Zall Bastari, mes ujit dhe pa ujë


Teksa udhëtonim këto ditë të fund vitit, në zonën e Zall Bastarit, përgjatë gjurmës që do të përbëjë, pas pak kohësh edhe Rrugën e Arbërit, kaq të shumëpritur nga banorët e kësaj zonë dhe më gjerë, hasëm edhe në disa fletëvolante, UJITJA DHE KULLIMI – JETIKE PER FERMERET, të shpërndarë nëpër fshatra, por jo vetëm, nga qendra për studime dhe trajnime, “ULIMINATOS”, në kuadër të projekteve të financuar nga “LevizAlbania”.
Në të vërtetë, po të vështrosh terrenin e kësaj zone, klimën dhe mikroklimën, pozitën gjeografike dhe natyrën bujqësorë të saj, bindesh se ekspertiza të tilla sot dhe të në ardhmen janë të mirëpritura prej të gjithëve.
Dukej se qëllimi i organizatorëve të këtij projekti, kishte qenë i qartë;
• Të identifikoheshin mangësitë dhe problematikat me të cilat ndeshen fermerët në ofrimin e këtij shërbimi nga bashkia në zonat rurale.
• Të identifikohet niveli i marrëdhënieve midis Bashkisë qendrore dhe administratës së Njësisë Administrative, përgjegjëse për ofrimin e këtij shërbimi dhe koordinimi i një qasje sa më efektivë mes palëve.
Dy fjalë për këtë njësi administrative, tashmë me ndarjen e re territoriale, pjesë e Bashkisë së Tiranës, dhe që do shtrihet përgjatë Rrugës së Arbërit.

Përshkrim i përgjithshëm i zonës.
Njësia Administrative Zall Bastar, përfshin në juridiksionin e saj këto fshatra që janë:
1.Fshati Zall Bastar; 2.Fshati Mener i Siperm. 3.Fshati Vilez. 4.Fshati Bastar i Mesem. 5.Fshati Bastar Murriz. 6.Fshati Zall Dajt. 7.Fshati Besh. 8.Fshati Dajt. 9.Fshati Shengjin i vogel. 10.Fshati Selite e Malit.
Njerëz me një traditë të hershme në këto vendbanime. Me plot histori dhe tradita sidomos në fushën e bujqësisë dhe zejeve. Rrugëkalimi i sotëm, që do të lidhë Dibrën me kryeqytetin është vetëm një infrastrukturë moderne për kohët kur jetojmë, por në të vërtetë kjo gjurmë rruge ka qenë e vetmja dhe më aktivja ndër shekuj. Rrugë me një strategji sa jetike aq edhe ushtarake. Betejat më të famshme të shqiptarëve të kësaj treve, kanë kaluar po përmes kësaj zonë, nga periferitë e Dibrës dhe deri në Krujë e Tiranë.
Toka dhe terreni i kësaj zonë ka qenë fort i shfrytëzuar edhe për bujqësi e blegtori, falë njeriut punëtor të këtyre anëve.
Sipas studimit të Qendrës për Studim dhe Trajnim, “Iluminatos”, mbështetur në vlerësimet agronomike, mund të theksohet se sipërfaqja e tokës së punuar, në pikëpamje të përbërjes së saj, mund të klasifikohen si më poshtë: • Sipërfaqe toke mbi ujë 460 ha. • Sipërfaqe toke nën ujë 575 ha. • Sipërfaqe toke që vaditet 144 ha. • Sipërfaqe toke që nuk vaditet 591 ha. •Sipërfaqe toke me probleme për kullimin nuk ka.

Klima
Njësia Administrativ Zall Bastar është pjesë e Bashkisë së Tiranës, e cila bën pjesë në zonën klimatike me klimë mesdhetare ne dimër me reshje bore e shiu dhe vere te nxehte e te thatë.
Burimet njerëzore
Siç rezulton nga të dhënat statistikore të marra nga zyra e gjendjes civile rezulton se Njësia Administrative Zall Bastar ka 5637 banorë e organizuar në10 fshatra e 1640 familje të vendosura në 10 fshatra të kësaj Njësie.
Bazuar në këto të dhëna rezulton se 48% të popullsisë e përbejnë meshkujt ndërsa 52% e përbëjnë femrat. Ndërkohe që pjesa më e madhe e popullsisë mund të konsiderohet e aftë për punë. Kjo pjesë e popullsisë kanë si aktivitet kryesore bujqësinë dhe blegtorinë, aktivitete të tjera jashtë tyre janë tregtia, transporti, arsimi, shëndetësia etj.
Popullsia e Njësia Administrative Zall Bastar mund të konsiderohet relativisht e qëndrueshme. Por sipas studimit të sipërpërmendur, pas viteve 90, rezulton që të këtë një migrim të dendur drejt kryeqytetit, pa përjashtuar rastet e një migrimi ditor, për të tregtuar prodhimet bujqësore apo për të ndjekur shkollat dhe punë të ndryshme, dhe jo si rezidentë të përhershëm. Duket se me përfundimin e këtij aksi rrugor të rëndësishëm, ky fenomen, pritet të pësojë ndryshime, dhe zona të ripopullohet duke njohur edhe fuqizimin e turizmit rural. Bazuar në të dhënat e përafërta rezulton se përqindja më e madhe e numrit të popullsisë punon në ferma të vogla private, gati 80 % e popullsisë.
5. Infrastruktura rurale
Duke qenë se bujqësia përbën fushën kryesore të aktivitetit të banorëve të zonës, është më se e kuptueshme se dhe infrastruktura që lidhet me këtë aspekt ka rëndësi të madhe. Në ditët e sotme vetëm 13 hektarë tokë arë, lidhen me rrugë të asfaltuar dhe kanë akses më të shpejtë dhe të drejtpërdrejtë më tregun. Mungesa e infrastrukturës rrugore është një nga pikat e dobëta të zhvillimit në tërësi të kësaj treve. Ndaj besojmë se rruga e Arbërit do jetë një event zhvillimor, ekonomik dhe kulturor i saj.
Transfertat specifike për financimin e funksionit UJITJA dhe KULLIMI, nga Buxheti i Shtetit për vitin 2018, për BashkiaTiranë, është 20,429.976 lekë;
Ky buxhet është shumë larg përmbushjes së nevojave reale që kanë fermerët për këtë shërbim jetik, i cili është thuajse në kolaps të plotë.
• Njësia Administrative Zall Bastar është përfituese e këtij buxheti në një masë fare të papërfillshme, aq sa nuk mund të zihet në gojë.
• Në lidhje me decentralizimin e shërbimit të Ujitjes dhe Kullimit njësia Administrative e Zall Bastarit, thuajse nuk e ofron këtë shërbim ndaj fermerëve.
Në këtë kuptim, është pak të pohohet se kemi të bëjmë më së paku, me përplasje kompetencash në mes dy niveleve të pushtetit.
Si rrjedhojë, ekziston mungesa e fondeve për investime për ujitjen.
Me të drejtë lind pyetja se pse ka ngecur ky shërbim?
Thjesht për buxhete të pamjaftueshme?
Po. Mungesa e buxhetit është arsyeja kryesore, por jo e vetmja. Duket se mungesa e akteve ligjore e nënligjore për ecurinë e procesit të transferimit të kompetencave nga Pushteti Qendror te ai vendor; dhe nga Bashkia qendrore në Njësinë Administrative, rurale, është një nga gjetjet e shkaqet e mosfunksionimit të këtij shërbimi, sipas studimit të sipërpërmendur.
Pa funksionimin e këtyre organizmave, të njohura edhe me ligj, efekti i përdorimit të ujërave dhe shpërndarjes së tyre në kohë dhe me efektivitet, lë shumë për të dëshiruar, është më shumë se kaotike dhe pa kriter.
Nisur nga të gjitha situatat takimet dhe trajnimet e grupeve të interesit del si nevoje njohja se sa akses kanë fshatrat e Njësisë Administrative Zall Bastar, në Shërbimin publik të Ujitjes dhe Kullimit? Sa eficent është sistemi vaditës dhe i kullimit.
Në lidhje me problematikat e sistemit të vaditjes në Njësinë Administrative Zall Bastar studiuesit e “Iluminatos” informojnë se: sipërfaqja e tokës nën ujë sipas fshatrave është 575 ha. Me një pasqyrë si më poshtë; 1.Fshati Zall Bastar 82 ha. 2.Fshati Mener i Siperm 78 ha. 3.Fshati Vilez 65 ha. 4.Fshati Bastar i Mesem 65 ha. 5.Fshati Bastar Murriz 45 ha. 6.Fshati Zall Dajt 93 ha. 7.Fshati Besh 30 ha. 8.Fshati Dajt 15 ha. 9.Fshati Shengjin i vogel 42 ha. 10.Fshati Selite e Malit. 55 ha.
Por sa nga kjo sipërfaqe vaditet sot sipas fshatrave?.
1.Fshati Zall Bastar 28 ha. 2.Fshati Mener i Siperm 20 ha. 3.Fshati Vilez 14 ha. 4.Fshati Bastar i Mesem 14 ha 5.Fshati Bastar Murriz 20 ha 6.Fshati Zall Dajt 14 ha. 7.Fshati Besh 4 ha. 8.Fshati Dajt 2 ha. 9.Fshati Shengjin i vogel 3 ha. 10.Fshati Selite e Malit. 13 ha.
Sipas ekspertëve, do kishte zgjidhje për këta banorëve, edhe vendosja e pompave apo bërja e puseve, por këta të fundit janë farë të pakët.
Nuk ka sipërfaqe të ujitshme dhe sipërfaqe e kullueshme që mbulohet nga Shërbimi publik i Ujitjes dhe Kullimit?
Asnjë fshat nuk ka rrjet kanalesh ujitës(janë jashtë funksionit).
Totali i tokës bujqësore është 735 ha nga të cilët nuk kanë asnjë mundësi vaditje me kanale vaditëse apo pompa .
Kanale ujitëse të para janë jashtë funksionalë.
Kullimi, paraqet problematika edhe më të mëdha dhe si rrjedhojë, erozioni është masiv dhe kërcënues për strukturën e tokës.
Kanalet e para dhe të dyta janë të papërdorshëm, për dhjet vjeçarë të tërë.
Vepra ujitëse të inventarizuara nga ish kooperativat bujqësore janë jashtë funksionit në Zall Bastar:
Efektet e zbatimit të ligjit 139/2015, do ishin një kthesë e konsiderueshme në problematikat e hasura në këtë fushë, por ende nuk ka ndonjë nismë konkrete në Njësinë Administrative, për shndërrimin e këtij shërbimi publik në Prioritet në Buxhetin e vitit 2019. Edhe strategjitë mungojnë.
Pritet me interes që të ndërmerren nisma konkrete për lobim pranë këshillave bashkiakë për ta përfshirë në prioritetet e tyre shtimin e buxheteve për këtë shërbim jetik për fermerët edhe të kësaj zone? Duket se misioni i studiuesve për këtë çështje është i përmbushur, dhe i ofron komunitetit rrugë zgjidhje të qëndrueshme.
Ata sugjerojnë nisma konkrete për përfshirjen e administratës vendore që mbulon këto shërbime, për t’u përfshirë në projektet për të përfituar fonde të programeve kombëtare dhe ndërkombëtare që subvencionojnë rehabilitimin e sistemeve të ujitjes dhe kullimit në territorin e qarkut Tiranë.
Të gjithë këta faktorë të koordinuar së bashku, duket se do ti japin një tjetër frymëmarrje zhvillimit të kësaj zonë me resurse tejet të dallueshme në fushën e bujqësisë dhe blegtorisë, përmes funksionit kaq jetik të sistemeve ujitjes dhe kullimit në gjithë krahinën e Zall Bastarit. Zall Bastarit që i kalon lumi dhe ujërat na krah, nuk ka pse te vuaje për to.
Fisnik Sina
Zall bastar, dhjetor 2018