Si të kemi një pyll për çdo shtëpi


Bashkëpunimi me Bashkinë Dibër si bashkëfinancues, nëpërmjet zyrës se kordinimit te projekteve dhe stafit të specialistëve te pyjeve dhe kullotave është një obligim më shumë për të rritur kontaktin nëpërmjet modeleve dhe promovimeve reale me banorët dhe komunitetin. Publikimet në median e shkruar, spotet televizive dhe promocionet ne takimet e realizuara, i kanë shërbyer mjaft mirë këtij qëllimi të rëndësishëm. Ky shkrim është në vazhdën e ciklit te promovimit dhe sensibilizimit te komuniteteve qe jane banorë pranë pyjeve bashkiake dhe janë pjesa më e interesuar e komunitetit te bashkisë për menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve dhe mbrojtjen e tyre si burim jetese.

Nuk di pse do të desha, që këtë shkrim ta nis me një histori të Haki Kolës, inxhinieri i talentuar dibran për pyjet.
Historia e hershme bën fjalë për dy vëllezër, që jetonin diku në luginën e Drinit. Tokë kishin pak dhe nuk i përballonin nevojat e familjes. Pasi e pleqëruan mirë idenë për të ardhmen, vendosën. Njëri do të qëndronte për të mbajtur familjen, kurse tjetri do të dilte në kurbet për të fituar. Zakonisht, në atë kohë shkonin në Misir të Egjyptit. U vendos dhe u bë. E përcolli vëllai vëllanë për në kurbet dhe kthehet në shtëpi. Shtëpia i dukej bosh dhe sikur e hante. Del jashtë dhe për tëlarguar mërzinë, pret degët e një plepi të vjetër, që ishte në fund të arës.Pasi largon ata më të trashat, të hollat i ngul në tokë me qyski. Deri në darkë e rrethoi gjithë arën me degët e plepit të ngulura, në formën e një gardhi. Ishte pranverë. Shumë shpejt, degët nxorrën gjethet dhe filluan të rriten. Në pak vite u bënë trungje të mëdha. Filluan të përdoren për lëndë për shtëpitë e reja të fshatit dhe fshatrat për rreth. Për çdo shitje vëllai mbante shënim. Pas prerjes së një plepi, aty ngjitur dilte një filiz tjetër që e zëvendësonte.
Vitet kaluan dhe fëmijët u rritën. Vëllai kurbetçi u kthye, i lodhur dhe i drobitur. Pasi u çmallën, filluan të tregojnë hallet dhe fitimet. Qesja e kurbetçiut nuk ishte shumë e madhe. Kur bënë hesapet, rezultonte se vëllai që kishte ndenjur në shtëpi, kishte bërë para më tepër me shitjen e plepave.
Në kushtet kur nevojat për lëndë drusore janë në rritje, kur gërryerjet dhe erozioni bëjnë kërdinë, krijimi i një pylli të vogël pranë shtëpisë dhe kujdesi për zabelet, është një detyrë për gjithë komunitetin. Le të shohim disa përvoja të mira, që japin vërtetë mesazhe të bukura e të mrekullueshme.

Kodra e Pesjakës
Kështu quhet një kodër me formë shumë të bukur, goxha e madhe, që i qëndron si mburojë fshatit të vogël të Pesjakës, nga ka marrë dhe emrin. Ramazan Koreni, një banor i vjetër i fshatit e ka shtëpinë ngjitur me kodrën. Ai tregon se në vitet e hershme të komunizmit, kodra u pastrua nga drunjtë që e vishnin atë dhe u përdorën për furrate bukës dhe për nevoja të tjera. Ujrat e shirave nuk gjenin më as pengesën më të vogël dhe turreshin drejt fshatit. Në një nga këto mësymje, ata krijuan një rrëshqitje të madhe dhe për pasojë dy shtëpitë e para të fisit Llaka, poshtë kodrës u përpinë nga balta dhe u fundosën. Ishte viti 1963. Fatmirësisht nuk pati viktima, pasi ishte ditë dhe nuk kishte njerëz në shtëpi. Sot atë truall, ku ndodheshin dy shtëpitë që përmendëm e ka blerë Ramazani. Ai nuk ka fare frikë se mos historia e frikshme e atij viti të largët, mund të përsëritet dhe njëherë akoma. Ai madje ka blerë dhe një pjesë të kodrës dhe ështëbërënjë mik shumë i ngushtë i pyllit. Ka shumë vite, që aty nuk pret më njeri drunj. Dushqet janë rritur, janë trashur, kanë lëshuar rrënjë dhe e kanë forcuar vendin. Në vende të zbuluara,Ramazani ka mbjellë dhe akacje e plepa. Arra e gështenja, të mbjella prej dorës së tij, e bëjnë akoma më të bukur panoramën. Por jo vetëm kaq. Ramazani është një shartues i talentuar, absolut në përqindjen e zënjes. Mollë, kumbull, qershi, të llojeve të ndryshme, i gjen në çdo hap që hedh, kur ecën në pyllin e tij disa hektarësh. Ka dy tre vite, që ka vënë dhe koshere bletësh, duke shfrytëzuar akacjen, gështenjën dhe lulëritë e tjera. Sërish nuk ndalet ky njeri punëtor, që aq aq shumë e do pyllin dhe gjithëgjallesat që rriten në të. Mendon në të ardhmen të bëjë ca shtëpi druri aty në kodër dhe të presë turistë të huaj e vendës, tu afrojë atyre, frutat e pyllit, mjaltin, mishin e qumështin që i prodhon në familjen e tij. Tu afrojë qetësinë dhe relaksin, aromën e luleve, shpirtin e tij të pastër. Në verë, gjethet e pemëve përkunden nga një puhizë e lehtë, si shenjë falenderimi e pyllit për njeriun që i ktheu bukurinë, hijeshinë, forcën dhe identitetin dikur të nëpërkëmbur.

SHEMBUJ TË TJERË
Njerëzit tashmë e kanë kuptuar se bashkëjetesa me pyllin është domosdoshmëri. Nëse e trajton mirë pyllin dhe ambjentin rreth teje, e ke aleat të sigurtë, në të kundërt, ai kthehet në një armik të egër që të shkatërron, siç e pamë pak më parë. Nuk ka fshat, sidomos ato të zonave më të larta, që të mos ketë vënë e të jetë kujdesur për një sipërfaqe pyjore, e vogël, apo e madhe qoftë ajo.
Selman Agolli është një fermer nga Herbeli, shumë i dashuruar pas pemtarisë dhe shartimit. Po kaq shumë e do dhe pyllin, me drunjtë e gjallesat që ndodhen në të. Ai ka mbjellë mollë të llojeve të ndryshme, por dhe katër dynymë lajthi, në vit të gjashtë. Aty, në anë të shtëpisë së tij ka një shpat të pjerrët, për të cilin kujdeset prej vitesh. Ka në të një larmi drunjsh pyjorë, nga të cilët siguron lëndën drusore për dimër, thjeshtë duke bërë krasitjet dhe duke hequr të shtrembërit. Një tjetër fermer po i këtij fshati është Shkëlqim Nurçja. Ai ka më tepër se një hektar sipërfaqe pyjore, që nga kodra që quhet Palivë dhe deri afër liqenit të Grezhdanit. Me fare pak punë e kujdes mund të krijosh këto peisazhe të bukura, më origjinale se piktori më i talentuar.
Pak më tej tyre ndodhet fshati i Grezhdanit. Dikur vërshimet e ujit kanë bërë dëme të konsiderueshme në fshat dhe në të mbjella. Në kohën e komunizmit u ndërtuan dhe prita me gurë e çimento. Tani faqja e malit, që nga Popinara e deri poshtëështë e veshur me pyje, duke eleminuar rrezikun, që u kërcënohej shpesh banorëve të fshatit dhe duke krijuar një kurorë të bukur, që çdo kush do të donte ta vizitonte.
Administratori i komunës së Melanit, Muharem Balliu tregon se shembuj të tillë ka shumë në zonën e tyre. Në fshatin e Trepçës ka një administrim të shkëlqyer të pyjeve të ulta, kësaj pasurie me vlera të pallogaritshme. Fermerë të tillë si Abas Kaferi, Tosum Doda, Abdulla Shtjefni, Sulejman Topuzi, Bajram Kaferi, Sali Mehmeti dhe shumë të tjerë si këta, tashmë e kanë krijuar pyllin e tyre familjar dhe e menaxhojnë atë më së miri. Po kaq të përkushtuar për pyjet janë dhe banorët e fshatrave të Pejkës, Pjeçës, Trenës, duke ulur shumë shkallë fenomenin e gëryerjes dhe erozionit. Vetëm para dy muajsh Shoqata Agro Eko Dibra dhe bashkia e Peshkopisëzhvilluan një seminar trajnues në njësinë administrative të Melanit, për të sensibilizuar banorët në lidhje me menaxhimin sa më të mirë të pyjeve.
Mjaft kohë kemi humbur deri tani, duke i lënë pyjet në mëshirë të fatit. Nëse ndryshojmë mendimin dhe strategjinë për pyjet, në fakt kemi ndryshuar vetë jetën tonë dhe të brezave që do vijnë pas nesh. Specialisti veteran i pyjeve ne zonën e Maqëllarës, Melanit e më gjerë akoma, është në kontakt të vazhdueshëm me banorët e interesuar për këtë problem. Ai thotë se objektivi afatshkurtër dhe afatmesëm është transferimi i pyjeve nga pushteti vendor te komuniteti, nëpërmjet këshillave bashkiakë dhe akteve nënligjore. Ky veprim do të mundësojë, si përdorim te kontrolluar të pyjeve, ashtu edhe privatizim të tyre, sipas parcelave te trasheguara nga banoret e zonave qe banojne prane pyjeve dhe qe po i menaxhojne ata.