin e mësojnë gjakun shqiptar sot i kanë pushue dhe gjithë po dalin në Shqipni me marrë nëpunsija të ndryshme.
Çudi e madhe! Marrim vesht se buxheti i Bashkisë së Dibrës në vitin 1930, ka kapur shumën dy milion dinarë, që në vitin 1928 ka qenë 80.000 dinarë dhe gjithnjë Dibra vjen duke u prishun; të hollat prishen edhe për qëllim helmimin e shqiptarëve e për detyrim me u largue nga Dibra.
Në këto ditë Nënprefektura e Dibrës së Madhe me qëllim politik ka vendos prishjen e 60-70 shtëpi e dugaj dhe për largimin e shqiptarëve nga Dibra. Në këto ditë shohim se shumë Dibranë familjarisht po shpërngulen prej Dibre dhe vijnë e banojnë 5 familje në një ndërtesë në qytetin e afërm Peshkopi.
Dibranët e mjerë u faruen fare.

Peshkopi, më 20.X.1930